E diele, 10.11.2024, 10:43 PM (GMT)

Faleminderit

Albert Vataj: Arshi Pipa, disident në jetë dhe në vepër

E shtune, 27.07.2024, 07:00 PM


Arshi Pipa, disident në jetë dhe në vepër, kurajozi i zëshëm i demokracisë, njeriu i vlerave dhe dinjitetit

Nga Albert Vataj

Asht pak me than, se Arshi Pipa mbetet nji prej figurave ma t’njimendta të vetëdijes dhe veprimtarisë ngadhënjyese demokratike. Ai ishte shumë më shumë se kaq. Ai ishte dhe mbeti nji za i kurajshëm i vlerave, dinjitetit dhe kuntributeve. Ndoshta do ta kishit t’pamujtun për me e gjet nji personifikim të të përsosunes së disidentit në jetë dhe në vepër. Tue e kërkua e tue dasht me nxjerr prej kohet e sprovave, shtjellave përpirëse dhe zemëratave të diktaturës komuniste, e mbas, e tash ja ku mundet pa droje me e gjithëpranu, ai, asht Arshi Pipa. Punoi me mish e me shpirt, lufto me thonj e me dhëmbë për me mujt me dishmu njat univers t’përsosun t’ngadhnjimtarit, dishepullit të dijes e nxanjes, kreshtës së kushtrimeve e kumtimit, kungimit dhe krijimit. Tançka në të e me të kishte mujt me u ngjiz e me marr hov me u jetësu si një Ante antik, në çdo puls, në çdo mendim, në çdo dashtuni e veçanti shprehëse.

Arshi Pipa u lind në Shkodër më 28 korrik 1920 dhe u shue këso jete si rrahje zemre, por kurrsesi jo si frymë gjallnuese e sakrificës dhe shembullit të ngulmëtarit të sprovave zoritëse në Washington më 20 korrik 1997. Ç’nuk ishte, çmos bani e gjithqysh diti dhe mujti, ai u rrek e i’a doli për me ken nji poet kushtrues e nji lirik i tamëlt; nji gjuhëtar i zoti dhe gladiator i paepun i arenave t’gegnishtes; kritik, ndoshta me pak shokë mbas vedi, për nga thellësia dhe larmi e trajtesës; përkthyes dhe pedagog gjithëpoaq gjurmlans në trashigiminë tonë kombëtare. E tan jeta e tij ishte e mbushun me përpjekje, me vuajtje e me sfida, me gjithëçmos qi mujti me marr prej tij ma t’mirën vepër, ma t’vyemën vlerës, t’përgjithmonshmen dëshmi të shpirtit triumfues.

Nga jeta

Leu në Shkodër, i biri Mustafa Nuriut dhe Hatixhe Lloshit. Arshiu qe me prejardhje libohovite nga i ati dhe nga e ëma shkodrane me origjinë dibrane. I ati qe jurist i shkolluar në Stamboll, në kohën e Luftës së Parë Botnore qe jurist i Drejtorisë së Drejtësisë në Shkodër, administratë shqiptare, për herë të parë në gjuhën shqipe, e krijuar nga austro-hungarezët. Më vonë, në vitet ‘23-‘26, do t’u emëronte anëtar i Gjyqit të Diktimit. E ëma, Hatixhja, qe një shembull virtyti e pune për fëmijët e saj, stoike në fatkeqësitë e panumërta që i ranë mbi krye.

Kishte vëlla nga i ati Muzaferin, dhe katër motra të një barku: Nedreti, Fehimja, Bedrija dhe Bedi.

Vitet e para të arsimimit i mori tek Kolegji Ksaverian e më tej në liceun shtetëror të Shkodrës në ndarjen me profil klasik më 1938. Me përkujdesjen e të atit për formimin në traditën fetare të familjes tyre, ndiqte mësime edhe në medrese gjatë mbasditeve. Më 1936 me poezinë “Në lamën e luftës” fitoi çmimin e tretë në një konkurs poezie të shpallur nga e përkohshmja “Cirka”. Më pas studioi Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firences, ku u laureua më 1942 me dizertacionin “Morali dhe feja tek Bergson”.

Kthehet në Shqipëri dhe nga viti 1941 deri më 1946 jep mësim ndër shkollat e mesme të Tiranës dhe Durrësit. Kur Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve nisi botimin e organit të vet “Bota e Re”, Pipa me Kutelin ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues. Merr pjesë në Kongresin e Parë të Lidhjes në tetor të 1945, ku punimet i drejtoi S. Luarasi. Më vonë i kërkohet të shkruante diçka për përvjetorin e vdekjes së Migjenit, që nuk u pëlqye nga njerëzit e partisë. Në një takim letrar në Shtëpinë e Kulturës në Tiranë lexon “Këngën e Pleshtit” të Goethes duke thumbuar kështu Sh. Totozanin, i cili u bë shkak që Pipën ta zhvendosnin me punë në Durrës. Atje lexon një tjetër poezi të titulluar “Bushtra”, dhe pas një tjetër mbrëmjeje poetike në Tiranë ku në krah kishte N. Spirun që nuk e njihte arrestohet me 27 prill 1946 dhe dënohet me dy vjet heqje lirie. Ridënohet – dhe gjatë marrjes së dënimit merr vesh vdekjet e të vëllait – më 20 dhjetor 1947 me 20 vjet heqje lirie si bashkëthemelues i një grupi social-demokrat bashkë me P. Kaçinarin, H. Ballhysën dhe P. Gjeçin. Vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes (Durrës, korrik 1948 Vloçisht, nëntor 1948 Gjirokastër, Korçë, Tiranë, Burrel etj.), ku përveç punës së detyrueshme u bë një nga dorëzanët e mësimdhënies së letërsisë, filozofisë dhe gjuhëve përgjatë dënimit, ku shkroi librin me poezi “Libri i Burgut”. Familjen e shpërngulën disa herë derisa në nëntor 1949 bashkë me 20 familje të tjera të persekutuara i shpërnguli në disa shtëpi boshe në plazh. Gjatë rrugëtimit, i ati që ishte i paralizuar, ndërroi jetë.

Lirohet më 26 prill 1956 dhe një natë të fundverës së 1957 arratiset bashkë me të motrën, Fehimen. Vendoset në Sarajevë gjer më 1959.

Gjatë asaj periudhe përktheu në shqip përzgjedhje nga poezia lirike latine (250 faqe, me përkthime, dhe kapituj mbi elemente metrikë dhe shënime.

Emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1958-ën. Në fillim punoi si arkëtar (kashier) në nji hotel të Nju Jork-ut. Emërimi i tij i parë ishte në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku ligjëroi për filozofinë (1960). Gjatë vitit akademik pasues, meqenëse ra në sy për njohjen e thellë të italishtes, drejtoi departamentin e gjuhës italiane në City University, të Georgia-s, në “Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë” dhe në të njëjtën kohë jepte mësim filozofi, në “Kolegjin e Arteve të Lira” (verë, ’61, dhe ’62). Ka qene pedagog i gjuhës italiane në universitetin e Kolumbia-s në vitet 1961-62, dhe profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City, dhe, në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira..

Në vitet në vazhdim ligjëroi tema filozofike në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-66 ishte profesor i asociuar (Profesor i asociuar i përkohshëm në vitet 1963-64) në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornias, Berkley. Atje u jepte mësim kurseve të letërsisë moderne italiane dhe drejtonte seminaret e kritikës letrare, (De Sanctis, 1963, Kroçe, 1964, Viko, 1965), po ashtu si dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor, (1965), si edhe filozofi Romane. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph.D). Me nji sensibilitet të dukshëm ndaj padrejtësive, – çka i karakterizon njerëzit e ndershem dhe idealistë, – gjatë kohës që qe në Universitetin Little Rock, Arkansas, përjetoi me dhimbje realitetin e diskriminimit racial në shoqëninë amerikane dhe u revoltue. Atje përkrahu lëvizjen studenteske të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement”, dhe u ba kritik i paanshem i poltikës. Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69), dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane (Departamenti i Gjuhëve Romane gjatë vitit 1968). Arriti të jetë pjesëtar i Universitetit të Minesotes, si anëtar me të drejta të plota dhe gjithashtu kontribuonte në planifikimin, hartimin dhe ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Programi për gradat e master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë ai ishte drejtues i programit master (“graduate school”) në gjuhën italiane. Temë-diplomat për master dhe disertacionet e PhD u shkruan dhe u miratuan nën drejtimin e tij. U ka dhënë mësim kurseve të ekstrakurrikulare të gjuhëve, të ndara në kurse të ulët dhe të larta, kurseve të qytetërimit dhe të kulturës (gjithashtu në Anglisht) dhe, në veçanti, kurseve të ekstra-kurrikulare për shkrimtarët e mëdhenj, (Dante, Bokaçio, Manzoni, Leopardi), në zhanret e “Poezisë kalorësiake”, “Letërsisë Utopike”, dhe temat krahasuese (Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë), përfshi seminaret (Ungareti dhe Montale, Viko dhe Kroçe ). U ka dhënë gjithashtu mësim bashkërisht, kurseve të diplomuara të gjuhëve Frënge dhe Italiane, (Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane), duke pasuar me themelimin e programeve të master-it, në gjuhët Frënge dhe Italiane (1970), të konceptuar dhe hartuar me iniciativën e tij. Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Washington, D. C., pranë së motres, Fatimes.

Gjatë kësaj kohe u intensifikuen lidhjet e tij me “Vatrën” dhe “Diellin”. Gjithnji, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i “Diellit”. Shqetësimet e tij për gjendjen e “Vatrës”, në këte kohë, dhe mendimet e tij për prosperitetin e saj, ai i shprehi, së pari, në “Dielli”, në artikullin e gjatë “Për riorganizimin e Vatrës”, (nr. i 16 gushtit 1983) dhe në Fjalimin e rastit të 28 Nandorit 1986, “Për shpëtimin e Vatrës”, që u botue në “Diellin” e 28 shkurtit, 1987. Më duket se Arshiu ka dhanë përcaktimin ma të saktë dhe ma të bukur për Vatrën: “Vatra asht nji monument historik i vetëdijes dhe kulturës kombëtare”. Ai ka shkrue me dhimbje krahnori për gjendjen e mjerueme të “Vatrës” dhe ka vlerësue lart prestigjin e saj ndaj organizatave të tjera të diasporës, gja qi i jep mundësi e avantazh asaj t’i bajë nji sherbim të madh kombit, “i cili do të ketë vlerë ma të madhe nëse Vatra mban nji qendrim sipërpartiak dhe sipërqeveritar”. “Ndërhymja e saj, shkruen Pipa, asht sidomos e randësishme ndër raste kur të drejtat e kombit shqiptar cenohen ose rrezikohen”.

Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qindroi vetëm nji vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh. E mori kryesinë e “Vatrës” me të vetmin qellim për ta vu ate në shërbim të problemeve me randësi të jashtëzakonshme historike, qi dolen para kombit tonë: zhvillimeve demokratike në Shqipëni dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës. Gjatë kësaj kohe tepër të shkurtë, ai iu kushtue me të gjitha energjitë rimëkambjes së “Vatrës”, dhe kreu shumë punë me vlerë. Në “Albanica”, në nr. 3-4 të 1992-shit, në shkrimin On VATRA and Dielli, ai ka shkrue me hollësi për to. Puna e tij asht pasqyrue, gjithashtu, në numrat e “Diellit”, që editoi ai gjatë kësaj kohe.

Veprat

Veprimtaria e tij përfshin fusha të artit letrar, të filozofisë, estetikës, kritikës letrare, folklorit, folkloristikë s, gjuhësisë, politikës, publicistikës.

Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët”, nji përmbledhje lirikash qi dishmon një talent novator në shpërthim, e botoi në v. 1944. Të dytin, “Libri i burgut” të shkruem në letra cingaresh, në burgjet e kampet e punës së detyrueme, e botoi në Romë në vitin 1959. Asht nji përmbledhje liriko-epike, pasqyrë e gjallë artistike e motiveve qi i diktoi jeta e qelive dhe e kampeve të vdekjes, ku kaloi dhetë vjet. Një ditar i vërtetë që ka për të mbetë një nga dishmitë artistike ma të sakta të asaj qi ndodhi me ata që nuk iu nënshruen regjimit të përgjakshëm diktaturial. “Nuk njoh në të gjithë letërsinë shqipe vargje më tronditëse sa ato të botuara në librin e quajtur thjesht “Libri i burgut”. Tek lexon poezitë e Arshi Pipës, ndjen klithmat, britmat, plagët, poshtërimin njerëzor, në emër të ca idealeve absurde dhe hipokrite. Është një sketerrë më e tmerrshme sesa Ferri i Dantes, sepse ky është ferri i njerëzve të pafajshëm e jo i mëkatarëve. Është materia e Parajsës e transplantuar në Ferr”, ka shkruar shkrimtari Rudolf Marku.3).

Punë e burgut asht edhe “Rusha” (botue në Munich, 1968), poemë epike me një subjekt të theksuem dramatik të periudhës së gjysës së dytë të shek. XIV, qi trajton nji histori dashunije dhe hakmarrjeje mes shqiptarëve e serbëve në sfondin e zakoneve tona tradicionale. Me 1969, Pipa botoi në Munich antologjinë poetike “Meridiana”, nji përzgjedhje nga botimet e maparshme dhe disa poezish të pabotueme, qi tingëllon si jehonë e mirëfilltë e nji testamenti poetik.

Krijimet poetike të Arshiut shquhen për një talent të fuqishëm, për shumësi e përzgjedhje motivesh, për trajtim të tyne në nivele artistike të lakmueshme, dhe për një përkushtim të madh ndaj punës krijuese, pa lanë mangut gjuhën poetike jashtëzakonisht të pasun e të pastër, të zgjedhun me kujdes si rrallëkush.

Po veçoj, sa për ilustrim, nga “Meridiana”, “Preludet”, të shkrueme në Firence dhe Tiranë në vitin 1941. Tharme poetike, yshtëse imtimesh meditative me forcë të madhe purifikuese, të enduna në veshje tekstore moderne; fluiditete lirike të derdhuna në simfoni ritmesh e tingujsh të magjishëm. Këto janë “Preludet”. “Urgjencca të mbrendshme”, siç i pati quajtur ai shtysat e fuqishme shpirtnore për t’i dhanë jetë poezisë. Befasuese për letrat shqipe të asaj kohe, dhe po aq befasuese edhe sot e kësaj dite.

Pipa na ka lanë nji trashigim të pasun edhe në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Vetëm gjatë kohës njivjeçare qi jetoi si refugjat në Jugosllavi, ai përktheu nji vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”, (rreth 250 faqe të plotësueme edhe me shenime të ndryshme metrike), mbetun në dorëshkrim. Po ashtu, mbetun në dorëshkrim, asht edhe nji vëllim poetik i shkruem në tri gjuhë europiane me titull “Autobiografia”.

Nji veprimtari jashtëzakonisht të gjanë na ka lanë në hapësinën shkencore të kritikës letrare. Gjatë vjetëve në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, botoi veprën “Trilogjia Albanica” (1978), në tri vëllime: “Albanian Folk Verse”, “Hieronymos De Rada ” dhe “Albanian Literature: Social Perspectives ” , vepër rreth 900 faqesh, që shquhet sidomos për thellësi dhe origjinalitet në trajtimin e personaliteteve dhe dukunive letrare që shqyrton, nën prizmet estetike moderne të strukturalizmit dhe komparativizmit. E tham me plotgojë që në asnjë botim të kësaj natyre nuk kam gjetë atë dendësi sqarimesh në fundfaqet (fusnotat), shënimesh bibliografike, indeksesh gjithfarësh, – një skrupolozitet shkencor për t’u admirue.

“Trilogjia Albanica’, shkruen Peter Prifti, si e para në llojin e saj në letërsinë shqipe, është një vepër ndriçuese, një minierë e pasur për poetët, folkloristët, etnologët, gjuhëtarët e etimologët, historianët dhe studiuesit e letërsisë shqipe në përgjithësi. Risia e formës së saj, diapazoni i gjerë i ideve dhe disiplinave që ajo qarkon, trajtimi original i subjektit dhe pasuria e të dhënave, i jep kësaj vepre një vend të merituar në letërsinë shqiptare. Nuk është e tepërt të them se Trilogjia Albanica e vendos autorin e saj si një studiues lider në SHBA për De Radën dhe popullin Arbërësh, për strukturën e poezisë shqiptare dhe karakterin e letërsisë shqipe në përgjithësi”.4).

Në vitin 1991, botoi “Contemporary Albanian Literature”, për të cilën studiuesi Italo Costante Fortino, ka thanë: “Studimi i fundit i Arshi Pipës mbi letërsinë e realizmit socialist përban nji kontribut të parë . . . për nji rend të ri qi duhet të vendoset në letërsinë dhe, në radhë të parë, në kritikën letrare” 5). Fjalët e Fortino-s vlejnë gjithashtu për “Trilogjinë shqiptare”. Nuk mund të bahen hulumtime shkencore në fushën e kritikës letrare pa marrë në konsideratë mendimet dhe tezat origjinale të Arshiut, dhe pa mbajtun qindrim miratues a kundërshtues ndaj tyne.

Shumë studime për letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe arbëreshe, ka botue në shypin e huej si “Südost-Europa Forschungen”, “Zeitschrift für Balkanologie”, “Comparative Literature Studies”, “Books Abroad”, “Rivista di lettrature moderne e comparate”, “Mondo operaio”, “Revue des études sud-est européennes”.

Në këtë lamë, Pipa asht shtye edhe në letërsinë botnore, sidomos për letërsinë italiane. Ka botue artikuj studimorë me vlera të mëdha njohëse për Danten, De Sanctis, Manxonin, Ungaretin, Moravian, Montalen. Këto ese, Pipa i ka botue në revistat e hueja shkencore si “Italica”, “Italian Quarterly”, “The Romanic Revieë”, “Comparative Literature”, “Books Abroad”, “Belfagor”, “Le ragioni critiche”, “Revue de literature comparèe”, “Revue des études italiannes”.

Një nga frytet, ma i vlerti, i kësaj pune asht vepra “Montale and Dante” (1968), anglisht, e përkthyeme në italisht dhe, kohët e fundit, nëse nuk jam gabim, edhe shqip. Me këtë vepër, ai e rreshtoi veten ndër studiuesit ma të mirë botnorë të këtij subjekti, d. m. th. të vlerësimit objektiv të poezisë së Montales dhe të vumjes në dukje të ndikimit të Dantes në poezinë e Montales. “Fakti që edhe sot pas më shumë se 30 vjetësh, ka shruar Astrit Lulushi, libri ‘Montale and Dante, vazhdon të cilësohet nga kritika si një nga studimet më të thella e më të hollësishme rreth poetit të madh Italian, tregon se Arshi Pipa doli i suksesshëm në këtë sipërmarrje”. Dhe më poshtë: “. . . pa veprën e Pipës, “Montale and Dante’, kritika letrare botërore sot me siguri do të ndjehej e varfëruar”. 6).

Estetika dhe filozofia kanë qenë gjithashtu interesimet e tij shkencore. Trashigimia e tij në këto fusha, përveç disertacionit mbi filozofinë e Bergsonit, qi e kemi përmendun ma nalt, përfshin artikujt studimorë dhe referatet shkencore të mbajtuna në konferenca dhe kongrese ndërkombëtare si në Amsterdam, Londër, Uppsala, Palermo, Venecie, etj.Mbetun në dorëshkrim asht vepra filozofike “La mia concezione sulla vita” (Kuptimi im mbi jetën).

Më vjen si e nevojshme të përmend këtu mendimin e Pipës për nji nga parimet ma të qenësishme të estetikës, atë që lidhet me të bukurën në art përballë të moralshmes. Tue folun për Benedeto Croce-n, Pipa thotë: “ . . . E bukura dhe e ndershmja janë të ndame mes tyne. Pra nji vepër morale ose jo, janë në dorë të artistit. Kështu një libër skandaloz estetikisht mund të shkojë, por autori nuk duhet ta shruej kurr” (Nënvizimi im, A. Ç).

Nji kontribut të veçantë përban veprimtaria e tij shkencore në fushën e folklorit, të folkloristikë s dhe të gjuhësisë. Gjatë viteve të burgut pregaditi një vepër me materiale folklorike të mbledhuna nga të burgosunit, rreth 420 faqe të daktilografikueme, pa llogaritë këtu nji hymje teorike rreth folklorit tonë dhe folklorit në përgjithësi; vepër që iu dorëzue Institutit të Folklorit, në vitin 1957, dhe sot nuk gjindet.

