Përjetësi » Kadare
Hamza Halabaku: Takimi me Ismail Kadarenë
E shtune, 30.01.2021, 10:24 PM
TAKIMI ME ISMAIL KADARENË
Me
rastin e 85 vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë, Shkrimtarit shqiptar me
renome botërore, gjeniut të letrave shqipe, “Homeri shqiptar“
Nga
Hamza Halabaku
Ditët
e para të nëntorit të vitit 2008, në gazetat tona, që botoheshin në mërgatë,
lexova se shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, do të paraqitej para lexuesve
gjermanë në Munih.
Dëshira
për të marrë pjesë në atë takim letrar dhe për t’u takuar me gjeniun e letrave
shqipe, librat e të cilit i kisha lexuar gati një për një, më shtyri që
menjëherë t’i telefonoja mësuesit të Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, djalit
të dajës tim, Nusret Dërguti, në mënyrë që së bashku të shkonim në Munih, për
ta parë së afërmi autorin e shumë veprave të përkthyera në shumë gjuhë të
botës.
Nusreti
me kënaqësi pranoi dhe premtoi se do të organizoheshim dhe në ditën që Kadare
do të ishte në Munih, aty do të ishim edhe ne.
Do
të shkonim në Munih për ta takuar anëtarin e Akademisë Franceze, e cila, bashkë
me Kadarenë, kishte vetëm dymbëdhjetë anëtarë. Shkrimtari ynë, Kadare, në
Akademinë Franceze kishte zënë vendin e Karl Popperit të Gjermanisë pasi ai kishte
ikur në amshim.
Nuk
kishin kaluar plot njëzet e katër orë, kur mësuesi Nusret më telefonoi dhe më
tha se nuk do të shkonim në Munih, sepse Kadare do të vinte edhe më afër nesh.
Nuk
u besova fjalëve të tij, pasi shpeshherë me mësuesin Nusret këmbejmë edhe
batuta.
Por
Nusreti e kishte seriozisht dhe më tregoi se Kadare do të vinte në
Sulzbach-Rosenberg, që ishte 65-66 kilometra në afërsi të Nurembergut, qytetit
ku ne banonim. Gëzimi u shtua edhe më shumë. Kaq afër nesh do të vinte Ismail
Kadare, autori i romanit “Prilli i thyer”!
Pas
dy tri-ditësh gazetat lokale gjermane do të shkruanin se “në Arkivin letrar të
qytetit Sulzbach – Rosenberg, më datë 14 nëntor 2008, do të organizohet një
mbrëmje kulturore – letrare. Në atë njoftim të gazetave lokale përmendej
shkrimtari ynë, Ismail Kadare, si dhe titulli i librit në gjuhën gjermane “Der
Raub des Königlichen Schlafs” (“Vjedhja e gjumit mbretëror”), që për lexuesit
gjermanë do të promovohej atë natë.
O
Zot i Madh, nga ajo ditë, kur e pashë njoftimin në gazetat lokale gjermane, nuk
më zihej vendi-vend. Me shumë emocione e pritja ditën e katërmbëdhjetë të atij
nëntori.
Tani
me mësuesin Nusret isha në kontakte të vazhdueshme. Si do të organizoheshim, si
do të udhëtonim, pastaj edhe kë do ta merrnim me vete, meqë kisha dëshirë që
edhe dikush tjetër të kënaqej, si unë, me korifeun, tani të letërsisë që
krijohej në tërë globin...
Dy-tri
ditë para 14 nëntorit, i telefonova mikut tim shumë të mirë, Rushit Bytyqi,
tani i ndjerë. Kisha dëshirë që me Rushitin të ishim bashkë në atë mbrëmje
kulturore – letrare, pasi që shumë herë kishim folur për veprat e Kadaresë dhe
të mirat që ai i kishte bërë popullit shqiptar në botën e jashtme me letërsinë
që ai krijonte. Do të takoheshim, si thoshim ne shpeshherë në bisedat tona, me
mbretin e letërsisë shqiptare. Do ta shihnim për së afërmi autorin e veprave,
që, nëse cilëndo prej tyre fillon ta lexosh, kurrë nuk mund ta ndërpresësh pa e
lexuar të tërën. E kur e mbaron, të mbetet merak pse u krye aq shpejt!
E
kisha filluar leximin e veprave të Kadaresë me romanin “Gjenerali i ushtrisë së
vdekur”. Të njëjtin roman të dramatizuar e kisha parë, në vitet shtatëdhjetë,
në sallën e Teatrit Krahinor të Prishtinës, të interpretuar nga Trupa e Teatrit
Kombëtar të Shqipërisë, me Sandër Prosin, në rolin kryesor.
Edhe
pse atëherë nuk isha njohës shumë i mirë i letërsisë, më kishte lënë përshtypje
të jashtëzakonshme “Gjenerali...”, po edhe romanet e tjera. Edhe “Dasma”, edhe
“Dimri i vetmisë së madhe”, edhe “Kështjella”...
Përshtypje
të mirë romanet “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Kronikë në gur”, i kishin
lënë edhe drejtorit të Shkollës publike “Graserschule” në Bajrot (Bayreuth),
zotit Dengler, të cilit ia kisha dhënë të përkthyera në gjuhën gjermane.
“Lum
ju shqiptarët, çfarë shkrimtari paskëshit”!, më kishte thënë zoti Dengler, pasi
i kishte lexuar romanet.
U
gëzova shumë që isha ai që i kisha ofruar zotit Dengler këto dy romane të
Kadaresë në gjuhën gjermane. Këto dy romane u kisha ofruar edhe shumë kolegëve
gjermanë në Bavarinë Veriore. Secili prej tyre kishte mbetur shumë i kënaqur,
se kishte lexuar dy vepra të shkëlqyera dhe se ishin “takuar” përmes meje me
“Homerin shqiptar”! Njiheshin, pra, me letërsinë që krijohej në Shqipëri.
Dhe,
erdhi dita e 14 nëntorit. E kishim planifikuar që atë mbrëmje, të paktën gjysmë
ore para fillimit të manifestimit letrar me Kadarenë, të ishim në “Arkivin
letrar” të qytetit Sulzbach – Rosenberg.
Ashtu
edhe ndodhi. Më tepër se gjysmë ore bashkë me Rushit Bytyqin e mësuesin Nusret
Dërguti, ishim para ndërtesës së Arkivit letrar të qytetit Sulzbach –
Rosenberg. Aty, në hyrje të ndërtesës, na priste një grua e sjellshme gjermane.
Na pyeti kush ishim dhe nga vinim. Mësuesi Nusret i tregoi se ishim nga
Nurembergu dhe se paraditen e një dite më parë, kishin biseduar përmes
telefonit.
Ajo
na tregoi se Kadare, bashkë me përthyesin e tij, Joachim Röhm, janë duke e
shikuar ndërtesën e Arkivit.
I
ngjitëm shkallët drejt dhomës ku na tha gruaja gjermane. U ngjitëm aty ku ishte
mbreti i letrave të gjuhës shqipe të kohës sonë, i madhi Kadare, bashkë me
përkthyesin e shumë veprave të tij në gjuhën gjermane, Joachim Röhm. Natyrisht,
pasi isha më i moshuari, unë prija drejt dhomës ku ishte Kadare. Kur hipëm
lart, pamë një dhomë të madhe, që ishte e stolisur me portrete të laureatëve të
Çmimit Nobel dhe çmimeve të tjera më të njohura për letërsi në Evropë e më
gjerë. Ishin ata që e kishin vizituar atë ndërtesë dhe kishin marrë pjesë në
manifestime kulturore – letrare të organizuara me ta ose për ta.
Kur
i pashë Kadarenë dhe Joachim Röhm, u emocionova shumë. I përshëndeta me një
“mirëmbrëma” në gjuhën shqipe, e pastaj edhe në atë gjermane. Të dytë, Kadare
dhe Röhm, na shikuan lehtë dhe secili në gjuhën e vet na e ktheu përshëndetjen.
“Ne
jemi nga Kosova dhe jetojmë në Nuremberg. Ky është miku im, Rushit Bytyqi, e ky
është Nusret Dërguti, mësuesi i Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe, ndërsa unë
jam Hamza Halabaku, edhe unë punoj mësues në Bavarinë Veriore. Kemi ardhur që
të marrim pjesë në mbrëmjen letrare”.
