E enjte, 24.07.2025, 11:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Agron Tufa: Ajo mbrëmësorja dritë e shenjtë

E hene, 21.07.2025, 06:54 PM


AJO MBRËMËSORJA DRITË E SHENJTË...

(Mbi përkthimet në shqip të poezisë “Letër nënës” të Sergej Eseninit)

Nga Agron TUFA

I

Përkthimi i poezisë është, para së gjithash, jo teksti, por universi i lidhjes së tekstit me kulturën në të cilën është ngjizur dhe mbindërtuar ndjeshmëria e personalitetit të një poeti. Padyshim që përkthimi i poezisë ka ndërtuar shpesh e gjithmonë keqkuptime të pafundme, në të gjitha shekujt dhe kulturat; prandaj dhe ekzistojnë, për fat, ripërkthimet, për të na përafruar sa më shumë me frymën e origjinalit, jo me germën. Llojet dhe origjinat e keqkuptimeve janë të shumëllojshme, natyrat e tyre nuk mund t’i shterrojmë as me libra të tërë. Megjithatë, sot gjithë e më fort, shijeve të rafinuara të lexuesve elitarë u pëlqen të kenë një përkthim sa më besnik të thellësive dhe metaforave të origjinalit, një kuptim sa më të saktë, që spastron keqkuptimet dhe arbitraritetin e sjelljes ndaj tekstit poetik origjinal. Shkurt: si lexues, unë kam dëshirë të komunikoj me me thelbin artistik e vegimor të poetit origjinal, dhe jo se si e paketon përkthyesi me kullandrisjet e tij. Këtë besoj se kërkon një lexues i sotëm, terjaqi i shijimit të poezisë. Ndërsa atyre të shumtëve që bien në dashuri fanatike me poetin sipas versioneve të përkthyera, do të ishte mirë t’u sugjeronim ose të lexojnë tekstin origjinal, ose, përndryshe, le ta ruajnë këtë fanatizëm, por për krijimtarinë origjinale të përkthyesit, jo për përkthimet e tij. Përkthimi nuk njeh idole. Askush nuk bën përjashtim nga kjo. Asnjëherë. Edhe repertori i përkthimeve tona, si gjithkund, ka keqkuptimet e kuturitë e veta, shpesh edhe më të përbindshme. Dhe kjo gjithmonë vjen nga mosnjohja e mirë e autorit dhe veprës në origjinal, nga mosnjohja e kontekstit kulturor të traditës poetike dhe kryesisht nga paragjykimet e personalitetit të tij si përkthyes. Sepse dihet, përkthen kultura që ke pas shpine, jo dija e gjuhës.

Meqë fjala është tek domosdoshmëria e ripërkthimeve, risjelljes së disa prej poetëve të rëndësishëm nga kultura të ndryshme, që lexuesi ynë i ka njohur njëherë, kam zgjedhur të përqendrohem kësaj radhe në një poezi shumë të njohur e të dashur nga brezat e lexuesve tanë të pas viteve 1960 – poezinë “Letër nënës” të poetit imazhinist Sergej Esenini.

Në numrin 325 të “Ex-Libris” (8 mars 2025), përkthyesi Buajr Hudhri na e risjell këtë poezi në tetë versione përkthimore. Sigurisht që ka e mund të ketë dhe versione të tjera në Kosovë (Ibrahim Rugova di që e ka përkthyer), por prania e tetë përkthimeve me origjinalin në mes, më shtiu, përveç kënaqësisë nga begatia e krahasimeve, edhe në një meditim tjetër, - të pashmangshëm kur ke të bësh me origjinalin në mes dhe, pikërisht: tek përhumbja e një thelbi vezullues të imazhit të poezisë. Nuk e kam fjalën tek pasaktësitë, nëse nëna e poetit bredh në rrugë me shall, me peliçe, me xhup apo me sargí (sargí-a - shall i madh që e hedhin gratë mbi kokë e mbi supe).

Habia ime e parë, që erdhi duke u zgjeruar, që kjo: poezisë më të dashur e më të lexuar, jo vetëm në atdheun e poetit - “Letër nënës”, i është hequr thelbi i dritës në përkthimet tona. Nuk e di si qëndron puna me përkthimet e kësaj poezie në gjuhët e tjera dhe nuk më lë kurreshtja pa i krahasuar. Pse ka ardhur kjo zbehje, apo bjerrje nga një imazh i shenjtë në një imazh profan? Nuk besoj se ka qenë censura. Besoj se gjithë indi kulturor e letrar që prodhon imazhet në poezinë e Eseninit, është lexuar keq dhe përkthyer jo saktë.

II

Në të gjitha versionet përkthimore të kësaj poezie të Eseninit, ka ndodhur ajo quhet "desakralizim" (ç'shenjtërim), dmth, i është laicizuar "brerorja" e dritës së shenjtë, me të cilin poeti e vesh nënën (apo dhe nënëmadhen). Konotacioni i dy vargjeve të kësaj breroje të shenjtë është tërësisht kishtaro-ortodoks. Esenini uron që shtëpia e nënës së tij të mbulohet e mbrohet me këtë brerore drite, si ajo që pikon nga flatrat e engjëjve apo kerubinit, kryeengjëllit, të tillë siç paraqiten në ikonografinë ortodokse. Pse? Sepse kjo botë e pistë molepsje dhe zhgënjimi, kjo botë e ndotur duhet të ketë një krijesë e një strehë të panjollë, si ngushëllim të fundit dhe se kjo krijesë e kulluar është nëna plakë në strehën e izbës, vatrës së lindjes atje në fashat. Sikur gjithë bota të molepset, të krimbet në krime e flligështi, nëna, lokja e poetit, duhet të mbetet e paprekshme, andaj poezia që në katrenën e parë, në dy vargjet e dyta, për këtë lutet:

Në një përkthim të fjalëpërfjalshëm kemi:

“Le të pikojë/rrjedhë mbi izbëzën tënde/

Ajo e parrëfyeshmja dritë mbrëmësore”

Të cilat janë përkthyer duke devijuar nga imazhi i së "shenjtës" ("pirgu i imazhit” - Esenini ishte lideri i lëvizjes avanguardiste të imazhinizmit!), në të mirë të “profanizimit të së shenjtës”, pra, zhveshjes, duke e degraduar në një imazh laik. Me fjalë të tjera, në përkthim është vrarë ajo, që Walter Benjamin-i e quan “aura” e origjinalit. Ja si janë përkthyer respektivisht këto dy vargje nga përkthyesit tanë:

Ismail Kadare:

Paqja e mbuloftë këtë mbrëmje

Izbën tënde deri në mëngjes.

(nuk ka dritë, nuk ka aludim të së shenjtës)

Dritëro Agolli:

Dritë e mbrëmjes derdhtë ligjërime

Mbi kasollen tënde qoshk më qoshk!

(ka dritë, por të pashenjtë dhe fjalë që nuk i ka origjinali)

Vedat Kokona:

Ç’natë e kaltër, izba në mendime

seç të rri, të fle gjer në mëngjes.

(Nuk ka dritë, krejtësisht pa lidhje me origjinalin)

Jorgo Bllaci:

Dritë e bëftë krejt kjo mbrëmje e lume

Izbën tënde, që me mall më pret.

(Ka dritë, por atë duhet ta bëjë mbrëmja (!), për më tepër, nuk është dritë e shenjtë)

Vangjush Ziko:

Le të ndritë mbrëmja si përrallë

Mbi kasollen tënde që veç hesht.

(Drita këtu është në funksionin e përrallës, shumë larg origjinalit)

Pavli Qesku:

Në atë izbën tënde paç bekime

Mbrëmjeve kur muzgu zë të zbresë.

(Larg nga origjinali, mungon drita)

Agim Shehu:

U mbuloftë paqë izba jote

nga dritat e muzgjeve përqark!

(Drita dhe paqja janë kontradiktore, një paqe e pashenjtë që vjen nga drita)

Agron Tufa:

Rrjedhtë mbi ksollën tande e kaltreme

Njajo mbramësorja drit’ e shêjtë.

(Drita këtu është, më në fund, e shenjtë, por prapë mungon cilësimi i saj “e papërshkrueshme”)

Imazhi i "dritës së mbrëmjes" si shenjë e shpirtërores më të epërme, bekimit dhe dashurisë për shtëpinë e lindjes rishfaqet tek Esenini thuajse një vit para vetëvrasjes, në poezinë e njohur "Letër nënës" (1924). Le të ndjekim gjenezën shpirtërore-estetike të këtij imazhi.

III

Në aspektin e gjuhës poetike, "ajo dritë (e pashpjegueshme/ e pathënshme, që s’mund të shprehet me fjalë...) e mbrëmjes" përfaqëson një tërësi simbolike të koklavitur, ku çdo pjesë e saj, duke përfshirë përemrin "ajo", tregon për origjinën "tjetërqenësore" të imazhit, të shenjtëruar nga tradita kishtare-himnografike. Në të njëjtën kohë, shprehja "dritë e pashpjegueshme/ e pathënshme/ e pashprehshme " lindi nga intuita krijuese e vetë Eseninit, megjithëse ka paralele të qarta në tekstet liturgjike, për shembull, në imazhin e "dritës së pakrijuar" nga "Aka?sti i Shën Nikollës" ose "dritës së pashprehshme" në "Aka?stin e Hyjlindëses së Shenjtë (ndryshe, Shën Mërisë)". Por mund të jetë dhe reminishencë nga traditat e simbolizmit rus, veçanërisht të periudhës mistike të poetit Aleksandër Bllok:

Dhe përplot dridhje të shtrenjtë

Vitesh të shumpritura

Do të nxitojmë rrugë e pa rrugë

Në dritën e papërshkrueshme.

(Aleksandër Bllok. “Ne jetojmë në një qelë të lashtë…”)

Interesimi i Eseninit për gjuhën e kishës, për zhanret e himnografisë kishtare, është mjaft i kuptueshëm, sepse poeti i qasej krijimtarinë si një akti të shenjtë dhe e konsideronte atë që "i shoqëron fjalët me vajosje" si një artist të vërtetë (5, f. 238), sepse sipas interpretimit të tij biblik të "Librit të Zanafillës" - "Fjala në gjenezë ka qenë ajo shtambë prej së cilës nga hiçi gjerbin ujë të gjallë". Shumë poetë rusë, duke filluar nga Pushkini, Baratinski dhe Lermontovi, ndanin bindjen se poezia është motra e vogël e lutjes, "sozia" e saj laike; këtë besim e kishte edhe Esenini. Sinqeriteti, thjeshtësia dhe natyrshmëria e ndjenjave, karakteristika të lutjes ortodokse dhe të afërta me botëkuptimin e Eseninit, përbënin, sipas poetit, një kanun etik dhe estetik të lartë edhe për ata që krijonin jashtë traditës kishtare.

Nga sa kam lexuar, Sergej Esenin ndoqi shkollën katërvjeçare të fshatit Konstatinovo midis viteve 1904 dhe 1909. Në këtë shkollë, që nga klasa e parë, përveç Ligjit të Zotit, mësoheshin edhe leximi dhe shkrimi në gjuhën sllave kishtare. Në klasën e katërt, gjuha sllave kishtare dhe leximi i Ungjillit me përkthim në rusisht mësoheshin në mënyrë më sistematike. Çdo nxënësi i jepej një "Horologion Mësimor". Shkrimet në klasë mbi tema shpirtërore, si "Festa e Kishës", "Pritja e Pashkës", "Dita e Trinisë", "Udhëtimi në Manastirin Teologjik", ishin të zakonshme, dhe kërkohej njohja e mirë e lutjeve nga nxënësit.

Kjo përvojë arsimore ndikoi ndjeshëm në formimin shpirtëror dhe letrar të Eseninit, duke reflektuar në veprat e tij poetike. Në moshë të re, Esenini mori pjesë aktive në shërbimet festive të famullisë së tij. Siç kujtonte bashkëfshatarja dhe bashkëmoshatarja e tij, M.I. Kopytova, "në festat e mëdha ai këndonte në korin e kishës. Zëri i tij ishte i butë, paksa i ngjirur. Ne i afroheshim dhe e ngacmonim. Ai duronte, duronte, pastaj qeshte. Prifti e shikonte ashpër, dhe ai qetësohej."

Në vitet 1909–1912, Sergej Esenin ndoqi shkollën mësimore dynivelëshe në Spas-Klepiki, ku përvetësoi njohuri të thella në tekstet liturgjike dhe praktikën fetare. Çdo ditë fillonte me leximin e lutjeve, të shoqëruara me përkulje deri në tokë, dhe nxënësit merrnin pjesë rregullisht në shërbimet fetare në kishën lokale, duke lexuar pjesë nga Psalmet gjatë shërbesave të mbrëmjes. Dihet nga biografët, se mësuesi i letërsisë, Evgenij Mihajlloviç Hitrov, luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin letrar të Eseninit. Ai shpesh lexonte vepra të autorëve rusë në klasë, duke përfshirë edhe ato të Pushkinit, gjë që ndikoi ndjeshëm në formimin e shijes letrare të poetit të ri. Hitrovi kujtonte se Esenini ishte një dëgjues i vëmendshëm dhe i ndjeshëm gjatë këtyre leximeve. Përvoja e Eseninit në shkollën e Spas-Klepikit dhe ndikimi i mësuesit të tij kontribuan në njohuritë e tij të thella mbi tekstet liturgjike, të cilat më vonë pasuruan fjalorin poetik dhe imagjinatën e tij letrare. Njohja e teksteve të lutjeve, e cila më vonë luajti një rol të madh në pasurimin e leksikut poetik dhe të menduarit figurativ të Eseninit, u përvetësua veçanërisht thellë gjatë studimeve të tij në Shkollën Mësimore-Kishtare në Spas-Klepiki, ku poeti i ardhshëm studioi nga viti 1909 deri në 1912. Gjatë kësaj periudhe, ai mori pjesë rregullisht në shërbimet fetare, duke lexuar Psalmet dhe duke kënduar në korin e kishës, gjë që ndikoi ndjeshëm në formimin e tij shpirtëror dhe krijues.

Poetika e lutjeve dhe poezia kishtare-himnore patën një ndikim të madh te Sergej Esenini. Veprat e tij tregojnë njohuri të thella mbi zhanret kryesore të himnografisë kishtare, duke përfshirë troparin, një zhanër kënge e hareshme lutjesore («Vis i dashur! Tropar nga shenjtët...», «Pisket peshku me troparin e përgjumur...»), kanonin, një zhanër këngësh kishtare («Pelegrinet shkojnë në kanon...», «Mëngjesi i Trinisë, kanoni i mëngjesit...», «Shërbe, kallamar, kanoni i pyllit...», «Do të na çojnë në kishë për kanonin laik...»), dhe psalmin («Nga kaltërsia e kasollës së padukshme/ kullojnë psalmet yjore...»).

Esenini përfshiu në poezitë e tij motive të shërbesave të veçanta fetare dhe këngëve liturgjike, siç janë lutje kundër thatësirës («Thatësira ka tharë të mbjellat...»), litania për të vdekurit («Përshpirtjet»), dhe shërbesa e panihidës në kishë («Ata ia behën si zogu në fluturim...»).

