Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Libri, dhurata që do ju mbetet testament
E premte, 17.05.2024, 06:59 PM
Libri, dhurata që do ju mbetet testament
Nga
Albert Vataj
Më
17 maj të vitit të shkuar, Bujar Hudhri, botuesi i “Shtëpia Botuese Onufri”,
lançon në rrjetin social Facebook, atë që ai e ka quajtur “Ëndërr 30-vjeçare”,
veprën e plotë të Ismail Kadare, një nga botimet më dinjitoze të ardhura nga
një shtëpi botuese në Shqipëri. Për të apasionuarit e librit dhe jo vetëm, ky
botim nuk është thjeshtë një përmbledhje e plotë e veprës së Ismail Kadare, por
një monument që rrokaqiell tashmërinë e nevojës dhe obligimit që kemi ne, për
ridimensionimin e një qasjeje për ta integruar këtë opus në thesaret tona
kombëtare, në të drejtën për t’u mburrur dhe përfaqësuar si përkatësi kulturore
dhe pasuri shpirtërore. Ndërsa rrekemi të zgjojmë kujtesën e kësaj ngjarjeje në
botimet shqip, dëshirimshëm i jepemi adhuruesve të cilët librin kishin gjithçka
dhe... “Ndoshta nuk ka ditë të fëmijërisë sonë që të kemi jetuar aq të plota sa
ato që besuam se i kishim kaluar pa jetuar, në shoqërinë e një libri të
preferuar… edhe sot, nëse ndodh t'i shfletojmë ato libra të dikurshëm, shikojmë
ato sikur të ishin të vetmit kalendarë që kemi ruajtur të ditëve që ishin dhe
me shpresën për të parë të pasqyruar në faqet e tyre pallatet dhe pellgjet që
nuk ekzistojnë më.” Shkruan, siç e ndjejmë ne, Marsel Proust.
Për librin dhe me librin
Libri,
Ai mund të jetë gjithçka e jona, por krejtçfarë e mirë në veten tona,
shpirtërisht e mbushur me eter dhe magjepsje i atribuohet atij, gjithçka që na
lejon të ndjehemi krenar, e kemi huazuar prej tij. “Nëse duam të dimë kuptimin
e ekzistencës, duhet të hapim një libër: atje poshtë, në cepin më të errët të
kapitullit, është një fjali e shkruar enkas për ne”, citon Peter Cituar, është
aty një prekje që na drithëron, një zë dëgjojmë teksa na thërret, po, është ajo
ndjesia jonë e pashpjegueshme që na ndez beftas në një çast të vetëm.
Ai
nuk bën pjesë në ato sajesa të rafinuara që kërkon nga ju me çdo çmim t’u
shndërrojë në vrasës të kohës, por në magjepsës të magjishëm të saj. Si një
mrekulli, libri nuk premton të bëjë mrekulli, por mundet që faqe pas faqeje,
kapitull pas kapitulli, episod pas episodi, t’u bëjë të ndjeheni të prekur nga
një magji, e cila bën që gjithçka rreth jush të rroket prej një rrezellitjeje
dehëse, dhe çdo realitet të jetë një ëndërr, me të cilën jeni shpërblyer.
Duke
udhëtuar përmes dimensionit të kohërave, kaluar mbi shpirtrat dhe ligjërimet e
hyjshme të kumtimit, ka behur në ëndjen tonë për ta shndërruar atë në një altar
dhe ka zgjuar prej thellë vullneteve dhe vetëdijes sonë atë lartësuesin,
gjunjëzim të besimit te dija, për të qenë ai, libri.
Libri, ishte, është dhe
do të jetë
Pavarësisht
se sot librat janë pjesë periferike e interesit të njerëzve, asaj shoqërie që
po përpëlitën nën peshën e një realiteti të diktatit të algoritmit, që në një
tentativë për t’i dhënë vendin e merituar çdo risie dhe noviteti, po gllabëron
në mënyrë të përbindshme kohën dhe së bashku me të shpirtrat. Megjithatë, në
këtë atmosferë makthi, frike dhe pasigurie, libri ka shërbestarët e saj, ata që
besojnë ende, ata që kanë atë gjithçka dhe e tyre është ai, libri, ndoshta jo
tamam si një sipërmarrje, se sa si një shpirtje që ata i blatohen. Janë
pikërisht ata që bëjnë që libri gëzon ende statusin e një zgjatimi të
gjymtyrëve dhe shqisave, arsyes për të menduar, vlerës dhe tendencës si
prioritete.
Në
heshtjen e tij mistike, ai, libri është ende atje në kthinat e rrugëve të
potershme e vërshimeve të ububushme urbane. Është aty nën një ndriçim të zbehtë
i strukur në heshtjen vetmitare, duke rrëfyer për botë që nuk dinim se
ekzistonin, dhe realitete ardhmërie që tejkalojnë çdo përfytyrim dhe thyejnë
kangjellat e çdo shpengimi, që rreket të harbohet në një botë yjore që zgjon.
Del nga thellësia e kohës një zë që thërret potershëm, nga mermeret zgjohen të
ikurit, prej statujave zbresin heronjtë e nga tablotë dalin mitet. Zemra që flakërijnë
e buzë që puthen, plagë që lëngojnë dhe këngë të vajshme që shkrihen në kërcime
zanash, janë aty ne teatralitetin e një bote që ngulmshëm kërkon të përtërijë.
Dalin nga letra legjendat, historia zë e kushtron fushëbetejave. Prej shkëmbit
shpërthejnë gjymtyrët e erërave dhe marrin arratinë brigjet shkëmbore ku anijet
e shkallëmuara ruajnë ende shpirtin e paepur të detarëve.
Gjithëkëtë
e përcjell çasti i një ëndjeje që ende ka and të jetojë mijëra botë në një të
vetme që kërkojnë të ia marrin përdhunshëm. Por nuk jepet jo, ai vullnet dhe
ajo shpirtje që ka rilindur në jetë që ka pulsuar në gjakun e tij. Nuk mund ti
dorëzohet asnjë sunduesi. Nuk ka asgjë për të shkëmbyer në një tashmëri që
kërkon gjithçka për të të mos dhënë asgjë më shumë se zhguallin.
Aty kah erdhi libri
U
gatua nga drurët dhe shkoi me lutje duke ju dhënë duarva të mbrurësve, doli nga
zjarri dhe zjarreve shkoi kaluar si një lajmës. U pëshpëriti padurimeve fjalë
dhe ëndrra dhe e gjetëm ku nata rrëzonte qiej dhe mure, thyente amforat e gojëdhënave
dhe mureve nderej me myshqet për të mbërritur te kambanat dhe britmat e
shkrehur në prehrat e drobitur, e lagur rebesheve të pikëllimit. Erdhi nga larg
dhe ju gjegj fare pranë arsyes. Foli bardhëdhimshëm me çdo zezonë që zu të
tregonte si luftëtari plagët si dëshmi kacafytjeje dhe mosnënshtrimi. Foli
zëshëm dhe dëgjesë mbolli kah shkoi prej pemëve kah zbriti deri te algoritmi,
deri tekkëtu ku gjithçmos është e përligjur.
Aty është fjala dhe fara
Libri
është aty, ka qenë shumë përpara se të mbërrinin gjithë këta pushtues. Ka
mbijetuar rrebesheve dhe rrëmeteve më gjatë se çdo qëndresë tjetër, e paepur si
një dishepull që i joshur nga drita shkoi nëpër terr për të predikuar fjalën,
për të valëvitur flamujt e gjitha betejave dhe hedhur farën aty ku mbiu ëndrra
e të gjithë dëshirimeve. Dhe thirri me zë qielli zëri i krejt gjëmimeve që
shkundullitën shpirtrat e trazimtarë, u ngritën në ndeshje me krejt ndalimet që
i zunë pusi. Dhe kur fantazmat zunë të flasin, ai u fsheh pas pamundësisë për
të qenë më shumë se gjithçka që bota ka stisur për t’iu kundërvënë gjithçaje që
peshonte në frymëmarrjen dhe dritjen e ëndrrës. Nuk pati frikë jo, ai u dogj e
u përdhos, u kthye në mall dhe u shkëmbye si plaçë, pa nxjerrë zë e pa u
ankuar. Sepse kishte ardhur të pasuronte botën me penë, përnjëmend si një
parmendë.
Libri si një dhuratë
Dhe
është ende aty libri, njejt në madhështi dhe sublimitet, është aty ku thërret
me zë, dëgjon me zemër dhe krahëflakëron e ëndërrt. Në morinë mbytëse të
gjithçkaje, ai sërish, është ai që bën dallimin, ai është aty si tendenca
njerëzore për t'i konsideruar gjërat e vogla si të rëndësishme. Ndoshta është
çfarë përkufizonte Johann Wolfgang von Goethe, në: “Grumbuj librash nuk janë
shkruar vetëm që dikush të mësojë diçka prej tyre, por më shumë, janë shkruar
që njeriu të hetojë se shkruesi i tyre dinte aq shumë dhe kishte diçka të vyer
për ta ndarë me dikë tjetër, me ju”.
Dhe
ju mendoni se një libër mund të jetë një pjesë e vetes suaj që kërkon ta ndash
me atë që të qenit i shtrenjtë e shenjtëron çfarë ti ndjen dhe përjeton.
Kahëkëtu ti nisesh për të shkuar atje ku pritja është e padurueshme, të jesh
disi aty, të jesh ndoshta faqet e një libri.
Dhe...
ju po kërkonit një ide për dhuratë për një mikun/miken tuaj, është vërtetë
problem, kur rropatesh mes shumë alternativash në pamundësi për të qëlluar në
shenjë. Ndoshta unë nuk jam i duhuri që i rekomandoje çfarë dhurate mund t’i
dërgoni një mikut apo mikes suaj, por personalisht do të më pëlqente vepra e
plotë e Kadare, “Shtatë dekada krijimtari në shtatë vëllime”.
Pavarësisht
se personi që dëshironi t’i bëni një dhuratë, lexon ose jo, ju bëjeni këtë pa
menduar se pas kësaj dhurate arrin të ndizet një shkundi e interesit për librin
ose jo. Ju bëjeni siç çdo rreze dielli bën, e çdo dritje mëkon. Ndoshta ju nuk
po jepni atij që ju meriton, një seri librash dhe jetën e një autori dhe një
kombi, rrëfyer përmes detit të dallgëzuar të zëshmërisë së shpirtit, shumë më
shumë ofrojnë duart që zgjatën e zemrat që çelen.
Ju keni gjithçka por unë
jam
Miku
im i dashur, jeta është… plot aventura, plot emocione, plot sekrete, plot
dashuri, plot zgjedhje, plot filozofi, plot emocione, plot sfida, plot
imagjinatë, dhe shume te tjera përplot, plot me boshin që e përpin nëse
gjithëçfarë nuk u gërmëzua e nuk kundërmoi bojë dhe ngjitës, nëse në mes mbetet
ajo heshtje që na varroi më mizorisht se çdo britmë, kujë e kushtrim.
Ju
mund të jeni të shpërblyer aq bujarisht nga fati sa të mos u mungoj asgjë në
jetën tuaj, por libri dhe krejt krahët e lirive të kredhura në një qiell që
jepet, është aty për të të treguar se ka ende diçka për të ndarë me ty. Është
një heshtje që zë të flasë nën një barrë që e ka zënë përfundi. Provoje se nën
këtë peshë vetja juaj kërkon çlirim, ardhja lajmëse mes të zgjedhurve zgjedh
ty, ty që shpërblehesh.
Po, kjo është
Askush
nuk guxoi të çmendej kaq sa të fliste me zemër në dorë. Libri erdhi duke
trokitur thellë ku dyer ende janë të kyçura, ku pritjet qëndrojnë si kolonat në
tempuj. Erdhi dhe e shpaloi kohë ai zë që në rrufe e mprehu penën, jakëtu u
gjet ndërsa u ul me kuvendue e me ju fal çdo qasshmërie, ngase zgjodhi fjalën
dhe letrën për të qenë yti. Në pakohë vjen gjithnjë ai që kërkon të gjej kohën
e duhur për gjërat e mëdha, për madhështinë e sublimimeve, që e kthejnë te
përmbushja e ëndrrës më shumë se te... është aty në gjithçfarë ndodh në këtë të
tashme, për të mos lënë pas asgjë. Nesër, çdo nesër është pendesë më shumë se
vonë.
Krejt
ai ngulmim i libërt dhe për librin, nga një ide dhe mendim, u ngjiz, lindi dhe
është këtu si një atribut i atëbotshëm që... U sendërtua në një
shtatëvëllimshëm, në një vepër të tillë të solemshme që hyn si një ogur dhe
bekim në strehën tënde. Dhe ti do ta kuptosh në të vërtetë se kush ka bujtur në
shtëpinë tuaj.. vetëm kur ta keni pjesë e gjërave me të cilat jeni i lidhur
shpirtërisht, vetëm atëherë do të arrish ta kuptosh se... po kjo ishte gjëja e
cila vërtetë do të më mungonte.
Ju meritoni atë që dua
të mbeten unë për ty
Miku
im dhe ju mikja ime, zgjidheni këtë shtatëvëllimsh të veprës së plotë të
Kadare, t’ia bëni dhuratë dikujt që ju e vlerësoni aq shumë sa ta meritojë një
dhuratë të tillë. Ju nuk do të dhuroni vetëm një seri librash, por së bashku me
të ju do të jepni mikut ose mikes suaj pjesë nga vetja juaj, nga ajo që ju e
keni të shtrenjtë dhe duhet ta meritojë dikush që ta ketë atë.
Hape
zemrën dhe bëje shpirtin t’u flasë përjetimeve tuaja. Shtrije dorën që jep si
në një akt solemn lutjeje, dhe do të shohësh se vetë qielli do të derdhë mbi
atë bekim praninë e një begatimi hyjnor. Sepse keni zgjedhur të dhuroni atë që
është qiellore.
Bëj
një dhuratë të cilën do ta kujtosh gjithminë dhe nuk do të mjaftojë mirënjohja
e atij që ka privilegji ta meritojë. Nuk është vlefta monetare ajo që e bën
këtë kaq të vlertë, ndoshta as vetë vepra e një autori të madh, por libri, i
cili duke u dhuruar ju, i blatoheni këtij akti si dikur perëndive dhe zotave.
Asnjë
dhuratë nuk e ngre shpirtin e begatisë së zemrës së bardhë dhe dorës që lutet,
më shumë se sa përmes kësaj madhështi që e fisnikëron aktin.
Trego
me vepër se sa i e/i rëndësishëm je për dikë. Kësisoj ju keni dëshmuar se jeni
vërtetë ai/ajo.
Po,
s’pari kjo nuk është vetëm një dhuratë nga më të çmuarat që mund të keni marrë,
por është dhe do të mbetet një thesar në bibliotekën tuaj, një aset për
testament. Ju, jo vetëm do të gëzoni të drejtën tuaj për t’u krenuar për një
vlerë të paçim, por edhe do të keni legjitimitetin për të zotëruar historinë e
kombit shqiptar, e rrëfyer mjeshtërisht përmes një prej penave më të qenësishme
të lirësisë shqiptare, Ismail Kadare, atij që foli shqip kthjellshëm, duke e
psuruar fjalorin dhe lartësuar rrëfimin.
Ndoshta
ju jeni mësuar të merrni dhuratë të shtrenjta, dhe “Shtatë dekada krijimtari në
shtatë vëllime” të Kadare, nuk vijnë të të mbushin honin përpirës të
pamundësisë për të qenë i prekur nga një urim apo i mbushur nga një dhuratë,
por ndoshta vijnë si një ogur i mirë për të besuar se jeta na pamundëson shumë
gjëra duke mos u kursyer të na japë gjithçka, kur heziton të na mbushi
shpirtrisht.
Kurrë
nuk është vonë për të bërë pjesë të jetës tënde përrallore librin, duke filluar
me “Shtatë dekada krijimtari në shtatë vëllime” të Kadaresë, botime Onufri, i
keni dhënë jetës suaj një dimension të ri, gjërave të zakonshme i keni pagëzuar
me pagëzimin e një akti.
Hudhri shkruan një vit
më parë
“Ky
opus shtatëvëllimësh është më i ploti i botuar deri më sot dhe e paraqet
krijimtarinë e Kadaresë në përmasën integrale të saj, duke mbetur përgjithmonë
versioni përfundimtar dhe referencial për të gjitha botimet e mëvonshme në
shqip dhe në gjuhët e huaja.”
“Nuk
ka fat më të bukur për një botues se të jetë i pranishëm në jetën krijuese të
një shkrimtari si Kadareja, i cili i rishikon shkrimet e tij sa herë i jepet
mundësia, me synimin e vetëm për t’i përmirësuar artistikisht e, sidomos,
gjuhësisht., shkruan Bujar Hudhri një vit më parë ndërsa prezantonte
shtatëvëllimshin e veprës së plotë të Kadaresë.
Gjatë
tri viteve kur përgatitej kolana prej njëzet vëllimesh, ai lexoi kryekreje çdo
libër të tij. Ndërkohë, në studion e tij, në kafenenë e preferuar, ndërsa ndjek
nga afër ndryshimet, ndreqjet dhe përmirësimet që autori i shënon me dorën e
tij mes rreshtave, në fund të tekstit apo anash faqeve të dorëshkrimeve të
veprave të dikurshme, e ndihesh sikur ke qenë i pranishëm në kohën kur ato janë
shkruar, para viteve nëntëdhjetë. Një mrekulli krejt tjetër ka qenë procesi i
botimit të krijimeve të reja të autorit. Përherë, pasi dilnim nga bar
“Juvenilja”, ecnim në natyrë, në Parkun e Madh te kodrat e liqenit, ai niste të
tregonte vijimin e subjektit, të cilin ende nuk e kishte hedhur në letër. Si në
një ëndërr, sheh si të shkasin nëpër gishtërinj grimca ari, po ashtu e ke të
pamundur të fiksosh magjinë e fjalëve kur je ti i vetmi që po i dëgjon. Në ato
orë të paharrueshme, sikur të mos ishin të kësaj bote, më pushtonte gjithmonë
një ndjesi: sa do të doja t’ia përcillja në çast lexuesit gjithçka dëgjoja dhe
përjetoja! Po si mund të arrihej kjo? Vërtet botuesi është një ndërmjetës midis
autorit dhe lexuesit, por ai mund të bëhet edhe pengesë mes tyre. Nga përvoja
tridhjetëvjeçare me një klasik të gjallë të letërsisë botërore, kam mësuar se
si arti i botimit dhe i shtypit të kësaj kolane të bëhej i padukshëm, që
lexuesi i tij shqiptar, i tanishëm dhe i ardhshëm, kudo në botë, të dëgjonte
përhershëm vetë jehonën e zërit të Kadaresë.
Jemi një vit më pas
Kurrë
nuk është folur për librin më shumë se sot, por kurrë më pak nuk është bërë për
të, që ai të jetë një udhëprirës shpirtëror, një forcë e transformimit dhe
emancipimit të shoqërisë.
Libri
u ndalua, u linçuan autorë, u masakruan predikuesit e fjalës, por kurrë nuk u
guxua sa sot, që ata të cilët ushqehen me baltën psikosociale Big Brother të
flasin për librin dhe të madhështojë këtë misionar të shëlbimit me duart e
pista dhe mendjen e molepsur prej këtij rituali naivitetesh të djallja që hyjnë
helmët në gjakun tonë.
Dikur
librat digjej si heretikët, të gjallë në turrën e druve, sot ai përdoret si
mjet arredimi, dhe kjo për fajin e librit, i cili s'ka mundur të jetë më shumë
se si i tillë për ata që i lejoi të bëhen të pasur që sot nuk i ndalon dot të
jenë dru. Në këtë botë apokaliptike, dikush Bujar Hudhri guxon duke besuar dhe
përkundër të gjithëve kërkon të sjellë në jetë, “Shtatë dekada krijimtari në
shtatë vëllime” e Ismail Kadare. Ai nuk është thjeshtë një botues i të madhit
të mëdhenjve të letërsisë shqipe, ai është ai që beson ende në altarin ku ne
gjunjëzohemi dhe lutemi.