Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Kush ishte Nicolaus Copernicus
E premte, 24.05.2024, 07:57 PM
Nicolaus Copernicus, Portret nga Bashkia e Torun, Poloni - 1580
Kush
ishte Nikolaus Kopernikus, doktori i së drejtës kanunore, ai që “shkurorëzoi”
tokën si qendra e universit
Nga
Albert Vataj
Më
26 prill 1514 Nikolaus Kopernikus bën vëzhgimet e para të planetit Saturn. Sot
ajo që ka arritur Kopernikus pesë shekuj më parë, nuk është më shumë se një
fakt, por kjo nuk mund ta zbresë atë njeri të madh nga kreshta e krenarisë ku
qëndron vepra monumentale e atyre që “guxuan” të hedhin vështrimin tej, në
hapësirën e paanë dhe caqet e ndaluara të universit. Ky hap në terrin e
universit që llamburit nga shkëndija kureshtjesh dhe ngulmesh është gjigand,
sepse shënon fillimin e udhës së gjatë të njeriut drejt galaksive të universit,
por edhe vendosjen e një pozicioni të ri të njeriut në marrëdhënie me
gjithësinë.
Nikolaus
Kopernikus u lindi më 19 shkurt 1473 ne
Thorn, Poloni dhe vdiq me 24 maj 1543 në Frauenburg. Kopernikus doli për here të pare me idenë se
Dielli ishte i palëvizshëm në qendër të universit dhe toka sillej rreth tij.
Kjo ide ishte fillimi i një ndryshimi se si bota shihej që nga koha e
Arisotelit, shek. IV pes, dhe kështu Koperniku u bë nismëtari i revolucionit
shkencor. Që nga viti 1512 derisa vdiq, më 1543, jetoi në Frauenburg, një qytet
i vogëlth në Prusinë Lindore, ku u emërua kanonik në katedrale. Nikolaus
Kopernikus në fakt është specialist i së drejtës kanunore, disiplinë në të
cilën arriti gradën doktor. Puna si kanonik në katedrale i plotësonte nevojat
ekonomike, kështu që mund t’u kushtohej hulumtimeve shkencore të trupave
qiellorë. Astronomia ishte disiplina e preferuar e tij. Pozicioni gjeografik i
Frauenburgut, që ndodhej në bregdet, e favorizonte punën argëtuese të tij.
Nikolaus Kopernikus e vendosi observatorin dhe vendbanimin në një nga kullat
mbrojtëse të bregut. Instrumentat e tij ishin shumë të thjeshtë, por më i madhi
i vazhduesve të veprës së tij, Tiho Brahe, ishte më i lumturi i njerëzve kur i
ofruan një të tillë.
Koperniku
ishte më shumë teoricien se vrojtues. Ndihmesa e tij në astronomi, që është një
ndihmesë mjaft e madhe, qëndron në një teori në kundërshtim me idetë e pranuara
deri atëherë, nuk është kupa qiellore që bën një rrotullim të përditshëm
përreth tokës, por është toka që rrotullohet rreth boshtit të saj imagjinar,
dhe përshkon në të njëjtën kohë një rrotullim rreth diellit. Nikolaus
Kopernikus arriti në këtë përfundim pasi studioi astronomët grekë e arabë, por
edhe nga vrojtimet vetjake. Toka nuk është qendra e universit, por një nga
planetët që rrotullohen rreth diellit. Kjo frazë e thjeshtë është parimi
themelor i “pikëpamjes kopernikiane për një nga miliona trupat e tjerë
qiellorë. Nikolaus Kopernikus në përfundimet e tij arriti pas shumë fakteve
shkencore, por do të duhej të vinte gjysma e shekullit XIX për ta provuar atë
përfundimisht.
Kopernikus
u bë njëri nga astronomët më të shquar evropianë me teorinë e tij të lëvizjes
së planetëve nëpër orbita rreth diellit. Me zbulimet e tij ai krijoi një
botëkuptim të ri pas mesjetar. Përveç kësaj ai ishte astrolog, astronom,
jurist, fizikant, diplomat, ekonomist matematikan, mjek, qeveritar dhe ushtar.
Ai
zbuloi njollat e Diellit dhe ishte një nga të parët që zbuloi edhe hënat e
Jupiterit, çka tregonte se Toka nuk ishte e vetmja qendër e universit. Ai,
gjithashtu, kuptoi se Rruga e Qumështit nuk ishte vetëm një vijë e shndritshme
në qiell, por një vijë që përbëhej nga shumë yje. Të gjitha këto zbulime janë
ndër më të mëdhatë e bëra ndonjëherë në astronomi. Zbulimi kyç i Galileos ishte
nisja e kërkimeve shkencore të yjeve, duke përdorur teleskopët, që do të
mundësonin pamje shumë të thella të universit në krahasim me syrin.
Kombësia
e Kopernikus që nga shekulli i 19 u bë shkak për shumë kundërshtime të ashpra.
Një gjë por është e qartë se ai ishte ose polak, ose gjerman. Kjo gjë
pasqyrohet në emrin e tij. Në gjermanisht ai quhet përgjithsisht Nikolaus
Kopernikus, për shkak të versionit të latinizuar Copernicus nga mbiemri
Koppernigk. Polonisht ai quhet Mikolaj Kopernikus. Nikolaus Kopernikus ishte
biri i një gruaje gjermane, kombësia e të atit është e paqartë. Qyteti i tij i
lindjes Torn pak kohë pas lindjes së tij kaloi nën sundimin e mbretit polak,
kështu që ai formalisht njihet si polak.
Zigmund
Frojd, në një nga veprat e tij, thotë se gjatë rrjedhës së kohëve, shkenca i ka
dhënë dy goditje krusmuese mendimit naiv që njeriu kishte për vlerat e tij:
herën e parë, kur Nikolaus Kopernikus nuk e pranoi tokën si qendrën e universit
dhe e dyta kur Darwini provoi t’i heqë njeriut pozicionin e privilegjuar që
besonte se zinte përballë botës së kafshëve. Përpara Kopernikus mendohej se
dielli dhe yjet ishin krijuar në funksion të tokës dhe toka në funksion të
njeriut. Kur ai shpalli se universi nuk rrotullohej rreth planetit tonë,
vetëdija njerëzore pësoi një trandje shungulluese. Kopernikus pati një ndikim
aq revolucionar në botëkuptimin që njerëzit kishin për botën, sa vetëm
bashkëkohësi i tij, Kristofor Kolombi, mund të mendohej se kishte arritur një
lavdi të atillë.