Kulturë
Mehmet Rukiqi: Monument përjetësie për Xhemë Tërnafcin
E diele, 20.07.2025, 06:54 PM
Në përkujtim të Dr. Mehmet Rukiqit, ndjesë pastë, po e paraqes vlerësimin e tij për librin “Xhemë Tërnafci- Sugari i Çetës së Azem Galicës”, i cili sapo doli nga shtypi e për të cilin ai dha kontribut të jashtëzakonshëm, andaj edhe i jam mirënjohës sa të jem gjallë (Bedri Tahiri):
MONUMENT
PËRJETËSIE PËR XHEMË TËRNAFCIN
Nga
Dr. Mehmet RUKIQI
Bedri
Tahiri, studiues dhe letrar i shquar, pas shumë botimesh letrare-historike, na
erdhi edhe me veprën studimore monografike “Xhemë Tërnafci- Sugari i Çetës së Azem Galicës”. Xhemë Tërnafci ishte bashkëluftëtar i
afërm i Azem Galicës, i cili i kontribuoi pavdekësisë së komandantit të vet, që
në histori, mbeti i pakrahasueshëm. Bedriu e quan me dy mbiemra;
“bashkëluftëtar” e “sugar”. Ani pse, i pari i takon kuptimit logjik e i dyti
kuptimit figurativ, janë mbiemra tejet të qëlluar dhe të admiruar.
Bedri
Tahiri me mjeshtri të rrallë artistike, skaliti portretin e Xhemë
Tërnafcit. Veçoritë luftarake të tij,
edhe në ditët e sotme, ngjallin dashuri atdhetare dhe sfida për armiqtë
shekullor. Zgjojnë ndjenja të thella dhe, përherë, aktuale për të gjithë.
Bedriun
e cilësojnë idetë krijuese, pasuria e fantazisë artistike e begatia e
ndjenjave, andaj edhe i kontribuoi shpëtimit nga pluhuri i harresës, të shumë
personaliteteve të historisë shqiptare, si Hasan Prishtina, Azem Galica, Ahmet
Delia, Hys Popova, Ramadan Bajraktari, Adem Jashari etj.
Në
Hyrje të veprës, autori na ofron të
dhëna gjeografike- historike, për një ambient përkufizues studimor, si Drenica,
në qendër të Dardanisë ilire. Është tërësi gjeografike, të cilën e dallon
ndarja administrative dhe qëndresa kundër okupatorëve, që nga Beteja e Kosovës
më 1389, ku u shqua trimi Millosh Nikollë Kopiliqi.
Një
nga vendbanimet e Drenicës, është edhe Tërnafci, vendlindja e kryeprotagonistit
të kësaj monografie, ku ofrohen të dhëna
gjeografike, sidomos për mikrotoponimet, që janë në krizë të harresës, për
ngjarje historike dhe etnografike, të folklorit dhe të traditës.
Vepra
e Bedri Tahirit përmban dymbëdhjetë kapituj e disa nënkapituj:
1.
Depërtimi i ushtrisë serbe në Kosovë,
përkujton invadimin serb mbi tokat shqiptare në qytete dhe rrethina të Nishit,
Prekuples, Kushumlisë e Vranjës, më 1876-1878. Shkruan për okupimin serb të
Kosovës, në fund të vitit 1912. Përqendrohet në depërtimin e
ushtrisë serbe në Drenicë e përtej, me sjelljet e tyre gjakatare. Brahim Delia i Tërnafcit, i afërm i Xhemës,
para së të vritet, me hu gardhi i mbytë
dy kriminelë serbë. Kjo është njohuri e re për lexuesit. Këtu përfshihet edhe
arrestimi i Hasan Prishtinës, Lufta në Merdar, pushkatimi Parisë së Drenicës në
Vushtrri, etj.
2.
Në kapitullin Ngjarja e Tërnafcit i
parapriu asaj të Prekazit,- ndër
të tjera thuhet: “Një bandë ushtrie
kriminale serbe, tek po marshonte për në Pejë, ndalen në Tërnafc, në kullat
binjake të Brahim Delisë. Ato ishin konakë për luftëtarë e kapedanë, për të
varfër e për të pasur. Aty qëndroi shpesh edhe Haxhi Zeka, drejtues i Lidhjes
së Pejës (1899). Plaçkitja, vrasja dhe imponimi i frikës te shqiptarët për
shpërngulje, ishin qëllime të para të pushtuesve. Banda të ngjashme sulmonin në
shumë vende të Kosovës. Por, ajo që emërohet me ”Ni rrem komidë ”, hyn në
Prekaz të Epërm, ku edhe e pagoi me kokë, në teh të sakicave të Ahmet Delisë,
Ramë Islamit, Mursel Ahmetit e Jetullah Ramës.
3.
Babanë e njoha nga rrëfimi i të tjerëve-
është një kapitull ku autori i
kthehet historisë gjithë shqiptare, siç thotë vetë “gati- gati mitike”. Krijon
një lidhje midis historisë dhe epikës popullore legjendare. Ia përkujton
lexuesit këngët kreshnike, të ciklit të Mujit e Halilit, duke i vënë në rolin e
frymëzimeve më të fuqishme për trimëri, të shqiptarëve paraardhës. Spikat
heroizmi e guximi, që u bënë traditë shekullore.
Heroizmin
legjendar e imiton edhe Halim Delia. Ai luftoi me redifët (ushtarë rezervistë
turq), dhe burgoset në Mitrovicë, më 1899, pastaj dërgohet në Prishtinë, ku
edhe vdes. Ndërkohë, më 1900, u lind i biri, Xhemë Tërnafci dhe në moshën 17-
vjeçare, udhëton për Galicë, për tu bërë luftëtar i Çetës kreshnike.
4.
Tek në kapitullin Sugari i Çetës del
në skenë hapur Xhemë Tërnafci. Ndonëse bashkëluftëtari më i ri, u dëshmua për
besnikëri të patundur, për mbrojtje e përcjellje të Azemit, po edhe prijës i
Çetës në rrugët e shtigjet më të rrezikshme, Galicë- Shkodër e anasjelltas,
deri në Malësinë e Veriut. Ai u gjend edhe në krye të betejave më të
përgjakshme e në kuvende të rëndësishme, në radhën e më të shquarve, si Shotë
Galica, Fazli Barani, Selim Drevinja etj.
5.
Vrasja e Çun Radishevës dhe shpagimi i
tij,- fillon me përpjekjet e regjimit serb, për “marrëveshje” me Azemin, me
ndërmjetësimin e hafëz Mehmet Aliqit- Hoxhë Bajskës, Beqir Vocës, pop Angjelko
Neshiqit, etj. Takohen në Fushë të Polacit, kah gjysma e qershorit 1921. Me Azemin
ishin Fazli Barani e Xhemë Tërnafci.
Është një nga kapitujt më tragjikë, ku, në Kralica, që ishte populluar
me kolonistë serbë e malazezë, te Kroi i Samardanit, nga prita e xhandarëve,
vritet Çun Radisheva dhe plagoset Shaban Manxholli.
Vjeshtë
e vonë e vitit 1921. Çeta fillon udhëtimin e dytë për në Shkodër. Ndër
luftërat, gjatë kësaj rruge, përmendet ajo në Kralan. Xhemë Tërnafci e Ajet
Koshtova, vrasin komandantin e
xhandarmërisë, që u printe për ta rrethuar Azemin, plagoset edhe ndihmësi i
tij. Azemi shtie dhjetë herë me revole, me motiv se “ia morën gjakun Çun
Radishevës”. Flitet për Zonën Neutrale të Junikut, ku Xhema qëndron për një
kohë. Represionet serbe, sa vijnë e shtohen. Familja e Xhemë Tërnafcit mbahet
në burgun e Manastirit të Deviçit nëntë javë e pastaj në Nish plot tri vjet.
6.
Unë jam ushtar i Azem Galicës,- nis
me përpjekjet e regjimit serb për “bisedime e marrëveshje”, me Azemin e me
Lëvizjen Kaçake, si metoda më perfide të tradhtisë.
