Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Ernest Koliqi, qëndrestari i paepur i rrëmeteve politike, dishepulli i dijes dhe apostull i risive
E hene, 20.05.2024, 07:58 PM
Ernest Koliqi, qëndrestari i paepur i rrëmeteve politike, dishepulli i dijes dhe apostull i risive
“Nuk
janë shum shkrimtarët t´onë, emni i të cilvet të njifet aq mirë në shtresat
letrare shqipe sá ai i Koliqit; të pakët janë atá, prodhimet e të cilvet të
kenë marrë aq hapt në çdo kând të Shqipnís, sá ato qi emnin e tij në çfaqje
kulturore gjithëfarësh, në botime nëpër fletore e revista të ndryshme, disá
prej të cilavet themelue dhe mbajt prej tij vetë, në botime veprash qi janë të
pacaktueme të zánë nji vend të dukshëm, dashtas e padashtas, në historín e
letrave t´ona.” - Karl Gurakuqi
Nga
Albert Vataj
Ai
do të ishte në kryeradhën e vepruesve vullnetmirë, të cilët kremtuan në
botëkuptimin e kohës dhe grishën në mbamendjen e brezave, visaret e njëmendta
të traditës dhe vlerave shpirtnore të shqiptarëve. Qëndruesi i paepur i stuhive
politike. I keqkuptuar dhe i anatemuar, kësisoj, prej çaprazit të rendeve
politike dhe kapërcyellit të ndryshesave, ku ai ishte personazh i spikatur.
Pakkush si ai, ishte i kudogjindshëm dhe
i vetvetishëm për aktin shqiptar të njohjes së përbotshme të asaj pasurie të
pashtershme. Si dishepull i dijes dhe apostull i krijimit, ai shëmbëlleu
mëtimin më të qenësishëm të shërbestarit të devotshëm të shqipes dhe
ngadhënjimtarit të ndryshesave në artin e rrëfimtarisë. Rrallëherë arsimi dhe
letërsia shqipe asht ndesh me një model të tjetërllojtë, ngase ai ishte.
Mbamendja shqiptare, në rrugëtimin e rrëmetshëm të vetëdijes kombëtarë, Ernest
Koliqit i ka lënë një vend në panteonin e nderit, anipse për një kohë të gjatë
emri dhe vepra e tij kaluan për nën tehun e anatemës dhe harrimit.
Ernest
Koliqi, mbamendet njeri me dije të thella, erudit, vizionar, mbartës i traditës
dhe trashëgimisë së vyeme shqiptare. Ky parak i modernitetit në letërsinë
shqipe, ngultas dhe me një kurajo të pashoqe sendërtoi në botëkuptimin e tij
krijues, në korpusin e sentimenteve estetike në kumt, risi dhe stil. Tematika e
trajtesës në krijimtarinë e Koliqit është dashtazi mbartëse e elementeve dhe
trajtimeve, të cilat u kthyen në shkreptima flakatare domethëniesh dhe kumtesh.
Nuk
janë shum shkrimtarët t´onë, emni i të cilvet të njifët aq mirë në shtresat
letrare shqipe sá ai i Koliqit; të pakët janë atá, prodhimet e të cilvet të
kenë marrë aq hapt në çdo kând të Shqipnís, sá ato qi emnin e tij në çfaqje
kulturore gjithëfarësh, në botime nëpër fletore e revista të ndryshme, disá
prej të cilavet themelue dhe mbajt prej tij vetë, në botime veprash qi janë të
pacaktueme të zánë nji vend të dukshëm, dashtas e padashtas, në historín e
letrave t´ona, mëton Karl Gurakuqi.
Duke
marrë shkas rreth një prej t’themeltave akte të Koliqit që është revista
“Shêjzat”, Martin Camaj shkruan “Shêjzat
shërbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shkencore
albanologjike në botë. Ato regjistruen në kroniken e tyne edhe ngjarje shoqnore
që në të ardhmen do të vlejnë sadopak si dokumentacion historik e kultural për
nji periudhë rreth njizet vjeçare”.
Periudha
kur ai u gjend për t’iu gjegjur mëtimeve të mëdha të udhëtimit të tij apostolik
të dijes dhe shqipes ishin domethënëse për fatin e shkollës dhe gjuhës shqipe
në trojet shqipjetuese, por edhe shkas për ta keqkuptuar rolin e patëdytë të
këtij Prometheu. Ernest Koliqi, ka qenë
ministër sekretar shteti i Arsimit që nga 12 prill 1939 deri më 3 dhjetor 1941.
Është kjo një nga periudhat kur në Shqipëri u krye një nga aktet më të mëdha
pas shpalljes së Pavarësisë, siç ishte dërgimi i mbi 400 mësuesve në të gjitha
trojet shqiptare për hapjen e shkollave dhe mësimin e gjuhës shqipe. Me plot
gojën do ta cilësoja këtë akt edhe si një shtrirje e Pavarësisë së trojeve
kombëtare në të gjithë hapësirën ku flitet shqip, por që për arsyet e pas
Konferencës së Londrës më 1913, këto troje mbetën jashtë kufijve shtetërorë të
trungut shqiptar. Në këtë kuptim, Ernest Koliqi nuk është vetëm një figurë e
shquar e arsimit mbarëkombëtar, por edhe një figurë e shquar e letërsisë dhe
kulturës. Ka një bibliografi të tërë me emrin e tij. Ka arritur majat në vitet
’30.
****
Më
20 maj 1903 u lind në Shkodër në një familje me origjinë nga Dukagjini, e rame
ma vonë në Anën e Malit, e masandej në Shirokë, Ernest Koliqi. Erdh në jetë
djali i Shanit dhe i Age Simonit, me vëlla Mikel Koliqin, t’parin kardinal
shqiptar, e tjerë vllazën, Viktorin, Guljelmin, Lecin, e motrat, Margeritën dhe
Terezinën. Ai do të ishte themeltari i narrativës modernë shqipshkruese, poeti,
romancieri, esseisti, përkthyesi, gazetari, dramaturg, vepruesi politik dhe
kontrubuesi i pashoq i kulturës kombëtare shqiptare në atëkohjen e potershëm të
shekullit XX.
Familja
në zanafillë kishte mbiemrin Kolaj, por nga tregtia e vazhdueshme me Malin e Zi
i mbet Koliqi nga një periudhë e mbrapa. Ndoqi mësimet e para në Kolegjin
Saverian të Jezuitëve. I ati, Shani e dërgon për të studiuar në Itali kur ishte
15 vjeç. Studion në Kolegjin Jezuit Arici në Breshia. Në gazetën “Noi giovani”,
të cilën e themelon vetë me disa bashkënxënës, boton poezitë e tij të para në
italisht. Më 1921 kthehet në Shqipëri dhe ristudion shqipen me themel, mentori
i tij, Imzot Luigj Bumçi e prezanton me përfaqësuesit më premtues të brezit
kulturor, si Kolë Thaçi, Kolë Kamsi, Lazër Shantoja, e Karl Gurakuqi. Në një
konkurs për himnin kombëtar, mes krijuesve, merr pjesë edhe Ernesti, i cili
vlerësohet me çmim të parë nga një juri e përbërë prej Gj. Fishtës, F.Nolit,
M.Frashërit, L.Gurakuqit. Dy vjet më pas themelon së bashku me patër Anton
Harapin dhe Nush Topallin, revistën “Ora e Maleve”, me drejtor gjegjës Shuk
Gurakuqin. Në vitin 1924, pjesëmerr zellshëm në shoqërinë patriotike
“Bashkimi”, e krijuar nga Avni Rustemi. Thirret më pas Luigj Gurakuqi në Tiranë
si sekretar personal. Emërohet gjithashtu sekretar i Ministrisë së Brendshme. I
nxitur nga Gurakuqi dhe miqtë e tij, dërgon në shtyp poemthin dramatik
“Kushtrimi i Skënderbeut”. Kjo vepër i dha shpresën për të hyrë përgjithmonë në
botën e letrave shqipe. Për shkak të lidhjeve të tij të reja politike,
detyrohet t’emigrojë për pesë vjet në Tuzla të Bosnjës për t’i shpëtuar ndonjë
goditjeje nga forcat zogiste, pas lëvizjes së dështuar të Nolit. Në vitin 1929,
i ndikuar nga ky rreth shqiptarësh, Koliqi shkruan vëllimin me tregime “Hija e
maleve”, vëllim i cili e pagëzon edhe si krijuesin e prozës moderne shqiptare.
Me një stil të mrekullueshëm narrativ, ai arrin të paraqesë në këtë botim një
sërë episodesh të jetës malësore nën ndikimin e rregullave të ashpra të Lekë
Dukagjinit, por pa munguar edhe skenat e jetës qytetare shkodrane, të cilat i
njihte në qelizë. Me këtë vëllim ai mirëpritet të kthehet në qarqet letrare në
Shqipëri. Monarkia e fal Koliqin më 1930 dhe e emëron mësues të thjeshtë
gjimnazi. Nga viti 1930, ishte mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë ku
i jep mësim mes të tjerëve edhe Petro Markos dhe në gjimnazin e shtetit në
Shkodër, ku i jep mësim Lazër Radit. Ku dhe i porositur nga Mustafa Kruja me
mbledhë librat e bibliotekës së tij që qe shpërnda ndër françeskanë e jezuitë.
Derisa shtrëngohet, sërish për arsye politike, të largohet për në Itali. Në
vitin 1932, botoi vëllimin e parë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë”,
me një parathënie nga Fishta, një antologji që u përdor menjëherë si tekst
letërsie në gjimnazin klerik të Shkodrës dhe përmban katër poetët më të mëdhenj
të Italisë: Aligierin, Petrarkën, Arioston, Tasson. Gjatë viteve 1933-1934
regjistrohet në Universitetin e Padovës për të vazhduar studimet. Edhe pse me
punë në Padova, Koliqi nuk i shkëput lidhjet me Shqipërinë. Bashkëpunon me
redaksinë e të përjavshmes kulturore “Illyria”. Gjitha vjershat e veta i
përmbledh në vëllimin “Gjurmat e stinëve” ku paraqiten me një frymë krejt të re
skenat e jetës shkodrane dhe gjejmë të pasqyruar shpirtin e poetit me ndjesina
atdhedashurore. Ndërsa, autodafeja e vendosur në krye të këtij libri vlerësohet
si një ndër aktet më të rëndësishme në fushë të mendimit estetik shqiptar. Në
një sërë botimesh periodike dhe veprash të tij, Koliqi afirmohet si një talent
i letërsisë shqiptare.
1935,
Itali – Pas suksesit të vëllimit të parë me tregime, boton një libër me 16
novela me titull “Tregtar flamujsh” me lëndë të nxjerrë nga mënyra e jetesës së
popullit tonë, sidomos të atij të qytetit të Shkodrës. Ngjarjet dhe problematikat
sociale që prekin veprën gjithnjë i nënshtrohen një analize të thellë
psikologjike. Ky vëllim novelash, siç vëren Miaser Dibra, i përket një shkalle
pjekurie më të madhe të autorit. Po këtë vit boton edhe poemthin në prozë
“Quattuor”.
1936
– Emërohet Lektor i Shqipes pranë Universitetit të Padovës që drejtohej nga
Carlo Tagliavini. Boton vëllimin e dytë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të
Italisë” (me parathënie nga Tagliavini). Ky vëllim përfshin vjersha të
përkthyera të katër italianëve të tjerë: Parini, Monti, Foskolo, Manxoni.
Personalisht çmonte Giosuè Carducci, Giovanni Pascoli, dhe Gabriele
D’Annunzio-n. Edhe vëllimi i tretë ishte i përgatitur por nuk u botua. 1937
kryen studimet në Padova me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore
shqiptare”), tezë doktorate e cila u vlerësua nga shumë albanologë si N. Jokli,
M. Lambertz etj, që u mbërrit me ndihmën e disa kangëve që ia dha Atë Bernardin
Palaj.
Në
shtatorin e vitit 1941 kur me një vendim, mbi 200 arsimtarë normalistë dhe të
shkollës amerikane të Fullcit, shkuan në Kosovë, trojet shqiptare në Maqedoni e
Mal të Zi, si dhe në Çamëri. Një akt i tillë ka qenë dhe mbetet përjetësisht
sublim se ai dha frytet e veta në hapjen e shkollave shqipe, në hapjen e
dëshirës për të mësuar dhe rrënjosur shqipen në të gjithë trojet shqiptare. Nga
1942-1943 ishte kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare.
Më
1944 largohet për në Itali. Vepra e tij letrare u ndalua edhe pse nuk përmbante
asfarë shenje a parashenje politike. U ndalua për shkak të veprimtarisë
politike të autorit, përkatësisë fetare dhe gjuhës letrare të përdorur.
“L’Albanie Libre” është një e përkohshme e sapodalë në Romë me të cilën Koliqi
fillon bashkëpunimin. Ndër të shumtat shkrime, këtu nis të botojë nga viti 1954
deri më 1961, studimin krahasues “Dy shkollat letrare shkodrane – e Etënve
Jezuitë dhe e Etënve Françeskanë”. Në këtë studim të tij vërehet përpjekja për
të hartuar një histori të mirëfilltë të letërsisë shqiptare, jashtë ngjyrimeve
ideologjike.
Themelon
të përkohshmen “Shêjzat” që e drejtoi për 18 vjet, e përkohshmja kryesore
letraro-kulturore e asokohe. Jo vetëm shpaloste letërsinë bashkëkohore në botën
shqipfolëse, por gjithashtu i dha za letërsisë arbëreshe dhe vazhdoi me lavrue
autorët e paraluftës, shumë prej të cilëvet të vdekur e pjesa tjetër në mërgim,
që denigroheshin aq shumë nga kritikat e Tiranës. Koliqi kështu shërbeu si një
zë i largët kundërshtues i shkatërrimit kultural të Shqipërisë nga rendi
stalinian i vendosur. Prej veprimtarisë së tij, letrare e politike, u sulmua
nga autoritetet shqiptare e pas-luftës si përfaqësuesi kryesor i letërsisë
borgjeze, reaksionare e fashiste. Veprimtaria krijuese dhe promovuese e vlerave
nuk do të reshte edhe në mërgim. përkundrazi ai e pasuroi lëmin e albanologjisë
me universin e tij të pamatë dijetues,
Ky
vërshim i jashtëzakonshëm ndalet në shtëpinë e tij në Romë më 15 Janar 1975 dhe
u varros po në këtë qytet me datën 18, i nderuar nga i gjithë komuniteti
shqiptar në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij. Në ceremoninë e asaj dite kishin
ardhur personalitete të ndryshëm, kolegë, shqiptarë, arbëreshë, miq të ardhur
nga vende të ndryshme. Ai meriton mirënjohjen me të përunjur prej gjeneratave,
për krejtçka ai bëri me kaq përkushtim e me pasion për letërsinë dhe arsimin
shqip, për vlerat shpirtnore shqiptare, këto visare të paçmuara. Ai është një
kujtesë kremtesh solemne, një akt historik.