Kulturë
Jahja Drançolli: Një kullë arti dhe letërsie shqiptare
E enjte, 17.07.2025, 06:53 PM
Ilustrimi: Unë së bashku me autorin e përmbledhjës së veprave, Prof. dr. Anton Nikë Berisha dhe Dr. Ukë Berisha mjek specialist i gastroenterologjisë!
Pak ditë më parë doli nga shtypi përmbledhja e
plotë “Studime Letrare të zgjedhura” e prof. dr. Anton Nikë Berisha në 10
vëllime. Botimi në fjalë përfaqëson një kullë arti dhe letërsie shqiptare!
Nga Jahja Drançolli
Autori i përmbledhjes që po e shqyrtojmë, Prof. dr. Anton Nikë Berisha
kreu studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës në
vitin 1971. Në vitin 1976 kreu studimet e magjistraturës në Zagreb dhe mbrojti
doktoraturën në Filologji më 1981. Në vitet 1973–1993 punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Gjatë
kësaj kohe, ai kreu kërkime në Gjermani si bursist i DAAD (Göttingen 1978/79)
dhe Alexander von Humboldt (Göttingen 1984/85 dhe Mynih 1992/93). Që nga viti
1993, ai punon si profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Kalabrisë në
Itali, ku ka dhënë leksione për 25 vjet. Opusi i tij prej mbi 50 vjetësh pune
krijuese ka kurorëzuar një korpus të pasur: tituj librash, monografi, romane
dhe studime shumëzhanërore, si: Studime të thelluara mbi Buzukun, Budin, De
Radën, Fishtën, Camajn, Skiroin, etj.; Studime të tjera monografike mbi autorë,
si: Vepra letrare kushtuar Nënë Terezës në 10 vëllime; Interpretime inovative
të këngëve dhe poezive epike/popullore. Prandaj, për opusin e tij të pasur,
Prof. dr. Anton Nikë Berishën është vlerësuar me çmimin “Azem Shkreli” (MKRS),
Dekoratën Nëna Tereze të Kryetarit të Republikës së Shqipërisë, Medaljen
Presidenciale të Meritave të Republikës së Kosovës, si dhe me dekoratën presidenciale
për kontribut gjatë gjithë jetës.
Në Fjalën paraprake të kësaj përmbledhjeje Prof. dr. Anton Berisha
shkruan pos të tjerash: Në 25 vitet e fundit, veçanërisht gjatë kohës që punova
në Universitetin e Kalabrisë (Itali, nga viti 1993), kam botuar një sërë
punimesh dhe studimesh mbi veprat letrare të arbëreshëve të Italisë, dy studime
monografike mbi "Mesharin" e Buzukut, studime mbi Budin poet dhe
prozator, mbi Estetikën dhe estetikën e letërsisë, mbi "Kënga e
Këngëve", mbi "Poetikën" e Aristotelit, mbi Skiron, Fishtën,
Koliqin, Dushko Vetmonin, Martin Camajn, Azem Shkrelin, etj., si dhe mbi disa
vepra të tjera letrare si "Epi i Gilgameshit", "Psalmet",
"Georges" nga Virgjili, "Silvia" nga Nervali, "Princi
i Vogël" nga Exupery, "Palltoja" nga Gogoli, "Sytë e
Vëllait të Përjetshëm" nga Cvajgu, mbi poezinë e poetit italian, Daniele
Giancane, etj.
Kjo përmbledhje prej 10 vëllimesh me studime të zgjedhura letrare dëshmon jo vetëm për punën e rëndësishme dhe cilësore të Prof. Dr. Anton Nikë Berishës në fushën e artit dhe letërsisë, por edhe për zhvillimin e metodologjisë shkencore të studimeve tona letrare në përgjithësi. Botimi "Studime Letrare të zgjedhura" do të jetë një bekim për të gjithë ata që dëshirojnë të thellohen më shumë në çështjet teorike të artit dhe letërsisë, estetikën e veprave letrare, veprën e disa prej shkrimtarëve më të rëndësishëm shqiptarë dhe të huaj, si dhe interpretimin e disa kryeveprave të letërsisë sonë dhe të letërsive të tjera!