Pas
shumë përpjekjesh, në qershor të vitit 1923, siç pohon autori, “arrihet një
marrëveshje e brishtë, në odën e Hasan
Veliqit, në Polac. Merret vendim të krijohet “Zona e lirë e Drenicës”,
përkatësisht “Arbëria e Vogël”, me qendër në Galicë. Ajo në fillim përfshinte
11 fshatrat e komunës së Prekazit: Beqiçin, Dubofcin, Galicën, Krasaliqin,
Kuqicën, Lubovecin, Mikushnicën, Prekazin e Epërm, Prekazin e Poshtëm, Stërmcin
e Tërnafcin. Përpjekjet për likuidimin e Azemit, filluan shpejt, pas
“marrëveshjes”. U kurdisën atentate në komunën e Prekazit, në stacionin e
xhandarmërisë në Tërnafc, në Okrashticë, në takimin me naçallnikun e
Vushtrrisë, etj. Xhemë Tërnafci, përherë, u gjend përkrah kapedanit, edhe në
momentet më të rrezikshme.
7.
Në betejën e Arbërisë së Vogël,-
autori, me një talent cilësor artistik, pasqyron luftën më të përgjakshme dhe
të fundit të Azem Galicës. Besëlidhësit e pabesë nga pala serbe, së pari,
reduktuan territorin e Arbërisë së Vogël, duke ia lënë vetëm Galicën,
Mikushnicën e Lubovecin.
Më
15 korrik 1924, rrethohet Arbëria e Vogël nga mbi dymijë forca ushtarake serbe.
Në mesin e të rrethuarve ishte edhe Xhemë Tërnafci, që, me sulmet e tij, zërin
e lartë të kushtrimit dhe plumbat që kurrë s’i shkonin huq, tmerronte armiqtë.
Heroizmin, dinamizmin dhe tragjiken e kësaj beteje heroike, autori, në mënyrë
artistike e bënë të pakrahasueshme në historinë tonë kombëtare.
8.
Fejesa në Kosovë, martesa në Shqipëri,-
është kapitull i përmbushur me të dhëna pas varrimit të Azem Galicës. Xhemë
Tërnafci, me Bejtë Galicën (Bejtushin), Bekë Galicën, Shotë Galicën e Shaban
Manxhollin, dalin në Shqipëri.
Xhema,
për një kohë, ishte roje e topit të Bajram Currit. Më 1927, kalon në Dermenas
të Fierit. Vendos të martohet. E fejuara e tij ishte Halime Ujkani nga
Suhagërlla, që tashmë jetonte me gjithë familje në Galicë. Mësit kishte qenë
kapedani i adhuruar i tij, Azem Galica. Bashkimin e tyre
e mundësoi Tafil Boletini. Atyre u lindën gjashtë fëmijë. Djali i parë,
Hyseni, që jetëshkurtër, por emrin e tij e trashëgoi Hyseni i sotëm. Në mes e
kishin edhe Skënderin. Vajzat ishin: Zahidja, Bahrija e Xhezidja. Më 1941, kur
Italia dëboi Serbinë nga Kosova, Xhemë Tërnafci, pas 17 vjetëve, kthehet në
Tërnafc, në vendlindjen e dashur. Këtu i lindi edhe një vajzë, Abidja.
9.
Rrëfime për beteja dhe luftëtarë,-
shpreh rëndësinë, që autori i jep
tregimit, si formë artistike e
ligjërimit dhe për ngjarjet në kohë të caktuara. Citon Atë Zef Pllumbin, me
thënien profetike:”Rrno vetëm për me tregue”. Xhemë Tërnafci, sikur e zbatoi
këtë porosi. Me tregimet e tij, u begatua historiografia shqiptare, në
përgjithësi, dhe ajo gojore, në veçanti. Bedriu shkruan për pushkatimin e
familjes së Azem Galicës; Nënë Sherifen, motrën Mihane dhe një mbesë, Zojën, më
3 gusht 1920; për Hys Ferat Agën e Prekazit
të Epërm, i afërm i Ahmet Delisë dhe odisejadën e tij...
10.
Në luftën e Shaban Polluzhës,- dëshmohet për angazhimet e
Xhemë Tërnafcit, që fillojnë me kthimin e tij nga Shqipëria. Ai, bashkë me
Halil Haxhiun, u gjet në radhët e luftëtarëve vullnetarë, për mbrojtjen e
kufirit të Kosovës nga hordhitë partizane- çetnike, në Kolashin, në Sanxhak e në Jeni
Pazar, në Tutin e në Rozhajë, në Plavë e në Guci.
Xhema
dallohet me aktivitete, për organizimin
e luftës në Drenicë. Merr pjesë në Kuvendet në Llaushë, në Polac dhe në
atë vendimtar, në kullë të Shaban Polluzhës, më 16 janar 1945, me 101 delegatë.
Me
insistimin e krerëve të LNÇ-së për Kosovë, Xhema emërohet kryetar i komunës në
Prekaz të Epërm. Ata kishin për qëllim
ta shfrytëzonin autoritetin e tij si bashkëluftëtar i Azem Galicës dhe, edhe ta
bënin për vete.
Autori,
Bedri Tahiri, thekson se “Halil Haxhia nga Tërnafci, së bashku me Adem Miftarin
e Kostërcit, pjesëtar i Çetës së Azemit, ishin pjesëmarrës në Konferencën e
Bujanit, më 31 dhjetor 1943 dhe më 1 e 2 janar 1944”. Halil Haxhia ishte
kryetar i rrethit të Drenicës dhe njëri ndër komandantët kryesorë të Lëvizjes
Kombëtare të Shaban Polluzhës. Shtabi i luftës e gradon gjeneral të ushtrisë.
Ishte bashkëluftëtar, moshatar e dashamir i Xhemë Tërnafcit. Likuidohet nga
OZN-a famëkeqe antishqiptare.
11.
Kushtrimi i Xhemë Tërnafcit,- Fill pas asgjësimit te
“Shtabit të Rinisë” në Prekaz të Poshtëm (29 janar 1945) Xhemë Tërnafci jep
kushtrimin për luftë kundër forcave të OZN-së.
Më
1 shkurt 1945, në Prekaz të Epërm, Batalioni IV partizan, ndeshet me luftëtarët
e Shaban Polluzhës. Xhema, Shaban Manxholli e disa të tjerë, u gjenden në komunë
dhe ia krisën luftës, duke likuiduar pjesëtarët e komandës së OZN-së. Heroizmi
i tij ishte i ngjashëm me atë në kohën e Azem Galicës.
Edhe
pas LDB-së kurrë s’u pajtua me lirinë e rreme. Në moshën 81 vjeçare merr pjesë
në demonstratat e vitit 1981. Në dekadën e fundit të jetës, shquhej si burrë i
odave dhe kuvendeve, si pleqnar e pajtimtar i
gjaqeve. Fjala e tij ishte me peshë, ishte siç thotë autori ”një lis
Drenice, që, sa më shumë e rrahin erërat, aq më thellë i lëshon rrënjët”.
12.
Personaliteti i Xhemë Tërnafcit-
është kapitull mjaft interesant dhe, në njëfarë mënyre, përmbyllës, ku, në
mënyrë përmbledhëse jepet shëmbëlltyra dhe personaliteti i trimit Xhemë
Tërnafci. Autori, Bedri Tahiri, kryepersonazhin e veprës së vetë monografike, e
pasqyron shumanshëm. Kështu, figura e Xhemë Tërnafcit, përveç si trim e
luftëtar, del edhe tregimtar e pleqnar, pajtimtar e kuvendar, artist e
anektodist, orator e humorist, filozof e estet,
vizionar e përparimtar.
***
Bedri
Tahiri, mjeshtër i rrallë i letrarizimit të ngjarjeve e personaliteteve
historike, shquhet edhe me prirjet krijuese të nënkapitujve. Flet për
bashkëluftëtarë të Azem Galicës, për Mehmet Konjuhin, për Bekë Galicën, për
Bajram Tërnafcin (xhaxhanë e Xhemës) e në veçanti për heroinën Shotë Galica (e
ilustron me një fragment të shkëlqyeshëm nga romani “Shote Galica” të Mehmet
Kajtazit).
Nënkapitulli
Nga mësonjëtorja në qeli, mund të
jetë dramë e vërtetë e mësuesit të popullit, Shaban Jashari, nga Prekazi i
Poshtëm. Në vitet shkollore 1950-1953 ai jepte mësim në shkollën e Prekazit të
Epërm, të ndërtuar me gurët e kullës së rrënuar të Azem Galicës, më 15 korrik
1924. Nxënësve u fliste për Azemin dhe për tema kombëtare, që për pushtetin
komunist antishqiptar, ishin jashtë programit dhe mjaft të ndjeshme
politikisht. U jepte edhe libra të ndaluar, si “Lahuta e Malcisë” të Gjergj Fishtës etj. Mbillte farën e
atdhedashurisë dhe të gatishmërisë për flijim, në llogari të çlirimit dhe të bashkimit kombëtar.
