Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Ibrahim Rugova - Nënë Tereza është engjëll i rojës për Kosovën dhe për popullin shqiptar
E merkure, 27.08.2025, 06:57 PM
Sot është 115-vjetori i lindjes së Nënës Tereze, e ajo, siç thoshte Ibrahim Rugova “është engjëll i rojës për Kosovën dhe për popullin shqiptar"
Nga Ndue Ukaj
Nëna Tereze vërtet
ishte engjëlli i rojës për Kosovën dhe në shtrëngata e ditët më të vështira për
ne, ishte pranë nesh, ishte pranë secilës familje, në një kohë kur ne kishim
nevojë për një dorë të butë nëne e për një fjalë të mirë që ngjante me një shujtë
të kujdesshme ushqimi në tryezën e të uriturve.
Ne, në vitet e 90-a,
ishim të frikësuar e të uritur për fjalë të mira, vërtet ishim të uritur për
gjithçka dhe kishim nevojë për modele, dhe Nëna Tereze u bë model udhërrëfyes,
aq sa ka mendime që thonë se Lëvizja jonë për liri, pavarësi dhe demokraci,
ishte e nënterezshme.
Rugova dhe e gjithë
shoqëria jonë asokohe e kishim model Nënën Tereze, e ajo, si një engjëll i
rojës, hyri në secilën shtëpi, duke iu afruar ndihmë, përkrahje e solidaritet,
në ato rrathë ferri nëpër të cilët kalonim.
Dhe sot, zor është të
gjendet një shtëpi në të cilën nuk ka hyrë vepra e mrekullueshme e Nënë
Terezës: me një pako ushqim, pak fjalë të mira ose shpresa se pas asaj nate të
gjatë, do të linde dita.
Gjithashtu, janë të mirënjohura
fjalët e saj për Kosovë, lidhja me personalitet e rëndësishme të kohës, duke
dhënë kështu një kontribut madhor për lirinë e Kosovës, e në të njëjtën kohë,
duke e veshë me petka të bukura identitetin shqiptar, e duke e shpalosë përpara
botës si një identitet me vlera të njëmenda.
Por, si shoqëri me
kujtesë të shkurtë e me një histori të trishtë, ku hartat e harresës duken të
pafundme, neve na duhet vazhdimisht të ushtrojmë kujtesën, të kujtojmë përherë
atë që kanë thënë liderët botërorë për peshën që kishte Nëna Tereze për lirinë
tonë.
Ne, si shoqëri,
tashmë duket qartësisht se i kemi bjerrë vlerat themelore me të cilat kemi
formuar realitet tona, jemi kthyer në bukëshkalë, dhe ecim të trullosur në një
udhëkeqe, të prirë nga mendje të cekëta e dashakeqe.
Dhe kur e shoh
shoqërinë tonë kaq të humbur, pa asnjë busull orientimi e me do mendje të
cekëta e dashakeqe në krye, jam i bindur se kthimi kah Nënë Tereza, mund ta
shpëtojë një cep të ndërgjegjes sonë pa e përlyer dhe mund të na jep forcë
pozitive që të dalin prej kësaj rrugëkeqe ku kemi hyrë.
Në anën tjetër,
kujtesa e shoqërisë sonë po përkeqësohet dhe përditë e më shumë po varfërohet.
Dhe po shtrinë kufijtë e saj një shkollë egërshane, që nuk ka lidhje me vlera
humane, ku secili është kundër secilit, e ku për vlera të nënëterezshme as që
bëhet fjalë.
Po, shoqëria jonë
sillet si e dehur, sepse ka pirë pijen helmatisëse të ideologjive të përdala e
ushqehet prej mendjeve të cekëta që nuk mund të bëjnë dallimin elementar mes
normales e jonormales.
Dhe prej kësaj
gjendje, ne nuk mund të dalim me ata që e kanë shkaktuar këtë lloj ferri, ne,
siç na dëshmon empiria, nuk mund të dalim prej ferri pa modele. Thënë
simbolikisht, siç iu dashtë Dantes, në ferr, të kishte një udhërrëfyes për të
bërë udhëtimin drejt purgatorit e parajsës, edhe shoqërisë sonë i duhen
udhërrëfyes për të dalë prej kësaj kllapie mendore e shpirtërore.
Dhe një prej
udhërrëfyeseve më të mira, është Nëna Tereze, shembulli i së cilës, ka
frymëzuar dikur lëvizjen tonë për liri, pavarësi e demokraci, dhe vazhdon të
frymëzojë kudo në botë miliona njerëz, që të bëhen punëtorë të humanizmit,
kulturës e edukimit, nën flamurin më të bukur në botë: flamurin e dashurisë
njerëzore.
Ajo ka lënë një
trashëgimi të pasur e shumëdimensionale, që rrezaton kudo shpresë e mirësi.
Gjithashtu ajo ishte poete, me mendim të thella, një krijuese, në kuptimin më
të lartë të fjalës, që kënaqej me fuqinë e artit e të poezisë, dhe botës i ka
lënë vargje magjepse e një shkollë jete, shëndetdhënëse.
Ajo, sikur të mos
fitonte Çmimin Nobel për Paqe, thoshte shpesh Ali Podrimja, do të fitonte
Çmimin Nobel për Letërsi. Sepse, poezitë e saj mund të shërbejnë si ilaç për
t’i kuruar vuajtjet njerëzore, për t’i bërë ato më të përballueshme, për të
mësuar nga jeta dhe njëkohësisht për t’iu gëzuar çdo momenti.
Ronald Regan, ish
presidenti amerikan, pas një takimi me Nënën Tereze, në takimin me gazetarë, në
pyetjen çka biseduat me Nënë Terezën? Ai ishte përgjigjë: “Me Nenën Tereze nuk
bisedohet, atë vetëm duhet dëgjuar.”
Ne kemi nevojë sot ta
dëgjomë zërin e saj.