Faleminderit
Albert Vataj: Martin Camaj, një vullnet qiellor që na shpërbleu me urtësi dhe zemërbardhësi
E diele, 21.07.2024, 06:55 PM
Martin Camaj, një vullnet qiellor që na shpërbleu me urtësi dhe zemërbardhësi
Nga
Albert Vataj
Martin
Camaj ishte padyshim një vullnet qiellor që na shpërblen bujarisht me urtësinë
e asaj mendjeje të dritshme dhe zemërbardhësinë e atij hiri të lartë. Askush
nuk do ta besonte se një i lindur “… në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë
kamba e kalit’”, do të arrinte të bëhej një emër i rëndësishëm në historinë e
letërsisë dhe albanologjisë. Djali i Kolë Camës, njëherësh bari dhe bujk dhe
nënës Tereza nga Prekali domosdo do të ishte një përjashtim fatlum. U lind më
21 korrik 1925 në Temal të Dukagjinit, atje ku luten “për qiell e për dhé”
sepse më i epërmi vullnet, në skajet e këtyre caqeve ngjizet. Ai zu të
fluturojë kur edhe qiellit i vunë gardhe dhe shpresën e fshehën si ëndrrat. Iku
në kërkim të lirisë dhe gjeti misionarin e vlerave që e bënë të pavdekshëm.
Martin
Camaj i përket një plejade përkushtuesish me mish e me shpirt, për të vënë në
themelet e vetëdijes sonë kombëtare një gur të qenësishëm, të dëshmimit të
pasurisë shpirtëror dhe gjuhësor. Pena dhe puna, zemërbardhësia dhe urtësia,
pasioni dhe përkushtimi, ishin jo vetëm cilësitë veçuese të këtij personaliteti
të pashoq të letërsisë dhe albanologjisë, por edhe ai kontelacion yjesh që do
të lindte këtë zë të zëshëm të traditës dhe pasurisë sonë kombëtare.
Fikja e një ylli
Më
12 mars 1992, fryma e tij do të këputej. Do të shuhej një prej pishtarëve më
kulmues të shqipshkrimit, poezis dhe prozës. Një zemër e tretur duke shndrit do
të ndalonte për të lënë si testament, vullnesën e mirë të endur me përkujdesën
që diti vetëm ai.
Martin
Camaj me mbylljen e syve, u fashit edhe ëndrra e flakëruar në njëmijë diej
përmallues, për shkelur në tokën amë. Atij i’a mohuan atdheun, i’a privuan
dheun dhe shkrepin, dhimbjen dhe amanetin, por kurrkush dhe kurrqysh nuk e vuri
nën fre dritimin që feksi ai ndër shqiptarë dhe yshtja e pashoq që u ngas për
njëmendësimin e njohjes dhe pranimit të veprës së tij dhe dialektit geg, që ai
lëvroi me parmendën e rëndë të mërgimtarit.
Camaj,
megjithëse në të gjallët e tij nuk i’u dha e drejta të shkelte në Shqipëri, për
asnjë moment, nuk e shqiti nga gjoksi shpirtin e lënduar dhe plagën lënguese të
të mohuarit. Në dheun e marrun borxh, ku dhe u tret mishi dhe prehen kockat e
tij, ai si një Sizif u ngjit majës së përfaqësimit të shqipes. Një prej
mëtimeve ngadhënjyese dhe vetëmohuese, pamëdyshje mbetet lëvrimi i gegnishtes
dhe arbërishtes. S’andejmi ai arriti të dëshmonte botërisht mbi atë vlerë që
vete ka të mbrujtur shqipja dhe shqiptarët. Shërbesa që i bari gegnishtes, e
pse jo dhe arbërishtes, mbeten në kryeradhën e gjitha përpjekjeve të mahershme
dhe të tashembasshme. Ngritja dhe trajtimi i tyre në rrafshin shkencor, e
dëshmon masmiri këtë. Ngulmi i papramun për të mëtuar gjithseçka të mirë, e për
ta shtruar në një sofër, larushinë e dialekteve, si vlerë gjuhësore, e dallon
atë dhe e rreshton në rendin e etërve të shqipshkrimit.
Martin
Camaj edhe pse u përndoq, u përjashtua, u anatemua, dhe e gjitha kjo, jo dhe aq
se ai ishte arratisur, apo kishte blasfemuar ndaj kujt, por prej tekstshkrimit
gegnisht, të cilën ai e mylmeu, e pasuroi dhe e lëvroi mjeshtërisht. Me gjithë
këtë ai nuk e flligu gojën, nuk e helmoi shpirtin, dhe shërbesës ogurmirë nuk
i’a vuri damkën, e cila mund të gjehej e përligjur te ndokush tjetër, por
kurrqysh jo tek ai. Duke dëshmuar mendimtarin e epërm, merr ndonjiherë rol
atnor dhe këshillues, për të gjithë ata që kishin në dorë shqipen dhe i’a
deshën t’mirën asaj. Ai nuk bari asnjë herë dallime e dasi, nuk e shikoi
shqipen vetëm të toskëve dhe të gegëve, por të shqiptarëve dhe për këtë ai
mëton: “Besoj se duke ecë krahas gegnishtja dhe tosknishtja e shkrueme apo
letrare, si dy mortra të mira, pa ja pré rrugën njana-tjetrës, kanë me viju mâ
me fryt të gjêjnë pikat e përbashkta, si mbas një zhvillimi normal. Kjo rrugë
âsht e domosdoshme të ndiqet poqese dëshirojmë që novela e romani shqiptar të
mbërrijnë në sferat e një stili të kulluet artistik”.
Ai
kur shton kësisoj, ka parasysh dhe naltësimin që ka një komb që pranon
diversitetet dhe nuk priret hakmarrës e linçues prej qëllesave anatemuese, me
nda dhe me veçu, përkundrazi.
Kinse,
vërejmë shpërthimet krijuese të patëdyta në letërsi, që lejuan ngritjen e
kreshtave, anipse u endën në avelmenin e dialektores. Për të ardhur masanej te
trualli ynë, dhe veçmas te shkrimtaria e Fishtës, Mjedës, Koliqit, Shantojës,
Prenushit, Haxhiademit, Konicës, Nolit, Poradecit, Kutelit, Asllanit, e shumë
të tjerëve, që lindën e u lartësuan, pa hyqmin e shqipes së njësuar,
standardit, siç i thonë. Duke mos patur tavan mbi kokat, ata krijuan atë
thesar, të cilin me krenari mudn ta pagëzojmë si testament të vlerave të
njimendta të letërsisë shqipshkruese.
Camaj
rendi pareshtur dhe sfidues duke shkruar dhe lëvruar gegnishten. Vepra u rrit
me të, dhe ai e gjalloi përbrenda vetes çdo faqe të saj në një marrëdhënie
njësimi. Ata dhanë dhe morën prej njëri-tjetrit shumëçka, por në kryerend
mëvetësuan, motivin e ngulmit për t’u ngjit në më lartat kjartësi, prejnga nuk
do të mund ta zbriste ndokush a diçka. Mveshur prej kësaj magjie dhe
ngadhnjimi, Martin Camaj bëri me dije se: “Jeta ime âsht nji luftë për gegnishten,
një luftë për mbijetesën, frymën e qenies, të dikurshmen dhe ardhmninë, një
luftë jo me mbetë gjallë, por me ruejt të pastër fillin e amës së gjuhës dhe
artit, mbi të gjitha me shpëtue shpirtin krenar të shqiptarit”. Bash njikshtu i
bzani zemra dhe ia ligjëroi penda, këtij kolosi të mendimit dhe letrave shqipe
deri më 12 mars 1992, sot 27 vite më parë kur hapi i tij ndali, shpirti mori
udhën e përjetësisë dhe emri u skalit me shkronja të arta në historinë e
lëtërsisë dhe albanologjisë.