Leximi i Psaltirit si një akt funerali është rikrijuar nga Esenini në vargje të përshkuar me motive tragjike të shkaktuara nga privimet e Luftës së Parë Botërore:

Ia behën si zogu n’flatrim

Për ne me këngë funerale.

Mëmëdheu, murgeshë e zezë,

Për djemtë e vet po lexon psalme...

("Ata ia behën si zogu n’flatrim...")

Është e rëndësishme të theksohet se motivet e lutjes manifestohen me shkallë të ndryshme intensiteti në faza të ndryshme të rrugës krijuese të Esenin, megjithëse secila prej tyre karakterizohet nga një lloj i caktuar dominues i lutjes. Gjatë periudhës së krizës shpirtërore dhe zhgënjimit në iluzionet revolucionare në lidhje me ndërtimin e një parajse fshatare në tokë, së bashku me motivet apokaliptike, intensifikohet futja e elementeve të lutjeve funerale dhe këngëve të përkujtimit (“Unë qëndroj në meshën e lamtumirës / Nën mështeknat që djegin me gjethet e tyre...” "Vetëm unë, si lexues i psalmeve, mund të këndoj / Aleluja mbi tokën time amtare"). Vitet e fundit të jetës së tij, në poezinë e Eseninit bie në sy ndikimi i motiveve dhe intonacioneve të lutjes penduese: “Kam dashur shumë në këtë botë / Gjithçka që e vesh shpirtin me mish...”; “Mendimet e mia, mendimet e mia! Dhimbje në tëmtha, në tepelek dhimbë. / Rininë e harxhova pa kohë, pa stinë...”.

Vitet e fundit të jetës së tij, në poezinë e Eseninit bie në sy ndikimi i motiveve dhe intonacioneve të lutjes penduese: “Kam dashur shumë në këtë botë / Gjithçka që e vesh shpirtin me mish...”; “Mendimet e mia, mendimet e mia! Dhimbje në tempuj dhe në kurorë. / Rininë e harxhova pa kohë, pa stinë...”.

Imazhi i "dritës mbrëmësore", i motivuar emocionalisht në poezinë e Eseninit nga butësia birnore ndaj nënës plakë dhe paralelja nëntekstuale "pleqëria - mbrëmja e jetës", ka traditën e vet shpirtërore. Imazhi i referohet këngës liturgjike "Svjet tihij..." ("Dritë e qetë..."), e cila tradicionalisht perceptohet në praktikën kishtare si "himn për ndezjen e llambave". Historia shpirtërore dhe poetika e kësaj kënge të famshme janë hulumtuar thellësisht nga studiuesi i njohur S.S. Averincjev, i cili vëren se në bazë të saj qëndron krahasimi poetik i Logos-it Hyjnor, i cili për hir të njerëzve zbuti shkëlqimin e tij të papërballueshëm për syrin dhe u shfaq në formë të përulur njerëzore, me "dritën e mbrëmjes". Në traditën liturgjike të mëvonshme, megjithatë, krahas këtij imazhi filloi të përdorej një "sinonim antonimik" i veçantë, i cili gjithashtu u konsolidua si perifrazë metaforike e emrit të Krishtit: "Drita e pambrëmjes", që mund të përkthehet kuptimisht, si dritë që nuk e njeh mbrëmjen, dritë e pashuar, e paperëndueshme (për shembull, në lutjen e 7-të (të mëngjesit) drejtuar Hyjlindëses së Shenjtë: "Ti që linde Dritën e pambrëmjes, ndriço shpirtin tim të verbuar..."). Kjo metaforë shpirtërore shërbeu si titull i veprës së njohur teologjike të At Sergej Bullgakovit "Drita e pambrëmjes".

