Kulturë
Albert Vataj: “Fluturimi” i malësores në krahët e erës
E hene, 28.10.2024, 06:47 PM
“Fluturimi” i malësores në krahët e erës
Nga
Albert Vataj
Është
kjo malësore e hirshme në këtë foto, e fiksuar në një cak kredhjeje në krahët e
erës, në një moment shpengimi dhe shkujdesjeje, që jep asaj shprehinë e një
akti solemn çlirimi, dhe e hedh në prehrin e një përjetimi dehës, gosti ku
ndihemi edhe ne të përfshirë. Me shtojzovallet vjen nga mistikja, e mbetet e
fiksuar në një shkrepje blici, për të festuar në çdo shkas, atë më të lartin
shpërblim të gazmimit .
Ajo
është një malësore e kapur në “fluturim”, një flutur që kredh shpengueshëm
veten e frytshme në epjen e ëndjes. Fërgëllon në këtë dorëzim prej ajri dhe
shpërfaq në një solemnitet të hyjshem atë, më të epërmen hirin e saj,
madhështinë e veshjet së saj ikonike, xhubletës.
Del
ky çast nga epika e atyre maleve, nga thellësia e kohës, vjen e shndërron një
moment të vetëm, në një shpirtje të dlirë madhështimi.
Vjen
nga gjeneza, nga legjendat zbret, nga telat e lahutës fshikullon me melodi, nga
frymëmarrja e thellë e maleve dhe kthjelltësia e qiejve, beh për të kërkuar dhe
gjetur prehje dhe adhurim.
I
tregohet shkasit me gjithë hijeshinë dhe bukurin e saj, në një ngulm për të
shpërfaqur shpirtin e Malësisë, për t'i dhënë ëndjes sonë atë del nga mëkimi i
krijuesit.
Shpesh
një foto si kjo nuk është thjeshtë një foto, është gjithëçfarë ne arrijmë të
perceptojmë; në këtë ndalim të beftë të kohës, në këtë memorizim të
atypëratyshëm të çastit, në atë që ne arrijmë të shohim dhe të ndjejmë, si për
të kërkuar afrinë e komunikimit dhe sinqeritetin e shprehjes që sakaq pulson.
Ajo
kur kërcen duket se fluturon, sepse ka lindur me krahët plot erë e me shpirtin
mbushur me qiej, është e veshur si një perëndesh sepse ajo del nga mitologjia
për të mbretëruar në botën e megjishme të së bukurës, gëzimit dhe festës.
Malësorja,
vetëm duke "fluturuar" arrin demonstrojë solemnitetin e veshjes që e
stolis, xhubletën, e cila prej mijëvjeçarësh kërkon bukuri, hire dhe shpengim,
për të shpaluar si lulja, petale pas petaleje bukurinë e vet të magjishme dhe
kundërmuar aromat e dehjes së gjithë stinëve që ka mbrujtur në ngjizjen e hyjshme.
Vështroje
këtë foto dhe lexoi këto radhë, për të kuptuar se sa bujarshëm jemi shpërblyer
nga tradita, nga shpirti krijues i brezave dhe nga e hirshmja e bukurisë së
malësores.
Ndoshta
ti mund ta lexosh ndryshe këtë foto, ta përjetosh ndryshe këtë moment, por
gjithësi nuk mund të ikësh pa e ndjer taftin e këtij fërgëllimi, pa u përfshirë
e flakëruar në krahët e këtij kopulimi gazmues.