Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Faktet që na ndihmojnë të njohim më mirë gjeniun e çuditshëm të fizikës, Albert Ajnshtajn
E premte, 19.04.2024, 07:56 PM
Albert
Einstein, Vjenë, 1921
Faktet
që na ndihmojnë të njohim më mirë gjeniun e çuditshëm të fizikës, Albert
Ajnshtajn
Nga
Albert Vataj
A
e quani me vlerësim mikun tuaj ‘Ajnshtajn’, për cilësitë e tij gjeniale? Nëse
po, atëherë nuk jeni i vetmi që e bëni këtë. Njerëzit në mbarë botën nderojnë
miqtë dhe të njohurit e tyre me titullin “Ajnshtajni”, për shkëlqimin e
papërlyer dhe mendjen gjeniale të personit. Ndërsa mund të ketë shumë mendje
gjeniale të vendosura në punë deri më sot, vetëm një herë në shekull lind
dikush si Albert Ajnshtajni. Shekulli i 19-të, jo vetëm që dëshmoi lindjen e
Albert Ajnshtajnit, por bashkë me të, lindjen e Fizikës moderne. I njohur me të
drejtë si babai i fizikës moderne, Albert Ajnshtajni ishte, pa dyshim, fizikani
më me ndikim i shekullit të 20-të. Me kërkimin dhe gjetjen e tij, Ajnshtajni
krijoi një revolucion në fushën e shkencës. Ndër veprat e tij të shumta: (a)
teoria e përgjithshme e relativitetit, e cila ofroi një përshkrim të unifikuar
të gravitetit si një veti gjeometrike e hapësirës dhe kohës, dhe (b) efekti
fotoelektrik që themeloi teorinë kuantike brenda fizikës, janë më të
rëndësishmet. Gjatë jetës së tij, Ajnshtajni botoi më shumë se 300 punime
shkencore, përveç 150 punimeve joshkencore. Ai ishte marrës krenar i çmimeve të
shumta, si Çmimi Nobel në Fizikë, Medalja Copley, Medalja Matteucci dhe medalja
Max Planck. Përveç këtyre, ai është vlerësuar edhe nga revista Times si Personi
i Shekullit. I tillë ishte kontributi i tij për njerëzimin, saqë emri i tij
Ajnshtajni është bërë sinonim i të qenit “gjeni”.
Mbamendja
e historisë njerëzore nuk ruan në kujtimet e saj një të dytë si ai. Asnjëherë
nuk ka gjalluar faqe kësaj toke një krijesë kaq e jashtëzakonshme dhe kaq me të
papritura. Një jetë të tillë të stuhishme dhe rrapëllitëse, s’kishte kapluar as
marinari më i stërvitur i deteve. Ai u dha vullnetlirë nëpër krejtçka përbën
ndryshesat, kapërcyellin dhe kaplimin në kreshtën më të lartë të famës, ku u
ngjit, për të mos zbritur sandejmi askurrë. Ç’skutë e errët e mendjes
njerëzore, universit dhe kureshtisë ishte, ku ai nuk u kredh si një eksplorator
triumfues. Si krejt gjenitë e tjerë edhe Albert Ajnshtajn e gatuan çdo mozaik
të jetës së tij në shtjellën e të papriturave dhe befasive, diku-diku
cingëritëse, të debatueshme dhe të larë nga shkëlqimi i lavdisë, tjetërkund. Ai
erdhi dhe iku si një përjashtim.
Ajnshtajni ishte një
bebe e shëndoshë me një kokë të madhe
Kur
nëna e Albertit, Paulinë e lindi, koka e tij ishte kaq e madhe dhe e
shtrembëruar, sa ajo kujtonte se mos ishte i deformuar. Ngaqë fundin e kokës e
kishte shumë të madhe, familja mendoi mos ishte monstër. Megjithatë, ndërsa
javët kalonin, ata e kuptuan se ishte një fëmijë gati normal me të tjerët.
Thuhet se gjyshja e tij ka klithur “është i shëndoshë, është i shëndoshë”, kur
e ka pritur të lindte. Ndryshe nga përshtypja e parë, Alberti u rrit
normalisht, vetëm se ishte pak i ngadaltë.
Ajnshtajni-fëmijë kishte
vështirësi në të folur
Kur
ishte fëmijë, Ajnshtajni fliste rrallë. Kur e bënte, fliste shumë ngadalë. E
mendonte të gjithë fjalinë në kokë dhe e pëshpëriste para se ta thoshte. Këtë e
bëri rregullisht deri në moshën 9-vjeçare. Prindërit trembeshin mos ishte i
vonuar, por sigurisht më vonë doli se frika e tyre ishte pa baza. Kjo është
quajtur sindroma e Ajnshtajnit. Një historian ka krijuar një barsaletë.
Prindërit e tij ishin të shqetësuar se nuk fliste fare. Kur një mbrëmje foli
dhe tha “Supa është e nxehtë”, prindërit e pyetën pse nuk kishte folur më parë.
Ai i përgjigjet: “Sepse gjithçka ishte në rregull”.
Ajnshtajni është
frymëzuar nga një busull
Kur
Ajnshtajni ishte pesë vjeç dhe i sëmurë në shtrat, babai i tregoi diçka që i
ndezi interesin në shkencë: një busull. Ndërsa qëndronte i shtirë, babai i
nxori një busull të thjeshtë xhepi. Ajo që i interesonte Ajnshtajnit të ri
ishte se sa herë që kutia ndërronte pozicion, gjilpëra kthehej në të njëjtin
drejtim. Ai mendoi se duhet të kishte ndonjë forcë në atë që konsiderohej si
hapësirë boshe që e bënte gjilpërën të lëvizte. Ky incident i zakonshëm në
shumë “fëmijërira të famshme”, është përmendur shpesh në shumë rrëfime të jetës
së tij.
Ajnshtajni ngeli në
provimin e hyrjes për në universitet
Në
vitin 1895, në moshën 17-vjeçare, Albert Ajnshtajn aplikoi për të hyrë në
Shkollën Politeknike Federale Zvicerane (Eidgenössische Technische Hochschule).
Ai kaloi provimin e matematikës dhe të shkencës tek provimi i hyrjes, por ngeli
tek të tjerat. Ndër lëndët ku nuk shkonte mirë ishte historia, gjuhët e huaja,
gjeografia dhe të tjera. Ajnshtajni duhet të regjistrohej në një shkollë
tregtare para se ta ribënte provimin dhe më në fund u pranua tek i njëjti
universitet një vit më vonë.
Ajnshtjni kishte një
fëmijë të paligjshëm
Në
vitin 1980, letrat private të Ajnshtajnit kanë zbuluar diçka të re për gjeniun.
Kishte një vajzë të paligjshme me ish-studenten Mileva Mari?, të cilën më vonë
e martoi. Në vitin 1902, një vit para martesës, Mileva lindi në familjen e
prindërve në Berne një vajzë me emrin Lieserl, të cilën Ajnshtajni kurrë nuk e
pa dhe për të cilën nuk dihet gjë. Ajo është pagëzuar dhe jetoi me familjen e
Milevës. Më vonë ajo thotë se vdiq nga ethet në shtator 1903. Në
korrespondencën e çiftit shkruhet se është dhënë për birësim pasi ka lindur. Në
letrën e 19 shtatorit 1903, Lieserl Einstein-Maric përmendet për herë të
fundit.
Ajnshtajni u largua nga
gruaja e parë, pastaj propozoi një “kontratë” të çuditshme
Pasi
ai dhe Mileva u martuan, patën dy djem, Hans Albert dhe Eduard. Suksesi
akademik dhe udhëtimet nëpër botë kishin çmimin e tyre. Ai u distancua nga
gruaja e tij dhe për disa kohë çifti u përpoq të merrej me problemet.
Ajnshtajni propozoi një “kontratë” të çuditshme për të jetuar me Milevën.
Kushtet ishin që rrobat të ishin të pastra dhe të hekurosura, që t’i çonte tre
vakte të ngrohta në dhomë, që dhoma dhe studioja të ishin të pastra, përveç
tavolinës së punës, që ajo të pushonte së foluri kur ai t’ia kërkonte. Ajo
pranoi dhe ai i premtoi se do ta konsideronte të huaj çdo grua tjetër.
Ajnshtajni nuk shkonte
mirë me djalin e madh
Pas
divorcit, marrëdhënia e Ajnshtajnit me djalin e madh u lëkund. Hansi fajësonte
të atin për ndarjen nga Mileva dhe pasi Ajnshtajni fitoi Çmimin Nobel dhe
paratë, se i dha asaj vetëm interesat dhe jo shumën e madhe të çmimit. Grindjet
mes tyre u shtuan kur Ajnshtajni kundërshtoi martesën e djalit me Frieda
Knecht, sepse ajo ishte “më e madhe dhe e shëmtuar”. Kur ata u martuan,
Ajnshtajni i kërkoi djalit të mos bënin fëmijë, pasi kjo do ta bënte divorcin
edhe më të vështirë. Edhe mamaja e Ajnshtajnit e kishte kundërshtuar martesën
me Milevën. Kur i biri emigroi në Amerikë, ata mbetën të ndarë.
Ajnshtajni ishte i
preferuari i grave
Kur
Ajnshtajni u divorcua me Milevën në vitin 1919 (tradhtia cilësohet si një nga
shkaqet), ai u martua me kushërirën, Elsa Lowenthal. Në të vërtetë ai donte të
martohej edhe me vajzën e Elsës nga një martesë e mëparshme, Ilse, 18 vjet më e
re se ai, por ajo e kundërshtoi. Ndryshe nga Mileva, shqetësimi kryesor i Elsës
ishte të kujdesej për burrin e saj të famshëm. Ajo i dinte dhe i toleronte
tradhtitë dhe lidhjet dashurore të tij, të cilat zbulohen më vonë tek letrat e
tij. Fillimisht e tradhtoi me sekretaren, Betty Neumann. Korrespondenca e tij
tregon se ishte i lidhur me gjashtë gra, mes tyre dhe një spiune ruse.
Ajnshtajni, një pacifist
lufte, sugjeroi ndërtimin e bombës atomike
Në
vitin 1939, i alarmuar nga shumimi i Gjermanisë naziste, Leo Szilard e bindi
Ajnshtajnin t’i shkruante një letër presidentit amerikan, Franklin Roosevelt,
ku e paralajmëronte se Gjermania naziste po zhvillonte një bombë atomike dhe i
sugjeronte Shteteve të Bashkuara të zhvillonin bombën e tyre. Letra e
Ajnshtajnit dhe Szilardit konsiderohet si një nga arsyet që Roosevelti filloi
Projektin Manhattan për të zhvilluar bombën, edhe pse më vonë u zbulua se
bombardimi i Pearl Harbor në vitin 1941 e bindi më shumë qeverinë se sa letra e
tyre. Edhe pse ishte fizikan i shkëlqyer, ushtria e konsideronte si rrezik
sigurie dhe nuk e ftuan në projekt.
Truri ka shëtitur në
kavanoz për 43 vjet
Pas
vdekjes në vitin 1955, truri i Ajnshtajnit u hoq pa lejen e familjes nga Thomas
Harvey që kreu autopsinë. Ai e mori trurin në shtëpi dhe më vonë u pushua nga
puna për shkak se refuzoi ta dorëzonte organin. Shumë vite më vonë, kur Harvey
mori leje nga Hansi ta studionte trurin, i dërgoi copëza disa shkencëtarëve në
të gjithë botën. Njëra prej tyre ishte Marian Diamond nga Universiteti Berkeley,
e cila zbuloi se ai kishte më shumë qeliza në atë pjesë të trurit që ishte
përgjegjëse për sintetizimin e informacionit. Neuronet e trurit të tij, që
ishte më i madh se normalja, komunikonin më mirë me njëri tjetrin.