E merkure, 27.08.2025, 08:59 PM (GMT+1)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Një organizim ndryshe i pajisjes me libra shkollore të nxënësve

E marte, 26.08.2025, 06:58 PM


NJË ORGANIZIM NDRYSHE I PAJISJES ME LIBRA TË NXËNËSVE

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Shtrohet pyetja: A më e pasur është Gjermania apo Kosova?!

Në çdo fillim-viti shkollor problematizohet pajisja me libra të nxënësve. Zhurmohet panevojshëm, ndërkohë që zgjidhja është e thjeshtë dhe kursimtare. Përvoja gjermane është ideale. Librat nga shkolla fillore e deri në përfundim të shkollës së mesme riciklohen, nga klasa në klasë. Organizimin me pajisje me librat shkollorë, e bënë mësuesi/ja, respektivisht, kujdestari i klasës, të paktën, një javë para se të fillojë viti shkollor. Nxënësve u mbetet të blejnë vetëm -Fletorët e Punës- dhe materialet tjera shkollore.

Librat jepen falas, për çdo nxënës, pavarësisht gjendjes ekonomike të tyre. Nxënësit udhëzohen që librat të mbështjellën me plastamas (najlon) të tejdukshëm, për t`i ruajtur nga zhubrosja, ndotja, ku shkruhet emri dhe mbiemri, në një letër të ngjitur sipër mbështjelljes, i nxënësit që merr në dorëzim dhe përdorim librat përgjatë vitit shkollor. Kthimi i librave sërishmi në shkollë, respektivisht, tek kryetari i klasës me ndihmësit e tij, nënkryetari dhe sekretari, duke verifikuar numrin dhe mirëmbajtjen e secilit libër. Në rast të shpërdorimit apo humbjes të librit, dëmshpërblimi kap shifrën e trefishit të çmimit normal. Kjo praktikë vazhdon të funksionojë në Landet, Republikat gjermane, të paktën, në shumë syresh që unë i njoh.

Dhe, shtrohet pyetja: A më e pasur është Kosova, e cila librat shkollorë i përdorë vetëm një vit, pastaj i hedhë në shportën e letrave, apo Gjermania e cila e riciklon përdorimin e librave për vite me radhë, duke kursyer milionat e eurove?! Dhe, kur këtë kursim e bënë Gjermania, superfuqi ekonomike evropiane, pse të mos e bëjë Kosova jonë, me një ekonomi të brishtë dhe me varfëri klasike?! Andaj, është e domosdoshme që Kosova të mendojë për kursimin e buxhetit shtetëror, duke ndjekur shembullin e shkëlqyer të Republikave gjermane, përdorimin e ricikluar të librave shkollorë të përdorura. E mira e dytë është se librat janë të siguruara shkollës dhe Ministria e Arsimit nuk merakoset fare për një çështje, tashmë, të zgjidhur nga vetë shkollat e Kosovës.

Kaosi i hartimit dhe botimit të teksteve shkollore në Kosovë!

Hartimi i teksteve shkollore është i një rëndësie të veçantë. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, realisht, ka lënë hapësirë manipuluese e biznesore, gjë që përbenë një fajësi në vete. Librat shkollorë nuk janë romane artistike apo shkencore, të cilat janë në përdorimin vullnetar. Përkundrazi, roli i librave shkollorë është i veçantë, në edukimin dhe arsimimin e brezave shqiptarë dhe të pakicave tjera, shtetas të Republikës të Kosovës.

Kosova ka aprovuar dhe zbatuar programin-sistem arsimor të Bolonjës, i pranuar e edhe nga BE-ja. Kosova, si shtet që aspiron Evropën, duhet të mësojë dhe aplikojë edhe procesin arsimor, të ngjashëm me atë të shteteve evropiane.

Librat për lëndet shkencore shkollore nuk ndryshojnë brenda shtetit. Por, për lëndët shoqërore, shtetet e ndara në Lande, Kantone, Komuna të Evropës, kanë specifikat e tyre, andaj edhe përshtatën librat shkollorë. Autorë i vetëm i një libri shkollor, madje i çfarëdo natyre qoftë, nuk mund të jetë një njeri, qoftë ai Prof., Dr. Hartuesit e librave shkollorë janë grup autorësh, zakonisht, tre dhe më shumë titullarë: Prof., Dr., por rrallë ka edhe ndonjë ndihmës magjistër. Në vendet e Evropës të zhvilluar, të emancipuar nuk ka autorë të librave shkollorë të pa licencuar dhe as vullnetarë, të cilët bëjnë biznes me hartimin  e librave shkollorë.

Ndërkohë që në Kosovë ka një anarki rrugaçërore e kriminale, që nxjerrin në treg librat shkollorë, pa autorizim, pa kriter, jashtë çdo kontrolli shtetëror, duke krijuar huti e kaos në shkollat e të gjitha niveleve të Kosovës. Kjo është alarmante dhe Ministria e Arsimit duhet t`u japë fund praktikave të tilla anarkiste, që ndikojnë për të keq në cilësinë e arsimimit të mirëfilltë të shkollarëve tanë, madje të të gjitha kategorive.

Shtëpi botuese shtetërore të Librit Shkollor, domosdo e kohës

Shtëpia botuese e Librit Shkollor, dikur, ka mbuluar nevojat për literaturën shkollore, që nga mësimi fillestar, pra, nga klasa e parë fillore e deri ke dispensat universitare. Kjo shtypshkronjë do të plotësonte të gjitha nevojat e materialeve tjera për shkollat, si ditarët shkollorë dhe gjithçka tjetër, që bazë kanë letrën e shkruar dhe të pashkruar të formateve të ndryshme. Kjo do të plotësonte edhe materialet e nevojshme të administratës shtetërore dhe komunale, në nivel të Republikës të Kosovës.

Të gjitha llogaritë e bëra rezultojnë në domosdoshmërinë e rithemelimit të shtëpisë botuese të Librit Shkollor, me mundësi të lehtësuara, madje, të gjithmonshme të pajisjes me literaturë dhe materiale të tjera shkollore si dhe materiale për të gjithë administratën shtetërore. Shtëpia botuese shtetërore e Librit Shkollor, do të kursente miliona euro, krahasuar me shpenzimet aktuale të rrëmujshme, në kaos jashtë çdo kriteri dhe kontrolli të buxhetit shtetëror. Abuzimi i buxhetit shtetëror, me blerjet e literaturës shkollore nga shtëpitë botuese private, është një krim zyrtar shtetëror. Kjo ngjason shumë me privatizimet e terminaleve doganore apo ushqimin e blerë për ushtrinë, me pagesë 4 fishin e milionave eurove më shumë, në raport me përgatitjen e ushqimit, aktualisht, në kazermat ushtarake!

Privatizimi i egër i pasluftës, shpërfaqi falsitetin e disa "biçim komandantësh", duke abuzuar me gjakun e dëshmorëve dhe luftën e luftëtareve të mbijetuar, përfituan nga kaosi përgjatë protektoratit nga administrata burokratike dhe korruptive e UNMIK-ut, zhvatën pamëshirshëm pasuritë e brezave shqiptarë. Komandantët mujsharë dhe zullumqarë u thirrën në luftën e pabërë, u zhytën në krime, vranë ushtarakët, të cilët, realisht, e bënë paqen dhe luftën e Kosovës, si dhe kundërshtarët tjerë politikë!

Vërtet, nuk mund të jesh edhe patriot, edhe hajn i popullit, i shtetit tënd - njëherësh! Patriotizmi dhe hajnia janë antipod i njëra-tjetrës, pra, përjashtojnë njëra-tjetrën. Ashtu siç demantojnë "patriotizmin e komandantëve", kur ata i vrasin luftëtarët e lirisë, për të përfituar, dhunshëm e përgjakshëm, meritat e tyre të luftës dhe për të vazhduar me pushtetin hajnor e kriminal. Mjerisht, kjo ndodhi në "Kosovën e çliruar" nga armiku serbo-sllav, por të përgjakur nga komandantët shqipfolës me bandat e tyre kriminale.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Milazim Zeqiraj: Problemi që s'është problem, u bë problem- kurthë apo dështim i demokracisë Sevdail Hyseni: Haxhi Haki Hasani - kur bamirësia bëhet stil jetese në Luginën e Preshevës Florim Zeqa: Deri kur me politikë vrastare për shtetin!? Petrit Dibrani: Avancohet gënjeshtra me pagesë! Idriz M. Hajrullahu: Reagim publik nga Lëvizjes Qytetare 'Vatra' Zenel Çeliku: Çfarë qëndron mbrapa protestave të dhunshme në Serbi? Idriz Zeqiraj: Mohimi i votimit të fshehtë - praktikë komuniste dhe fashiste! Nexhmedin Saqipi: “Fondi i Luginës” - Ide e duhur, kohë e gabuar? Dorian Koçi: Përkujtimi i parë institucional i Ditës Ndërkombëtare të Totalitarizmit Florim Zeqa: Çdo e keqe e ka të mirën mbrapa! Klajd Kapinova: “Diplomati” i pasuksesshëm John Robert Bolton i shpallur ‘persona non grata’, sëmundja e Sindromës Trump dhe FBI Vladimir Shyti: Hyjneshat e fatit, tjerrin fatin e Ukrainës Kalosh Çeliku: Ditët e Humorit dhe Satirës X 'Xha Deralla' 2025 Gjon Keka: Është koha për ta thyer akullin dhe dalë nga tuneli e të krijohen institucionet sa më parë Milazim Zeqiraj: Kur gënjeshtra prezentohet si e vertetë, në vend krijohen paqartësi Adil Fetahu: Jurisdiksioni universal në të drejtën penale Shaban & Fatime Prelvukaj: Çmimi i Lartë "Mikpritja Shqiptare" për "Valbona Resort & SPA" Emin H. Daka: Letër për mikun tim të dashur Albert Habazaj: Dr. Emiljano Sheraj i klinikës Aulona Dental në Vlorë Idriz Zeqiraj: OVL e UÇK-së dhe PAN shantazhojnë Qeverinë dhe Shtetin!

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx