Kulturë
Agron Tufa: Havzi Nela - Pse t'më dhimbset jeta
E marte, 12.08.2025, 07:00 PM
Havzi NELA
(20 shkurt 1934 - 10 gusht 1988)
PSE
T'MË DHIMBSET JETA
(Katër poezitë e fundit)
Nga
Agron Tufa
HAVZI
NELA (20 nëntor 1934 – 10 gusht 1988) është bërë gjerësisht i njohur (ndonëse
jo aq sa duhet dhe sa e meriton), falë rrethanave të tij tragjike të burgimeve
të gjata politike, papërkulshmërisë dhe karakterit burrëror që tregoi gjatë
gjithë proceseve dhe kohës së vuajtjes së dënimit dhe internimit nga drejtësia
komuniste. Epilogu i jetës së tij të shumëvuajtuar zgjidhet tragjikisht me
egërsinë më të pashembullt, me aktin makabër të varjes së tij në litar në mes
të qytetit të Kukësit me 10 gusht 1988, kur Havzi Nela ende nuk i kishte prekur
të 54 vitet e jetës së tij. Drejtësia komuniste e kryente këtë akt të
paskrupull barbarie në kushtet kur sistemi komunist ishte shkrehur tejpërtej në
kampin komunist të Europës Qëndrore e Lindore, në kohën kur kryqendra e
Perndorisë së të Keqes, Moska, kishte filluar që në vitin 1985 rishikimin e
sistemit me Perestrojkën e Mihaill Gorbaçovit, në kohën kur kishte tre vjet që
kishte vdekur diktatori i Shqipërisë Enver Hoxha.
Shpesh
herë HAVZI NELA është pranuar në perceptimin popullor si martir, që u ekzekutua
në mënyrën më monstruoze në kaprcyell të falimentit komunist në Shqipëri, si
sinonim i papërkulshmërisë dhe pafajësisë, çka shkakton dhimbje therëse,
keqardhje të madhe dhe mosjustifikim të egërsisë së drejtësisë komuniste. Por
harrohet, ose eklipsohet fakti, që HAVZI NELA ka qenë një poet, një poet shumë
i mirë, nëse kemi parasysh, se prej krijimtarisë së çdo poeti, në fund fare
mbeten, gjithësej, 5 poezi, të cilat të japin “çertifikatën e përjetësisë”. Dhe
HAVZI NELA i ka këto pesë poezi, në mos më shumë…
Madje
ato 5 poezi janë një testament universal i fuqisë dhe rezistencës shpirtërore,
etike e morale të karakterit shqiptart, të tilla, që të sfidojnë çdo lloj
diktature. Nëse na lypet një model i këtillë në kohën e krizave dhe topitjes së
vlerave humane, atëherë HAVZI NELA është një nga modelet siperane artistike dhe
estetike që vazhdon të na flasë nëpërmjet testamentit të poezive të tij.
Në
katër poezitë e tij të fundit, të shkruara mes qerthullit kapërthyes të maleve
të Arrnit ku e kishin internuar në vitin 1987 dhe ku nuk e lejonin të
komunikonte me asnjë njeri (nëse ngjitej këmbë njeriu në ato maja), pra në këto
katër poezi të paravdekjes (“Nuse më dhanë robninë”, Arrën, tetor 1987; “Arrnit
me arrna”, Arrën, tetor 1987; “Malet e Arrnit”, Arrën, nëntor 1987; “O liri, o
vdekje”, Arrën, nëntor 1987) – kulmojnë të gjitha temat thelbësore të asaj se
çfarë ishte e çfarë dëshironte të mbetej në idealitet karakteri i njeriut,
sipas Havzi Nelës. Në këto poezi të fundit vokacioni i poetit ngjitet në një
kreshendo të pikëlluar, sepse në vargjet e tyre përvijohet bilanci tragjik i
një jete të tërë njerëzëre me përndjekje, ligësi, goditje, egërsi, morsë e
hekurt për të mos e lënë të realizojë as një testament të thjeshtë për të
dashurit dhe pasardhësit. Braktisja, vetmia, përzënia në qoshkun më skajshëm e
të humbur ku bishat janë shumë më humane se njerëzit, tërë ky izolim nuk
ndeshet as në shembujt më ekstremë të degdisjes që nga antikiteti e deri sot.
Megjithëse nuk na ndajnë dhe aq shumë vite, për bashkëkohësin tonë është e
pamundur të ndërtohet një përfytyrim më absurd se ky, ku poeti kuvendon me
veten dhe me bishat mes natyrës së ashpër e të përjetshme. Që nga kënd mës
qerthullit të maleve të Arrnit, ky Ovid i shumëfishtë tragjik, me zërin e
lodhur e të ngjirur shkruan elegjitë e tij të pikëlluara postume, duke mos i
hequr asnjë qime krenarisë dhe dinjitetit të njeriut të pamposhtur. Poezitë
kanë bilancin e njeriut që nuk u mund dhe që mes natyrës ku e kanë izoluar
shtrihet vetëm perspektiva e pritshme e vdekjes, të cilën ai e thërret si
ngushëllim, me kushtin që të vijë e ta gjejë me dinjitet, si një kurorë e
finales tragjike, por krenare. Kuptimësimin e fundit filozofik të këtij bilanci
të gjatë, poeti HAVZI NELA e shpreh me një varg filozofik e sentencial, që
është një divizë e njeriut të pamposhtur dhe që vlen për të gjitha kohërat:
“…dhe vdekja dhe jeta duhen meritue”, apo deviza tjetër tek elegjia “Arrnit me
arrna”: “Liria më thërret, vdekja nuk më tund!”.
Sigurisht
në repertorin e teksteve të shpëtuara të poetit-martir HAVZI NELA ka edhe poezi
të tjera të realizuara artistikisht, që të godasin dhe rrëqethin me shijen e
athët tragjike të fatit, madje janë poezi të nivelit antologjik për krestomcitë
shkollore, por katër poezitë e fundit flasin sa për katër romane-epope, ku
dinjiteti i njeriut përpara atdheut, lirisë e Zotit mbetet i pacënuar asnjë
grimë.
Rileximi
i poezive të Havzi Nelës, na shpalos, përveç emocioneve dhe përjetimeve
shkundulluese, jo vetëm rezistencën e lartë shpirtërore të poetit-njeri, por
edhe fuqinë artistike dhe elegancën estetike të poezisë si art, kur autori nuk
ka më se ç’të mësojë tjetër nga jeta. Për edukimin artistik, estetik, moral e
atshedashës të brezave të rinj, gjimnazistëve e studentëve, trashëgimia poetike
e Havzi Nelës është një model i përsosur edukimi, përballë hipokrizisë dhe
krizës morale të përditshmërisë së sotme, një galeri ku gjëllijnë marioneta e
ish-bashkëpunëtorë të diktaturës, e pse jo, edhe vrasësve të tij të
drejtpërdrejtë.
Për
ta përmbylur këtë rikthim të shkurtër tek poezia e Havzi Nelës dhe për të
imagjinuar kushtet në të cilat shkruajti ai, po përcjell një shënim që ka lënë
në fletore martiri i ndjerë në fund të katër poezive të tij të fundit, një ndër
shumë shënimet që linte rëndom poeti nëpër fletore, me shpresën se së afërmi,
lexuesi do t’i ketë të botuara në veprën integrale që po përgatit Instituti i
Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK).
Shënimi i fundit me të
cilin HAVZI NELA përcjell katër poezitë e tij të fundit nga Arrni:
Këto
vjersha i kam nxjerrë gjatë ditës në punë dhe duke ecë rrugës, pa përdorë laps
e letër dhe duke i hartue e mësue përmendsh. Dje me datë 17 nëntorë mora letër
nga Verja dhe më thanë se këto dit do të vijë në takim dhe shpresonte të vijë
Verja vetë. Prandaj unë sonte nën dritën e zjarrit i nxorra nga mendja dhe i
hodha në letër për me ia dhënë Verës në dorë po erdhi vetë.
I
kam shkrue me zor pa dritë e nëpër tym.
18 nëntor 1987
O LIRI, O VDEKJE
Nuk
them se jam trim, jo as frikacak,
Thellë
n’afshet e shpirtit më grafllon guximi;
Vdekja
për liri nuk më tremb aspak,
Si
e duron robninë zemra e nji trimi?!
Pse
or pse t’kem frikë, frikë se mos po vdes?!
Oh,
çfarë marrie, ndoshta faj për mue!
T’ecësh
zvarrë si krimb, t’mos jesh kurrë serbes,
Këtë
s’ia fali vetes, kjo më ban me u mendue.
Pse
t’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?
Veç
me përtypë bukën, me u rropatë si kalë?
Pa
nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie,
Unë
skllav i bindun, tash, kur s’jam as djalë.
Deri
kur durim, deri kur me shpresë?
Jo,
jo, mos m’i thoni, këto fjalë nuk i due.
Me
durim e shpresë nuk due të vdes.
Si
jeta dhe vdekja duhen meritue.
S’meriton
asnjenën kur mbetesh gur varri
Ndaj
rri e mendohem jetës me i dhanë fund.
Le
të kënaqet hasmi, le të qeshë i marri!
Liria
më thërret, vdekja nuk më tund.
Arrën, nandor 1987
NUSE MË DHANË ROBNINË
Jo
or jo, njizet vjet burg nuk u mjaftuen
S’u
ngopën ushunjëzat, xhelatët mendjemarrë;
Më
ndoqën kamba-kambës, lakun ma shtrënguen
Më
ndoqën gjithë jetën, pse jo deri në varr!
Ma
hoqën përgjithmonë, të shtrenjtën, lirinë,
M’i
hoqën të gjitha, kot kam mbetë gjallë
Shtëpinë
ma rrënuen, nuse më dhanë robninë
Më
lanë pa vajzë e djalë, më lanë të qaj me mall.
Gjithë
jetën vetmue, larg prej njerzve t’mi
S’paç
me kë lazdrohem, kujt t’ia them nji fjalë
Trup
e shpirt plagosur, s’gjeta kurrë qetësi,
Sot
në moshë të shkueme, maleve kam dalë.
Nëpër
male t’Arrnit, pa anë e pa fund,
Në
këto shkrepa e thepa që s’ke ku ve kambën
Më
përplasën, më rrëzuen, ma randë se gjithkund,
Më
rrëzuen mos me u çue, o zot banu gjamën!
E
prap s’kanë të nginjun, xhindosen kur më shohin,
Thue
se u zuna fronin, u prisha humorin,
Më
vrejnë me inat e fort mirë më njohin,
Nuk
më thyen kurrë, jetën krejt ma nxinë.
Arrën, tetor 1987
MALET E ARRNIT
Male
dhe male dhe male gjithkund
Male
të pasosun janë pa anë e fund;
Gjithkah
hedh vështrimin veç shkëmbinj e male
Kodrina
e lugina, me bjeshkë, prroje, zalle.
Vendi
i thatë, pak ujë, rrallëkund sheh burim,
E
rezervuarë të gatshëm që mbledhin vërshimet,
Përgjojnë
bagëtinë e mjerë, etjen me ua shue,
Jo
gjithmonë kënaqen, i gjejnë bosh, shterrue.
Lisa
të mëdhenj, viganë, çojnë kryet përpjetë
Sikur
prekin qiellin, përleshen me retë.
Lisa
gjithfarlloj, të moçëm, shekullorë,
Lisa
që u bëjnë ballë stuhive në shi e në borë.
Lisa
që nuk i shtruen as rrufetë e qiellit,
Lisa
që rriten e plaken, kërkojnë dritën e diellit,
I
mposht, i lëshon përdhé dora e sharrtarit
Zvarrë
i çon traktori si kufomat drejt varrit.
Arrën, nandor 1987
ARRNIT ME ARNA
Arrën
të thonë dhe me arna je
Syni
s’të sheh tjetër veç shkëmbinj e male.
Shkëmbinj,
thepa e grepa, ma shumë gurë se dhé,
Arrnor,
ti në shekuj vendit tand iu fale.
Mbi
themele t’fortë vendose shtëpinë
Nji
copë arë nën të, koshin, pak misër.
Si
burim jete ti kishe bagëtinë,
Mish
e bulmet pate, me ta bleve drithin.
Shit
andej e blej këndej, veten ke arnue
Nuk
ta pati kush lakminë, ato kohë hardalle.
Me
mund e me zor, me t’keqe ke jetue,
Siç
jetohej jeta dikur në këto male.
Vueje
për shumë gjana, për bukë e për krypë
Për
sapun e gaz, për rrugë, ujë e dritë;
Nuk
t’i sillte kush, vinin veç me të lypë.
Gjithë
jetën mbas tufës, natën e bane ditë.
Pagueje
e s’pagueje “të dhjetë” e “xhelep”
Pagueje
“xhelepin”, por e kishe mallin,
Kur
u thoje: “S’kam”, sturreshin me të rrjepë,
S’i
doje, as të donin, vetë e qaje hallin.
U
përmbys e vjetra, erdhën kohë të reja,
Qytetnim
e dije u ngjitën mbi maja,
Po
mbi malet tua s’pushoi kurrë rrufeja
Nuk
t’u hoqën dertet, e keqja, belaja.
Bagëtinë
krejt t’i morën, shekat mbetën bosh,
Çoban
i të tjerëve u bane, o arrnor,
T’lanë
nji lopë për bishti, gomarin balosh,
S’të
mbeti as mali, veç sopata në dorë.
Këputesh,
dërmohesh, tan ditën e gjatë,
Pesë
lekë t’paguejnë, “Kaq”,- thonë, - “jepka vendi”.
Burrat
morën malin, në parcela gratë,
Punojnë
e robtohen vetëm për bukë thatë.
Arrën 18 nëntor 1987