Të botueme në këtë fushë janë veprat “Albanian Folk Verse: Structure and Genre” (1978) dhe “Politics of Language in Socialist Albania” (1989). Analizës së çështjeve të ndryshme të eposit tonë të kreshnikëve, Pipa i asht kthye përsëri në punimin “Serbocroatian and Albanian Frontier Epic Cycles”, botue në v. 1984, në vëllimin “Studies on Kosova” (edited by Arshi Pipa and Sami Repishti). Tue u bashkue me studiuesit Alois Schmaus, Stavri Skendi, e ndonji tjetër, Pipa e trajton ciklin e kangëve të kreshnikëve, të malësorëve tonë të Veriut, si një version të eposit boshnjak, të modifikuem nga psikologjia jonë etnike dhe traditat tona zakonore.

Në veprën “Politics of Language in Socialist Albania”, merret me problemin e standardit të gjuhës sonë letrare, të vendosun në nji forum ku liria e fjalës përbante sakrilegj, si në të gjitha forumet e diktaturës, dhe mërrin në përfundimin qi “gjuha e njësuar’ nuk asht as e njisueme, as e përbashkët, as kombëtare; ajo asht një variante toskënishte e arnueme me disa huazime fonetike nga gegënishtja letrare, të cilat i mungojshin strukturës së toskënishtes”; nji përfundim të cilit nuk mund t’i hiqish asnji presë, (siç thotë nji shprehje popullore), dhe qi ma në fund asht pranue prej të gjithëve.

Me interes asht të parashtrojmë ndonji mendim të tijin për gjuhën tonë, të cilën e njohti dhe e përdori në mënyrë të përkryeme, në të dy dialektet. Ai kishte qindrimin e Çabejt: “Unë kundroj me simpati nji gjendje, qysh asht kjo e sotmja, kur nji Shqipni e vogël, shembull fort i rrallë n’ Europë, asht e zonja me u shprehë në dy gjuhë letrare. Ky asht nji shenj pasunije, kulture, qi na shquen, cilido qoftë shkaku i tij” 7). Dhe në një rast tjetër: “Gegënishtja me toskënishten, plotësohen në fushën letrare në nji mënyrë fatlume. Ka gjana që njena i thotë fuqishëm, tjetra i shpreh kandshëm” 8). Ai e tregoi veten mjeshtër në të dy dialektet. Mjafton të përmendim këtu dy xhevahire poetike: “Shemo Hajduti” (toskënisht), “Kupe Danja” (gegënisht), ose përkthimin e Lukrecit në gegënisht, se aty gjen “hovet vigane të mendimit dhe trandjen e gjithanshme të shpirtit”, kurse Virgjilin në toskënisht, “jo se ai nuk mund të përkthehet mirë në gegënisht, por ajo diçka e vagullt dhe fluide që asht poezia e tij shkrihet ma mirë në toskënisht” 9). Gjithsesi, edhe pse u desht të vdesë Pashko Gjeçi, për t’i vu vulën kësaj dukunie, ndërgjegjja shqiptare, për këtë çashtje madhore, asht ajo që asht: preferon të pranojë paragjykimin në vend të faktit.

Shqetësimet dhe interesimet e tij për gjendjen në Shqipni, Kosovë dhe për të gjitha trojet shqiptare dhe për të ardhmen e tyne kanë gjetë shprehjen e vet në botimin, në vitin 1990, të librit “Albanian Stalinsm. Ideopolitical Aspects”, një përmbledhje e shkrimeve të karakterit politik, të botueme në shtypin periodik shqiptar të diasporës sonë dhe ate amerikan, të viteve 1958-1989. Shkrime të kësaj natyre, Pipa botoi në gazetën “Dielli”, gjatë viteve 1991-92, vite kur ai qe kryetar i “Vatrës” dhe editor i organit të saj.

Pipa shquhet edhe për veprimtari botuese në lamin e shtypit periodik. Ai ka qenë botues dhe kryeredaktor organesh letrare e shkencore. Në vjetin 1944, kur Shqipnija vuente nën pushtimin e huej, në nji moshë të re nxori revistën “Kritika Letrare”, në të cilën dallohet për trajtim original dhe objektiv të personaliteteve të letrave shqipe; veçori që do ta shoqnojë ate gjithnji ma vonë, kur do të shkruej veprat madhore në këtë fushë. Në faqet e revistës, ndër të tjera, ravijëzohen kulme të tilla të letërsisë e të kulturës sonë si Noli, Konica, Migjeni. Kulme në historinë e kritikës sonë letrare kanë mbetun edhe këto punime të Pipës. Eseja e shkrueme për Konicën e dishmon atë si nji kritik të kategorisë së parë. Ajo mbetet edhe sot e kësaj dite nji nga xhevahiret e kritikës sonë letrare, sa për thellësinë e trajtimit, aq për stilin e shtjellimit dhe koncizitetin. Në vitet 1945-46, qe anëtar i redaksisë së revistës “Bota e Re”. Dhe , në vitin 1987, anëtar i redaksisë së revistës tremujore për mendimin kritik “Telos”(Kaliforni).

