E hene, 18.08.2025, 12:28 AM (GMT+1)

Kulturë

Tahir Bezhani: Puhizë bjeshke

E diele, 17.08.2025, 06:43 PM


Tahir Bezhani:  cikël poetik

(Puhizë bjeshke)

DUKE ECUR...

Duke ecur humbësirave të kohës

Vetmia ime ngacmonte heshtjen

Buzëqeshjet ,të kalbta janë si lecka

Telave të rrymës së shkuar rinore

Emetim fëminor i dëshirave të plakura

Në bebëza të lodhura, të rrudhura

Herë herë  dilte tymi i verdhë

E pabesuar,sa lehtë ndizej zjarri

Majave të largëta

Si fije kashte  në vera të thara

Rrugëve  duke ndjerë

Hare rinore

Nudo të ngrohta, zjarrmi kohe

Një puhizë më dridhte shkopin

Në dorën time dejenxirë

Sytë zhbironin  kohën e ikur

Miklim durimi si përmallim

Xixë në sosje frymëmarrje..

SYTË

Dikur shikimi shponte në thellësi

E tash  në pasqyrë nuk i ngjan vetvetes

Kur takoheshin në stinën e luleve

Thithnin nektarin e parë

E bartnin  në hojet e stinëve

Ilaç shpirti në kohëra tërmetesh

Kur venitjet vijnë më parë se ato

Sa të vështira përjetimet

Kur edhe sytë harrojnë bukurinë

Përballë në pasqyrë irritohen

Përafërm kalon dashuri e vjetër

Vetëm aromën ndjej në dridhje

Si një flakë malli  ,shkon fluturimthi

Në një botë tjetër....

QIRIU

Mbi pllakën e varrit

Qiriu digjet  në heshtje,ngadalë

Furtuna nuk e fik zjarrin nisur moteve

Lotët rrjedhin anash pllakës shkrishëm

Kallur dheu shkulmeve  të nxehta

Deri te ashti shkrumb i djegur malli

Akull prekja e tij, në gjendje amorfe

E rindërtoj në shtratin e ëndrrave

Kalldrëm i shtruar, nënkresë e gurtë

Dritën e qiriut nuk e fik furtuna

Fanar i rrugëtimeve të gjata,

Ndrit  dhimbja  currilave të strehës

Netve vonë...

ZANA

Ka kohë , vrapoj pas zërit tënd

Fjalët në largësi të afërt i hapëroj.

Për çudi nuk e ndjej fshehjen tënde

E diçka  kallet brenda meje

Më vjen e ëmbël fytyra jote

Luan symbyllas hijeve si dikur

Si hënë ndriçon thellësinë e natës

Sa djegin ditët e mungesës

Vetëm n ‘ëndërr piskatin puthjet

Pastaj mjegull mbështillet vetes

E zë i largët, shkyen ditën

Klithma jote e paharruar

N’ harresë të sosur....

Rugovë, gusht 2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx