Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Librat dhe miqtë
E merkure, 24.04.2024, 07:44 PM
Librat
dhe miqtë
Nga
Albert Vataj
Ishte
një kohë që si librat edhe miqtë, jam përpjekur t’i përzgjedh. Por shumë shpejt
ndryshuan gjërat, miqtë ishin atë që më zhgënjyen të parët. Ndoshta puna shkoi
deri te shpirttrazimi. Ishte kjo periudhë kur më mbeti të përzgjedh librat dhe
të merrem fare pak me miqtë. Zëvendësuan njëri-tjetrin, përkohësisht. Miqtë
kërkonin kohë t’i jepja kënaqësi t’i dëgjoja, ndërsa librat kërkonin kohë, ndoshta
më shumë, të më jepnin kënaqësinë t’i lexoja. Miqtë më shpejt iknin se sa
vinin, por librat qëndruan aty me mua atëditë e sot. Kishte prej atyre librave
që më zhgënjyen, por asnjë prej tyre nuk shkoi deri te thyerja e zemrës apo
braktisja. Megjithatë më duheshin edhe miqtë, ndërkohë që me mjaftonte shoqëria
me librat. Realisht asnjë miku nuk i thash jo, kur ai pati mirësinë të bëhej
pjesë e jetës sime, siç nuk ka asnjë prej atyre që ikën, që mund të thotë se i
ktheva shpinën. Nga përvoja mësova diçka se shumë prej atyre miqve ndoshta ikën
ngase prania ime ishte e padurueshme, sepse gadishmëria për kotfare ishte e
papranueshme. Më duket se edhe llogjet apo bërllogu, nuk më bënin dhe aq mirë
për shëndetin. Por kurrë nuk ika, edhe pse pati prej atyre që kafenë ma bënë
helm, e ndejen ma zunë në fyt. Gjithsesi bëra ca pakte me miqtë, që nuk i bëra
me librat. I pranova, u përpoqa të isha vetja me ta. Shpesh kuptoja se
sinqeriteti im, duket se u’a përzinte zorrët, megjithatë unë nuk dita ndryshe,
sepse kuptoja, se kur dikush është aq afër teje, ndoshta pak gjëra janë ato që
të ndajnë me të dhe pse duhej që të kishte sekrete dhe të fshehta që ne të
vazhdonim të pranonim njëri-tjetrin. Me fjalë të tjera i pash dhe u përpoqa t’i
trajtoj miqtë si librat. Jepesha mish e shpirt. Nuk mësova kurrë të shtiresha,
të mbaja maskë, të më vinte turp, apo të ndihesha në faj për gjërat pafaj.
Kërkoja të njëjtën gjë nga librat, si edhe nga miqtë, të ishin të lexueshëm në
çdo faqe, dhe të andshëm në çdo përjetim. Por jo, ato ishin dhe mbetën ato, si
librat; që je mjaftuar me një të lexuar, madje kishte që kryeja punë me ta që
në faqet e para, por edhe një të shfletuar më mjaftonte. Gjithsesi nuk i flaka,
i vendosa në bibliotekën time, librat, miqtë janë duke sfiduar përditshmërinë,
duke shijuar lirinë dhe kënaqësinë e
jetës. Ndoshta edhe takohemi, ashtu formalisht si dy të njohur, që koha i ka
veshur me një zbehje duke i bërë të tejdukshëm, njëjtë si pluhuri mbi librat që
janë aty në pritje të një shpluhurosjeje apo shfletimi. Ka raste që disa
librave të harruar më shkrepet dhe nis t’i lexoj, ashtu si rikthimi i disa
miqve që gjejnë tek unë vendin që kanë patur, pa vramendjen e kohës që hyri në
mes, apo arsyet pa arsye që na ndau, si ato pak herë që më shkrepej të grisaj
faqe nga ndonjë libër, por duke i lejuar të mbeten aty si kujtesë e një
trazimi.
Kurrë
nuk e kam bërë, që një libër ta flaki, pa kopertinë qoftë, apo me faqe mangët,
i vërdhemun nga koha dhe tmerrësisht i vështirë për t’u lexuar me kofiçent të
rënë shikimi siç jam, si dhe miqtë, nuk pata shpirt ta bëja edhe pse më
shpirttrazuan mjaftueshëm për t'i urryer, por kurrë nuk e ligështova veten.