Kulturë
Dorian Koçi: Besëlidhja e Poçemit në Mallajastër më 1847
E merkure, 16.07.2025, 04:56 PM
Besëlidhja e Poçemit në Mallajastër më 1847
Nga
Dorian Koçi
Kryengritjet
e shekullit XIX në jug të Shqipërisë, të cilat shpesh janë përkufizuar nga
historiografia tradicionale si lëvizje fshatare të karakterit spontan e
ekonomik, kërkojnë një rishikim të domosdoshëm në dritën e burimeve të reja dhe
analizave më të thelluara të strukturës sociale dhe politike të asaj periudhe.
Lëvizjet e viteve 1833, 1839 dhe 1847 – të udhëhequra nga figura të njohura si
Tafil Buzi, Zenel Gjoleka, Hodo Nivica e Çelo Picari – janë trajtuar shpesh si
ngjarje të motivuara nga taksat, rekrutimi apo reforma e Tanzimatit. Por në
thelb, këto lëvizje ishin shprehje e një rezistence elitare, të organizuar dhe
të udhëhequr nga shtresa të larta të aristokracisë vendore shqiptare – në
veçanti nga familjet e Vlorajve dhe Delvinajve – të cilat kishin qenë më parë
të lidhura me pushtetin autonom të Ali Pashë Tepelenës dhe që pas rënies së tij
kishin aspiruar të zëvendësonin atë në qeverisjen rajonale të Shqipërisë së
Jugut.
Besëlidhja
e Poçemit, e mbajtur në pranverën e vitit 1847, ishte kulmimi i një procesi të
gjatë rezistence politike dhe ushtarake, që synonte të sfidonte autoritetin
osman të rikonsoliduar pas rënies së pashallëkut të Janinës. Kjo besëlidhje,
siç dëshmojnë burime arkivore osmane dhe rrëfime vendore të ruajtura në
kujtesën kolektive, përfaqësonte një akt të mirëfilltë politik: një bashkim të
krerëve të jugut për të kundërshtuar jo vetëm reformat e Tanzimatit, por edhe
ndryshimin e strukturës së pushtetit lokal, që kishte filluar të favorizonte
familje të reja si Vrionasit, besnikë të Stambollit, në dëm të familjeve
tradicionale shqiptare.
Në
këtë kontekst, gjyqi i zhvilluar në Sinjë, i kryesuar nga Rrapo Hekali – figura
emblemë e qëndresës së Mallakastrës – mori një karakter politik të thellë. Ai
nuk ishte thjesht një akt rebelimi lokal, por një demonstrim i hapur i
refuzimit të autoritetit osman dhe të përfaqësuesve të tij të rinj, siç ishin
Vrionasit. Ekzekutimi i përfaqësuesve të kësaj familjeje gjatë këtij gjyqi
popullor – një akt ekstrem për të treguar sovranitet lokal dhe refuzim të
pushtetit të deleguar nga Porta e Lartë – kishte pasoja të mëdha politike dhe
morale. Ishte një mesazh i qartë se autoriteti i ri nuk do të pranohej në
krahinë pa luftë.
Ky
veprim, sigurisht, nuk mbeti pa pasoja. Kur në fund të vitit 1847 u shtyp
kryengritja dhe Rrapo Hekali ra rob i forcave osmane, ndëshkimi që iu bë atij –
siç na dëshmojnë gojëdhënat e mbledhura nga Ago Agaj në veprën e tij “Lufta e
Vlorës” – qe i pamëshirshëm. Mbathja e duarve dhe këmbëve me patkonj hekuri
përpara vrasjes së tij, ishte një akt simbolik i hakmarrjes dhe nënshtrimit
publik, i cili kishte për qëllim të dërgonte një mesazh të frikshëm për të
gjithë prijësit e tjerë lokalë që mund të mendonin të kundërshtonin autoritetin
qendror. Ky detaj, sado brutal, hedh dritë mbi një realitet të thellë: lufta për
pushtet në Shqipërinë e shekullit XIX nuk ishte vetëm mes osmanëve dhe
shqiptarëve, por edhe mes vetë shtresave sunduese shqiptare që përfaqësonin
interesa të ndryshme dhe linja të ndryshme afërsie me Portën e Lartë.
Kultura
politike e krijuar nga këto përplasje mes oxhaqeve – siç ishte ai i Vlorajve
kundër Vrionasve dhe anasjelltas –
formësoi për dekada narrativën e qëndresës dhe të rendit në Shqipëri. Për shumë
komunitete, këto ngjarje nuk mbeten thjesht në faqet e historisë, por ruhen në
kujtesën e brezave si pjesë e krenarisë ose e dhimbjes, sipas anës ku
ndodheshin.
Në
dritën e këtij interpretimi, Besëlidhja e Poçemit dhe ngjarjet e mëpasshme nuk
duhet të lexohen vetëm si episode të rezistencës ndaj Tanzimatit. Ato janë një
pasqyrë e përplasjes ndërmjet formave të ndryshme të legjitimitetit në
shoqërinë shqiptare – ndërmjet pushtetit të trashëguar lokal dhe centralizmit
burokratik osman; ndërmjet autoritetit tradicional të krerëve dhe modeleve të
reja të qeverisjes që kërkonte Porta e Lartë; ndërmjet memorieve të autonomisë
së Ali Pashës dhe realitetit të një perandorie që donte ta rikthejë kontrollin
mbi provincat e saj.