Largohet
nga procesi mësimor dhe burgoset mësuesi Shaban, por nuk gjunjëzohet. Pas afro
gjysmë shekulli mësuesi veteran Shaban Jashari, vetë i njëzeti prej familjes së
tij të ngushtë, bien në Altarin e lirisë. Ndër ta, ishte edhe biri i tij, Adem
Jashari, komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shkrimtari
Ismail Kadare thotë: “Jasharët i lanë nam Globit”.
Për
heroizmin e pa krahasuar, kujtimin e përjetshëm, lavdinë historike, monumentin
e përhershëm dhe shembullin e trimërisë së kësaj Familjeje, shkruan shumë
autorë nga mbarë bota shqiptare e më gjerë. Në veçanti, dallohet studiuesi,
gjuhëtari dhe letrari ynë i merituar, Bedri Tahiri. Ishte i pari që, më 1999,
me rastin e njëvjetorit të flijimit të
Jasharëve, doli me veprën madhor monografike, historiko- letrare “Adem Jashari- legjendë e legjendave”, e
cila deri më 2008, u ribotua dhjetë herë.
Të
shkruash për një bashkëluftëtar të Azem Galicës, Sugarin e Çetës së tij, siç
ishte Xhemë Tërnafci, do të thotë të
realizosh një projekt madhor të krijimtarisë artistike. Heroizmi i tij u bë
frymëzim edhe për trimat e UÇK-së, që në Tërnafcin e tij lulëzoi suksesshëm, në mesin e të
cilëve shumë pinjoj të familjes së tij, e edhe nipi, Musë Kuçi, i cili mori një
plagë lirie...
Ideja
e Bedri Tahirit, për një hartim të tillë, është tejet e qëlluar. Autori,
kuptimin dhe shijen e jetës, e gjënë te puna krijuese, me vlerë të përhershme.
Materializimi i idesë së tij, është
tërheqës dhe, thellësisht i bindshëm. Personalitetin e Xhemës e përshkon
dëshira e flaktë për çlirim e bashkim kombëtar, për një të ardhme të ndritur të
popullit të vet dhe optimizmi, thuajse, në të gjitha peripecitë e jetës.
Bedriu
sikur i përmbahet një thënie të Volterit: ”U frikësohem librave të
mëdhenj”. Shkurtësia është dëshmi se
autori zotëron temën studimore, deri në atë shkallë, sa mund t’i jep formë
lakonike, të përmbledhur dhe të thukët, të dendur, koncize e kompakte. Çehovi,
shkurtësinë e quan “motër të talentit”.
Në
këtë vepër të Bedri Tahirit, vërehet qartë zbatimi i metodave përkatëse
studimore: aksiologjike e analitike, etnografike e filologjike, informative e
historike. Reflektojnë edhe temperamenti, karakteri dhe niveli i lartë i
kulturës së autorit, saktësia e sensibiliteti, të përmbajturit dhe rregullat,
për sendërtimin e syzheut. Është edhe një vepër e rrallë arti, nga e cila
mësojmë se si t’i ndjejmë të keqën dhe të mirën etike, dhe si t’i përjetojmë të
bukuren dhe të madhërishmen estetike.
Bedriu,
profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, për idetë dhe mendimet e tij, gjeti
forma të shprehjes më adekuate, të qarta e precize, të rëndomta e koncize, pa
monotoni dhe klishe, pa ngathtësi stilistike, pa gabime ortografike,
sintaksore, morfologjike e semantike. Të
gjitha këto: interpretimi, konciziteti e gjallëria, forma e përmbajtja
veprës së Bedri Tahirit, janë rezultat i dhuntisë letrare dhe i leximit të shumë veprave nga letërsia
shqipe e botërore.
Në
cilësinë e recensuesit, përzemërsisht, e përshëndes autorin Bedri Tahiri, për
realizimin e suksesshëm të veprës “Xhemë
Tërnafci- Sugari i Çetës së Azem Galicës”, dhe i dëshiroj shëndet të plotë,
punë të palodhshme e të pandërprerë dhe kurorëzim të rezultateve shembullore.