Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Ibrahim Rugova - Nënë Tereza është engjëll i rojës për Kosovën dhe për popullin shqiptar

| E merkure, 27.08.2025, 06:57 PM |


Sot është 115-vjetori i lindjes së Nënës Tereze, e ajo, siç thoshte Ibrahim Rugova “është engjëll i rojës për Kosovën dhe për popullin shqiptar"

Nga Ndue Ukaj

Nëna Tereze vërtet ishte engjëlli i rojës për Kosovën dhe në shtrëngata e ditët më të vështira për ne, ishte pranë nesh, ishte pranë secilës familje, në një kohë kur ne kishim nevojë për një dorë të butë nëne e për një fjalë të mirë që ngjante me një shujtë të kujdesshme ushqimi në tryezën e të uriturve.

Ne, në vitet e 90-a, ishim të frikësuar e të uritur për fjalë të mira, vërtet ishim të uritur për gjithçka dhe kishim nevojë për modele, dhe Nëna Tereze u bë model udhërrëfyes, aq sa ka mendime që thonë se Lëvizja jonë për liri, pavarësi dhe demokraci, ishte e nënterezshme.

Rugova dhe e gjithë shoqëria jonë asokohe e kishim model Nënën Tereze, e ajo, si një engjëll i rojës, hyri në secilën shtëpi, duke iu afruar ndihmë, përkrahje e solidaritet, në ato rrathë ferri nëpër të cilët kalonim.

Dhe sot, zor është të gjendet një shtëpi në të cilën nuk ka hyrë vepra e mrekullueshme e Nënë Terezës: me një pako ushqim, pak fjalë të mira ose shpresa se pas asaj nate të gjatë, do të linde dita.

Gjithashtu, janë të mirënjohura fjalët e saj për Kosovë, lidhja me personalitet e rëndësishme të kohës, duke dhënë kështu një kontribut madhor për lirinë e Kosovës, e në të njëjtën kohë, duke e veshë me petka të bukura identitetin shqiptar, e duke e shpalosë përpara botës si një identitet me vlera të njëmenda.

Por, si shoqëri me kujtesë të shkurtë e me një histori të trishtë, ku hartat e harresës duken të pafundme, neve na duhet vazhdimisht të ushtrojmë kujtesën, të kujtojmë përherë atë që kanë thënë liderët botërorë për peshën që kishte Nëna Tereze për lirinë tonë.

Ne, si shoqëri, tashmë duket qartësisht se i kemi bjerrë vlerat themelore me të cilat kemi formuar realitet tona, jemi kthyer në bukëshkalë, dhe ecim të trullosur në një udhëkeqe, të prirë nga mendje të cekëta e dashakeqe.

Dhe kur e shoh shoqërinë tonë kaq të humbur, pa asnjë busull orientimi e me do mendje të cekëta e dashakeqe në krye, jam i bindur se kthimi kah Nënë Tereza, mund ta shpëtojë një cep të ndërgjegjes sonë pa e përlyer dhe mund të na jep forcë pozitive që të dalin prej kësaj rrugëkeqe ku kemi hyrë.

Në anën tjetër, kujtesa e shoqërisë sonë po përkeqësohet dhe përditë e më shumë po varfërohet. Dhe po shtrinë kufijtë e saj një shkollë egërshane, që nuk ka lidhje me vlera humane, ku secili është kundër secilit, e ku për vlera të nënëterezshme as që bëhet fjalë.

Po, shoqëria jonë sillet si e dehur, sepse ka pirë pijen helmatisëse të ideologjive të përdala e ushqehet prej mendjeve të cekëta që nuk mund të bëjnë dallimin elementar mes normales e jonormales.

Dhe prej kësaj gjendje, ne nuk mund të dalim me ata që e kanë shkaktuar këtë lloj ferri, ne, siç na dëshmon empiria, nuk mund të dalim prej ferri pa modele. Thënë simbolikisht, siç iu dashtë Dantes, në ferr, të kishte një udhërrëfyes për të bërë udhëtimin drejt purgatorit e parajsës, edhe shoqërisë sonë i duhen udhërrëfyes për të dalë prej kësaj kllapie mendore e shpirtërore.

Dhe një prej udhërrëfyeseve më të mira, është Nëna Tereze, shembulli i së cilës, ka frymëzuar dikur lëvizjen tonë për liri, pavarësi e demokraci, dhe vazhdon të frymëzojë kudo në botë miliona njerëz, që të bëhen punëtorë të humanizmit, kulturës e edukimit, nën flamurin më të bukur në botë: flamurin e dashurisë njerëzore.

Ajo ka lënë një trashëgimi të pasur e shumëdimensionale, që rrezaton kudo shpresë e mirësi. Gjithashtu ajo ishte poete, me mendim të thella, një krijuese, në kuptimin më të lartë të fjalës, që kënaqej me fuqinë e artit e të poezisë, dhe botës i ka lënë vargje magjepse e një shkollë jete, shëndetdhënëse.

Ajo, sikur të mos fitonte Çmimin Nobel për Paqe, thoshte shpesh Ali Podrimja, do të fitonte Çmimin Nobel për Letërsi. Sepse, poezitë e saj mund të shërbejnë si ilaç për t’i kuruar vuajtjet njerëzore, për t’i bërë ato më të përballueshme, për të mësuar nga jeta dhe njëkohësisht për t’iu gëzuar çdo momenti.

Ronald Regan, ish presidenti amerikan, pas një takimi me Nënën Tereze, në takimin me gazetarë, në pyetjen çka biseduat me Nënë Terezën? Ai ishte përgjigjë: “Me Nenën Tereze nuk bisedohet, atë vetëm duhet dëgjuar.”

Ne kemi nevojë sot ta dëgjomë zërin e saj.