Faleminderit
Don Fran Sopi: Shën Nënë Tereza, drita që lindi 115 vite më parë
E marte, 26.08.2025, 06:58 PM
Shën Nënë Tereza, drita që lindi 115 vite më parë
(Evokim)
Nga
Don Fran Sopi
E
kujtoj shpesh atë ditë me një dridhje të lehtë në shpirt, si një rreze e bardhë
që më ndjek e më ndriçon përmes viteve të jetës sime. Ishte 22 tetori i vitit
1982, kur Zoti i madh më dha hirin e pamerituar ta pres dhe ta përcjell Shën
Nënën Tereze, më parë në Zllakuqan të Lugut të Drinit në Klinë, e më pas nga
Kisha e “Shën Katarinës së Aleksandrisë” në Pejë, deri në Han të Elezit.
Në
atë kohë isha një meshtar i ri, kapelan i don Mark Sopit, famullitar i Kishës
së “Shën Gjon Pagëzuesit” – dhe megjithatë, ajo ditë më përtejkalonte në
përmasë misioni dhe shpirti.
Në
oborrin e kishës së Zllakuqanit, ku kumbonin kambanat mbi shekullore e ku
përditë ngjiteshin lutje të heshtura, atë ditë zbriti një frymë e shenjtë. Shën
Nëna Tereze kishte mbërritur, e thjeshtë, e përvuajtur, me një vështrim që
mbante në vetvete dhembjen dhe dashurinë e mbarë botës. Ishim bashkë me të
ndjerin don Mark Sopi, atëherë famullitar, më vonë ipeshkëv i Kosovës, dhe nga
hapat e parë deri te fjala e fundit që ajo u drejtoi besimtarëve tanë, ndjeva
një prezencë që vinte nga qielli.
Fjalët
e saj ishin të pakta, por të shenjta. Nga ballkoni i vogël rezidencës së kishës
së Zllakuqanit, u drejtua me një butësi të pakrahasueshme ndaj rinisë dhe
popullit tonë: “Këtë rini kaq të bukur bota nuk e ka. Unë e kam në zemër
popullin tem shqiptar. Të shkojmë në rrugën e Zotit, ta duam Atdheun dhe
njëri-tjetrin". Ishte një porosi që ende kumbohet në ndërgjegjen tonë të
përbashkët.
Kur
Nënë Tereza shqiptoi lutjet në shqip – “Ati ynë” dhe “Puna e pendimit” – ndjeva
sikur qielli vetë kishte zbritur në atë cep të vogël të Lugut të Drinit. Ato
fjalë të thjeshta ishin përshpirtje të mëdha, ishin thirrje për falje, për
dashuri dhe për shërbesë.
Më
pas udhëtova me të drejt Pejës. Në Kishën e “Shën Katarinës”, njerëzit e pritën
me duar të bashkuara e me sytë e përlotur, siç pritet një shenjtore e gjallë.
Nuk kishte nevojë për fjalë të mëdha. Ajo ishte dritë, dhe drita e saj fliste
vetë. “Drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e pushtoi”, thotë Ungjilli,
dhe ajo ishte vetë kjo dritë, e heshtur, por rrënjësore.
Në
rrugën për në Han të Elezit, mbretëronte heshtja. Ajo nuk fliste, por lutja e
saj vazhdonte në thellësi. Ishte një heshtje që fliste më shumë se çdo
predikim, një heshtje që thërret për përkushtim hyjnor. Udhëtoja përkrah saj,
me përvujtëri, duke ndjerë një ndrojtje të ëmbël në shpirt – si një nxënës
pranë një shenjtoreje që mishëron dashurinë ungjillore.
Në
një kohë kur në Kosovë në Jugosllavinë komuniste burgoseshin meshtarët dhe
ndaloheshin të ndertoheshin kishat si dhe rrenoheshin ato (sikurse kisha e
Klinës në vitin 1974, 1996...), edhe Shqipëri regjimi ateist i Enver Hoxhës
përndiqte dhe pushkatonte klerikët e pafajshëm, ndërsa shkatërronte kishat dhe
mbyllte kolegjet fetare, Shën Nëna Tereze luste Zotin në gjuhën shqipe. Ajo
predikonte dashurinë, pajtimin dhe shpresën – dhe nëpërmjet saj, dëgjuam zërin
e Zotit që na thoshte: “Nuk ju kam harruar!”
Kur
mbërritëm në Han të Elezit, e ndjeva thellësisht boshllëkun e largimit të saj
fizik, por jo të pranisë. Ajo kishte mbetur në zemrat tona, jo më si një figurë
e largët, por si një bijë shqiptare që kurrë nuk harroi vendin e vet.
Sot,
në këtë 115-vjetor të lindjes së saj, ajo ditë mbetet si një faqe e shenjtë në
ungjillin e jetës sime meshtarake. Sa herë lutem për popullin tim, më del
përpara fytyra e saj; sa herë predikoj për dashurinë ndaj Zotit dhe njeriut, më
frymëzon shembulli i saj; dhe sa herë që ndjej mungesë shprese, i kthehem atij
tetori të vitit 1982, kur Zoti më lejoi të eci përkrah një gruaje të vogël në
shtat, por të madhe në përjetësi.
Nëna
Tereze nuk ishte vetëm një vizitë shtegëtuese. Ajo ishte një shenjë e
shënjtëruar, ishte një thirrje, ishte një bekim për të cilin sot e përjetë, i
falënderoj Zotit dhe të Lumit Jezu Krisht.