Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Ne jemi ky çast i vetëm hyjnimi, dhe... një det me puthje... dhe dallgë
E hene, 09.12.2024, 06:55 PM
Ne jemi ky çast i vetëm hyjnimi, dhe... një det me puthje... dhe dallgë
Nga
Albert Vataj
Ndoshta
ajo ishte puthja e parë dhe e fundit, por ishte mundësia e artë për ta mbushur
veten me ty, për t'i dhënë dëshirimit një dimension etern, për të guxuar ta
mbushësh veten me shpërthimin që krijoi jetën, dhe dritën e vezullimt që
diellon në çdo prekje e prehje dëshirimi.
Puth
ashtu pafajshëm e dlirshëm si mugëtim pranvere; etershëm puth, si një cak
galaktik; po, hyjshëm puth, siç bën nëna e cila në çdo puthje ajo heq nga vetja
frymë e zjarr për t'ia mëkuar foshnjës së saj përjetësi. Sepse ajo në këtë akt
sublim; mund të jetë një pilives që jep shpirt kur mëkon ngjizjen e një jete,
apo mjelmë që e mbush me bardhësi çdo çast të botës ku drita e shpirtit të saj
vjen me bardhësi dhe sqim për të kumtuar botës sublimimin si ceremonial hiri
hyjnie, që ndrit si në pend edhe në shpirt.
Ju
mund të keni fatin të puthni një herë të vetme, NJË, por është ai nektar që ka
fekonduar mijëra mrekulli në jetën tënde, ai kopulim që është shumuar në
miliarda yje ku ti lexon fatin tënd.
Siç
mund, pse jo, të jeni dehur në detet e pafund të puthjeve, dhe sërish të
ndiheni të etur për një pikë tëmbëltim buzësh, dhe të shuheni mbytur në
trishtim vetmimi, në natën arktike, me dëshirimin e një të vetme ngrohtësi.
Ndoshta
është shkruar në diell se në sa zjarr shpirti yt shndërrohet në frymë hyjnimi.
Një,
njëmijë apo një milion puthje mund të shkokrrosh nga shega e magjepsjes
qiellore të buzëve. Ajo, ajo e ndezura thellë në shenjtërinë e shpirtit, ajo i
vë zjarrin zemrave e mrekullon me dashuri krijimin.
Fatkeq
mund të jesh, që nuk të kungoi asnjë bekim në buz asnjë puthje qiellore, yje u
shuan në padurimin e pritjes tënde, pranvera erdhën e stinë dalldisjesh
perënduan, dhe ti nuk çele në asnjë shpërthim.
Jo,
jo, mos lëndo shpirtin me pamundësin e tokësores, as me ndëshkimin e fatit mos
i trazo torturueshëm ndjenjat, pasionin që ndrydhen në burgje dimnash të acart.
Sepse, askush nuk erdhi në altarin e lutjeve të dritës, për të shkuar kyçur në
terr. Qielli kah erdhe do të të mbush zjarmshëm me pafundësinë e këtij çasti,
dhe ti do të jesh puthje e çdo buze, magji e krejt magjepsjeve të shpirtit.
Ne
nuk mund ta dim, nëse ishte kjo e vetmja puthje, apo çdo prekje buze një
shkëndi në ndezjen e diellit tënd. Ne jemi vetë ky ceremonial i shpirtshëm që
na shpie solemnisht te mrekullimi i pulitjes së buzëve. Atëherë nuk do të kemi
fjalë për të thënë, melodi për të luajtur s'do mundim, do të jemi duke kaluar
nga toka në qiell.