Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Lotët e dhimbjes biblike në art, "Shkëputja nga Kryqi", një nga kryeveprat e Rogier van der Weyden
E premte, 05.04.2024, 06:52 PM
Lotët e dhimbjes biblike në art, "Shkëputja nga Kryqi", një nga kryeveprat e Rogier van der Weyden
Nga
Albert Vataj
"Shkëputja
nga Kryqi" është një pikturë e artistit flamand, Rogier van der Weyden.
Pretendohet se vepra është realizuar në vitin 1435. Pas një vargani të gjatë
peripecishë të poseduesit të saj, aktualisht ajo ndodhet në Museo del Prado,
Madrid. Në këtë vepër të të mirënjohurit Rogier van der Weyden, tregohet,
Krishti i kryqëzuar, që është zbritur nga kryqi. Trupi i tij i pajetë i mbajtur
nga Joseph i Arimathea dhe Nikodemus, tregohet përmes një shkrehjeje blatuese e
hyjt. Vullneti i të dërguarit të krijuesit, i ishte dhënë vdekjes si dëshmi e
shlyerjes së një bote mekatnore, dhe se pikëllimi që trondit në këtë tablo
është vetë qielli që zbret për të njomur plagët e kryqit dhe zhuritjen e
shpirtrave.
Ky
jetësim, i një prej momenteve kyçe të historisë së Krishtërimit, është
përcjellë me një dramacitet të pashembullt. Dhimbja dhe lotët, janë detaje që
bëjnë dallimin prej shumë veprave që e kanë trajtuar këtë moment, e kanë
jetësuar atë nga të tjerë mbretër të penelit.
Lotët,
kanë mbërritur deri në ditët e sotme, duke sfiduar afro 6 shekuj, me atë
kthjelltësi dhe shkujdesje, me atë valë përvëluese pikëdhimi.
Shën
Maria, ka ardhur me një të mërmertë të akullt, me një trishtim që nuk
përngjason në asnjë të mëhershëm dhe të mëvonë, që u rrekën të plazmonin në
eterin e krijimit, dramacitetin e këtij momenti.
Kjo
punë u realizua në fillim të karrierës së Rogier van der Weyden, fare pak kohë
pasi mbaroi periudhën e kualifikimit të tij nga Robert Campinin, një
personalitet i asokohshëm i pikturës, i cili la gjurmë të pashlyra te mjeshtri
i ardhshëm flamand.
Në
këtë tablo, një vdekje shndërruese, ka marrë në krahë jo vetëm Jezu Krishtin,
por edhe nënën e tij, e cila vjen përmes kësaj pune në një dualitet shuarje dhe
hyjnizimi përmes sakrificës. Pozicioni i shkrehjes është i njëjtë si i Jezusit
që është zbritur nga kryqi. Maria, pranë tij, mban veshur një mantel ngjyrë blu
të thellë. Diçka e themeltë brenda Saj është shuar, duke fikur edhe çdo dritë
jete tokësore edhe në Të. Jo vetëm pikëllimi dhe dhimbja e një nëne, por vetë
misioni i saj është në këtë trajtesë, një mëkim i përplotësuar i gjithë asaj
game elementesh përbërëse që e vërteta biblike perceptohet kësisoj nga Rogier
van der Weyden.
Historianët
e artit kanë komentuar se kjo ishte padyshim piktura më frytdhënëse holandeze e
kryqëzimit të Krishtit dhe se e tillë ishte kopjuar dhe përshtatur në një
shkallë të madhe në dy shekuj pas përfundimit të saj.
Ndikimi
emocional i vajtuesve të dhimbshëm që trishtohen për trupin e Krishtit dhe
përshkrimi i hollë i hapësirës në veprën e Van der Weyden, kanë gjeneruar
komente dhe kritike të pafundme. Një nga zërat e përfshirë në këtë betejë ishte
Erwin Panofsky, i cili ka thënë: "Mund të thuhet se lotët e pikturuara
janë një nga perlat e ndritshme që lindin nga emocione të forta, ato që pëlqyen
më së shumti italianët te piktura e hershme flamande: shkëlqim në pikturë dhe
ndjenja shpërthyese dhe tejet të gjalla, përshkuese".
Pak
kanë mundur të mos përloten prej këtyre lotëve. Të gjithëve na përket kjo
sakrificë dhe na shpërblen ringjallja.