Përjetësi » Kadare
Vjosa Osmani: Lavdi veprës e jetës së kolosit Ismail Kadare!
E hene, 01.07.2024, 06:55 PM
Vjosa Osmani:
Në
historinë njerëzore, shkrimtarët shpesh i kanë dhënë kahun kombeve në çastet më
të vështira të historisë, duke artikuluar idenë e lirisë.
Ismail
Kadare ishte gjeniu shqiptar, njeriu e shkrimtari i cili tërë jetën dhe veprën
e vet ia kushtoi dashurisë ndaj tokës, gjakut e vendit të shqiptarëve, duke
krijuar një trashëgimi të pakundshoqe adhurimi e lavdie ndaj vendit e kombit të
vet.
Me
këtë dashuri, të cilën ai e ka shprehur gjithandej veprave të tij, ai i ka
paraqitur vlerat e popullit të tij nëpër botë, duke e lartuar gjithandej
gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe dhe vetë popullin shqiptar, ndërsa të
drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për të jetuar i lirë e i mosvarmë e
mbrojti gjithandej botës, në qarqe intelektuale e kulturore, në ambiente
politike e në letërkëmbimin e tij me personalitete të shquara botërore.
Populli
i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, sot është në zi. Ai humbi kolosin e
dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës
së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë e promovuesin
e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës. Humbi shkrimtarin e
papërsëritshëm, të cilit si Presidente kisha nderin t’ia dorëzoja shtetësinë e
Kosovës kohë më parë, sikurse edhe Urdhrin "Hasan Prishtina".
Për
dhjetëvjetësha të tërë, ai e kultivoi artistikisht e intelektualisht ndjenjën e
lirisë, duke na bërë edhe ne, shqiptarëve të Kosovës, ta kuptonim më mirë
përmasën e lirisë e ta gjakonim atë përjetësisht.
Kapërcimi
i tij në jetën e përtejme shënjon ndarjen fizike nga ne, por ai do të mbetet
përjetësisht në zemrat e në shpirtrat e miliona lexuesve e adhuruesve të veprës
së tij, në zemrat e shpirtin e çdo shqiptari, kombit të cilit i shërbeu deri në
frymën e fundit.
Lavdi
veprës e jetës së kolosit Ismail Kadare!