Imazhi kristian arketip, i futur me intuitë të saktë nga Esenini në kontekstin jetësor të mesazhit poetik, papritur zbuloi në të aspekte të reja të aureolës së tij semantike tradicionale, duke përshkuar me shkëlqimin e shpirtërores më të lartë temën e përjetshme të nënës dhe djalit. Në kontekstin e ri lirik, imazhi i "dritës së pashpjegueshme të mbrëmjes" mori një interpretim shpirtëror me shumë kuptime si shenjë e bekimit më të lartë për shtëpinë prindërore, duke mbuluar me mbrojtjen e tij jetësore vatrën e nënës, si lutje drejtuar Krishtit, emri i të cilit është "koduar" në metaforë, si misteri i dritës së Shndërrimit, që rrjedh nga ikona "qiellore".

Poezia e Eseninit "Letër nënës" përfaqëson, në thelb, një interpretim polemik të lutjes së Hyjlindëses. Duke refuzuar lutjen ("As me u falë s’ban me më mësue.. S’ vlen! / Kah e vjetra kthim nuk ka.."), poeti i drejton përcaktimet tradicionale "aka?stike" ("ndihmë", "ngushëllim", "dritë e pashpjegueshme") nënës së tij të dashur "plakë".

Popullariteti i gjerë i kësaj poezie mund të shpjegohet pikërisht me faktin se në një epokë pa fe, poeti arriti të gjente një analog tokësor për arketipin e Hyjlindëses thellësisht të rrënjosur në shpirtin e popullit - dashurinë e shenjtë amtare, duke krijuar, në thelb, një lutje laike drejtuar Nënës njerëzore.

Kështu, stili poetik i shumë veprave të Eseninit është shpirtërisht dhe estetikisht i orientuar drejt traditave të lutjes ortodokse, drejt zhanreve dhe stileve të himnografisë kishtare (kanoni, tropari, psalmi, akafisti). Teksti poetik i Eseninit, nga këndvështrimi i idiostilit të tij, shpesh riprodhon veçoritë strukturore-semantike të lutjes si një tërësi shpirtërore-estetike. Aura emocionale e lutjes formon ndjenjën e tempullit në botëkuptimin poetik të Eseninit, duke e shndërruar lirikën e tij në një lutje frymëzuese për atdheun, natyrën ruse, shtëpinë e fëmijërisë.

IV

LETËR NANËS

Gjallë të kam, mori lokja eme?

Gjallë jam. Të falem ty me shnet!

Rrjedhtë mbi ksollën tande e kaltëreme

Njajo mbramësorja drit' e shêjtë.

M'shkruejn se, tu' e fsheh marakun,

Keq për mue tretë trishtimit je,

Se del fill e shpesh merr sokakun

Me sarginë e vjetër demodé.

Se në terr të kaltër, buzëmbramje,

Të fanitet gjithë një vegulli:

Kinse n'kokërr t'sherrit në mejhane

N'zemër ma ngul thikën nji njeri.

Hiç mos e prish gjakun moj e shtrenjtë!

S’asht përpos se jerm e angushti.

S'jam aq pijanec e kryeshkretë

Sa me vdekë, pa të pa me sy.

Siç kam qenë i amël, njaj kam mbetë,

Nuk andrroj përpos një mrekullie:

Prej brengash rebele sa ma shpejt

N'ksollën ton' të vogël me u kthye.

Kam me kthy' kur rremat të harlisen

Kopshtit tonë të bardhë në behar.

Veçse ti ma prapë në ferk të dritës

Mos më zgjo, si tetë vjet ma parë.

Mos m'i zgjo ti andrrat që m'u zvordhën,

Mos ma malco pengun e pamort, -

Tepër heret humbjet edhe lodhjet

T'i provoj në jetë më ra për short.

As m'u falë s'ban me më mësue. S'vlen!

Kah e vjetra kthim nuk ka ma prore.

Vetëm ty t'kam ngushëllimin tem,

Vetëm ty t'kam dritën engjëllore.

Pra harroje, loke e mirë, marakun,

Mos u tret trishtimit të pafré.

Dhe mos dil aq shpesh me marrë sokakun

Me sarginë e vjetër demodé.

1924

Pérktheu nga origjinali: Agron TUFA



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx