Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Ibrahim Kodra, ai që zbuloi në pikturë “sekretin e madh të papërshkrueshëm të alkimistit”
E hene, 22.04.2024, 08:20 PM
Ibrahim Kodra, ai që zbuloi në pikturë “sekretin e madh të papërshkrueshëm të alkimistit”
Nga
Albert Vataj
Kodra
ngjitet në elitën e artit të Europës si një vlerë unike. Ka një koleksion të
pasur çmimesh, ku mund të evidentojmë: Medalja e Artë e Akademisë Franceze,
“Qytetar Nderi” në shumë qytete të Italisë, çmimi “Ambrogini i Artë” nga
Bashkia e Milanos. Më 1996, Presidenti Sali Berisha i akordon titullin e lartë
“Nderi i Kombit” për atë që ishte dhe mbeti i tillë.
Vepra
e Kodrës, gjendet në të gjithë botën, galerinë prej 6000 punësh të tij përbëjnë
visaret e çmuara në muze, galeri, e koleksione private. Vepra e tij është
pasuri botërore dhe kombi ynë nderohet me të.
Ekspozon
së bashku me Picasso, Dufy, Dali, Modigliani, Ernest, Mattisse e të tjerë
personalitete të kohës.
Kodra,
i vlerësuar edhe si ftillues i një qytetërimi të ri, "i fundmi i
postkubistëve", kishte pasur fatin që në botën shqiptare, Prishtina e para
ta zbulonte famën e tij evropiane. Edhe ekspozitën e parë në tokën arbërore do
ta mbajë më 1968 në Prishtinë, ndërsa në Shqipëri ende ishte "i
panjohur". Dhe vetëm në vitin 1974 për herë të parë do të ekspozojë
pikturat e tij, që kishin mrekulluar botën, që deri në fund të jetës sipas
studiuesve kishte krijuar rreth 6 mijë sosh.
Për
herë të fundit në Kosovë do të ekspozojë në Galerinë e Arteve të Kosovës, në
vitin 2003 ku pat hapur ekspozitë personale, ndërsa që një pjesë e punimeve të
tij janë në fondin e Galerisë. Po këtë vit edhe Tiranën do ta vizitojë për herë
të fundit dhe poashtu për herë të fundit do të ekspozojë. Në Galerinë Kombëtare
të Arteve të Shqipërisë ruhen vetëm 2 tablo origjinale të kodrës të viteve
"30 dhe disa litografi, riprodhime të temës “Shqipëria fantastike".
Të mëdhenjt për të
madhin e tablosë shqiptare
Kritiku
me zë Carlo Munari thotë për mjeshtrin shqiptar: “Nëse Kodra do t’ kish jetuar
në kohë të moçme, në vend të piktorit ai mund të kishte qenë fare mirë një
alkimist”. E Munari nuk e ka fjalën vetëm për aftësitë e mahnitshme të
mjeshtrit me transformuar në formë e në ngjyrë kryevepra të post-kubizmit,
abstraktimit, apo asaj që un do ta quaja Kodrizmit.
Kritiku
flet padyshim edhe për procesin e zhvillimit të krijimtarisë se artistit. Si
dhe alkimisti i hershëm i cili ndërmerr udhëtimin e gjatë e të vështirë që sot
quhet ‘procesi i identifikimit’, edhe Kodra kryen të njëjtën rrugëtim duke
ri-zbuluar dhe ri-përkufizuar vetveten përgjatë procesit. Mjeshtri ynë me aq hijeshi zbret e ngjitet
nëpër neper guvat e origjinave e qytetërimeve të lashta të Mesdheut, me
deshifruar e përcaktuar me mjete gjithmonë e më të reja e të larmishme atë që
Munari e quan “sekretin e madh të papërshkrueshëm të alkimistit”.
Ibrahim
Kodra… " primitivi i një qytetërimi të ri", kësisoj e ka përkufizuar
më 1947, poeti francez, themeltari i lëvizjes surrealiste, Paul Eluar kumtin e
penelatës së shqiptarit nga Ishmi i Durrësit, Ibrahim Kodra.
''Miku
im piktor shqiptar! Një piktor i veçantë! Edhe firma juaj është një vizatim, si
veprat e tua”, ndërmendim ti ketë thënë Ibrahim Kodrës spanjolli i
bashkëthemelimit të kubizmit, kulmëtari i artit të shekullit XX, Pablo Picasso
(25 tetor 1881-8 prill 1973), i cili u njoh me Ibrahim Kodrën gjatë një
Konference Ndërkombëtare të Paqes më 1948.
"Ai,
– shkruan Hans Kinkel në “Stuttgarter Zeitung” më1959 – është konsideruar si
një prej më të mëdhenjve të gjeneratës së re të piktoreve italianë. Në pikturat
e tij ka një origjinalitet midis lirizmit dhe gjeometrisë. Pëlqen ngjyrën e
kaltër që e luan në të gjitha tonalitetet, duke e bërë pjesë themelore të
shprehjes. Lirizmi i lehtë, është një mënyrë gati "naive" qe na
kujton Paul Klee"
"Lirizëm
dhe magji, por edhe autenticitet, në të cilin drama antike dhe moderne janë në
konflikt me njëra-tjetrën…" citon Francesco Carbone.
"Me
një sintezë kapriçoze, abstragime gjeometrike dhe kompozime piktoreske, Kodra
arrin efekte të mrekullueshme të peizazheve detare…" njëmendet me 1959, Karl
Diemer.
Besoj
se njohja me veprën e tij ka rëndësinë e vet, sepse tek e mbramja, është një
figurë artistike me famë botërore dhe që i përket universit shqiptar.
Ka
ndodhur shpesh që jeta i tregohet koprace artistit në gjallje. I ka “mjelë”
frymëzimin e çdo dite, pa i kthyer shpërblimin. E kanë lënë jetën njerëzore pa
e ditur se më pas do të bëheshin pjesë e përhershme e historisë së artit. I
tillë ka qenë Ibrahim Kodra. E tillë është orvatur të gjegjet jetës së tij,
prej fëmijërisë e deri tek e vona.
Jetëshkrim për piktorin
Ibrahim
Kodra u lind në Likmetaj, në Ishëm të Durrësit. Në moshën 3-vjeçare mbetet
jetim, i vdes e ëma, Xhixha dhe rritet nga gjyshi Shabani. I ati Murati, ishte
marinar, njeri që donte detin dhe poezinë. Ibrahimi pati një fëmijëri të
vështirë si shumë gjeni. Punoi si disenjator për një tregtar të qytetit të
Durrësit. Vazhdon studimet në shkollën teknike të Harry Fultzit, ndjek kursin e
pikturës në shkollën e parë të vizatimit nën drejtimin e skulptorit Odise
Paskali, derisa bie në sy të drejtorit të doganave të Durrësit, i cili e
ndihmon të futet në oborrin mbretëror, ku edhe njohu direkt mbretëreshën
Geraldina, e cila më 1938-n e çon të studiojë në Itali me një bursë studimi nga
Oborri Mbretëror.
Në
Milano ndjek studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera. Ndjek kurset e
Aldo Caprit e më pas të Carlo Carra, përsa i përket pikturës, ndërsa për
skulpturën ndjek kurset e Francesco Messina.
Jep
me sukses provimet e pranimit në Akademi, e cila ende në atë kohë ishte shumë
rigoroze në pranimin studentëve dhe përzgjidhte ata që ishin të destinuar të
bëheshin të famshëm. Pas mbarimit të studimeve dhe mbarimit të Luftës së Dytë
Botërore ai përfshihet në lëvizjet artistike të Milanos, “Oltre Guernica”(1945)
dhe “Linea”(1947).