Përjetësi » Kadare
Fatbardh Amursi: Nuk e zvogëloni dot të madhin Kadare!
E merkure, 03.07.2024, 06:57 PM
Nuk e zvogëloni dot të madhin Kadare!
-ese-
Nga
Fatbardh Amursi
Nuk
do kisha asnjë foto me Ismailin, edhe pse kam ndenjur goxha gjatë me të, nëse
botuesi Hudhri, nuk do më telefononte për një kafe me Kadarenë. Kishim më shumë
se një çerek shekulli, që s`komunikonim. (Arsyet i gjeni në librin tim me
refleksione “Them se e njoh Kadarenë”.) Para disa vitesh, po me Bujarin, çifti
Kadare, më dërgonte falenderime nga Parisi për një shkrimin tim kushtuar librit
të tij “Mëngjeset në Kafen Rostand”. U nisa drejt Tiranës, si një i ftuar i
tij. Kur aktori Timo Flloku u çua për t`më liruar vendin, Ismaili do më
thoshte:
-Timo
është njeri besnik.
-Pse
dhe sot duhen besnikët?-ia ktheva me të qeshur. Mbeti për një çast. Ndërhyn ime
shoqe:
-Duhen,
se të ngatërrojnë.
-Mirë
e ka.-e pasoi ai dhe përsëriti.-Të ngatërrojnë. (M`u kujtuan ngatërresarët, që
më kishin prishur miqsinë me të, sikurse s`më lanë ta gëzoja librin me
refleksione “Them se e njoh Kadarenë”.)
-Kështu
live dukesh më mirë nga ç`të shohim nëpër gazeta dhe ekrane.-i thashë.
-Faleminderit.-ishte
përgjigjja e tij lakonike, duke mos e fshehur kënaqësinë. Ndërkohë, pranë
tavolinë afrohet, Vera Grabocka.
-Të
përqafoj një çikë motra ty?-i thotë ajo duke qeshur. Dhe ai po me të qeshur i
kthehet:
-Vetëm
mos më përdhuno!-Qeshëm. Nuk ishte e lehtë ta rifillonim bisedën aty, ku e
kishim lënë shumë vite më parë për shkak të ngatërresarëve. Për ta mbajtur
gjallë humorin i hipi të ngacmonte Bujarin.
-Ky
kujton se më ka bërë mua të famshëm!-duke i hedhur atij një vështrim zbutës, si
për t`i thënë: “Shaka po bëjmë.” Unë e plotësova:
-Meqë
qënka kaq i zoti, le t`më bëj dhe mua të famshëm.
Dikur,
kur më pyeti se çfarë po shkruaja, një roman i thashë, befas ai lëshoi batutën:
-Dhe
ti mendon se me të do bëshesh i famshëm?
-Ku
i dihet.-ai ktheva aty për aty.
Nuk
ishte e lehtë të rrije me Ismailin, të përballoje heshtjen e tij vrastare, ku
vetja mund të dukej e tepërt. Ta pasoje në bisedat e tij plot kumte dhe, më
kryesorja, nëse ai nuk ta ndjente mungesën, duhej t`ia mbathje. Kur dëgjoj ca
kinse antikomunistë, apo të majtë të moderuar, të thonë: “Shkrimtar i madh, por
njeri i vogël”, shprehje që kalon gojë më gojë tek ky soji njerëzish, dua t`u
them: ky mendim që ju e përsërisni është i Nexhmije Hoxhës. E gjeni në librin e
saj me kujtime, shprehimisht: “Kadare shkrimtar i madh, por njeri i vogël.”
S`bëni keq t`i referohemi mbretëreshës Geraldinë: “I dashtun shkrimtari jonë i
shquem, z. Ismail Kadare! Gjithmonë kam dashtun me gjet nji rast për t'ju
falenderue përzemërsisht për veprat e mrekullueshme artistike që keni botue dhe
që i kanë dhane nder e lavdi emrit Tuej, si dhe Shqipnisë sonë të bukur...
Veprat e tuaja na kanë dhanë atë kënaqësi të rrallë se janë shkrue me nji art
brilant e befasues, kanë mrekullinë e fjalës e horizontet e mundimit të thellë
filozofik.” Mbretëresha ishte njohëse e disa gjuhëve të huaja, shpesh luante
rolin e përkthyeses së mbretit, dikur punonjëse biblioteke.
Kadare
ka ngrënë bukë në shtëpinë time dhe unë kam ngrënë bukë në shtëpinë e tij. Më
kujtohet, kur bashkë me time shoqe dhe vajzën e vogël, Enin, bëmë një vizitë në
shtëpinë e tij. Helena e mori vajzën në krah dhe duke e përgëzuar, fuste
gishtin në zemrën e byrekut dhe e ushqente. Vajza ia përlante me gjithë gisht.
Ajo gëzohej dhe kjo lojë vazhdoi gjatë.
-Ah,
të ishte, Ismaili e ta shihte! Me vajzat kam hequr keq, kur ishin të vogla.
Kur
nga shtëpia ime në Lushnjë, ku ndenji një natë, me tren e bëri rrugën bashkë me
Helenën, po shkonim për një vizitë tek prindërit e mi, do më thoshte rrugës:
-Ai
komitet partie që sulmon shkrimtarët, duhet shkrirë!-S`ishte hera e parë, që
fliste me këtë gjuhë me mua. Jam ndjerë shumë i vlerësuar, kur më ka dhënë të
lexoja në dorëshkrim novelën “Natë me hënë”, “Ndjellësi i fatkeqësive”,
“Aeroporti”, etj., sikurse më lexonte këngën e erinive të Oresties së Eskilit,
që ishte duke e përkthyer.
-Të
iki unë, Ismail, se ty të duhet koha.-i them një ditë.
-E
ç`më duhet koha mua?! Ka disa javë që më ka ardhur një zarf nga Franca dhe po
përtoj të hap...-Nuk ishte hera e parë, që e shihja të dëshpëruar, sa një ditë
do më thoshte: “Më mirë të isha bërë marangoz!”
Fiks
në orën 12.30, sikurse Bujari më kishte thënë, vjen gazetari spanjoll, që
interesohej për shtëpinë muze të shkrimtarit. U bëra gati të çohesha.
-Bujar,
merru ti me të, se unë do vazhdojë me Bardhin!-Bujari vazhdoi të fliste në
anglisht me spanjollin, ndërsa biseda jonë u zgjat dhe 2 orë. Ishte ende heret
për muzera. Kadareja s`njihej me një të takuar, qofshin ato dhe disa raste,
por, vetëm atëherë, kur bashkë me derën e shtëpisë të hapte dhe zemrën, duke të
besuar sekrete apo intimitet. S`ka ndonjë pasuri tjetër që të shkaktojë më
shumë zili, nga pasuria intelektuale. Kjo po ndodh me Kadarenë. Asnjëherë s`e
kam patur problem, që armiqtë e tij të bëheshin dhe armiqtë e mi, sikurse dhe
ka ndodhur. Nëse do tentoni të zvogëloni të madhin Kadare, s`keni fat tjetër,
veç atij të gaztorit. Nëse në foto na shihni duke qeshur një arsye mund të jeni
dhe ju vogëlanë...