Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Sa Promete ka mbetur në shpirtin tonë prej zjarri?!
E marte, 17.12.2024, 06:55 PM
Sa Promete ka mbetur në shpirtin tonë prej zjarri?!
Nga
Albert Vataj
Miti
i Prometeut në është thjeshtë një cak që na kthen pas, por është një thirrje që
na zgjon në të sotmen e të kuptuarit të tij, në atë kohëshmëri ku njeriu gjen
nevojën për të hyrë në përmasat e mëdha të aktit sublim të dhurimit të zjarrit.
Ai,
Prometeu, përfaqëson shpirtin e rebelimit kundër limiteve dhe përpjekjen për të
sjellë dritë atje ku ekziston errësira, është ngritje kry ndaj autoritetit që
ndëshkon të gjithë ata që nuk i binden, Ai është thirrja e brendshme e çdo
force për të treguar se ku mund ta çojmë shpirtin tonë prej ngadhënjimtari,
anipse me çmimin e lartë të sakrificës.
Prometeu
dhe e e sotmja jonë e rrokshme e idesë dhe mendimit, janë të lidhur në kërkim
të kuptimit dhe të përmbushjes. Njeriu modern ka ndryshuar mjetet, por jo qëllimin,
ai ende kërkon zjarre të rinj për të ndriçuar botën dhe shpirtin.
Teknologjia,
shkenca, arti, dhe vetë ideja e përparimit janë versionet bashkëkohore të
"zjarrit" të Prometeut. Por, në këtë epokë të informacionit dhe
konsumerizmit, pyetja mbetet: sa Promete kemi ruajtur brenda nesh? A po e
përdorim zjarrin për të ndriçuar shpirtin, apo thjesht për të ndjekur epshin e
përkohshëm dhe egon e individualizmit?
Miti
i Prometeut na fton të mendojmë për nevojën e dhurimit, dhënia e dijeve,
sakrifica për të mirën për vete dhe përmes vetës për të gjithë, dhe guximi për
të sfiduar çdo pushtet që kërkon të na mbajë të pandryshueshëm dhe të përulur.
Në
njeriun modern ky shpirt sfidues duket se është zbehur, sepse është venitur
zjarri që Prometeu ua vodhi perëndive për të na dhuruar ne si armë për të
sfiduar.
Pushteti,
paraja, ambicia, po çojnë zjarri te mjetet në zotërim të atyre që vijnë për të
marrë gjithçka dhe për të dhënë çfarë kanë për të hedhur.
Miti
ka kohëshmërinë e tij sot, është një kujtesë që shpirti i Prometeut ka ende
shkëndia brenda nesh, që mund të shndërrohen në zjarr.
Kur
ndihmojmë të tjerët, kur flijojmë kohën tonë për më të mirën, kur luftojmë për
barazi dhe mirëqenie, për dije dhe mirësi, për bashkëjetesë të harmonishme dhe
përzemërsi, ne e mbajmë gjallë atë flakë të hershme.
Miti
nuk është thjesht një rrëfim i kaluar; ai është një kod simbolik që na sfidon
të rizgjojmë atë shpirt të
përhershëm
rebelimi dhe krijimi.
Zjarri
që Prometeu dhuroi nuk është vetëm energjia fizike, por dija, shpirti krijues
dhe etika universale. Njeriu duhet të mos lodhet së pyeturi por edhe së
reflektuari: A kemi më flakën e shpirtit, apo thjesht hirin e praruar të një
Prometeu të harruar?
A
kemi forcën të përqafojmë aktin sublim të krijimit dhe dhurimit, apo jemi
ndjekës të prirjeve të rastësishme dhe materializmit?
Në
përditshmërinë tonë, shpesh e harrojmë këtë dimension mitik. Njeriu i sotëm
përballet me një
paradoks:
teknologjia i ka sjellë fuqinë e zjarrit në dorë, por shpesh e ka zbehur
lidhjen e tij me natyrën dhe shpirtin e përbashkësisë.
Nëse
dikur Prometeu vuajti për të sjellë zjarrin, sot njeriu shpesh vuan nga mungesa
e një vizioni për ta përdorur atë për qëllime sublime.
Miti
i Prometeut na sfidon të rikthehemi tek ideja e aktit sublim – një akt që
tejkalon interesin personal për të ndërtuar diçka më të madhe.
Miti
mbetet një dritë udhërrëfyese që na kujton se flaka nuk shuhet kurrë, përderisa
njeriu ende e kërkon kuptimin përmes veprimit dhe sakrificës. Mjafton të
guxojmë ta rizgjojmë atë në thellësinë e qenies.