Në vitin 1990, filloi të botojë në Washington D. C. revistën “Albanica – A quarterly Journal of Albanological Research and Crticism”, revistë me vlera të mëdha shkencore albanologjike. Mbas tre numrash, për arsye financiare, u ndërpre ky botim aq i nevojshëm e i randësishëm sidomos për paraqitjen para botës të gjendjes së vertetë ekonomike e politike të trojeve tona, dhe të shkencave tona albanologjike. Për kohën e vet, në diasporën shqiptare, jo vetëm në ate të Amerikës, nuk ka pasë nji të tillë të dytë që t’i afrohet sadopak. Aty u botuen artikuj studimorë në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht nga studiues të njohun shqiptarë e të huej si A. Pipa, M. Camaj, P. Prifti, A. Logoreci, A. Klosi, A. Vehbiu, F. Pipa, Michele Roux, Odile Daniel, Francesco Altimari, Walter Brew, Hans-Jurgen Sasse, Matteo Mandala, Peter Bartl, Armin Hetzer, Alain Ducellier dhe Wilfried Fridler.

Mbrojtja e çashtjes shqipare në të gjitha trojet tona qe qellimi i revistës. “Kjo revistë po del në nji kohë, – shkruhej në kopertinën e fundit, – kur si Shqipnija ashtu edhe Kosova janë tue përballue nji gjendje krize të jashtëzakonshme. Ndërsa shqiptarët n’atdhe, të neveritun prej robnisë staliniste, po braktisin atdhenë tue marrë rrugën e mërgimit, kosovarët, n’anën e vet, vazhdojnë me braktisë Kosovën për me i shpëtue robnisë serbe. . . Por ka nji ndryshim mes gjendjes në Shqipni dhe asaj në Kosovë e në disa republika jugosllave ku banojnë nji shumicë shqiptarësh. Shqiptarët e Jugosllavisë, ndonëse të persekutuem, organizohen dhe protestojnë, kurse shqiptarët n’atdhe nuk guxojnë as me bëza. Por mergatën arbënore qi jeton ndër vende demokratike nuk e ndalon kush me folë. I përket asaj me u ba zadhanësja e të heshtunvet.” Dhe e tillë u ba Albanica. Numri i parë iu kushtue “Tragjedisë së Kosovës dhe aktorëve të saj”. Në ballin e revistës u vizue harta e Kosovës së bashku me pjesën veriore të Shqipnisë.

Vazhdimisht, Pipa ka ndjekë në mënyrë aktive zhvillimet politike në atdhe, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Ballkan U ka dërgue letra personaliteteve ma të nalta të administratës amerikane, ka folë në “Zërin e Amerikës”, ka dhanë intervista, etj.

Në këte numer janë botue, letrat qi Pipa u ka dërgue Presidentit Amerikan George Bush, dy letra Sekretarit të Shtetit James A. Baker, Sekretarit të Përgjithshem të Kombeve të Bashkueme, Javier Perez De Cuellar për çashtjen shqiptare në përgjithësi.

Në vitet 1991-92, editoi gazetën “Dielli”, tue qenë njëkohësisht edhe kryetar i “Vatrës”. Pipa, tue qëndrue si gjithnji jashtë sinoreve të partitizmit të diasporës, si nji atdhetar i vertetë, antikomunist dhe demokrat kritikoi ashper veprimet antidemokratike të forcave poltike që dolen në skenë fill mbas ramjes së diktaturës, sugjeroi platforma politike me vlerë për zhvillimet demokratike në Shqipni, dhe kërkoi me insistim që të nxiret para drejtësisë përgjegjësia për atë çka ndodhi gjatë 50 viteve të regjimit komunist.

Arshi Pipa vdiq me 20 korrik 1997 në Washington, D. C., me dishirën përvëluese për ta pa Shqipëninë demokratike e perëndimore, Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare të çlirueme dhe të bashkueme me atdheun. La porosinë e fundit: të digjej kufoma e tij dhe të hidhej në ujnat e Adriatikut. Pak vite para se të vdiste, ai i dhuroi Muzeut historik të Shkodrës bibliotekën e tij të pasun.

Pipa qe një mbrojtës i flaktë i çashtjes kombëtare, atdhetar idealist, demokrat e antikomunist i bindun, disident në jetë dhe në veprimtari letrare e shkencore, model shembullor i jokonformizmit, punëtor i palodhun, që të gjitha energjitë jetësore dhe aftësitë intelektuale, ia kushtoi kulturës kombëtare. Ai qe erudit i rrallë dhe poliglot. Përveç shqipes, ai fliste, lexonte e shkruente në anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.

Atdheu e nderoi me titullin e lartë: “Naim Frashëri i klasit të Parë” dhe qyteti i tij i lindjes e shpalli “Qytetar Nderi”. Busti i tij i derdhun në Bronx qindron, që prej vitit 1999, në mjediset e Muzeut historik të Qytetit. Kultura shqiptare, ku ende e përcaktojnë tonin akademikët e Diktatorit ose nostalgjikët e tyne, e ka të zorshme me pranue nji personalitet të tillë si Pipa, qi i ka demaskue nji jetë të tanë. Aty-këtu, individë të veçantë dhe institucione kulturore demokratike kanë fillue me ba hapat e parë për të nxjerrë në dritë veprën shkencore e letrare të tij. Po diaspora jonë? Asnji veprimtari promovuese për punën e madhe atdhetare, shkencore, artistike, botuese. Përveç ndonji artikulli me shumë vlerë si ai i Astrit Lulushit, “Montale & Dante dhe Arshi Pipa”, dhe 2-3 shkrimeve kritike tendencioze, nuk më ka xanë syni tjeter. Borxh i papaguem i “Vatrës”, i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe, në përgjithësi, i inteligjencës së këtushme.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Zholi: A është ende ilegal në Shqipëri Arvanitasi më i Madh i shekullit XX Aristidh Kolia? Albert Vataj: Martin Camaj, një vullnet qiellor që na shpërbleu me urtësi dhe zemërbardhësi Albert Vataj: Sot në përvjetorin e lamtumirës së poetit të kushtrimeve lirike, Ali Podrimja Albert Vataj: Si u shuan në Shkodër më 17 korrik 1915, rilindasi Çerçiz Topulli dhe intelektuali Muço Qulli Lekë Mrijaj: Një reflektim ne 150 vjetorin e lindjes së at’ Shtjefën Gjeçovit Fran Gjoka: Profesor Vehbi Hoti, intelektuali i vlerave të mëdha Vilhelme Vrana Haxhiraj: Nderim e mirënjohje në kujtim të shkencëtarit elitar Aristidh Kola! Gëzim Bullaku: Nexhip Alpan, dijetar, albanolog dhe atdhetar nga Turqia Jahja Drançolli: Viktor Karpaçi, një nga personalitetet më të mëdha të Shkollës Arbërore të Venedikut Albert Vataj: Agim Doçi, ikja e pakohë e një bardi Hysen Ibrahimi: Prenkë Gjetaj, luftëtar në shërbim të çështjes së Lëvizjes Kombëtare, kundër prapambetjes dhe injorancës Hivzi Muharremi: In Memoriam - Rexhep Ferri Albert Vataj: Agron Luka, fiket nji tjetër dritë dijeje e Shkodrës Ndue Dedaj: Emzot Kaçorri, shëlbuesi i pavarësisë Ndue Dedaj: Marie Tuci, e Lumja në Përjetësi Albert Vataj: Ernest Koliqi, qëndrestari i paepur i rrëmeteve politike, dishepulli i dijes dhe apostull i risive Agim Xh. Dëshnica: Poeti i ndritur Vexhi Buharaja Ibrahim Hajdarmataj: Gjenerali Tahir Sinani ngeli ne zemrat dhe mendjen e Shqiptareve Dorian Koçi: Një datëlindje për Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe vepra e tij Nue Oroshi: Përshkrimi i karakterit të Gjergj Kastriotit

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora