E premte, 08.11.2024, 09:57 PM (GMT)

Përjetësi » Kadare

Xhaferri, letra për Enverin: Kadare, shkrimtar dekadent

E hene, 09.11.2015, 09:30 PM


BILAL XHAFERRI, LETRA PËR ENVERIN: ISMAIL KADAREJA, SHKRIMTAR DEKADENT

Nga Dashnor Kaloçi

“KADARE I DENONCUAR”

Dokumente të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, të klasifikuara “Tepër Sekret”, me procesverbale të mbledhjeve të Lidhjes së Shkrimtarëve, analiza, kritika, dëshmi, raporte, relacione, akuza e denoncime ndaj shkrimtarit Ismail Kadare, të papublikuara më parë. Të gjitha këto gjenden në “Kadare i denoncuar”, libri më i ri i gazetarit të njohur Dashnor Kaloçi, botim i “UET Press”, pjesë të të cilit, autori pati mirësinë t’i ndajë paraprakisht me lexuesit e “Gazetës Shqiptare”.

Dokumenti në fjalë, ashtu si dhe ai paraardhës, është një nga më të rëndësishmit e këtij libri, jo vetëm pse publikohet për herë të parë dhe deri më sot askush nuk e ka bërë të ditur ekzistencën e tij (të paktën në shtyp publikisht), por edhe sepse hedh dritë mbi disa çështje dhe probleme shumë të përfolura, të cilat kanë vite që “ziejnë” në të ashtuquajturën “Çështja Kadare-Xhaferri”. Bëhet fjalë për letrën që Bilal Xhaferri i ka dërguar Enver Hoxhës (me shkrimin e tij), lidhur me problemet e mëdha dhe pengesat që i dolën atij, direkt pas diskutimit që bëri në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë në Tiranë, ku sulmoi Kadarenë për romanin “Dasma”. Edhe pse lidhur me këtë problem janë bërë me dhjetëra artikuj në shtypin e përditshëm, brenda dhe jashtë Shqipërisë (shtypi i diasporës), si dhe disa libra (“Dosja K”, Shaban Sinani, dy botime, viti 2005, dhe “Një enigmë me disa të panjohura. Rreth dosjes Bilal Xhaferri”, Aida Tuci, viti 2014), ekzistenca e kësaj letre nuk është përmendur, as aluduar kurrë. As nga Kadareja, në të gjitha intervistat që ai ka dhënë për këtë çështje publikisht në shtyp, ku nga pyetjet e gazetarëve, e ka sqaruar gjatë atë ngjarje. Ashtu siç shihet edhe nga letra në fjalë midis rreshtave, Bilal Xhaferri ka qenë në një gjendje tejet dëshpëruese, apo më saktë depresive, kur ka vendosur që të ulet dhe të formulojë një letër për Enver Hoxhën, duke i kërkuar ndihmë atij për gjendjen tejet të vështirë në të cilën ndodhej. Ka shumë arsye që mund ta kenë shtyrë Bilalin për të ndërmarrë atë hap. Versioni i parë, është ai i ndonjë prej shokëve të tij të ngushtë me të cilët mund të jetë konsultuar për hartimin e asaj letre që ai i ka dërguar Enver Hoxhës, por ky version bie pa u ngritur mirë. Dhe kjo për faktin, se askush prej tyre, si Bedri Myftari, Namik Mane, Moikom Zeqo e ndonjë tjetër që përmendet në letër-informacionin e Rita Markos, të cilët faktikisht kanë qenë miqtë më të ngushtë të tij në atë kohë, nuk kanë folur kurrë për ekzistencën e asaj letre, të paktën publikisht. (Bedri Myftari prej dy vitesh ka ikur nga kjo jetë, Namik Mane është prononcuar disa herë në media për këtë problem, por jo për letrën, ndërsa Moikom Zeqo i ka qëndruar larg kësaj ngjarjeje dhe nuk ka folur kurrë për këtë gjë, të paktën publikisht…?!). Tjetër fakt interesant, është se as punonjësit e aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, sektori i letrave, që janë marrë me atë punë, nuk janë prononcuar kurrë për të, – të paktën publikisht në shtyp. Dhe, nisur nga këto fakte e deduksione, të paktën për miqtë e ngushtë të Bilalit, bie automatikisht versioni se kanë pasur dijeni për letrën në fjalë. Kjo gjë bëhet më e besueshme edhe për faktin se shokët e tij më të ngushtë (Bedriu e Namiku), nuk e patën mbështetur apo inkurajuar Bilalin edhe për diskutimin që ai do mbante në Lidhjen e Shkrimtarëve kundër romanit “Dasma” të Kadaresë. Të paktën kështu është shprehur publikisht në shtyp Bedri Myftari, disa vjet para se të ndahej nga jeta. Dhe kështu mbetët që, me shumë gjasa, ideja dhe nxitja për hartimin dhe dërgimin e asaj letre në adresë të Enver Hoxhës, Bilalit mund t’i ketë ardhur nga ndonjëri prej funksionarëve të lartë partiakë apo shtetërorë, që ishin mbështetësit e tij dhe që përmenden edhe në letrën e hartuar nga Rita Marko, të cilëve, Bilali mund t’u ketë shkuar për t’u kërkuar ndihmë, apo më saktë, ndonjë mendim apo sugjerim, për të dalë nga situata tejet e vështirë dhe ndoshta pa shpresë në të cilën ndodhej. Dhe kjo më së miri duket edhe nga letra në fjalë, ku ai flet për gjendjen e tij tejet dëshpëruese, saqë mendon edhe vetëvrasjen, madje tejet tragjike (duke u hedhur në rrotat e trenit). Versioni që, Bilali ka pasur shtytje apo indicie për hartimin dhe dërgimin e letrës në adresë të Enver Hoxhës nga ndonjë prej funksionarëve dhe zyrtarëve të lartë (miq apo mbështetës të tij, që përmend Rita Marko në letër-informacionin e tij), bëhet dhe më i besueshëm, pasi vetëm ata mund të kenë pasur dijeni për letrën e Rita Markos dhe rrezikun që i kanosej pas mbërritjes së asaj letre në Komitetin Qendror. Dhe ata mund t’i kenë thënë: “Bilal, nuk ka rrugë tjetër, nuk ke se çfarë të humbasësh më, shkruaji Enverit se ndoshta…” Por duket se ata kanë gabuar dhe kanë futur në qorrsokak dhe Bilalin, pasi, po të kemi parasysh se si rrodhën ngjarjet më tej, Enveri nuk është prekur fare nga ajo letër, as nga përbetimet e Bilalit se ‘është margaritar i partisë’. Madje, përkundrazi, shënimi që ka lënë me dorën e tij, duket se e ka “fundosur” më keq Bilalin, duke e shtyrë më thellë në honin ku ai po gremisej. Por, po të shohim anën tjetër të medaljes, nuk është më e mirë situata edhe për Kadarenë. Pra, denoncimi që Bilali i bën kolegut të tij shkrimtar, Ismail Kadaresë, te Enver Hoxha, gjithashtu nuk mund të ishte pa pasoja. Madje tejet i rëndë: një shpatë që i rrinte pezull mbi krye dhe që pritej nga momenti në moment t’i binte… Edhe pse Bilali u mbahet dhe u qëndron besnik të gjitha atyre që pati thënë në Lidhje të Shkrimtarëve në adresë të Kadaresë e veprës së tij, përsëritja e tyre, tashmë në një letër drejtuar Enver Hoxhës, merr tjetër ngjyrë dhe do të ishte tmerruese për këdo që do t’i dëgjonte ato fjalë. Ose, po të perifrazojmë Kadarenë në një nga veprat e tij, ku flet për raste të tilla të ngjashme: “Ishte si të flije me derë hapur.” Dhe akuza, apo më saktë denoncimi që ai bën ndaj Kadaresë, duke u shprehur se: “Një shkrimtar i mirë revolucionar, nuk duhet të abuzojë me idetë e mëdha të partisë, duke i përdorur si prestigjator tezat dhe parullat e partisë, vetëm sa për të bërë efekt, vetëm sa për të krijuar iluzione te lexuesi”, është mjaft e rëndë, dhe sidomos kur kjo gjë bëhej tek Enver Hoxha?! Por më mirë se kushdo, për këtë gjë mund të flasë vetë Kadareja. Dhe, ashtu si të gjitha dokumentet e tjera të këtij libri, edhe letrën e Bilal Xhaferrit drejtuar Enver Hoxhës, po e japim të plotë.

''I dashur shoku Enver

Unë që po ju drejtohem me këtë letër jam një punëtor. Ju shkruaj për një çështje që është çështje jete për mua, bile akoma më shumë, se i kalon kufijtë e jetës sime personale dhe tani vetëm ju jeni njeriu që do ta zgjidhni përfundimisht e me drejtësi.

T’ju tregoj me dy fjalë biografinë time.

Babai im ka qenë në radhët e Ballit dhe është pushkatuar në fillim të vitit 1945. Megjithatë, pavarësisht nga rasti i tim eti, familja jonë, duke filluar që nga Hoxha Tasimi, ka qenë një familje patriote.

Unë jam rritur jetim. Kam hyrë në punë që kur isha fëmijë dhe sot kam 17 vjet që jetoj e punoj në gjirin e klasës punëtore, si punëtor i thjeshtë në prodhim. Nuk kam mundur që të marr arsim dhe të kryej studime, por duke punuar në mënyrë autodidakte jam përpjekur të grumbulloj pak njohuri dhe të stërvis dorën në letërsi artistike. Si rezultat i përpjekjeve të mia, vitin e kaluar u vu në qarkullim një vëllim i imi me tregime dhe u botua edhe një vëllim me poezi; gjithashtu, shtëpia botuese “Naim Frashëri” përgatiti për të futur në shtyp një roman, të cilin e shkrova me rastin e 500-vjetorit të Skënderbeut.

Shkurtimisht kjo është biografia ime. Dhe tani, që të mos e zgjas dhe të mos ju shkurtoj minutat tuaja të shtrenjta, po vij te çështja për të cilën vendosa t’ju shkruaj.

Në pranverën që shkoi, u organizua në Tiranë një diskutim letrar rreth romanit “Dasma” të shkrimtarit Ismail Kadare. Atje u ngrita dhe unë të shfaq mendimet e mia. Fola kundër këtij romani. Si pasojë, ndodhi një skandal që mori më vonë përpjesëtime të bujshme. Shoku Fadil Paçrami që foli pas meje, njoftoi sallën që unë kisha babanë të pushkatuar dhe më deklaroi mua si armik, kurse romanin “Dasma” e vlerësoi lart. Me autoritetin e tij ai përcaktoi qëndrimin që do të mbahej më vonë kundrejt meje.

Më pushuan nga puna. U ndalua vënia në qarkullim e vëllimit tim me poezi dhe romani im u tërhoq nga shtypi. U morën edhe masa të tjera kundrejt meje. Kështu, ngjarjet ndoqën ngjarjet dhe tani unë ndodhem në një gjendje ku shpresa e vetme jeni vetëm ju, është gjykimi juaj.

Nuk dëshiroj t’i kundërvihem një anëtari të Komitetit Qendror, siç është shoku Fadil Paçrami, as nuk dua ta paraqes veten si një viktimë e pafajshme, por megjithatë, në ndërgjegjen time unë nuk jam i bindur që ta quaj veten fajtor, dhe, gjithashtu, akoma nuk jam i bindur që të pranoj se kundrejt meje janë sjellë me drejtësi partie, me drejtësi proletare. I thonë një fjale: “Jepja pëllëmbën tjetrit, sipas faqes”.

U ngrita kundër romanit “Dasma”, se ai më dukej i gabuar fund e krye në brendinë e tij. Vlerat që i atribuoheshin, sipas meje, ishin vetëm vlera në dukje. Por, që ta çmosh një vepër letrare vetëm nga dukja e saj e jashtme, të verbohesh nga shkëlqimi i stilit plot ekstravagancë, pa shikuar brendinë reale, pa zbuluar kuptimin e vërtetë të gabuar në esencë, kjo do të thotë që ta çmosh atë vepër vetëm për sytë e bukur. Një shkrimtar i mirë revolucionar, nuk duhet të abuzojë me idetë e mëdha të partisë, duke i përdorur si prestigjator tezat dhe parullat e partisë, vetëm sa për të bërë efekt, vetëm sa për të krijuar iluzione te lexuesi.

Lexuesi e ka ndjenjën e së vërtetës dhe të realitetit dhe kërkon një letërsi të vërtetë dhe realiste. Ai di ta dallojë atë që shkruhet nën flakën e fantazisë së një shkrimtari, prapa së cilës zvarriten hije mendimesh të shkapërdisura, zvarriten kapituj të mbështetur në rërë simbolesh e konvencionesh të errëta, të mbështetura në pajandime frazash me kuptime të papërcaktuara, të dyfishta.

Romanin “Dasma”, unë e denoncova si një vepër të shkruar shumë larg metodës së realizmit socialist dhe të rënë nën ndikimin e artit dekadent. Nuk ngul këmbë që vetëm si them unë duhet të jetë dhe që vetëm unë duhet të kem plotësisht të drejtë, por sidoqoftë, mendimet që kam shfaqur, jam në gjendje t’i mbroj gjer te presja dhe te pika e fundit, kundër interpretimeve të shtrembra që u janë bërë. Atje unë nuk bëj aluzione, por flas hapur, saktë dhe direkt, duke marrë në analizë të metat e romanit.

Diskutimi im është bërë me shkrim dhe ekziston si dokument. Le të merret ai në shqyrtim dhe le të thirrem unë që të jap llogari për ato që kam thënë atje. Jam i bindur gjer në vdekje, se e drejta është me mua për sa i përket thelbit dhe qëllimit të kritikës sime kundrejt romanit “Dasma”, dhe gjithashtu për sa u përket çështjeve të veçanta më të rëndësishme që trajtoj unë në atë kritikë.

Unë jam punëtor dhe kam shtatëmbëdhjetë vjet që punoj me djersën e ballit. Kam punuar si minator, hekurkthyes, hidraulik, punëtor krahu në bujqësi, në ekspedita gjeologjike dhe në fabrika si teknik ndërtimi, në punime rruga-ura dhe vullnetar që në aksionet e para. Kështu, në gjirin e klasës punëtore po kaloj gjithë rininë time. Ndokush mund të përmendë babanë tim të pushkatuar. Megjithatë, prapëseprapë, unë jam punëtor. Mua nuk më ka rritur dhe nuk më ka edukuar babai im, të cilin nuk e mbaj mend dhe nuk e njoh, por më ka rritur dhe më ka edukuar klasa punëtore. Dhe, në qoftë se duhet të flitet për atësinë time, unë jam bir i klasës punëtore, i brumosur me idealet e saj. Unë vij drejtpërsëdrejti nga zemra e kësaj klase.

Këtu jam rritur që kur isha fëmijë i njomë, këtu njoha gëzimet dhe hidhërimet e jetës, këtu mësova të shkruaj, të dashuroj dhe të urrej, këtu gjeta frymëzimin, heronjtë, gjuhën, subjektet dhe motivet. Pavarësisht nga gabimet e mia të mundshme, pavarësisht pastaj nga antipatia dhe opinioni i keq që mund të kenë persona të veçantë kundrejt meje, unë mbetem gjer në fund bir i klasës punëtore dhe i Partisë së saj të punës. Në qoftë se ka njerëz që e kanë ndërgjegjen flori kundrejt klasës punëtore dhe kundrejt partisë, unë jam nga ata që e kanë margaritar. Unë kam dhënë prova për këtë, në çfarëdo kushtesh që jam vënë; kam dhënë prova në punën dhe qëndrimin tim si njeri, si qytetar dhe si punëtor, kam dhënë prova me veprën time modeste letrare, ku pasqyrohet shpirti im, mendimi im, qëndrimi im ndaj çështjeve të popullit dhe të socializmit.

I dashur shoku Enver

Unë e kuptoj mirë domosdoshmërinë për të zhvilluar luftë ndaj armikut të klasës, si dhe mprehjen e vigjilencës në kushtet aktuale të thellimit të revolucionit tonë, por njëkohësisht e di se Partia nuk gjykon thjesht në bazë të konceptit patriarkal të gjakut dhe nuk mund të më dënojë mua për babanë tim. Unë dua të gjykohet për jetën time. Le të më bjerë mbi kokë dënimi më i rreptë i Partisë dhe i popullit, në qoftë se kam devijuar nga çështja e Partisë dhe popullit dhe në qoftë se këtë e kam bërë me ndërgjegje dhe me qëllim, po kot së koti, pa faj, jam i bindur se nuk do të dënohem, nuk do flakem tutje. Me këtë ndjenjë të palëkundur bindjeje dhe besimi, ju drejtohem juve, që jeni njeriu më i dashur dhe më i drejtë për të gjithë ne.

Pse t’jua fsheh, shoku Enver? Jam në një gjendje të rëndë, plot ankth dhe dëshpërim, dhe më duket sikur më kanë mbetur vetëm dy rrugë në jetë: ose të më jepet përsëri e drejta e botimit, e drejta që t’i shërbej çështjes së Partisë dhe popullit, ose të hidhem nën rrotat e trenit, se nuk duroj dot që të vegjetoj kot, në një jetë pa kuptim, larg problemeve të mëdha të kohës, larg artit tim.

Mbetem në pritje, me shpresën te ju.

Këtë mbrëmje të Vitit të Ri, ju uroj jetë të gjatë dhe forca të reja, ju uroj të jetoni edhe më shumë se 60 vjet të tjera.

Me respekt të thellë

Bilal Xhaferr Hoxha

Kullë, 31.12.1969''



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora