Mendime
Dorian Koçi: Përkujtimi i parë institucional i Ditës Ndërkombëtare të Totalitarizmit
E shtune, 23.08.2025, 06:54 PM
Ambasadorja
Susanne Schütz, Zv Ministri i Kultures, Zef Çuni, z Simon Mirakaj, ish- i
dënuar politik, anëtar i bordit drejtues
i AIDSSH duke vështruar këmishën e qëndisur të Sabiha
Kasimatit, intelektuales pushkatuar në 23 shkurt 1953
Përkujtimi
i parë institucional i Ditës Ndërkombëtare të Totalitarizmit - 23 gusht 2017 në
Muzeun Historik Kombëtar
Nga
Dorian Koçi
Dita
Ndërkombëtare e Kujtimit të Viktimave të Totalitarizmit, e cila përkujtohet më
23 gusht, është një thirrje e përbashkët e vendeve europiane për të reflektuar
mbi trashëgiminë e dhunës, shtypjes dhe krimeve të kryera nga regjimet
totalitare gjatë shekullit XX. Kjo ditë është zgjedhur për të kujtuar
nënshkrimin e Paktit Ribbentrop–Molotov më 23 gusht 1939, i cili ndau Europën
në sfera influence mes dy fuqive totalitare të kohës – nazizmit dhe komunizmit
– dhe hapi rrugën për shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore. Për Shqipërinë,
kjo ditë merr një dimension të veçantë, pasi kujtesa kombëtare mbart plagët e
dy formave të dhunës: pushtimit nazi-fashist dhe më pas vendosjes së një
regjimi diktatorial komunist. Për herë të parë në formë institucionale në Shqipëri, kjo ditë u përkujtua në Muzeun
Historik Kombëtar më 23 gusht 2017, duke e vendosur vendin tonë në linjë me
nismën europiane për të ruajtur kujtesën dhe për të nderuar viktimat e
totalitarizmit. Muzeumet dhe institucionet e kujtesës në vend e përkthejnë këtë
përkujtim në gjeste konkrete, duke ekspozuar objekte, dokumente dhe rrëfime të
viktimave që dëshmojnë përmasat e tragjedisë dhe rëndësinë e ruajtjes së
kujtesës historike.
Në
ekspozitën e hapur me këtë rast, njëra nga vitrinat më domethënëse paraqiate
objektet të mbetura nga viktimat e masakrës gjermane të Borovës, e cila ndodhi
më 6 korrik 1943. Ngjarja ka hyrë në kujtesën historike si një nga krimet më të
rënda të ushtrisë gjermane në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Regjimenti i 98-të i Divizionit të Parë Alpin, ndërsa marshonte drejt Greqisë,
u sulmua nga forcat partizane shqiptare në afërsi të fshatit Borovë të
Kolonjës. Si kundërpërgjigje, ushtria gjermane kreu një akt hakmarrës barbar,
duke ekzekutuar dhe djegur 107 civilët e pafajshëm të fshatit. Banorë të
moshave dhe gjinive të ndryshme, gra, fëmijë dhe pleq, u pushkatuan pa mëshirë,
ndërsa shtëpitë dhe pasuritë e tyre u dogjën. Masakra e Borovës, e cila la pas
një numër të madh viktimash të vrarë dhe të plagosur, dëshmon sot përmasat
tragjike të luftës dhe brutalitetin e politikës naziste të terrorit mbi popullsitë
civile. Objektet e ekspozuara në këtë vitrinë – sende personale të të vrarëve,
mbetje të rrobave, copëza të jetës së përditshme – flasin pa fjalë për
dhimbjen, humbjen dhe qëndresën e një komuniteti të tërë të zhdukur në pak orë
nga forca e verbër e dhunës.
Vitrina
tjetër ndalej tek një kapitull i errët i historisë shqiptare të pasluftës dhe
paraqet objekte të viktimave të regjimit komunist. Ato i përkasin njerëzve që,
pas vitit 1944, u përballën me një tjetër formë terrori, këtë herë të ushtruar
nga shteti mbi qytetarët e vet. Në Pavijonin e Terrorit Komunist gjenden
objekte të të burgosurve politikë, të pushkatuarve pa gjyq, të intelektualëve
të internuar, por edhe të njerëzve të thjeshtë që guxuan të shfaqnin hapur
mospajtimin e tyre ndaj diktaturës. Çdo objekt bart me vete një histori
individuale dhe kolektive: letra të dërguara nga qelitë, vegla pune të
improvizuara, rroba të grisura, apo fotografi të fshehura nga familjarët. Ato
janë dëshmi të heshtura të një kohe kur fjala e lirë shtypej me dhunë dhe kur
njeriu trajtohej si armik për shkak të bindjeve të tij.
Vendosja
krah për krah e këtyre dy vitrinave krijonte dhe krijon një dialog të fortë mes dy periudhave
historike, duke treguar se dhuna dhe terrori kanë marrë forma të ndryshme, por
gjithnjë kanë prekur rëndë jetën e njerëzve dhe shoqërinë shqiptare. Ato
shërbejnë jo vetëm si kujtesë për viktimat, por edhe si thirrje për reflektim
mbi të kaluarën, duke theksuar nevojën që histori të tilla të kujtohen e të
studiohen me qëllim që të mos përsëriten kurrë më.
Përkujtimi
i Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Totalitarizmit në Shqipëri jo vetëm që
forcon ndërgjegjësimin shoqëror mbi vuajtjet e të kaluarës, por gjithashtu e
afron vendin me vlerat themelore europiane të kujtesës, demokracisë dhe të
drejtave të njeriut. Integrimi europian nuk është vetëm një proces politik e
institucional, por edhe një proces kulturor i pranimit të së shkuarës dhe i
ndërtimit të një identiteti demokratik mbi bazën e saj. Në këtë kuptim, akti i
parë përkujtimor i 23 gushtit 2017 në Muzeun Historik Kombëtar mbetet një gur
themeli në kulturën e kujtesës në Shqipëri, duke e lidhur përvojën e hidhur
kombëtare me rrëfimin më të gjerë europian të përballjes me totalitarizmin.