Kulturë
Spica Metalike: Tradhtia ka emër
E premte, 15.08.2025, 06:06 PM
Spica
Metalike
Satirike
Tradhtia
ka emër
Tradhtia më e rëndë është ajo politike,
me dinakëri e buzëqeshje plastike.
Kur del në ekran, politikani në kolltuk,
premton “rrugë, shkolla, ujë me bollëk”.
Thotë: “Do ta luftoj hajninë e pushtetit!”
E sot ka katër vila, në çdo anë të qytetit!
Kur e pyetën për popullin, tha me hoka:
“Ata janë mirë, të zënë me TikTok-a!”
Pas zgjedhjeve - veç taksa e mashtrime,
shkoi gati një sezon vetëm me votime.
Kështu qytetari i gjorë, vonë merr vesh,
se vota e tij, me nder, shkoi për lesh.
Tradhtia me radhë vjen nga shoqëria,
aty ku buron e keqja, e gjithë ligësia.
Ajo të tradhton edhe në ditë me shi,
kur ke nevojë për “besë” e “dashuri”!
Kështu mësova unë në rrugën e jetës,
kur Rusoi tha për hir të së vërtetës:
“Njeriu lind i lirë, i mirë e me vlerë,
por shoqëria e prish, e bën të mjerë.”
E ç’janë besa, fjala, nderi dhe morali?
Janë fjalë muzeu - si diçka prej ideali.
Sot shitet ndërgjegjja në paketim familjar,
dhe tradhtari quhet... “një njeri vizionar”!
Tradhtia është moderne, “trendi i ri”,
nga kreu i shtetit, deri te hallexhiu i zi!
Të gjithë me maska, fjalët - ëmbëlsirë,
po ua ktheve shpinën - bëhen egërsirë!
(Karikatura
marrë nga interneti)