Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Padrejtësia e drejtësisë për arrestimin e Ilir Metës
E hene, 21.10.2024, 06:59 PM
Padrejtësia
e drejtësisë për arrestimin e Ilir Metës
Nga
Albert Vataj
Në
këtë spektakël mediatik, ajo që ishte dhe mbeti kryelajmi i ditës së sotme,
është jo urdhërarresti i lëshuar nga SPAK për Ilir Metën, por mënyra se si ai u
detyrua t’i jepej ligjëzbatuesve, të një shteti demokratik, i cili duhet të
respektojë normat detyruese të lirive dhe të drejtave të njeriu, edhe në
ndalimin apo prangosjen e një të dyshuari. Për më tepër kur ai është një person
publik dhe një personalitet i historisë politike shqiptare.
Ilir
Meta u arrestua në mënyrën më jodinjitoze që kemi parë dhe demonstrimi i forcës
së shtetit, i denjë për çdo diktaturë. Kur pré e këtij spektakli turpi bëhet
një i kalibrit të Metës, mund ta merrni me mend se ç'fat e pret një fatkeq që
ndodhet në kohën dhe vendin e gabuar.
Nuk
mund të përjashtohet mundësia që ky formalitet i zbatimit të verbër të
urdhrave, të ishte zbatim i një skenari dashakeq për të denigruar, për të
injoruar dhe fyer Ilir Metën. Ata që e bënë këtë, ndoshta i kishin bërë hesapet
gabim, sepse ajo që ata bënë ndaj Ilir Metës, bënë ndaj një personaliteti të
rëndësishëm, publik.
U
kujtojmë aktorëve të kësaj sekuence të filmit aksion, se ai person, të cilin
ato nxorën me dhunë nga mjeti, me të cilin po udhëtonte dhe e hoqën zvarrë, i ka
shërbyer Republikës së Shqipërisë si President 24 korrik 2017 deri më 24 korrik
2022.
Për
ju që aktruat keq në këtë film të dobët politik, Ilir Meta ka shërbyer si
Kryeministër nga viti 1999 deri në vitin 2002. Po ky njeri që tentuat ta bënit
përrallë në sytë e botës, duke e fyer publikisht, ka qenë Kryetar i Kuvendit të
Shqipërisë nga viti 2013 deri në vitin 2017.
Ndoshta
nuk është gjë me rëndësi për ju që kërkoni të ekzekutoni në mënyrën më të
papranueshme një vendim të drejtësisë, por ai që ju arrestuat si një ordiner,
si një vrasës serial, si një person të rrezikshmërisë shoqërore, ka mbajtur
edhe detyrën e kryesimit të Komisionit Parlamentar të Integrimit Evropian. Ai
themeloi Lëvizjen Socialiste për Integrim në 2004. Dhe sot, ai ndaj të cilit
drejtësia bëri më të patolerueshmen padrejtësi, me mënyrën e ndalimit, ai është
President i Partisë së Lirisë.
Ju
zotërinjtë të drejtësisë dhe zbatuesit e ligjit, ju që ia lejoni vetes të keni
tagër të bëni me drejtësi dhe të zbatoni ligjin sipas mënyrës suaj, kujtohuni
për një moment se denigrimi që ju i bëtë sot Ilir Metës, është një fyerje që ju
i keni bërë Presidentit të Republikës, Kryeministrit të Shqipërisë, Kryetarit
të Kuvendit, dhe të gjithë detyrave, të cilat i’u besun atij.
Ju
nuk zbatuat keq një arrestim, por ju shkelët me dy këmbë, nëse jo ligjet,
nderin dhe dinjitetin e një personaliteti, pavarësisht akuzave që rëndojnë mbi
të, dhe përgjegjësive që ai do të marrë në ballafaqimin me faktet dhe
drejtësinë.
Sot
organet ligjëzbatuese, forcat speciale, drejtësia bënë padrejtësinë më të madhe
se drejtësia që ata pretendojnë të vendosin me arrestimin e Ilir Metës.