E enjte, 14.08.2025, 07:19 AM (GMT+1)

Kerko: a

Rrethi i mbyllur i dashurisë së plagës

E merkure, 13.08.2025, 06:29 PM


RRETHI I MBYLLUR I DASHURISË SË PLAGËS

Nga Timo Mërkuri

Poezia “rrethi cirkuit” e Armela Hysit vjen si një përplasje e mprehtë mes vetes dhe tjetrit, ku kufijtë mes “unë” dhe “ti” treten, bashkohen e prapë ndahen, e shfaqur kjo në një mënyrë që më së shumti i ngjan një pasqyre të dyzuar. Në këtë poezi, ‘unë’ dhe ‘ti’ nuk janë dy brigje të ndara nga një lumë; ato janë dy ujëra që takohen në të njëjtën shtratit të turbullt, duke humbur kufijtë derisa nuk dihet më se kush pi dhe kush mbytet. Është një poezi thellësisht moderniste, jo vetëm në formën fragmentare dhe simbolet që nuk shpjegohen plotësisht, por edhe në vetë ndërtimin psikologjik, aty ku rrëfimi nuk ka vijë narrative klasike, por është një puls i ndërprerë mendimesh dhe imazhesh. Këtu, modernizmi nuk është thjesht një kostum formal, por është një mënyrë e të menduarit që e shpërbën realitetin për ta rindërtuar në gjuhën e tensionit të brendshëm. Hysi ka arritur të "mendojë" poezinë në këtë nivel moderniteti.

I- Në thelb, poezia është kërkim i përhershëm i identitetit, një qark i mbyllur ku dashuria, urrejtja, faji dhe dëshira elektrizohen, duke e mbajtur “unë-in” brenda një rrethi pa dalje.

1. Risia e parë që hasim në këtë poezi është në shkrirjen e unë-tjetrit në një identitet të rrëshqitshëm, si lëngu. Në poezinë shqipe, përplasja e "unë" me “tjetrin” shpesh është shfaqur në trajta metaforike të dashurisë a mallit. Por këtu, Armela Hysi e zhvendos këtë marrëdhënie drejt një simbioze të dhunshme dhe të ndërlikuar. Risia qëndron në faktin se “ti” nuk është thjesht objekt dashurie, a kundërshtie, “ti” është një pasqyrim deformues i vetes. Kur thotë: “ti je po aq unë sa je gjithë ç’urren më tepër” ajo ngre një raport të çuditshëm ku afërsia është e baraslarguar me refuzimin. Është një bashkim i pashmangshëm, por edhe një helm i përhershëm, një frymë e re që e sjell marrëdhënien unë–tjetri nga lëmi i ndjenjave te terreni i psikikës dhe vetëshkatërrimit. Është një afërsi që ngroh dhe djeg në të njëjtën kohë, si një dritë që nuk vjen nga dielli, por nga një zjarr i brendshëm që s’di si të shuhet.

2. Në poezi haset një risi jo e natyrshme; modernizimi poetik në gjuhën e figurave që nuk zbuten. Poezia nuk ndjek një linearitet narrativ, por rrjedh si valë goditjesh mendore, duke përdorur figura të forta dhe shpesh të ashpra. Kjo është një risi në poezinë shqipe, ku shpesh metafora shërben për zbukurim, ndërsa këtu ajo është mjet therës i shprehjes: “jam një me ty që të fitoj dhe të humb / në një poker klasik deliresh”

Ky imazh modernist, "pokeri” shkrin kumtin e lojës së rrezikshme me veten dhe tjetrin në një metaforë urbane, të përditshme, që përçon nervozizëm dhe absurditet njëkohësisht. Nuk ka përpjekje për ta zbutur shijen e hidhur,  poezia e lë lexuesin me gjuhën e saj të mprehtë e të palëmuar. Këtu nuk luhet me letra, por me plagë të hapura mbi tryezë, ku çdo fitore është thjesht një humbje e re e maskuar.

3. Në shumë poezi shqiptare, vetëreflektimi është një akt qetësimi ose rrëfimi intim. Tek Armela Hysi, ai merr trajtë rituali penal, një dënim i vetëvendosur: “sillesh me mua ekzaktësisht siç sillem unë me veten time/ në emër të dënimit të madh hyjnor”.

Këtu nuk kemi vetëm introspeksion, por një lloj manuali të vetë-shkatërrimit, ku çdo faqe e pashkruar është një përvojë që ripërsërit plagën. Kjo krijon një hapësirë të re në poezinë shqipe, ku introspeksioni nuk është as terapik, as pajtues, por një qark i mbyllur ku ndjenja dhe vetëdija ushqejnë njëra-tjetrën në pafundësi. Këtë ndjesi e krijon një situatës rënduar psikologjike, prej të cilës mendon se s'ke shpëtim, mendim i cili të shpie ne mosreagim. Është një burg i çuditshëm, ku roja dhe i burgosuri flenë në të njëjtën qeli, madje në të njëjtin krevat, e në të njëjtin kurm dhe çelësi mbahet brenda, jo jashtë.

4. Një element tjetër që e dallon këtë poezi është përdorimi i trupit si fushë beteje të mendimeve, dukuri që haset kryesisht te poetet e mëdha europiane. Nuk është erotikë për hir të bukurisë, por erotikë që shërben për të thelluar konfliktin shpirtëror: “pa gjuhën shijuese / në nofullat bluese që më shtyn drejt patosit tënd të çmendur”.

Kjo është një gjuhë e re, ku sensualiteti përzihet me ashpërsinë, ku intimiteti nuk shëron, por e shtyn subjektin drejt një humbjeje më të thellë të vetvetes. Këtu trupi nuk është një kopsht ku lulëzojnë ndjenjat, por një terren me mina, ku çdo prekje mund të bëhet shpërthim.

Poezia “rrethi cirkuit” shfaqet si një  qark i tensionit të pandërprerë, ajo nuk është një poezi që kërkon të pëlqehet – ajo kërkon të tronditë gjer në nivelin e një tërmeti shpirtëror lexuesin, thua se nëpërmjet këtij tërmetimi do t'i vijë ndihma dhe dhe shpëtimi. Risia e saj në poezinë shqipe qëndron në shkrirjen e "unë" me "tjetrin" në një marrëdhënie të lëngshme e të dhimbshme, në gjuhën pa filtra që ndërthur erotiken me dëshpërimin, dhe në strukturën moderniste ku mendimet rrjedhin si goditje të një qarku elektrik pa dalje. Siç thotë vetë poezia: “çdo molekulë e imja është e njëjtë me atë të lirisë dhe qiellit”

Por kjo liri nuk është shpëtim, është një liri e mbyllur në vetvete, si rryma që qarkullon brenda një rrethi të mbyllur, duke e ushqyer dhe djegur njëkohësisht.

II– Dialogu me dhimbjen

Në thelb të poezisë “rrethi cirkuit” qëndron edhe një dimension më i thellë, një dialog me ATË që shkakton dhimbjet, qoftë kjo prani reale, kujtim apo një krijesë e ndërgjegjes. Është një marrëdhënie që nis me vetveten dhe përfundon në pasqyrën ku dhimbja diktohet dhe, në mënyrë të çuditshme, bashkë-shkruhet nga të dy palët. Në këtë lojë të dhimbjes bëhemi bashkë-fajtorë të torturës psikologjike, mendore apo edhe trupore. Dhe këtu lind dilema më e ndërlikuar: A do të më doja edhe mua?

Por përgjigjja pengohet nga një forcë e errët, që nuk lejon dashurinë të jetë thjesht e lirë, sepse kemi mësuar ta kuptojmë dashurinë vetëm përmes sakrificave, përmes dhënies së vetes deri në dhimbje. Këtu dashuria është si një zog që ka mësuar të fluturojë vetëm brenda kafazit, duke e marrë hekurin për horizont. Ky dialog i brendshëm dhe i dhimbshëm thellon poezinë duke e kthyer marrëdhënien “unë–ti” në një rreth të mbyllur psikologjik, ku subjekti e pranon rolin e tij si bashkëautor i torturës, ndoshta si mënyra e vetme për të jetuar brenda dhimbjes. Në këtë aspekt, poezi të tilla që nuk shmangin errësirën e shpirtit, por e përballojnë atë me një sinqeritet të hidhur, nuk janë vetëm reflektim i një vuajtjeje personale, por edhe pjesë e një tradite më të gjerë në poezinë moderne europiane. Edhe gjuha që përdor, “Të më doja, është në vetën e pare, që në fakt nuk përdoret në shqip, por Hysi nuk e sjell si huazim, nga gjuhët që e përdorin, por si trajta e vetme për të pyetur.

Kështu, poezi të cilat i japin trupit dhe vetëdijes një rol që shkon përtej estetikës dhe bëhen arenë e marrëdhënieve të ndërlikuara shpirtërore, gjejnë jehonë te disa nga zërat më të fuqishëm të poezisë bashkëkohore.

III-Dashuria e plagës

Në këtë udhë të errët të ndjenjës, shfaqet ajo që psikanaliza e njeh si sindroma e viktimës që bie në dashuri me xhelatin. Një lidhje e krijuar jo vetëm nga frika apo varësia, por edhe nga një nevojë e çuditshme për t’i dhënë kuptim dhimbjes, për ta veshur atë me petkun e dashurisë, që të mos duket krejt e pashpjegueshme. Kështu, dëmtuesi shndërrohet në pikë referimi, në boshtin rreth të cilit rrotullohet shpirti i plagosur, derisa dhimbja bëhet gjuhë e përbashkët dhe sakrifica forma e vetme e dashurisë së mundshme. Është dhimbje e madhe dhimbja e shpirtit, sidomos kur ta shkakton i dashuria që shndrohet në xhelat. Dhe kështu, në mënyrë të heshtur, dhimbja merr të drejtën e autorit mbi kujtimet tona, duke i nënshkruar me gjakun e saj.

IV-Në mënyrën se si Armela Hysi e zhvendos marrëdhënien unë–tjetri në terrenin e psikikës, me një gjuhë të drejtpërdrejtë, shpesh të ashpër dhe pa filtra, ajo të kujton intensitetin emocional dhe çiltërsinë e dhimbshme të Sylvia Plath, ku brendia e njeriut është një fushë beteje me vetveten.

Edhe prania e trupit si metaforë për mendimin dhe ndjenjën, e ngjashme me mënyrën se si Bachmann e përdorte sensualitetin për të çarë tabutë, e afron këtë poezi me një traditë ku trupi është hapësira ku ndërthuren dëshira, dhimbja dhe vetëdija. Nga ana tjetër, ndërtimi modernist, me fragmente që nuk synojnë linearitet, por kumte të goditura e të papritura, na kujton stilin e Paul Celan, sidomos në mënyrën se si figura poetike nuk shpjegohet plotësisht, por të lë të humbësh në atë. Në këtë mënyrë, Hysi nuk qëndron e mbyllur në një hapësirë thjesht shqiptare; ajo komunikon natyrshëm me një poezi europiane që ka guxuar të jetë intime, e errët, dhe njëkohësisht estetikisht e lirë.

Unë nuk e di nëse ky komunikim "bëhet" nëpërmjet leximeve apo është shpërthim i talentit të saj poetik, bashkuar me psikologjinë, në kushte të caktuara jetese apo frymëzimi, por gjithsesi unë duhet të tërheq vëmendjen e lexuesit ndaj një talenti jo të vogël që vjen me emrin e saj.

Sarandë, më korrik-gusht 2025

Armela Hysi

rrethi circuit

ti je po aq unë

sa je gjithë ç'urren më tepër.

unë jamë po aq ti

sa ç'jamë dhe rrethi cirkuit i vdekjes.

sa ç'jam premtim i shkruar mbi

brymën e ngrirë agsholit.

kristalet formojnë emrin tim

çdo molekulë e imja është e njëjtë

me atë të lirisë dhe qiellit

nga ku jam bërë shëmbëllim.

shumë e hutuar për ta kuptuar

jam një me gjithë ç'luftoj dhe gjithë ç'i fshihem

jam një me ty që të fitoj dhe të humb

në një poker klasik deliresh

sipas tekave të thëllimit tim

dhe oreksit seksual të gjymtytës tënde gjinore.

mendimi im

jam mendimi im shtazarak

pa digën e huajtur të grisë së veshur

jam mendimi im që hesht dhe toksikon

qelizat e miaa të poshtëruara.

ti je unë

po aq sa unë s'dua të jem ti.

sillesh me mua

ekzaktësisht siç sillem unë me veten time

në emër të dënimit të madh hyjnor

dhe flijimeve për mëritë që i mbaj vetes

porosisë gjëmat që më sjell kaq papritshëm

në një manual të pashkruar që të dëftoj çdo ditë

faqe më faqe.

dhe do të isha mësuar

për at'Zot do të isha mësuar të më dashuroja

pa neuronin përgjatë palcës së qullët të vetëdijes

dhe pa sytë do të qe çdo gjë më e lehtë

pa gjuhën shijuese

në nofullat bluese që më shtyn drejt

patosit tënd të çmendur.

tetor 2010

nga libri “Ujdhesës së përrallës tënde” (Armela Hysi 2013-Milosao)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx