Mendime
Ndue Dedaj: 'News 24' dhe kriza e medias
E shtune, 16.08.2025, 06:53 PM
“NEWS 24” DHE KRIZA E MEDIAS
-
refleksion -
NGA
NDUE DEDAJ
Më
kot kërkon me pult një ekran televiziv, që ishte bërë yti, i të gjithëve. Si të
ketë rënë rrufeja e ta ketë shkrumbuar nga themelet, si zjarret e përbindshme
të kësaj vere, që po na zhbëjnë pyje, shtëpi dhe fshatra. Në bar-kafenë ku pi
kafen çdo mëngjes, sot mungon një gazetë e pas do kohësh një tjetër - në pamje
të parë asgjë dramatike, por nuk është kështu. Kjo kronikë e zymtë paralajmëron
se nesër do të ketë njoftime, ashtu - kështu, por jo lajme, pasi lajmin e
“prodhon” vetëm media. Mund ta shohë një turmë e tërë një ngjarje në terren,
por vetëm një gazetar din ta lajmërojë për publikun, shpejt dhe saktë, pasi ai
ka syrin e profesionistit.
Ndaj
do të ishte pak të thuhet keqardhje në rastin e mbylljes së televizionit “News
24”, që ka aq shumë vite që informon për të gjitha gjërat, dhe ato që ndodhin
rrëzë shtëpisë tënde dhe ti nuk i ke marrë vesh. Pavarësisht gazetarisë online,
për lexuesin tradicional nuk do të ishte e mirëpritur as mosdalja në print e
një gazete si “Panorama”, më e madhja dhe më e rëndësishmja në vend për shumë
kohë, apo e mirënjohura “Gazeta Shqiptare”, që pati të njëjtin fat para do
kohësh. Ka qenë e dhimbshme dhe vite më parë, kur në treg nuk doli më gazeta
“Shqip”, për të përmendur vetëm disa organe shtypi të dhjetëvjeçarit së fundit,
për më tepër që ke qenë dhe vetë bashkëpunëtor aktiv i tyre.
Sa
herë mbyllet një media, është bërë zakon të thuhet, “e pësoi fjala e lirë”
etj., çka është e vërtetë, por problemi është më i përtejmë se kaq, media i
pavarur nuk mbijeton ngaqë asnjëherë nuk arriti të bëhej institucionalisht i
pavarur, ekonomikisht i pavarur, politikisht i pavarur. Doemos që shteti ka
qenë “kontributori” kryesor në këtë mospavarësi të mediave, qeveria nuk ka qenë
asnjëherë miqësore me to, nuk e ka bërë detyrën e saj ndaj mediave si subjekte
të informimit publik, pa folur për rastet flagrante kur i ka trysnuar e
tërthorazi dhe mbyllur ato kanale televizive që e shqetësonin me linjën
editoriale kritike etj.
Njëra
anë e medaljes është qeveria, ana tjetër është vetë bota mediatike,
sipërmarrësit e mediave, të cilët nuk i kishin ato si qëllim të parë, pasi
dihet që nuk sjellin fitim; më së shumti i krijuan për t’u mbrojtur nga qeveria
në kohë me mot jo të mirë për to, parësore bosët mediave kishin pallatet,
rrugët, hidrocentralet, çka i bëri të hynin në relacione “biznesi” me qeverinë,
më jep e të jap. Në këtë kontekst media ishte një barrë për sipërmarrësit,
rrogat, shpenzimet e tjera, çka binte mbi kurrizin e gazetarëve, të cilët ishin
aty për të bërë gazetari, domethënë profesionin dhe jo për t’iu mbajtur ison
pronarëve. Një media mund të falimentojë nga vetvetja, por të dalin në rrugë
njëqind gazetarë se kompania rri në shtëpinë e “huaj”, pa i pasur letrat në
rregull, kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Për këso rastesh të skajshme dhe jo
vetëm, do të ishte ideale që gazetarët të kishin krijuar sindikatën e tyre, por
roli i saj mbase do të ishte i pamundur, në një vend ku vetëm frymë
sindikaliste nuk ka...
Ngrehina
e shtypit u shkërmoq pak nga pak, nga Tirana në qytezat e largëta. Media humbi
një gjymtyrë të veten kryesore që kur hoqi dorë nga gazetaria e terrenit dhe u
rrudh brenda kryeqytetit, ku si rrjedhojë gazetarët e rretheve e qarqeve nisën
të punësoheshin nëpër bashki si punonjës administrate. Vërtetë teknologjia
digjitale ofron mundësi që ta bëjnë “gazetarin” të gjithë, por kjo është vetëm
për të nxitur reagimin e publikut, pasi gazetarinë e mirëfilltë, atë
investigative e të tjerë nuk e bën dot kamera amatore, e cila nuk mund të
depërtojë atje ku janë ngastrat me drogë, ku HEC-et e panumërt shkatërrojnë
lumenjtë dhe mjedisin në mënyrë të pakthyeshme, ku luhen aferat kriminale etj.
Janë
disa shkaqet e rënies së interesit për median profesioniste, por ndër kryesoret
qenë rrjetet sociale, që bënin tellallin për gjithçka, pa kurrëfarë filtre; si
të thuash erdhi në fuqi “populli”, duke e paguar mbi kryet e vet publiku, që,
në mishmashin e krijuar, nuk e merrte më vesh cili ishte lajmi i vërtetë dhe
cili i rremë. U krijua për herë të parë grafomania gazetareske.
Së
fundi, mbyllja e një media të lirë, si me polici, si “vullnetarisht” nga
sipërmarrësit, se nuk u del më llogaria për t’i mbajtur, është në dëm të komunikimit
publik.