Kulturë
Dorian Koçi: Piktori austriak Leopold Forstner dhe Shqipëria
E diele, 17.08.2025, 06:57 PM
Piktori austriak Leopold Forstner dhe Shqipëria
Nga
Dorian Koçi
Leopold
Forstner (1878–1936), një ndër përfaqësuesit më të shquar të Jugendstil-it
austriak dhe pjesë e lëvizjes së njohur Secession të Vjenës, la pas një
trashëgimi të pasur ku mjeshtëria dekorative bashkohet me ndjeshmërinë
artistike. I specializuar në mozaik dhe pllaka dekorative, ai përdorte teknika
të përziera dhe materiale të çmuara, duke gërshetuar harmoninë e formës me
ngjyrën. Bashkëpunimet e tij me figura të njohura si Gustav Klimt, Otto Wagner,
Otto Schönthal dhe Emil Hoppe e vendosin Forstner-in në qendër të skenës
artistike të fillimshekullit XX, në një kohë kur arti europian po përjetonte
transformime të thella.
Fati
e solli që gjatë Luftës së Parë Botërore, kur trupat austro-hungareze u
vendosën në veriun dhe qendrën e Shqipërisë (1916–1918) pas shkatërrimit të
Serbisë, Forstner të shërbente si oficer
i grumbullimit në Shqipëri dhe Maqedoni. Ky rol, përveç detyrave logjistike, i
hapi atij mundësinë për të dokumentuar vizualisht jetën e përditshme,
arkitekturën dhe tiparet etnografike të vendeve ku qëndroi. Ndryshe nga shumë
ushtarakë të kohës, Forstner e shfrytëzoi këtë periudhë për të ndërtuar një
arkiv të pasur me vizatime dhe piktura që sot kanë një vlerë të dyfishtë –
artistike dhe historike.
Në
Shkodër, ai gjeti një qytet me ndërthurje të qartë osmane dhe perëndimore:
rrugica të ngushta, çati të pjerrëta, tregje të mbushura me jetë dhe ndërtesa
monumentale. Në Tiranën e asaj kohe, ende një qytezë e vogël, regjistroi me
kujdes xhamitë, shtëpitë me oborre dhe rrugët me kalldrëm, duke e ruajtur
përmes penelit një atmosferë që sot ka humbur. Kavaja e tij është më e qetë, me
pamje tregjesh lokale dhe banorë të paraqitur në veshje popullore, ku vërehet
qartazi dashuria e artistit për detajet e punimit dhe ngjyrat e gjalla.
Portretet
e Forstner-it nuk janë të ftohta apo vetëm dokumentare; ato pasqyrojnë një
vështrim të mprehtë mbi psikologjinë e “etnotipit shqiptar”. Ai portretizon
burra me plis e kostume kombëtare, gra me veshje të qëndisura shumëngjyrëshe
dhe fëmijë me një vështrim të pastër e të drejtpërdrejtë, duke kapur jo vetëm
pamjen e tyre, por edhe një ndjesi të brendshme të karakterit dhe krenarisë. Në
këtë mënyrë, pikturat e tij bëhen jo vetëm peizazhe urbane, por edhe dëshmi të
gjalla të një shoqërie në prag të ndryshimeve të mëdha.
Sot,
këto vepra shihen si burime të pazëvendësueshme ikonografike për historinë e
qyteteve shqiptare të fillimshekullit XX. Ato janë dëshmi të një periudhe
tranzicioni – nga struktura osmane drejt modernizimit – dhe ofrojnë detaje
arkitekturore e etnografike që shpesh nuk gjenden më në terren. Për studiuesit,
ato janë një dritare për të kuptuar zhvillimet urbane e kulturore të kohës; për
botën e artit, ato tregojnë aftësinë e një artisti të formuar në rrymën
elegante të Vjenës për të përthithur dhe përçuar estetikisht realitetin
shqiptar.
Ekspozitat
dhe botimet e viteve të fundit në Austri dhe Shqipëri e kanë rikthyer në
vëmendje figurën e Forstner-it, duke e vendosur jo vetëm si një nga mjeshtrit e
fundit të Jugendstil-it, por edhe si një kronikan të heshtur vizual të
Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore – një artist që, pa e ditur,
kontribuoi në ruajtjen e kujtesës historike dhe kulturore të një vendi në
ndryshim.