Mendime
Emin H. Daka: Letër për mikun tim të dashur
E diele, 17.08.2025, 06:58 PM
Emin H. Daka:
Letër
për mikun tim të dashur
Miku
im,
Po
të shkruaj për një të vërtetë që e kam mbajtur gjatë brenda vetes: jam pagëzuar
katolik. E di që kjo mund të të befasojë, ndoshta të të bëjë të pyesësh: pse?
Prandaj dua ta dëgjosh nga unë, jo nga të tjerët.
Unë
kam lindur në një shtëpi myslimane, por myslimanizmi ynë ishte i butë, i
heshtur, i ngrohtë. Ishte pjesë e zakoneve, jo një kornizë e hekurt mbi jetën.
Në sofrën tonë kishte më shumë bukë se dogmë, më shumë dashuri se gjykim. Dhe
ashtu e desha fenë: si një vend ku shpirti gjen paqe, jo si një shpatë që
mbahet mbi njerëz.
Por
sot, miku im, po shoh diçka që më trondit. Po shoh si disa duan ta përdorin
fenë si armë, jo si strehë. Po shoh fytyra që bërtasin për sheriat, për
ndalime, për gjykime mbi gratë, mbi veshjet, mbi mendimet. Po shoh se si në
emër të Islamit po ringjallet një politikë e rrezikshme, që do ta rrëzojë
shtetin tonë laik dhe ta ngrejë mbi ligjin e fesë. Dhe këtë nuk mund ta quaj as
besim, as shpirt, por pushtet i veshur me petkun e fesë.
Kosova
nuk u bë me sheriat. U bë me gjak, me ëndrrën e një shteti ku askush nuk ta mat
lirinë me mjekër, me shami apo me citate fetare. Dhe tani, kur e shoh këtë
ëndërr të rrezikuar, nuk mund të hesht. Nuk dua që vajza e jote nesër të
gjykohet për flokët, që djalit t’i imponohen ligje të huaja nga tradita jonë.
Nuk dua një Kosovë të kthyer në errësirë, sepse ne kemi lindur për dritë.
Për
këtë arsye vendosa të pagëzohem. Jo për të mohuar rrënjët e mia, përkundrazi,
por për të zgjedhur një rrugë që më flet për liri, për kulturë, për respekt
ndaj shtetit laik. Një rrugë që i dha gjuhës sime librin e parë me Gjon
Buzukun, që e mbrojti identitetin tim me Bogdanin e Bardhin, që na solli dritën
e rilindjes me Naimin. Një rrugë që e ka ditur gjithmonë se Zoti nuk ka nevojë
për polici morale, se feja nuk duhet të bëhet qeveri.
Kur
uji i pagëzimit preku ballin tim, më dukej sikur po më shpërlante frikën, jo
besimin. Po dëgjoja një zë brenda vetes që më thoshte: “Bëhu i lirë, mos e lejo
askënd të ta vjedhë shpirtin.” Dhe mbi atë ujë pashë pasqyrën e një Kosove që
dua: një vend ku këmbanat dhe ezani mund të jetojnë bashkë, por asnjëri të mos
bërtasë për pushtet mbi tjetrin.
Po
të shkruaj sepse dua të ta them me zemër: kjo zgjedhje nuk është kundër teje,
as kundër myslimanëve të ndershëm që duan paqe. Është kundër atyre që duan ta
shndërrojnë fenë në kamxhik, shoqërinë në geto, lirinë në faj. Është një
thirrje që ia them vetes sime dhe ty: Kosova nuk duhet të bjerë në duart e
atyre që duan ta kthejnë pas në shekuj errësire.
Ti
je miku im, dhe këtë letër po ta lë si dëshmi që miqësia është më e madhe se
çdo dallim. Sepse, siç tha Naimi:
“Për
fe mos u ngatërroni,
Se
të gjithë vëllezër jemi.”
E
di që një pjesë do të më shajnë, një
pjesë do t'më përkrahin, dikush do të rrijë indiferent. I njoh të gjithë. Nuk
do t'u përgjigjem, sidomos, sharjeve. Kur t'më shajnë, unë do të lutem për
ta...
Krishti,
edhe kur e gozhduan, tha "Fali o Zot, se s'dinë ç'bëjnë."
Me respekt dhe dashuri,
unë, Emin Gegë Daka
https://www.facebook.com/emin.halimi.3