Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Miq poetë!
E enjte, 18.04.2024, 07:54 PM
Miq
poetë!
Nga
Albert Vataj
Me
përulësinë e një ndjenje respekti të epërm dhe një konsiderate që e fisnikëron
një marrëdhënie, duke e sublimuar atë deri në caqet e shpërblimit hyjnor, ju
lutem të më pranoni të ndaj me ju një mendim, i cili qëndron në themel të këtij
komunikimi dhe gjithëasaj nevoje, për ta pranuar njëri-tjetrin dhe bashkëndarë
me shoshoqin mendime dhe ide që e bëjnë interesin tonë një gjenerim energjie
për të qenë gjithnjë të veshur me dritë dhe mishëruar me shpirtje krijuese.
Miq
poetë...
...
ju që me pasurinë tuaj shpirtërore, burimet e pashtershme të fjalës dhe
përjetimit, dëshirimit për prehje të hyjshme dhe padurimit për promovim, do t’u
lutesha që të ishin më të rezervuar në publikimin e krijimtarisë suaj. Një gjë
duhet të kuptoni dhe të përpiqeni të pranoni. Ata që ju lexojnë, janë më pak se
ato që ju komentojnë, por ata që janë mërzitu me ne janë shumë më shumë. Dhe
kjo nuk ka të bëjë padurimi dhe padëshira e tyre për të na pranuar, se sa
dëbimi që i kemi bërë atyre që me një krijimtari jo fort e dëshirueshme për ta.
Spariherë, duhet të përpiqemi të mos bëhemi të mërzitshëm për ato pak miq që
kanë mbetur dhe kanë mirësinë ta përcjellin krijimtarinë tonë.
Miq
poetë...
Lëreni
poezinë spariherë të flasë me ju, të dëgjoni njëri-tjetrin, përpara se tellalli
ta telendis talentin, ta shpërdorojë magjinë e zërit të shpirtit dhe ta
katandisë artin më hyjnor, poezinë në një zakonshmëri.
Nuk
është e thënë që e vetmja mënyrë me të cilën ju të komunikoni me miqtë të jetë
poezia dhe vetëm poezia, edhe pse ajo ishte e para që pikoi nga qielli dhe me
tharmin e vet ngjizi perëndi dhe shenjtorë, kurorëzoi bardë dhe hyjnoi
korifenj.
Këshilla
ime është e sinqertë sa ç’është e urtë dhe dashamirëse.
Ndoshta
sot publikimi i një poezie, një cikli poetik apo të një libri më poezi, nuk është
problem, siç ishte dikur. Por është problematike konsiderimi i nevojës për
protagonizëm, i vëmendjes së të tjerëve, krehjes së sedrës, lajkatimit,
vetëmburrjes, lavdisë së rreme.
Portalet,
fanpages, forumet, gazetat, botuesit dhe çdo forme tjetër prezantimi, duke
shprehur interesim dhe gadishmëri për poezinë tuaj, ata nuk po ju bëjnë nder
ju, ata thjeshtë po ju përdorin dhe ju duke lejuar që kjo t’u pëlqejë, sjell
shpërdorimin e poezisë si vlerë dhe krijimtarinë tuaj nuk e lënë të rritet,
poeti tek ju nis jo vetëm ti pëlqejë vetja, por t’i mjaftojë edhe ajo që ka
arritur, e cila fatkeqësisht është gjithnjë e pamjaftueshme.
Ndoshta
duhet të keni më besim te vetja se sa tek ata, të cilët duke ju bërë qejfin,
nuk ju japin mësimin e duhur, nuk lejojnë që poeti tek ju të justifikojë
talentin, puna dhe përkushtimi me pasion të dëshmojë vlerat tuaja të njimendta.
Bëni
durim, poezinë që keni shkruar, lejojeni të pushojë. Lëreni lumin të
kthjellohet para se të hynë për të dalë në anën tjetër. Dreqi e mori, merruni
edhe me ndonjë gjë tjetër, ndërkohë që prushi i zjarrit të përjetimit të vishet
me hi, dhe ju ta merrni atë për të qenë ju Prometeu i admiruesve tuaj.
Ndoshta
ajo që keni thënë në një shpërthim poetik është më pak se keni përjetuar, dhe
lejimi që emocioni të ftohet, nuk e shuan shkëlqimin por i jep mundësi asaj të
shpërthjë në errësirë, duke mbushur me dritë.
Ndoshta
mënyra që keni zgjedhur të shpreheni në këtë apo atë poezi, nuk e përfaqëson sa
dhe si duhet pulsin tuaj shpirtëror. Këtë do të mund ta kuptoni kur të
përputhni përjetimin dhe përshkrimin. E atypëratyshmja ka nevojë për kohëshmëri
për tu ngjizur. Është e domosdoshme të rishikohet në një moment të qetë një
gjendje e tendosur emocionale.