I
thashë këto dy fjali, i emocionuar tej mase, meqë takohesha për herë të parë
nga afër me njërin nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë botërore
bashkëkohore.
Nuk
e dija pse isha i tillë. Isha si një fëmijë, që gëzohet kur është duke u takuar
me gjyshin e tij të moshuar e të urtë. Nuk u përmbajta dhe Kadaresë iu drejtova
në gjuhën shqipe. E harrova se aty ishte edhe z. Röhm.
“Ju
lutem, zoti Kadare, më lejoni që t’ju përqafoj?!”, - i thashë.
Kadare
buzëqeshi lehtë dhe ma zgjati dorën. E përqafa.
Kisha
dëshirë që ta përqafoja, por mos ta shtrëngoja më shumë sesa ishte e lejuar,
edhe pse kisha shumë dëshirë.
O
Zot i Madh, thashë me vete, më erdhi momenti që të takohem me autorin e novelës
“Kush e solli Doruntinën”. Më duket se i madhi Kadare buzëqeshte me sjelljet e
mia fëmijërore.
Në
sallën shumë të bukur të ndërtesës së Arkivit letrar të qytetit Sulzbach -
Rosenberg, ishin tubuar shumë qytetarë gjermanë, edhe ne, “një grusht”
shqiptarësh, për ta takuar korifeun e letërsisë shqipe, i cili nga kritika
letrare dhe lexuesit gjermanofolës çmohet jashtëzakonisht lart. Kur filloi ora
letrare, pas prezantimit të biografisë të shkurtër të shkrimtarit tonë Ismail
Kadare, përthyesi gjerman, Joachim Röhm, tregoi se në gjuhën gjermane janë
përkthyer 17 vepra të Ismail Kadaresë (novela e romane).
Kur
erdhi radha e pyetjeve të lexuesve të veprave të Ismail Kadaresë, nuk i bëra
pyetje, po u përpoqa të komentoja një pjesë nga novela “Kush e solli
Doruntinën”, e cila më kishte lënë pa frymë gjatë leximit. Ishte fjala për
procesverbalin e personazhit Stresi. Sipas novelës, atë kohë Stresi ishte
zyrtar i policisë së rrethit ku kishte ndodhur ngjarja. Ai, Stresi pra, e
kishte bërë procesverbalin në oborrin e Kishës së fshatit, te varri i
Konstandinit, edhe pse e kishte parë se as Doruntina e as nëna e saj dhe e
Konstandinit nuk ishin në vete. E kishte vënë në dyshim punën e vet, meqë
dyshonte se guri i varrit të Konstandinit kishte lëvizur nga vendi!
Kadare,
si mbret i letrave shqipe, me buzëqeshje ndiqte tërë atë që flisja unë, derisa
përpiqesha të thosha atë që kisha kuptuar nga leximi i novelës “Kush e solli
Doruntinën”.
Nuk
e foli asnjë fjalë, as kur fola unë e as kur flisnin të tjerët, po mua më
ndiqte me kureshtje.
Pyetjeve
u përgjigjej me një modesti dhe gjithnjë në aureolën e mbretërisë së një shkrimtari
të madh.
Kur
dikush, natyrisht nga ne shqiptarët që ishim aty, e pyeti për dr. Ibrahim
Rugovën, për atë që e kishte thënë Ismail Kadare në veprën e tij “Ra ky mort e
u pamë”, ai tha: “Koha e dëshmoi se e drejta ishte në anën e Ibrahim Rugovës.
Rugova më fali në takimin që menjëherë pas luftës e kishim në shtëpinë e tij”.
Kështu
tha Kadare për Ibrahim Rugovën në një ndërtesë të bukur të Arkivit letrar të
qytetit Sulzbach – Rosenberg. Shkrimtari shqiptar me renome botërore, mbreti i
letërsisë shqipe, gjeniu i letrave shqipe, “Homeri shqiptar“, pa ngurrim e
pranoi se “koha e ka dëshmuar se e drejta ishte në anën e Rugovës“.