| E hene, 18.08.2025, 06:51 PM |
JURISDIKCIONI UNIVERZAL NË TË DREJTËN PENALE
Nga
Adil FETAHU
Rasti
i viktimave boshnjake
Kohë
më parë u bënë publike dy aktgjykime të Gjykatës së Qarkut të Distriktit Jugor të Njujorkut, sipas të
cilave viktimave të torturave, dhunimit, gjenocidit dhe dëbimit të popullsisë
boshnjake, të kryera në vitin 1993, u është caktuar kompensimi i dëmit material
dhe jomaterial, që me kamatat e arritura deri më 8 maj të këtij viti (2025),
arrinë shumë marramendëse = 140,04 miliardë dollarë! Këtë shumë të kompensimit
të dëmeve viktimave boshnjake duhet ta paguajnë shteti i Bosnje-Hercegovinës (Republika
Srpska) dhe shteti i Serbisë, pa
përjashtuar edhe shtetin e Malit të Zi.
Serbia
këtë çështje e ka fshehur nga opinioni i
gjërë, por këtë e ka bërë publike lideri i Partisë Republikane të Serbisë, Nikolla Sandulloviqi, i cili thotë se është
në lidhje të drejtpërdrejt me prokurorin e rastit në Njujork dhe disponon me
tërë dokumentacionin e atij procesi, një pjesë të të cilit edhe e ka publikuar
në media.
Me
qenë se aktgjykimet janë bërë të plotfuqishme, avokati i autorizuar i
viktimave, Ramo Atajiq, më 8 maj 2025,
iu ka dërguar ftesë zyrtare krerëve të shtetit të Bosnje-Hercegovinës
(Republika Srpska-s) dhe shtetit të Serbisë dhe të Malit të Zi, për të arritur
një marrëveshje mbi zgjidhjen e çështjes së pagesës së kompenzimit të dëmit
viktimave, të caktuar me aktgjykimet e gjykatës së përmendur. Në ftesën për
marrëveshje, është cekur se:
Nuk
bisedojmë për meritumin e aktgjykimeve as për çështjen e përgjegjësisë, sepse
kjo është vërtetuar me aktgjykime të formës së prerë,
Oferta
për përgjigje për marrëveshjen vlenë 30 ditë,
Terminin
e takimit për bisedime (marrëveshje) ta
caktojmë sa më parë,
Nëse
nuk i përgjigjeni kësaj ftese për marrëveshje, konsiderojmë se e keni refuzuar,
Pas
këtij afati dhe nëse nuk jeni të gatshëm për marrëveshje, aktgjykimet e e
ekzekutueshme do t’iu përcillen organizatave ndërkombëtare dhe të sigurimeve të
cilat merren me inkasimin e borxheve përmes sekuestrimit të pasurive, bllokimit
të mjeteve dhe të resurseve.
Në
ofertën për marrëveshje, theksohet se sa të vonohet marrëveshja për modalitetet
e pagesës së shumës së caktuar me aktgjykimet, apo kryerja e pagesës, kamata shtohet mbi
shumën e 140 miliardëve.
Në
këtë shkrim, ne nuk do të hyjmë në aspektin mundësisë së përmbarimit të aktgjykimit dhe modalitetet e
kompensimit për viktimat. Ajo çështje do të sorollatet nëpër labirinthet e
drejtësisë ndërkombëtare. Këtu do të sqarojmë
aspektin juridik të atij procesi gjyqësor, respektivisht kompetencën e
asaj Gjykate, në bazë të konceptit të jurisdiksionit univerzal,
një institut juridik pothuajse i pa njohur në drejtësinë penale të Kosovës,
pakashumë i njohur në rajon vetëm teorikisht, por jo në praktikën gjyqësore.
Çka
është jurisdiksioni univerzal?
Për
ta bërë më të qartë esencën e jurisdiksionit univerzal, pa hyrë në ndonjë
formulë të definicionit klasik, po cekim këtu elementet e përmbajtjes së këtij
instituti juridik-penal. Jurisdiksioni univerzal është koncept i përgjithshëm
juridik i luftës ndërkombëtare kundër krimeve më të rënda të caktuara me akte
ndërkombëtare, siç janë: krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, krimet e
gjenocidit, krimet e të drejtës humanitare.
Historikisht
ky koncept penal-juridik ka filluar të zbatohet me dënimin e piratëve, të cilët
Ciceroni i quante armiq të tërë botës (comumunes hostes omnium). Koncepti
për dënimin e piratëve arsyetohej me dy fakte: se ata janë armiq të të gjithë
botës, pasi plaçkitin tregtarët dhe udhëtarët në detëra të hapura, dhe pasi në
detëra të hapura asnjë shtet nuk ka jurisdiksion vetin, primar. Prandaj,
piratët mund t’i gjykojë gjykata e
cilitdo shtet (jurisdiksion univerzal).
Sipas
jurisdiksionit univerzal, kryesit e krimeve të caktuara (si më sipër, etj.)
mund t’i gjykojë cilado gjykatë në botë, pa marrë parasysh se:
kryesi
i krimit nuk është shtetas i shtetit ku gjykohet,
viktimat
nuk janë shtetas të atij shteti,
krimi
nuk është kryer brenda atij shteti, as nuk ka të bëjë asgjë me interesat e
shtetit apo të shtetasve të tij, qofshin ata
kryerës apo viktima të krimit.
Këto
elemente i japin jurisdiksionit univerzal karakterin e solidaritetit
ndërkombëtar për mbrojtjen e vlerave univerzale, në interes të gjithë
njerëzimit për luftimin e krimeve më të rënda.
Në
shumicën e sistemeve juridike të shteteve, procesin e gjykimit e inicion
prokurori (i shtetit), por ka sisteme në të cilat procesin mund ta iniciojnë
vet viktimat (personalisht apo përmes avokatit të autorizuar), apo organizatat
që merren me të drejtat e njeriut. Në
rastin e përmendur më sipër të gjykatës amerikane, procesin e kanë iniciuar
viktimat e Bosnje-Hercegovinës, përmes avokatit të tyre, Ramo Atajiq, i cili ka
edhe shtetësi amerikane.
Shumë
shtete të Europës dhe të botës, në ligjet e tyre penale e kanë paraparë
mundësinë e gjykimeve sipas jurisdiksionit univerzal, por janë shembuj të
rrallë të gjykimeve të mbajtura dhe aktgjykimeve të shqiptuara (Spanja,
Belgjika, Izraeli, Gjermani, ShBA, Argjentina). Kjo jep të kuptohet se gjykimet
e tilla varen nga pavarësia e gjyqësorit dhe nga kapaciteti dhe fuqia e
shtetit. Bile, Spanja dhe Belgjika, janë detyruar të bëjnë ndryshime në ligjet
e tyre penale, duke reduktuar raste e shtuar kushte sa u përket gjykimeve sipas
jurisdiksionit univerzal. Këtë e kanë bërë në bazë të presionit të fuqive të
mëdha (ShBA, Kinës etj).
Vështirësitë
në gjykimet sipas jurisdiksionit univerzal
Zhvillimi
i procesit gjyqësor sipas konceptit të jurisdiksionit univerzal është i
vështirë, për arsye objektive dhe subjektive, sidomos nëse kryesit e krimeve
nuk gjenden brenda shtetit ku mbahet gjykimi dhe gjasat për ekstradim nga shtetet
tjera janë të vogla ose të paarritshme fare. Në këtë aspekt gjykata ka edhe pengesa formale juridike për ta
zhvilluar dhe përfunduar procesin
gjyqësor, pasi shumë norma juridike ndërkombëtare insistojnë në praninë e të
akuzuarit, në mbrojtjen e tij, sidomos në shqyrtimin kryesor. Në sistemin
gjyqësor anglosakson kërkohet doemos pjesëmarrja e të akuzuarit në gjykim,
ndërsa në sistemin kontinental, lejohet edhe gjykimi në mungesë, nëse gjykata
ka siguruar prova të mjaftueshme për të marrë vendim dhe nëse të akuzuarin e ka
informuar për zhvillimin e gjykimit
kundër tij, ia ka mundësuar pjesëmarrjen, por ai vet, ose shteti i tij nuk kanë
dashur pjesëmarrjen. Në raste të tilla gjykimi mbahet in abstentia. Poashtu, në këto
gjykime është e vështirë mbledhja e provave materiale dhe e dëshmive të
dëshmitarëve, sepse ato nuk gjendën në territorin e shtetit ku zhvillohet
gjykimi, kurse shteti i kryesit të krimit, për arsye të ndryshme, nuk është i
gatshëm t’i ofrojë ndihmë juridike gjykatës që zhvillon procesin gjyqësor.
Në
gjykimet sipas konceptit të jurisdiksionit univerzal dalin edhe pengesa tjera
të parimeve juridike e politike, siç janë: parashkrimi i veprës penale; ne
bis in idem (gjykimi i të njëjtit rast dhe person në dy a më shumë procese
gjyqësore, në shtete të ndryshme), imuniteti ose amnestia e të
akuzuarit.
Parashkrimi
i veprës penale
Parashkrimi
i veprës penale është një institut i të drejtës penale, që bënë të pamundur
zhvillimin e procedurës penale pasi të ketë kaluar koha e caktuar për veprën e
caktuar. Në të drejtën penale të shteteve të ndryshme, koha e parashkrimit të
ndjekjes penale varet nga lloji i veprës së kryer. Sa më e rëndë që është vepra
penale e kryer, afati i parashkrimit të ndjekjes penale është më i gjatë.
Por,
për krimet e parapara me të drejtën ndërkombëtare të përmendura më sipër,
ndekja penale nuk parashkruhet kurrë. Prandaj, jurisdiksioni univerzal nuk ka
pengesë t’i gjykojë kryesit e krimeve të kësaj kategorie. Janë dy konventa të
nivelit botëror dhe atij europian në të cilat parashihet se për cilat krime nuk
vlen parashkrimi... Është edhe një konventë e KB (1968), sipas së cilës krimet
e luftës dhe krimet kundër njerëzimit
nuk parashkruhen. Edhe Konventa Europiane (1974) ka përcaktuar se ndjekja
penale kundër kryesve të këtyre krimeve – nuk parashkruhet. Poashtu, Statuti i
Gjykatës Penale Ndërkombëtare e përjashton mundësinë e parashkrimit të veprave
penale të përmendura më sipër. Aktet e përmendura ndërkombëtare nuk janë të
obligueshme (ius cogens) për të gjitha shtetet, por vetëm për ato shtete që
janë përfshirë në konventat e përmendura, respektivisht në Statutin e Romës për
Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Shtetet e tjera e zbatojnë procedurën në bazë të
ligheve të veta të akteve ndërkombëtare të (14) Parimeve të Princestonit.
Ne
bis in idem
Në
bazë të jurisdiksionit univerzal mund të ndodhë që i njëjti rast mund të jetë
gjykuar e dënuar për të njëjtën vepër penale në dy a më shumë gjykata të
shteteve të ndryshme. Gjykimi i dyfisht a shumëfisht i të njëjtit rast është në
kundërshtim me parimin e përgjithshëm ne bis in idem. Ka pikëpamje të
ndryshme sa i përket respektimit të këtij parimi në jurisdiksionin univerzal.
Por, ka edhe akte juridike ndërkombëtare që e përcaktojnë këtë parim. Pakti Ndërkombëtar
mbi të Drejtat Civile dhe Politike (neni 14 par.7), ka përcaktuar se ‘’Nuk
guxon askush të ndiqet penalisht dhe gjykohet dy herë për të njëjtën vepër për
të cilën është gjykuar në pajtim me ligjin në cilindo shtet’’. Ndërkaq,
Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut (Protokolli 7/1984) e përcakton
ndryshe këtë parim, duke e lidhur se ky parim vlen në shtetin e njëjtë, ndërsa
e lejon gjykimin e të njëjtit rast në shtetin tjetër. Statuti i Romës, për
Gjykatën Penale Ndërkombëtare e ndalon gjykimin e dyfisht, qoftë në gjykatat
nacionale, qoftë në këtë Gjykatë, me përjashtim nëse vlerësohet se gjykimi në
gjykatën nacionale të të akuzuarit nuk ka qenë i drejtë, objektiv dhe i
paanshëm, apo ka pasur për qëllim të lirojë
të akuzuarin, ose veprën e kryer që paraqet krim ndërkombëtar, gjykata vendore e ka kualifikuar si vepër
penale e rëndomtë. Në rast të tillë, lejohet rigjykimi. Këtë parim e kishte
edhe Statuti i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë. Respektimi i këtij
parimi varet edhe nga ligjet e shteteve të cilat zhvillojnë procedurën sipas
jurisdiksionit univerzal. Sidoqoftë, dënimi i mbajtur në bazë të gjykimit
paraprak, llogaritet edhe në rast të rigjykimit.
Amnstimi
Amnestimi
i kryesve të veprave penale paraqet pengesë procedurale për ndjekjen penale të
tyre në shtetin ku është kryer vepra. Amnestia kryesisht ka karakter politik,
për të krijuar qetësi shoqërore në shtetin e caktuar. Por, mund të ndodhë të amnestohen persona nga
garnituara politike dhe shtetërore pas ndryshimit të regjimit në shtetin e
caktuar. Në zbatimin e jurisdiksionit univerzal, amnestia nuk ka efekt juridik
as nuk paraqet pengesë për ndjekjen, gjykimin dhe dënimin e kryesve të veprave
penale të caktuara me të drejtën ndërkombëtare, sepse pa marrë parasysh
legjislacionin nacional, asnjë shtet nuk ka të drejtë të amnestojë kryesit e
veprave të sankcionuara me të drejtën ndërkombëtare. Parimet e Princestonit
(2001), që i kushtohen kryesisht jiurisdiksionit univerzal, përcaktojnë se
amnestia që jep një shtet për veprat penale për të cilat zhvillohet procedura
sipas jurisdiksionit univerzal, nuk mund të jetë pengesë procedurale. Edhe
Amnesti Internacional nuk e pranon amnistinë si pengesë për ndjekjen e kryesve
të krimeve të sanksionuara me ius cogens
në të drejtën ndërkombëtare.
Imuniteti
Imuniteti
(personal ose funksional) i personave
zyrtar të shtetit është pengesë e shpeshtë për ngritjen , ndjekjen dhe
zhvillimin e procedurës penale kundër personave të cilët gëzojnë imunitet. Bie
fjala, sipas kushtetutave dhe ligjeve të
shteteve të caktuara, shefat e shteteve
dhe qeverive gëzojnë imunitet personal edhe pas përfundimit të
funksionit. Ky imunitet mbështet në traditën e identifikimit të sundimtarit me
shtetin (sipas thënies së Luigjit XIV – ‘’Shteti jam unë’’). Por, në shumicën e
shteteve imuniteti lidhet me periudhën dhe me kryerjen e funksionit zyrtar. Ky
imunitet personal gjithnjë e më pak po mund t’i mbrojë përgjegjësit për
kryerjen e veprave të rënda penale. Ky lloj imuniteti nuk i mbrojti udhëheqësit
nazist nga gjykimi dhe dënimi në Gjykatën e Nunbergut, as ata të Ruandës dhe të
Jugosllavisë në Gjykatën e Hagës. Mosmarrja parasysh e imunitetit në rastin e
përgjegjësisë për krime të rënda, mbështet në faktin se kryerja e krimeve të
tilla nuk bie në domenin e kryerjes së funksionit zyrtar. Në praktikën e
Gjykatës Penale Ndërkombëtare, çdokush mund t’i nënshtrohet jurisdiksionit të
gjykatave penale ndërkombëtare, pavarësisht nga funksioni a nga pozita që ka. Përfundimisht,
imuniteti personal as funksional nuk mund të jetë pengesë për fillimin dhe
zhvillimin e procedurës penale kur është fjala për krime të rënda sipas të
drejtës ndërkombëtare. Këtë e dëshmojnë vendimet (aktgjykimet) e shumta të ad-hoc gjykatave ndërkombëtare,
por edhe aktgjykimi për Karaxhiqin i Gjykatës Amerikane të përmendur në fillim
të këtij shkrimi.
Dilemat
që paraqitën në praktikë lidhur me zbatimin e jurisdiksionit univerzal, siç
janë: ‘’ne bis in idem’; ‘’in absentia’’; ‘’aut dedere, aut judicare’’; imuniteti;
amnestia, etj, duhet të hiqen me miratimin
e Parimeve të Princestonit, të cilat kanë dhënë zgjidhje për të gjitha këto
dilema, në mënyrë që të mos bllokohet gjykimi i kryesve dhe përgjegjësve të
krimeve më të rënda ndërkombëtare.
Ka
vërejtje parimore dhe konkrete sa i
përket arsyeshmërisë së zbatimit të jurisdiksionit univerzal, sikur që ka edhe
përkrahje të gjërë nga organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Pikëpamjet
pro dhe kundër jurisdiksionit univerzal
Në
lidhje me konceptin e jurisdiksionit univerzal ka pikëpamje të ndryshme
politike dhe juridike. Kritikuesit e këtij koncepti thonë se kjo paraqet
përzierje në punët e brendshme të shteteve sovrane dhe shkelë sovranitetin e
shteteve të pavarura. Me përzierje të tillë në punët e brendshme të shteteve
tjera, rrezikon të prishë marrëdhëniet diplomatike midis shteteve. Ky koncept
mund të keqpërdoret për qëllime politike dhe për të bërë presion shtetet më të
forta ndaj atyre më të vogla, dhe kështu krijon kaos në nivel ndërkombëtar. Nga
aspekti juridik, ky koncept kritikohet më së tepërmi për shkakun se lejon që gjykimi
të mbahet edhe në mungesë të të
akuzuarit (iu absentia), veçmas në fazën e shqyrtimit kryesor, që
paraqet shkelje të shumë dispozitave të akteve ndërkombëtare.
Nga
ana tjetër ka ithtarë të shumtë të këtij koncepti. Ata që e përkrahin me
enthusiazëm këtë institut juridik, këtë e bëjnë së paku për dy shkaqe
themelore: e para, se në këtë mënyrë iu mundësohet viktimave të krimeve të
veprave penale ndërkombëtare qasja në
drejtësi, dhe 2) jurisdiksioni univerzal e tejkalon mungesën e ndëshkimit të
kryesve të krimeve më të rënda. Këto pikëpamje i mbështesin jo vetëm qytetarët
individë, viktimat dhe të tjerët, por edhe
organizatat e shumta të cilat merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut,
sidomos ato që merren me mbrojtjen e viktimave të krimeve të sanksionuara me
akte ndërkombëtare.
Sidoqoftë,
jurisdiksioni univerzal duhet të shërbejë si një mekanizëm juridik-penal i
bashkësisë ndërkombëtare në luftimin e krimeve më të rënda, siç janë: krimet e
luftës, krimet kundër njerëzimit, gjenocidit, krimet kundër të drejtës humanitare, krimet
kundër dhunimit, grabitjeve, deportimeve
etj. Në botën e sotme, miliona njerëz gjatë ditës u janë të ekspozuar ndonjë
forme të krimeve të tilla, të cilat nuk duhet të mbetën të pandëshkuara.