Poetë,
përpiquni të jeni artistë dhe të bëni siç bëjnë të gjithë artistët e zhanreve
dhe gjinive të ndryshme, të cilët në kërkim të përsosmërisë, nënshtrojnë
padurimin për spektakël dhe vëmendje, egon e sëmurë e vënë në fre, narcistin e
kyçin diku në mospërfillje, dhe bëjnë çfarë duhet bërë; piktori nis me vijëzime,
skulptori gjuan një formë me baltë për të mbërritur te boceti, muzikanti
pëshpërit në heshtje tinguj dhe melodi para se t’i hedh ato në nota, balerini
derdh lumenj djerse, deri sa të mbërrijë në skenë, aktorit i duhet të vishet me
mishin dhe shpirtin e personazhit, që të mbërrije deri te duartrokitja,
atletrit nuk i mjafton koha por e vjedh për të mbërritur te trofeu, etj., etj..
Të
gjithë përpiqen, punojnë shumë, shumë, maten dhe mendojnë gjatë, pasi kanë
hedhur farën në tokën që kanë lëruar dhe plehëruar, presin që ajo të mbijë, për
t’i shërbyer dhe mbarështuar.
Ndoshta
edhe zeja e poetit nuk është aq e lehtë sa e mendojmë, nuk mund dhe nuk duhet
kurrsesi të shpërfillet aq sa ne ta shpërdorojmë, penën para se ta ngjyesh në
bojë, duhet ta ngulësh në mish, para se fjala të dalë nga ti, të guxosh ti të
hysh brenda përjetimit që kërkon të flasë.
Nuk
paragjykoj askënd për mënyrën se si shkruan, por binduni se nuk do të ketë
mëshirë askush që guxon të të thotë, se ajo që ti ke shkruar është një gjë që
nuk vlen, sikurse pakkush do të ketë mirësinë të jetë i hapur, bashkëpunues dhe
vlerësues korrekt i një pune krijuese. Poet, je i vetëm në këtë luftë të ashpër
dhe këtë ndeshje titane. Edhe pse në qiell ka vend për çdo yll, përpiqu që ylli
yt të shkëlqejë më shumë. Këtë e ke në dorë ti dhe vetëm ti, dhe mos gabo të
presësh ndonjë mentor krijues të të kapë përdore, apo një astrolog të lexojë
fatin tënd. Je ti që e shkruan atë dhe bëj çmos ta shkruash siç do të dojë të
ishte.
Ndoshta
duhet të lexoni dhe mendoni më shumë, jo se është e pamjaftueshme ajo që ju
rrit dhe e përsos artin tuaj, e pasuron fjalorin tuaj, por asnjëherë nuk është
mjaftueshëm për të kërkuar dhe gjetur çfarë ju e kuptoni se ju mungonte vetëm
atëherë kur është e juaja.
Ndoshta
nuk duhet të keni frikë nga kritika e vetvetes më shumë se sa të lumturoheni
nga lajkat e atyre që i lidh fare pak poezi dhe aspak vlerësimi korrekt.
Jo
gjithçka që ju shkruani, duhet me padurim të publikohet, në një postim të
thjeshtë, libër ndoshta.
Duhet
të keni respekt spariherë për poezinë, s’dyti për poetin që përfaqësoni.
Na
lini të na marrë malli për një poezi të bukur, të magjepsemi nga fjalët që
nxorët nga shpirti, të dashurohemi siç ju dashuria ju thërret. Le të përpiqemi
të lexojmë dhe të kuptojmë njëri-tjetrin, sa dhe si duhet.
Nuk
kam asgjë personale me asnjërin prej jush, siç e kam me vete s'pari dhe me të
gjithë ju, që mundni dhe duhet të jepni më të mirën tuaj. Në këtë kohë
promovohen të gjithë, por rreziku që secili nesh mund të anatemohet, të
paragjykohet, të prrallet e të denigrohet, është po kaq i madh sa dhe mundësia
e gjithkujt për bërë poetin, se na qenka bërë e modës, apo se e ke të mundur të
zësh një vend në panteonin e rrem të ububushmërisë së rrjeteve sociale, portale
apo web-eve.
Për
asnjërin nuk e kam me t'keq. Besova n'veten time, se kjo është një mënyrë për
të qenë dhe mbetur poet, edhe pse në të rrallë guxon dhe nxjerr përnjimend
poetin, publikisht.
Jam
i bindur se dikush do ta marrë keqkuptueshëm këtë mendim timin, ndoshta edhe
ajo që shkruante poezi dhe më kërkoi t'i redaktoja librin që e kishte shkruar
në celular.
Lërini
lajkat, kortet e lavdërimet, ledhat e spitullimet folklorike të rrjeteve
sociale. Lexoni poetët që dashuroni, apo poetët që koha nuk ka mundur t'i flaki
tej si hedhurina, siç nuk do të ketë mëshirë ta bëjë me secilin nga ne, për të
kuptuar se ku ka mbërritur krijimtaria juaj.
Faleminderit
atyre që patën durim dhe më ndoqën, spariherë atyre që gjejn diçka që vlen në
këtë komunikim, që do t'u shërbejë për t'i parë dhe vlerësuar pritshmëritë, siç
janë.
Ju
du dhe ju adhuroj, sepse edhe ju jeni poetë si dhe unë.