Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Pano Taçi, poeti që lëvroi në një tokë prej zjarri dhe pasioni, epshi dhe dalldie
E shtune, 15.06.2024, 06:54 PM
NE PERVJETORIN E VDEKJES SE POETIT
Pano
Taçi, poeti që lëvroi në një tokë prej zjarri dhe pasioni, epshi dhe dalldie
Nga
Albert Vataj
Nuk
mund dhe nuk duhet të ike ky përvjetor ndarjeje me skalitësin e zemrës prej
fjalësh dhe përjetimi, pa një kujtesë, pa disa ndërmendje të bukura dhe të
çiltra për poetin që jetoi poetikisht dhe shkroi poezi të guximshme, lëvroi në
një tokë prej zjarri dhe pasioni, epshi dhe dalldie, metafora dhe vargjet që do
ta bëjnë atë të përjetshëm.
Pano
Taçi ishte padyshim një nga ato poet që nuk mund t’i marrë harresa, jo sepse
kanë lënë pas një vepër, libra dhe një përpjekje vullnetmirë krijuese, por
sepse ishte i veçantë dhe shkroi poezi të ndezura në flakën e Erosit dhe
Kupidit.
Pano
Taçi është i përzgjedhur në Bibliotekën Tragjike Botërore në Irlandë midis 400
poetëve të gjallë të këtij shekulli, që më shumë se tituj librash ka vite
burgu. Pas rrëzimit të diktaturës jetoi i vetmuar deri në fund të jetës së tij
më 13 qershor 2012. Shkroi e botoi përmbledhje gati 20 vëllime poetike, drama e
kujtime. Është vlerësuar nga kritika si një poet i veçantë, dhe ka marrë disa
çmime letrare brenda dhe jashtë vendit.
Për
Dritëro Agolli, Pano Taçi ishte një pemë e veçantë kopshti. Ishte poet
origjinal, poet që vetëm ai mund të jetë i tillë. Në pemët e kopshtit të
poezisë, Pano Taçi ka pemën e tij të veçantë, që nuk ngatërrohet me pemët e
tjera. A ka gjë më të mirë se kjo? Duke vështruar nga të gjitha anët metaforën
vuajtjes dhe të qëndresës, mund të zbulosh një element të çuditshëm të Pano
Taçit, që është karakteristikë e poetëve të mëdhenj. Ky element është përqeshja
e vuajtjes, humori mbi këtë vuajtje: Koka ime e kositur,/ Si aerodrom me tre
viza,/ Mbi tri kodra bërë nga shkopi,/ Ulen si avionë tri miza…
“Gjendje
dhe gjetje të mirëfillta poetike; shumë pikëllim dhe pak shpresë; hove të
fundme dashurore në pleqëri të thelle, – ja ç’na kumton me një thjeshtësi
prekëse poeti endacak Pano Taçi, të cilit si burgu, si pasburgu, ia mpakën por
s’ia mplakën dot shpirtin rebel dhe ndjeshmërinë thuaj serembiane. Humbellat e
dhembjeve dhe ritmi i valëve të një jete të trazuar të pikin në zemër dhe të
bëjnë të mendosh se njeriu nuk është një ishull i vetmuar: fati i tij është
pjesë e fatit të të gjithëve. Fjale drithëruese, pagëzim gazavaji . Fjalë
njeriu për njeriun. Mbi e nën dhê, shkruante për Pano Taçin, Xhevahir Spahiu.
Për
poeten Luljeta Lleshanaku, Pano ishte mik dhe vazhdues i Lasgush Poradecit,
përpiqet të ruajë timbrin e ëmbël, ritmin e qartë si pikat e shiut në çatitë e
orëve të vona në shkurt. Megjithatë, poezia e tij s’është kurrë krejt e qetë,
ajo është fërkim dy gjendjesh, dy rrymash, të cilat shkojnë në drejtime të
kundërta të një barke të madhe, me dallgët që shkojnë në drejtim tjetër, dy
resh me ngarkesa të kundërta, një rrufe e thatë që shpon qiellin si nepërka e
etur në gusht.
Duke
lexuar poezinë e Pano Taçit kemi shfletuar dramën e njeriut të ndershëm, ku te
gjitha fletët janë të përthyera në skaj, si cepa të kujtesës, ku të gjitha
fletët janë dëshmitare, janë të domosdoshme si brinjë të kafazit ku u përmbyll
për aq kohë ai.”
“Një
libër i Pano Taçit është një bashkëbisedim i shkujdesur me të, një rrëfim me
zemër në dorë për shtegtimet e shpirtit të tij. Është vështirë ta ndash Pano
Taçin njeri nga Pano Taçi poet. Domethënë gjithë ndërtimin e tij
fiziko-shpirtëror, heshtjen e tij, ngrysjen e vetullave si për të fshehur
xixëllimën e syve, një brengë të tijën, të kushediseçfarët e të përhershme që
gjendet prapa heshtjes olimpike, por edhe para romuzit, shakasë së beftë dhe
natyrës së tij prej bohemi” kumton Vath
Koreshi.
Sadik
Bejko, shkon në kreshtë të vlerësimit për poetin: “Pano Taçi është një mrekulli
si poezi dhe si fenomen. Ai, mbas sa e sa vitesh te burgut dhe te internimit,
ruan vitalitetin e shijes së jetës, ruan të gjallë një vijimësi nga poezia e
Lasgushit dhe e Ali Asllanit. Hokatar dhe tragjik njëherësh, ai nën pamjen e
një plaku ashik e qejfli, mik i tavolinave e i rrugëve, përherë buzagaz, sjell
një përvojë të madhe e të thellë të njeriut që u ka kaluar vuajtjeve
mespërmes.”