E hene, 18.08.2025, 09:15 PM (GMT+1)

Mendime

Adil Fetahu: Jurisdiksioni universal në të drejtën penale

E hene, 18.08.2025, 06:51 PM


JURISDIKCIONI UNIVERZAL NË TË DREJTËN PENALE

Nga Adil FETAHU

Rasti i viktimave boshnjake

Kohë më parë u bënë publike dy aktgjykime të Gjykatës së Qarkut  të Distriktit Jugor të Njujorkut, sipas të cilave viktimave të torturave, dhunimit, gjenocidit dhe dëbimit të popullsisë boshnjake, të kryera në vitin 1993, u është caktuar kompensimi i dëmit material dhe jomaterial, që me kamatat e arritura deri më 8 maj të këtij viti (2025), arrinë shumë marramendëse = 140,04 miliardë dollarë! Këtë shumë të kompensimit të dëmeve viktimave boshnjake duhet ta paguajnë shteti i Bosnje-Hercegovinës (Republika Srpska) dhe  shteti i Serbisë, pa përjashtuar edhe shtetin e Malit të Zi.

Serbia këtë çështje e ka fshehur nga opinioni i gjërë, por këtë e ka bërë publike lideri i Partisë Republikane të Serbisë,  Nikolla Sandulloviqi, i cili thotë se është në lidhje të drejtpërdrejt me prokurorin e rastit në Njujork dhe disponon me tërë dokumentacionin e atij procesi, një pjesë të të cilit edhe e ka publikuar në media.

Me qenë se aktgjykimet janë bërë të plotfuqishme, avokati i autorizuar i viktimave, Ramo Atajiq, më 8 maj 2025, iu ka dërguar ftesë zyrtare krerëve të shtetit të Bosnje-Hercegovinës (Republika Srpska-s) dhe shtetit të Serbisë dhe të Malit të Zi, për të arritur një marrëveshje mbi zgjidhjen e çështjes së pagesës së kompenzimit të dëmit viktimave, të caktuar me aktgjykimet e gjykatës së përmendur. Në ftesën për marrëveshje, është cekur se:

Nuk bisedojmë për meritumin e aktgjykimeve as për çështjen e përgjegjësisë, sepse kjo është vërtetuar me aktgjykime të formës së prerë,

Oferta për përgjigje për marrëveshjen vlenë 30 ditë,

Terminin e takimit për bisedime (marrëveshje) ta caktojmë sa më parë,

Nëse nuk i përgjigjeni kësaj ftese për marrëveshje, konsiderojmë se e keni refuzuar,

Pas këtij afati dhe nëse nuk jeni të gatshëm për marrëveshje, aktgjykimet e e ekzekutueshme do t’iu përcillen organizatave ndërkombëtare dhe të sigurimeve të cilat merren me inkasimin e borxheve përmes sekuestrimit të pasurive, bllokimit të mjeteve dhe të resurseve.

Në ofertën për marrëveshje, theksohet se sa të vonohet marrëveshja për modalitetet e pagesës së shumës së caktuar me aktgjykimet, apo kryerja e pagesës, kamata shtohet mbi shumën e 140 miliardëve.

Në këtë shkrim, ne nuk do të hyjmë në aspektin mundësisë së  përmbarimit të aktgjykimit dhe modalitetet e kompensimit për viktimat. Ajo çështje do të sorollatet nëpër labirinthet e drejtësisë ndërkombëtare. Këtu do të sqarojmë  aspektin juridik të atij procesi gjyqësor, respektivisht kompetencën e asaj Gjykate, në bazë të konceptit të jurisdiksionit univerzal, një institut juridik pothuajse i pa njohur në drejtësinë penale të Kosovës, pakashumë i njohur në rajon vetëm teorikisht, por jo në praktikën gjyqësore.

Çka është jurisdiksioni univerzal?

Për ta bërë më të qartë esencën e jurisdiksionit univerzal, pa hyrë në ndonjë formulë të definicionit klasik, po cekim këtu elementet e përmbajtjes së këtij instituti juridik-penal. Jurisdiksioni univerzal është koncept i përgjithshëm juridik i luftës ndërkombëtare kundër krimeve më të rënda të caktuara me akte ndërkombëtare, siç janë: krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, krimet e gjenocidit, krimet e të drejtës humanitare.

Historikisht ky koncept penal-juridik ka filluar të zbatohet me dënimin e piratëve, të cilët Ciceroni i quante armiq të tërë botës (comumunes hostes omnium). Koncepti për dënimin e piratëve arsyetohej me dy fakte: se ata janë armiq të të gjithë botës, pasi plaçkitin tregtarët dhe udhëtarët në detëra të hapura, dhe pasi në detëra të hapura asnjë shtet nuk ka jurisdiksion vetin, primar. Prandaj, piratët mund t’i gjykojë  gjykata e cilitdo shtet (jurisdiksion univerzal).

Sipas jurisdiksionit univerzal, kryesit e krimeve të caktuara (si më sipër, etj.) mund t’i gjykojë cilado gjykatë në botë, pa marrë parasysh se:

kryesi i krimit nuk është shtetas i shtetit ku gjykohet,

viktimat nuk janë shtetas të atij shteti,

krimi nuk është kryer brenda atij shteti, as nuk ka të bëjë asgjë me interesat e shtetit apo të shtetasve të tij, qofshin ata  kryerës apo viktima të krimit.

Këto elemente i japin jurisdiksionit univerzal karakterin e solidaritetit ndërkombëtar për mbrojtjen e vlerave univerzale, në interes të gjithë njerëzimit për luftimin e krimeve më të rënda.

Në shumicën e sistemeve juridike të shteteve, procesin e gjykimit e inicion prokurori (i shtetit), por ka sisteme në të cilat procesin mund ta iniciojnë vet viktimat (personalisht apo përmes avokatit të autorizuar), apo organizatat që merren me të drejtat e njeriut. Në rastin e përmendur më sipër të gjykatës amerikane, procesin e kanë iniciuar viktimat e Bosnje-Hercegovinës, përmes avokatit të tyre, Ramo Atajiq, i cili ka edhe shtetësi amerikane.

Shumë shtete të Europës dhe të botës, në ligjet e tyre penale e kanë paraparë mundësinë e gjykimeve sipas jurisdiksionit univerzal, por janë shembuj të rrallë të gjykimeve të mbajtura dhe aktgjykimeve të shqiptuara (Spanja, Belgjika, Izraeli, Gjermani, ShBA, Argjentina). Kjo jep të kuptohet se gjykimet e tilla varen nga pavarësia e gjyqësorit dhe nga kapaciteti dhe fuqia e shtetit. Bile, Spanja dhe Belgjika, janë detyruar të bëjnë ndryshime në ligjet e tyre penale, duke reduktuar raste e shtuar kushte sa u përket gjykimeve sipas jurisdiksionit univerzal. Këtë e kanë bërë në bazë të presionit të fuqive të mëdha (ShBA, Kinës etj).

Vështirësitë në gjykimet sipas jurisdiksionit univerzal

Zhvillimi i procesit gjyqësor sipas konceptit të jurisdiksionit univerzal është i vështirë, për arsye objektive dhe subjektive, sidomos nëse kryesit e krimeve nuk gjenden brenda shtetit ku mbahet gjykimi dhe gjasat për ekstradim nga shtetet tjera janë të vogla ose të paarritshme fare. Në këtë aspekt gjykata ka  edhe pengesa formale juridike për ta zhvilluar dhe përfunduar procesin gjyqësor, pasi shumë norma juridike ndërkombëtare insistojnë në praninë e të akuzuarit, në mbrojtjen e tij, sidomos në shqyrtimin kryesor. Në sistemin gjyqësor anglosakson kërkohet doemos pjesëmarrja e të akuzuarit në gjykim, ndërsa në sistemin kontinental, lejohet edhe gjykimi në mungesë, nëse gjykata ka siguruar prova të mjaftueshme për të marrë vendim dhe nëse të akuzuarin e ka informuar për  zhvillimin e gjykimit kundër tij, ia ka mundësuar pjesëmarrjen, por ai vet, ose shteti i tij nuk kanë dashur pjesëmarrjen. Në raste të tilla gjykimi mbahet in abstentia. Poashtu, në këto gjykime është e vështirë mbledhja e provave materiale dhe e dëshmive të dëshmitarëve, sepse ato nuk gjendën në territorin e shtetit ku zhvillohet gjykimi, kurse shteti i kryesit të krimit, për arsye të ndryshme, nuk është i gatshëm t’i ofrojë ndihmë juridike gjykatës që zhvillon procesin gjyqësor.

Në gjykimet sipas konceptit të jurisdiksionit univerzal dalin edhe pengesa tjera të parimeve juridike e politike, siç janë: parashkrimi i veprës penale; ne bis in idem (gjykimi i të njëjtit rast dhe person në dy a më shumë procese gjyqësore, në shtete të ndryshme), imuniteti ose amnestia e të akuzuarit.

Parashkrimi i veprës penale

Parashkrimi i veprës penale është një institut i të drejtës penale, që bënë të pamundur zhvillimin e procedurës penale pasi të ketë kaluar koha e caktuar për veprën e caktuar. Në të drejtën penale të shteteve të ndryshme, koha e parashkrimit të ndjekjes penale varet nga lloji i veprës së kryer. Sa më e rëndë që është vepra penale e kryer, afati i parashkrimit të ndjekjes penale është më i gjatë.

Por, për krimet e parapara me të drejtën ndërkombëtare të përmendura më sipër, ndekja penale nuk parashkruhet kurrë. Prandaj, jurisdiksioni univerzal nuk ka pengesë t’i gjykojë kryesit e krimeve të kësaj kategorie. Janë dy konventa të nivelit botëror dhe atij europian në të cilat parashihet se për cilat krime nuk vlen parashkrimi... Është edhe një konventë e KB (1968), sipas së cilës krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit  nuk parashkruhen. Edhe Konventa Europiane (1974) ka përcaktuar se ndjekja penale kundër kryesve të këtyre krimeve – nuk parashkruhet. Poashtu, Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare e përjashton mundësinë e parashkrimit të veprave penale të përmendura më sipër. Aktet e përmendura ndërkombëtare nuk janë të obligueshme (ius cogens) për të gjitha shtetet, por vetëm për ato shtete që janë përfshirë në konventat e përmendura, respektivisht në Statutin e Romës për Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Shtetet e tjera e zbatojnë procedurën në bazë të ligheve të veta të akteve ndërkombëtare të (14) Parimeve të Princestonit.

Ne bis in idem

Në bazë të jurisdiksionit univerzal mund të ndodhë që i njëjti rast mund të jetë gjykuar e dënuar për të njëjtën vepër penale në dy a më shumë gjykata të shteteve të ndryshme. Gjykimi i dyfisht a shumëfisht i të njëjtit rast është në kundërshtim me parimin e përgjithshëm ne bis in idem. Ka pikëpamje të ndryshme sa i përket respektimit të këtij parimi në jurisdiksionin univerzal. Por, ka edhe akte juridike ndërkombëtare që e përcaktojnë këtë parim. Pakti Ndërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike (neni 14 par.7), ka përcaktuar se ‘’Nuk guxon askush të ndiqet penalisht dhe gjykohet dy herë për të njëjtën vepër për të cilën është gjykuar në pajtim me ligjin në cilindo shtet’’. Ndërkaq, Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut (Protokolli 7/1984) e përcakton ndryshe këtë parim, duke e lidhur se ky parim vlen në shtetin e njëjtë, ndërsa e lejon gjykimin e të njëjtit rast në shtetin tjetër. Statuti i Romës, për Gjykatën Penale Ndërkombëtare e ndalon gjykimin e dyfisht, qoftë në gjykatat nacionale, qoftë në këtë Gjykatë, me përjashtim nëse vlerësohet se gjykimi në gjykatën nacionale të të akuzuarit nuk ka qenë i drejtë, objektiv dhe i paanshëm, apo ka pasur për qëllim të lirojë të akuzuarin, ose veprën e kryer që paraqet krim ndërkombëtar,  gjykata vendore e ka kualifikuar si vepër penale e rëndomtë. Në rast të tillë, lejohet rigjykimi. Këtë parim e kishte edhe Statuti i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë. Respektimi i këtij parimi varet edhe nga ligjet e shteteve të cilat zhvillojnë procedurën sipas jurisdiksionit univerzal. Sidoqoftë, dënimi i mbajtur në bazë të gjykimit paraprak, llogaritet edhe në rast të rigjykimit.

Amnstimi

Amnestimi i kryesve të veprave penale paraqet pengesë procedurale për ndjekjen penale të tyre në shtetin ku është kryer vepra. Amnestia kryesisht ka karakter politik, për të krijuar qetësi shoqërore në shtetin e caktuar.  Por, mund të ndodhë të amnestohen persona nga garnituara politike dhe shtetërore pas ndryshimit të regjimit në shtetin e caktuar. Në zbatimin e jurisdiksionit univerzal, amnestia nuk ka efekt juridik as nuk paraqet pengesë për ndjekjen, gjykimin dhe dënimin e kryesve të veprave penale të caktuara me të drejtën ndërkombëtare, sepse pa marrë parasysh legjislacionin nacional, asnjë shtet nuk ka të drejtë të amnestojë kryesit e veprave të sankcionuara me të drejtën ndërkombëtare. Parimet e Princestonit (2001), që i kushtohen kryesisht jiurisdiksionit univerzal, përcaktojnë se amnestia që jep një shtet për veprat penale për të cilat zhvillohet procedura sipas jurisdiksionit univerzal, nuk mund të jetë pengesë procedurale. Edhe Amnesti Internacional nuk e pranon amnistinë si pengesë për ndjekjen e kryesve të krimeve të sanksionuara me ius cogens  në të drejtën ndërkombëtare.

Imuniteti

Imuniteti (personal ose funksional) i  personave zyrtar të shtetit është pengesë e shpeshtë për ngritjen , ndjekjen dhe zhvillimin e procedurës penale kundër personave të cilët gëzojnë imunitet. Bie fjala, sipas kushtetutave dhe ligjeve të shteteve të caktuara, shefat e shteteve  dhe qeverive gëzojnë imunitet personal edhe pas përfundimit të funksionit. Ky imunitet mbështet në traditën e identifikimit të sundimtarit me shtetin (sipas thënies së Luigjit XIV – ‘’Shteti jam unë’’). Por, në shumicën e shteteve imuniteti lidhet me periudhën dhe me kryerjen e funksionit zyrtar. Ky imunitet personal gjithnjë e më pak po mund t’i mbrojë përgjegjësit për kryerjen e veprave të rënda penale. Ky lloj imuniteti nuk i mbrojti udhëheqësit nazist nga gjykimi dhe dënimi në Gjykatën e Nunbergut, as ata të Ruandës dhe të Jugosllavisë në Gjykatën e Hagës. Mosmarrja parasysh e imunitetit në rastin e përgjegjësisë për krime të rënda, mbështet në faktin se kryerja e krimeve të tilla nuk bie në domenin e kryerjes së funksionit zyrtar. Në praktikën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, çdokush mund t’i nënshtrohet jurisdiksionit të gjykatave penale ndërkombëtare, pavarësisht nga funksioni a nga pozita që ka. Përfundimisht, imuniteti personal as funksional nuk mund të jetë pengesë për fillimin dhe zhvillimin e procedurës penale kur është fjala për krime të rënda sipas të drejtës ndërkombëtare. Këtë e dëshmojnë vendimet (aktgjykimet) e shumta të ad-hoc gjykatave ndërkombëtare, por edhe aktgjykimi për Karaxhiqin i Gjykatës Amerikane të përmendur në fillim të këtij shkrimi.

Dilemat që paraqitën në praktikë lidhur me zbatimin e jurisdiksionit univerzal, siç janë: ‘’ne bis in idem’; ‘’in absentia’’; ‘’aut dedere, aut judicare’’; imuniteti; amnestia,  etj, duhet të hiqen me miratimin e Parimeve të Princestonit, të cilat kanë dhënë zgjidhje për të gjitha këto dilema, në mënyrë që të mos bllokohet gjykimi i kryesve dhe përgjegjësve të krimeve më të rënda ndërkombëtare.

Ka vërejtje  parimore dhe konkrete sa i përket arsyeshmërisë së zbatimit të jurisdiksionit univerzal, sikur që ka edhe përkrahje të gjërë nga organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Pikëpamjet pro dhe kundër jurisdiksionit univerzal

Në lidhje me konceptin e jurisdiksionit univerzal ka pikëpamje të ndryshme politike dhe juridike. Kritikuesit e këtij koncepti thonë se kjo paraqet përzierje në punët e brendshme të shteteve sovrane dhe shkelë sovranitetin e shteteve të pavarura. Me përzierje të tillë në punët e brendshme të shteteve tjera, rrezikon të prishë marrëdhëniet diplomatike midis shteteve. Ky koncept mund të keqpërdoret për qëllime politike dhe për të bërë presion shtetet më të forta ndaj atyre më të vogla, dhe kështu krijon kaos në nivel ndërkombëtar. Nga aspekti juridik, ky koncept kritikohet më së tepërmi për shkakun se lejon që gjykimi të mbahet edhe në mungesë të të akuzuarit (iu absentia), veçmas në fazën e shqyrtimit kryesor, që paraqet shkelje të shumë dispozitave të akteve ndërkombëtare.

Nga ana tjetër ka ithtarë të shumtë të këtij koncepti. Ata që e përkrahin me enthusiazëm këtë institut juridik, këtë e bëjnë së paku për dy shkaqe themelore: e para, se në këtë mënyrë iu mundësohet viktimave të krimeve të veprave  penale ndërkombëtare qasja në drejtësi, dhe 2) jurisdiksioni univerzal e tejkalon mungesën e ndëshkimit të kryesve të krimeve më të rënda. Këto pikëpamje i mbështesin jo vetëm qytetarët individë, viktimat dhe të tjerët, por edhe organizatat e shumta të cilat merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sidomos ato që merren me mbrojtjen e viktimave të krimeve të sanksionuara me akte ndërkombëtare.

Sidoqoftë, jurisdiksioni univerzal duhet të shërbejë si një mekanizëm juridik-penal i bashkësisë ndërkombëtare në luftimin e krimeve më të rënda, siç janë: krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, gjenocidit, krimet kundër të drejtës humanitare, krimet kundër dhunimit, grabitjeve, deportimeve etj. Në botën e sotme, miliona njerëz gjatë ditës u janë të ekspozuar ndonjë forme të krimeve të tilla, të cilat nuk duhet të mbetën të pandëshkuara.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx