E shtune, 26.07.2025, 08:37 AM (GMT+1)

Kulturë

Dorian Koçi: Simboli i dhisë Amaltea në heraldikën e Gjergj Kastriot - Skënderbeut

E hene, 21.07.2025, 06:58 PM


Simboli i dhisë Amaltea në heraldikën e Gjergj Kastriot - Skënderbeut

Nga Dorian Koçi

Amaltea është një figurë thelbësore e mitologjisë e përfaqësuar zakonisht si dhia e shenjtë që ushqeu Zeusin e mitur në shpellat e Kretës, duke e shpëtuar nga përndjekja e të atit, Kronosit. Ky mit i hershëm nuk është thjesht një rrëfenjë për shpëtimin e një hyjnie, por një simbol i kujdesit, mëshirës dhe mbrojtjes hyjnore. Amaltea përfaqëson jetën dhe vazhdimësinë, si dhe lidhjen e shenjtë midis natyrës dhe hyjnores. Në disa versione të mitit, ajo përshkruhet edhe si një nimfë që kujdeset për dhinë, duke u bërë simbol i nënës ushqyese dhe i mbrojtëses së perëndive.

Ky simbol, i ngulitur thellë në ndërgjegjen mitologjike të qytetërimit , ka kaluar përtej rrëfenjave gojore dhe është gdhendur në kujtesën kulturore përmes artit, skulpturës, dhe sidomos përmes formave të hershme të heraldikës. Në shekullin e parë para Krishtit, dijetari Pompon Atiku, mik i ngushtë i Ciceronit, ndërtoi pranë qytetit të Butrintit një vilë të quajtur “Amaltea”, e cila përmbante një bibliotekë, vepra arti dhe skulptura, duke i dhënë kësaj figure mitologjike një vend të nderuar në peizazhin kulturor të Epirit dhe më gjerë.

Përfshirja e figurës së Amaltesë në heraldikën e Skënderbeut nuk është e rastësishme. Studiuesit kanë vërejtur se përkrenarja  Gjergj Kastrioti Skënderbeu vendos figurën e dhisë – jo thjesht si një simbol pastoral ose fisnor, por në mënyrë të vetëdijshme si një referencë mitologjike dhe kulturore me rrënjë të thella. Në këtë mënyrë, Skënderbeu nuk e shihte veten thjesht si një udhëheqës ushtarak, por si pasardhës i një tradite të lashtë epirote, duke krijuar një vijimësi të drejtpërdrejtë mes Pirros së Epirit, mitologjisë  dhe identitetit të tij fisnik.

Simbolika e dhisë Amaltea në heraldikën e Skënderbeut është dëshmi e një identiteti të kultivuar me kujdes, ku rrënjët mitologjike shërbejnë për të ndërtuar një identitet politik dhe kulturor legjitimues në arenën ndërkombëtare të kohës. Në një epokë ku heraldika ishte mjeti për të komunikuar origjinën, virtytin dhe autoritetin e një udhëheqësi, përdorimi i simbolit të Amaltesë përforconte pretendimin e tij për vazhdimësi me traditën kulturore mitologjike  dhe përfaqësimin e Epirit të lashtë si pjesë e drejtë për së drejtë e trashëgimisë arbëre

Më tej, prania e këtij simboli në trojet e Kaonisë , siç e dëshmon edhe vila e Atikut në Butrint, na bën të kuptojmë se kulti i Amaltesë ka pasur jehonë të gjerë në territoret e Epirit. Butrinti, si një qendër kulturore e rëndësishme antike, nuk ka qenë vetëm qytet i tregtisë dhe i besimeve politeiste, por edhe një urë lidhëse midis botës Kaone dhe traditës  romake dhe  helene, ku figura si ajo e Amaltesë shfaqeshin jo vetëm në arte, por edhe në filozofi dhe në përfytyrimin përkujdesës të pushtetit.

Kësisoj, figura e Amaltesë në kontekstin arbër  merr vlera të shumëfishta: ajo është një simbol i traditës së lashtë epirote, një element i heraldikës skënderbejane dhe një dëshmi e rrënjëve kulturore që lidhin Arbërinë  me civilizimin greko-romak. Në një mënyrë të ngjashme me mënyrën si miti i Amaltesë ushqeu Zeusin për ta përgatitur për udhëheqje, edhe trashëgimia kulturore e kësaj figure ka shërbyer për të formësuar identitetin e udhëheqësve arbër  si Skënderbeu, në një bashkësi simbolesh ku mitologjia dhe realiteti historik ndërlidhen për të ndërtuar legjitimitetin e kombit.

Në epokën e Rilindjes Kombëtare dhe më vonë gjatë formimit të identitetit shtetëror shqiptar, kthimi te këto simbole mitologjike nuk ishte thjesht një kthim pas në kohë, por një përpjekje për të afirmuar se shqiptarët ishin pasardhës të një qytetërimi të lashtë, me një trashëgimi të pasur kulturore dhe politike që shtrihej nga mitet e Olimpit deri te realiteti i qëndresës dhe udhëheqjes në kohë të vështira. Amaltea, për rrjedhojë, nuk është vetëm një figurë e mitologjisë – ajo është pjesë e kujtesës kulturore të një etnie  që e kërkon legjitimitetin e vet në rrënjët më të thella të qytetërimit.

Imazhi 1 : Zeusi foshnjë dhe një faun, të ushqyer nga Amaltea" Galeria Borghese, Romë

Imazhi 2: Përkrenarja e Skënderbeut, Kunsthistorisches Museum, Vjenë

Bibliografi :

1-Cicero. (Epistulae ad Atticum), 1.5.

2-Elsie, R. (2005). Historical Dictionary of Albania. Scarecrow Press.

3-Frashëri, K. (2002). Gjergj Kastrioti Skënderbeu: Jeta dhe vepra. Tirana: Dituria.

4-Grimal, P. (1996). The Dictionary of Classical Mythology. Oxford: Blackwell.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx