E hene, 18.08.2025, 09:09 PM (GMT+1)

Kulturë

Hamza Halabaku: Si e pashë këtë verë Prishtinën time

E hene, 18.08.2025, 07:00 PM


Si e pashë këtë verë Prishtinën time

Shqipërinë “e krijoi Zoti, e shpëtuan rastësitë, do ta shkatërrojnë politikanët” - Faik Konica

Nga Hamza Halabaku

Si e pashë këtë verë Prishtinën time, kryeqytetin e Republikës së Kosovë,  është një shkrim që do të përpiqem ta shtjelloj pikërisht në verën e vitit 2025.

Pasi i kisha siguruar biletat e aeroplanit, që të fluturoja nga qyteti gjerman ku banoj qe më shumë se 35 vite për në Prishtinë, gëzimi nuk kishte kufi që një mbrëmje të javës së parë të korrikut të këtij viti do të jem në Kodrën e Diellit të kryeqytetit të Republikës së Kosovës. Atë mbrëmje do të takohesha me bijat e mia, me nipat e mbesat, që jetojnë në Kosovë, të cilët nuk i kisha parë një kohë të gjatë.

Ashtu edhe ndodhi, me disa u takova mbrëmjen që kisha ateruar në Aeroportin e Prishtinës, edhe pse ishte shumë vonë, e me të tjerët, ditën e nesërme. Gëzimi ishte i dyanshëm. Ishin gëzuar gjyshja me gjyshin po edhe mbesat e nipat.

*

Pasditen e ditës së parë dola të takohesha me disa miq në Sheshin e Prishtinës. Unë si mërgimtar, i etur më shumë për takime të këtilla, dola më herët se që ishim marrë vesh me telefon me miqtë e mi pa të cilët nuk mund të jem në Prishtinë e të mos takohem! Të jem i sinqertë, në lëvizje e sipër sheshit kryesor të Prishtinës nuk pashë asnjëri që e njihja edhe pse Sheshi ishte plot e për plot!

Nuk mund të mos u rrëfej për një episod jo të mirë me të cilin u ballafaqova thuaja që kur dola nga shtëpia. Posa hyra në autobusin që ndaloi në stacionin në Kodrën e Diellit, mu para Shtëpisë së Shëndetit të lagjes sonë, vërejta një ulëse të lirë e pranë saj ishte i ulur një udhëtar të cilin nuk e njihja. Megjithatë, e përshëndeta, si duhet përshëndetur dhe e pyeta a ishte i lirë vendi afër tij.

Me një zë të ngritur mu përgjigj: “A nuk e shef se vendi është i lirë. Autobusi nuk është imi, nuk ke nevojë të më pyesësh fare. Mund të ulësh pa më pyetur”.

- Po e shoh që vendi qenka i lirë, -  i thash, - po megjithatë, rendi është të pyes se kështu jam mësuar. Kam qenë pak në shkollë e kështu na kanë mësuar mësuesit.

“Edhe unë kam qenë në shkollë”, - ma ktheu ai me një zë edhe më të lartë.

- E mora vesh se edhe ju keni qenë në shkollë, por më besoni se unë i kam pasur mësuesit pak më ndryshe, - ia ktheva.

U ula afër tij dhe kur më erdhi koha të zbresë, u ngrita dhe i dëshirova një ditë të mbarë! Ai e pranoj urimin tim dhe vazhdoi udhëtimin e tij...

*

Në Shesh, tollovi! Kishte shumë njerëz. Kishte qytetarë, prishtinas, po kishte edhe nga mërgata, “gërnaça”, si i quajti njëri pa cipë nga ata të vetëquajturit analist në një debat televiziv! Medet kush po na shet mend nëpër televizionet tona! Sa shumë televizione kemi bërë. Po habitem nga po na vijnë gjithë ato të holla për të funksionuar gjithë ato televizione.  Asnjëherë nuk kënaqet njeriu duke dëgjuar diçka të mençur nga ata folësit nëpër debatet e përditshme televizive. Aty, nga folësit jo kompetent bisedohet për çështje të caktuara, kundërshtohet njëri me tjetrin, përlahen e shahen njëri me tjetrin, zihen e përzihen edhe për punët e huaja pa pasur nevojë fare.

O Zot ruana!

Secilit i rastis, prandaj edhe mua, që të ket shije të keqe nga këto lloj debatesh në televizionet tona. Bie fjala, në një nga këto debate analistët, si po i quan populli “banalistët”, donin ta bluanin në mullirin e kafes kryeministrin bashkë me të gjithë ministrat në qeverinë tonë!

Unë nuk jam i anëtarësuar në asnjërën parti politike, por është e habitshme me çfarë mllefi e urrejtje flasin militantët partiak kundër njëri- tjetrit! Dhe kjo nuk ndodh vetëm në televizionet tona, por  edhe në foltoren e Kuvendit të Kosovës.

Të lutemi o Zot na ruaj!

*

Në korrikun e këtij viti, ndodhi edhe mbledhja e 54 e radhës e Kuvendit të Kosovës për ta zgjedhur kryeparlamentarin / taren! O Zot, 54 mbledhje për të zgjedhur një kryeparlamentare...

Ndodh kështu, sepse ata që janë në atë sallën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në vend që ta ndihmojnë njëri-tjetrin, hahen mes veti sikur të jenë armiq!

Më vonë diku e lexova thënien e të madhit Faik Konica,  i cili kishte shkruar:

”Nëse Shqipëria ndonjëherë vdes, në lapidarin e saj duhet shkruar:

‘E krijoi Zoti, e shpëtuan rastësitë, do ta shkatërrojnë politikanët!”’

Sa thënie e qëlluar, mendova. Para një shekulli Faiku unë i madh e ka vërejtur se me neve diçka nuk është në rregull. Politikanët e vetë Shqipërisë do ta shkatërrojnë vendin e vet, duke u shtyrë mes veti cili do të jetë i pari! Po pritni o të uruar. Ofrohuni me njëri-tjetrin, e ndihmoni njëri-tjetrit për ta lulëzuar Shqipërinë tonë që i Madhi Zot na e dhuroi. Kush nuk e kupton se Shqipëria është vendi më i mirë në tërë globin. Kur e shkruaj fjalën Shqipëri, mendoj në tokat tona etnike. Mua po më duket se gjendja politike është gati njësoj si në Tiranë, si në Shkup, si në Prishtinë, si në Preshevë...

Pas 54 seancave të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që ajo e fundit ishte në fund të korrikut të këtij viti, deputetja e partisë që i kishte fituar zgjedhjet nuk u votua për krye parlamentare!

Puna kishte shkuar te Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Gjykata miratoj një Aktgjykim për të cilin ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kishte mendimin e vet, ndërsa ish nënkryetari i të njëjtës gjykatë kishte mendimin e tij më ndryshe.

O Zot i Madh, na ndihmo! Mendova shumë, edhe pse nuk di fare, nuk po e them nga modestia po duke e krahasuar veten me kryetarin respektivisht nënkryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, më duket vetja shumë i vogël, edhe pse edhe unë i kam kryer studimet e drejtësisë!

*

Në ditët e para të gushtit po të këtij viti ndodhën shumë gjëra.

Nëpër portale lesoja për gjërat e këqija që po na ndodhin shumë shpesh. Vrasje pas vrasjes. Vrasja e të afërmeve. Vrasje për çështje shumë banale. Vrasje për të cilat kur lexon ose dëgjon të trishtojnë. Më 10 gusht të këtij viti, në qendër të Gjilanit ndodhi ajo që u trishtuan jo vetëm ata që e panë ngjarjen, por u trishtua Gjilani, Anamorava dhe tërë Kosova. U trishtuan të gjithë ata që dëgjuan...

“Ndodhi vrasje e trefishtë në Gjilan, mu në qendër të qytetit dhe në afërsi të  Stacionit të Policisë. Një recidivist, në përcjellje të të bijve dhe të një personi të tretë, vrau në një lokal një argjendar të njohur në Gjilan dhe të birin e tij, si dhe një person të tretë që ishte ulur me ta.. Një person i katërt, i plagosur rëndë, u shtrua për trajtim në QKUK” (Portali “KOHA” Flaka Surroi, 16 gusht 2025)

Njerëz të pa fajshëm, njerëz për të cilët askush nuk e foli asnjë fjalë të rëndë. Të gjithë njerëzit që vinin flisnin vetëm fjalë të mira. Ishin njerëz të sjellshëm. Ishin njerëz të mirë! E tjera fjalë miradije për viktimat.

Njerëz për të cilët qytetarët e Gjilanit protestuan para gjykatës së Gjilanit. Pastaj në muret e po kësaj gjykate, në shenjë proteste i shkruan edhe këto fjalë:

“I keni duart me gjak”, “Gjykata në shërbim të fajdexhinjve”, “Fajdexhiu i fortë me gjykatës shumë “, “Kriminel me çekiç” e të tjera, e të tjera.  (Portali “KOHA” Flaka Surroi, 16 gusht 2025)

O Zot ruana nga të këqijat!    Zot ruaje këtë popull nga këto të këqija që shpesh po na ndodhin!

*

Dhe shtrohet pyetja: Pse nuk po na ecën puna!?

Mu kujtua kur para sa vitesh e kisha pyetur një të moshuar aty para Fakultetit Filozofik të Prishtinës, mu aty ku tash gjenden disa kafene: Pse nuk po na ecën puna neve shqiptarëve?

Na ka nëmur mbreti, më tha ai!

Po pse me na nëmur mbreti? Ai erdhi në tokën tonë, erdhi në vendin tonë, në shtëpinë tonë?! Bashkëbiseduesi im i rrudhi krahët dhe e kuptova sikur deshi të thoshte: Unë nuk di më tepër.

Dhe vërtetë, duket se jemi të nëmur, por jo nga mbreti i Perandorisë Osmane, por nga vetvetja. Neve na ka nëmur nëna e Rexhës, ajo e Hasan Prishtinës, nëna e të madhit Ismail Qemajli e ajo e Luigj Gurakuqit,  pastaj ajo e Zefit të Vogël, ajo e Ramë Bllacës, e shumë e shumë nëna të viktimave, të cilëve nuk u dihen as dorasit, shumë prej të cilëve ishin nga ata që tërë jetën e tyre u përpoqën ta çlirojnë, ta bëjnë të pavarur,  ta ndërtojnë e ta zbukurojnë vendin e tyre!

I Madhi Zot i ndihmoftë shqiptarët!

Zot i Madh bekoje popullin shqiptar e nëse e ka ndonjë mallkim HIQJA MALLKIMIN SE NUK KA BËRË NDONJË TË KEQE!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx