Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dorian Koçi: Përkujtimi i parë institucional i Ditës Ndërkombëtare të Totalitarizmit

| E shtune, 23.08.2025, 06:54 PM |


Ambasadorja Susanne Schütz, Zv Ministri i Kultures, Zef Çuni, z Simon Mirakaj, ish- i dënuar politik,  anëtar i bordit drejtues i   AIDSSH  duke vështruar këmishën e qëndisur të Sabiha Kasimatit, intelektuales pushkatuar në 23 shkurt 1953

Përkujtimi i parë institucional i Ditës Ndërkombëtare të Totalitarizmit - 23 gusht 2017 në Muzeun Historik Kombëtar

Nga Dorian Koçi

Dita Ndërkombëtare e Kujtimit të Viktimave të Totalitarizmit, e cila përkujtohet më 23 gusht, është një thirrje e përbashkët e vendeve europiane për të reflektuar mbi trashëgiminë e dhunës, shtypjes dhe krimeve të kryera nga regjimet totalitare gjatë shekullit XX. Kjo ditë është zgjedhur për të kujtuar nënshkrimin e Paktit Ribbentrop–Molotov më 23 gusht 1939, i cili ndau Europën në sfera influence mes dy fuqive totalitare të kohës – nazizmit dhe komunizmit – dhe hapi rrugën për shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore. Për Shqipërinë, kjo ditë merr një dimension të veçantë, pasi kujtesa kombëtare mbart plagët e dy formave të dhunës: pushtimit nazi-fashist dhe më pas vendosjes së një regjimi diktatorial komunist. Për herë të parë në formë institucionale në  Shqipëri, kjo ditë u përkujtua në Muzeun Historik Kombëtar më 23 gusht 2017, duke e vendosur vendin tonë në linjë me nismën europiane për të ruajtur kujtesën dhe për të nderuar viktimat e totalitarizmit. Muzeumet dhe institucionet e kujtesës në vend e përkthejnë këtë përkujtim në gjeste konkrete, duke ekspozuar objekte, dokumente dhe rrëfime të viktimave që dëshmojnë përmasat e tragjedisë dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.

Në ekspozitën e hapur me këtë rast, njëra nga vitrinat më domethënëse paraqiate objektet të mbetura nga viktimat e masakrës gjermane të Borovës, e cila ndodhi më 6 korrik 1943. Ngjarja ka hyrë në kujtesën historike si një nga krimet më të rënda të ushtrisë gjermane në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Regjimenti i 98-të i Divizionit të Parë Alpin, ndërsa marshonte drejt Greqisë, u sulmua nga forcat partizane shqiptare në afërsi të fshatit Borovë të Kolonjës. Si kundërpërgjigje, ushtria gjermane kreu një akt hakmarrës barbar, duke ekzekutuar dhe djegur 107 civilët e pafajshëm të fshatit. Banorë të moshave dhe gjinive të ndryshme, gra, fëmijë dhe pleq, u pushkatuan pa mëshirë, ndërsa shtëpitë dhe pasuritë e tyre u dogjën. Masakra e Borovës, e cila la pas një numër të madh viktimash të vrarë dhe të plagosur, dëshmon sot përmasat tragjike të luftës dhe brutalitetin e politikës naziste të terrorit mbi popullsitë civile. Objektet e ekspozuara në këtë vitrinë – sende personale të të vrarëve, mbetje të rrobave, copëza të jetës së përditshme – flasin pa fjalë për dhimbjen, humbjen dhe qëndresën e një komuniteti të tërë të zhdukur në pak orë nga forca e verbër e dhunës.

Vitrina tjetër ndalej tek një kapitull i errët i historisë shqiptare të pasluftës dhe paraqet objekte të viktimave të regjimit komunist. Ato i përkasin njerëzve që, pas vitit 1944, u përballën me një tjetër formë terrori, këtë herë të ushtruar nga shteti mbi qytetarët e vet. Në Pavijonin e Terrorit Komunist gjenden objekte të të burgosurve politikë, të pushkatuarve pa gjyq, të intelektualëve të internuar, por edhe të njerëzve të thjeshtë që guxuan të shfaqnin hapur mospajtimin e tyre ndaj diktaturës. Çdo objekt bart me vete një histori individuale dhe kolektive: letra të dërguara nga qelitë, vegla pune të improvizuara, rroba të grisura, apo fotografi të fshehura nga familjarët. Ato janë dëshmi të heshtura të një kohe kur fjala e lirë shtypej me dhunë dhe kur njeriu trajtohej si armik për shkak të bindjeve të tij.

Vendosja krah për krah e këtyre dy vitrinave krijonte dhe krijon  një dialog të fortë mes dy periudhave historike, duke treguar se dhuna dhe terrori kanë marrë forma të ndryshme, por gjithnjë kanë prekur rëndë jetën e njerëzve dhe shoqërinë shqiptare. Ato shërbejnë jo vetëm si kujtesë për viktimat, por edhe si thirrje për reflektim mbi të kaluarën, duke theksuar nevojën që histori të tilla të kujtohen e të studiohen me qëllim që të mos përsëriten kurrë më.

Përkujtimi i Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Totalitarizmit në Shqipëri jo vetëm që forcon ndërgjegjësimin shoqëror mbi vuajtjet e të kaluarës, por gjithashtu e afron vendin me vlerat themelore europiane të kujtesës, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Integrimi europian nuk është vetëm një proces politik e institucional, por edhe një proces kulturor i pranimit të së shkuarës dhe i ndërtimit të një identiteti demokratik mbi bazën e saj. Në këtë kuptim, akti i parë përkujtimor i 23 gushtit 2017 në Muzeun Historik Kombëtar mbetet një gur themeli në kulturën e kujtesës në Shqipëri, duke e lidhur përvojën e hidhur kombëtare me rrëfimin më të gjerë europian të përballjes me totalitarizmin.