Kulturë
Albert Zholi: Intervistë me autoren e filmit, “Imazhi yt mbi re” i skenaristes dhe folëses Angjelina Xhara
E shtune, 16.08.2025, 06:54 PM
Intervistë me autoren e filmit, “Imazhi yt mbi re” i skenaristes dhe folëses Angjelina Xhara
Nga Albert Z. ZHOLI
Duke sfiduar moshën kineastja Angjelina
Xhara Papalilo vjen në këtë behar me filmin e saj dokumentar suprizë, “Pandeli
Palilo, imazhi yt mbi re”; një film që ishte projektuar me kohë të realizohej
në mëndjen e saj prej kohësh. Lexojmë në ekran me titra Viti 1969, mbasi shohim
një çast pune, mbi Dajt prej ku do shfaqej sinjali televiziv i marrë nga
radioreleja mbi ndërtesën e re të RTSH , për t'u përhapur sinjali televiziv mbi
Shqipëri. Në ekran si folsa të Revistës Televizive do të shfaqeshin portreti i
një vajze të re, Angjelina Xhara, përkrah folësit Kiço Fotiadhi, që vinte nga
studioja eksperimentale televizive, tashmë i ngritur në një organizim të plotë
radioteleviziv shtetëror. Mbi stacionin e Dajtit zhvillohej një betejë e fortë
duke luftuar dhe me rrufetë e kohës së dimrit të fortë nga teknikët e
inxhinierët e stacionit televiziv ku përgjegjës ishte Pandi Papalilo,
specialist i rrymave të dobëta, i përgatitur nga Universiteti në Petërburg, me
specializim edhe në Kinë. Një foto e bërë ditën e dytë të shfaqjes së parë
televizive në ndërtesën e re tregon një mjedis dëbore gjithë turnin e mëngjesit
të radios, ku pranë spikeres së famshme Vera Zheji, qëndron Angjelina! Ja
kështu fillojnë kuadrot e para të filmit, që duket fillimisht si një kujtim
familjar, por me nënshtresën emocionale sjell bukur një kohë kur tregohet
historia e një brezi të ri televiziv, që krahas punës pasionante ndërtuan edhe
familjet e reja. Kineastja mbas një rrugë të gjatë krijuese ku ka realizuar mbi
60 filma dokumentarë si skenariste e regjisore, por edhe si operatore në këta
10 vjetët e fundit, ulet tani pranë montazhit e bashkpunon me dy të rinj të
“Studios Cinemania”, Enean dhe Tonin, për të ndërtuar një film ndryshe, në
gjithë karrierën e saj.
- Angjelina shprehet se si erdhi ky
film, ku edhe premiera u bë ndryshe nga gjithë filmat e saj? Të kemi parë me
premiera të sukseshme këto dekadat e fundit nga AQShF, salla e stërnjohur, tek
Millennium, tek Muzeu Kombëtar, në sallën e Teatrit Popullor…Pse kësaj rradhe
vendose t'a bëjë premierën në You Tube?
-Është një çështje teknike që më solli
këtë zgjidhje. Filmi fillon me diçka afizike, që më ka ndodhur, edhe herë
tjetër. Unë po shpjegoj pikërisht këtë rast. Ndërsa kthehesha nga një
veprimtari në Shëngjin, dt 6maj, dita e Ujit të Bekuar, xhiroj një perëndim
dielli mbi Adriatik. Kur e shoh me qetësi në shtëpi në darkë zbuloj mbi re
imazhin e Pandit. U mahnita, me këtë përgjigje të Universit, si pasqyrë e shpirtit
tim! Kishte ardhur çasti që të bëja film për të! Ky detaj është më i dukshëm në
telefon, se sa në ekran të madh. Ndaj sa mbarova filmin e shfaqa si Premierë te
Studio ime në You tube ku e panë miqtë e mikeshat e mia nga të katër anët ku
ndodhen tani. U gëzova se në fb erdhën shumë përgëzime dhe vlerësime, nga
Amerika, Australia, Europa. Teknologjia e re është një aleat i krijuesit në kohët
tona.
-E ke deklaruar këtë ide në Sallën Uneskos të Muzeut
Kombëtar, ku mbajte një kumtesë për librin kushtuar, Todi Bojdanit, veteranit
partizan që montoi stacionin e Korçës tek Radio Tirana?
-Po Berti, thashë edhe historinë e
dashurisë mes Todos dhe Tefta Bojdanit. I kisha njohur në një vizitë familjare kur
si nxënëse gjimnazi kisha filluar të jap lajme që në Radion e vjetër. Unë isha
vazhduese e historise së tyre, tashmë në televizorin e ri të ndërtesa e re. E
di se mbas meje në televizor u krijuan shume çifte, si dhe në radio. Shumica
ishin të rinj dhe rinia i sjell vetë historitë e jetës. Mbas meje ishalla
vazhdon të tregohen histori të tjera edhe në film, siç bëra unë. Filmi ka një
intervistë me dy batuta të ndjera nga
kujtimet e Shpresa Terpos, që ishte teknike dhe si unë, u martua nga njohja e
puna në televizion. Togu i fotografive që sjell ajo mbi tavolinë tek takimi
ynë, mbas vitesh në kafenë Rosini, në mes të Tiranës, tregon teknikë e
inxhinierë bashkë, në një profesion të veçantë, sa të vështirë edhe të bukur.
-Të bën përshtypje poezia që e përshkon
këtë film. Teksti është më shumë në vargje. E kishe të paramenduar, që në
fillim me shkrimin e skenarit?
- Poezia e re fillon me imazhin e
sivjetshëm, kur e pashë portretin e tij mbi re…për të vazhduar më pas me poezi
të mijat të shkruar më parë dhe të përmbledhura në vëllimin tim poetik të
vitit, 2007,vit kur Pandi u ngjit në Qiell. Ja po citoj poezinë për bashkëshortët
nga vëllimi im poetik, “Vesë mëngjesi”. Bashkshortët: Një fjalë magjike/. Të
kesh pranë dikë./ Në halle e gëzime/, Në ripërtëritje e ngrirje! /Dy njerëz, që
njëri tjetrin plotësojnë/. Në një harmoni të përjetëshme/. Duke lënë pas vetes,
frute bukurie/! Nga një motiv i përjetshëm dashurie.
-Intervistat janë pjesë kryesore e këtij filmi, që zbërthejnë
anën profesionale të ing. Pandeli Papalilo. Për të, kemi folur edhe ne, tek
gazeta jonë më parë, ku evidentohet portretizimi i punës së tij nga ish
drejtori, Rifat Kryeziu, me dorëshkrimet e tij…
- Tek titrat unë e kam shënuar si
mbështesë kryesor të filmit Prof. Rifat Kryeziu, që ka qenë i pandashëm në
bashkëpunim të ngushtë me Pandin, për të zgjidhur në variantin më të mirë
sfidat e shumta teknike. Unë mbaj mënt që edhe në plazh kur shkonim me pushime,
ata çdo mbasdite bisedonin bashkë. Me mua Pandi nuk hapej shumë për çëshje pune.
Unë shikoja që ai ishte shumë këmbëngulës punonte në heshtje. As në Dajt nuk më
mori asnjëherë me gjithë dëshirën t'ime. Njëherë më bëri dhuratë për ditlindje,
ngjitjen tek 15 katshi ku kishin zyra për radio reletë, duke më treguar Tiranën
nga lart, me drita. Tani të shikojë sa ndryshime të mëdha janë bërë! Si
familjar bashkëshorti im ishte shumë i dashur dhe i kujdesur. Qefi i tij ishte
t’i mbante fëmijët mbi qafë, t'a shikonin botën nga lart! Jeta jonë ishte vërtetë
e veçantë. Në dhomën e gjumit kishim përballë dy hemisferat e Botës. Më fal,
Berti se kalova te detaje, që në gjuhë filmi gjejnë ekuivalente, frymëzues,
shprehës…Ti më pyete për intervistat. Ato janë vërtetë befasuese dhe e zbërthejnë
tamam karakterin e tij. Ing Xhemil Dautaj thotë përcaktimin e Drejtorit Emin
Klosi, që i quante Pandin dhe Xhemailin si dy pendë qe, që tërhiqnin parmendën
teknike të RTSH.
Parmendë…Shumë lidhje e përkushtim për
të përdorur aparatura të përdorura polake, kineze, franceze, italiane. Edhe
vajza e tij, Teuta Klosi Strazimiri vlerëson punën e ing. Pandit, që nga
fëminia, kur ajo dëgjonte në biseda , si e citonte babai i saj atë, krah të djathtë të tij. Kështu,
me fjalë të zgjedhura vazhdojnë edhe gjithë të tjerët intervistues si ing. Agim
Abazaj, Rexhep Hoxha, Sulejman Basha, Maqo Bleta, gazetarja Luiza Musta,
regjisori i njohur Xhelil Aliu, flasin ngrohtë shokët e Universitetit, Prof.Ali
Nonaj dhe ing Luan Pogaci, etj. Pikë emocionale kulminante e dokumentarit është
fjala e regjisorit Mjeshtër të Televizionit shqiptar,Ylli Pepos, qe i ka
njohjen me Pandin, nga çasti i parë i punës, me takimin spontan tek zyra e
Drejtorit të Përgjithshëm Thanas Nano deri në Konferencën e Palermos, Siçili,
kur të dy në funksionet e drejtorit të Televizionit dhe atij teknik të RTSH
përfaqësonin Shqipërinë me dinjitet
profesional. Falenderoj ekipin e gjatë që i angazhuan në këtë dokumentar, pa
harruar dhe formuluesin e muzikës te Kinostudio e Televizionit, Majlinda
Berzollit, që i ka dhënë shpirt muzikor tregimit tim kinematografik.
-Gjithsesi mikeshat e miqtë e tua, presim t’i mbledhësh,
Angjelina, për të trokitur një gotë raki, apo jo?
- Sigurisht që do i mbledh, por djali
më sugjeroi nga shtatori, si më fresk. U kënaqa shumë që ing. Pandeli Papalilo,
se fundmi mori dhe një vlerësim të lartë nga Shoqata mbarë Kombëtare, Vëllezërit
Frashëri, në Përmet, nga është dhe origjina familjare. Filmi do të shfaqet në
mjedise universitare, Tiranë, Prishtinë, Bruksel. Falenderoj të gjithë bashkëpuntorët
e këshilluesit e mi duke filluar nga Regj. Skënder Jaçe, Mjeshtri i Madh, Kolec
Traboini, Poetja, Zhuljeta Cina Grabocka, regj. Gezim Gjyrezi, moderatorja,
Silvi Braçe. Falenderoj për mbështetje shpirtërore shoqërore e familjarë ,
Veronika e Kostaq Canco, ing. Sotiraq Xharo, miket e mia të afërta Violeta
Kongo, Vilma Bleta, Katjusha Pogaçe etj.