Përjetësi » Kadare
Kadare: Kosova-Turqi?
E premte, 25.10.2013, 07:23 PM
Kadare: Kosova-Turqi? E kam shkruar prej kohësh te libri “Mosmarrëveshja”
Ismail Kadare komenton deklaratat e 3 kryeministrave në Prishtinë.
“Një nga turpet e mendimit shqiptar, që qenia e Shqipërisë u detyrohet dy mburojave: shtetit osman dhe shtetit komunist”
“Qenia e
Shqipërisë u detyrohej dy mburojave: shtetit osman dhe shtetit komunist. Kështu
do të vazhdonte përpunimi në trajtë doktrinare i një prej turpeve të mendimit
shqiptar, ideja se kombin shqiptar do ta kishte shuar prej kohësh vala sllave,
në qoftë se nuk do ta mbronin osmanët. Se sa i rrejshëm ka qenë kërcënimi i parë,
ai i Europës, e tregoi në mënyrën më të bujshme fundi i mijëvjeçarit, kur
Europa do të bënte luftë për t’i mbrojtur shqiptarët. Se sa përrallë ka qenë ky
i dyti, koha është duke e treguar përherë e më fort. I ashtuquajturi rrezik
sllav për shuarje të kombit shqiptar, s’ka qenë veç një shpikje osmanistësh e
neoosmanistësh, shqiptarë e turq bashkë, e cila, nga njëra anë përligjte
sundimin osman, e nga tjetra ledhatonte krekosjen sllave për kinse fuqinë tërheqëse
të sllavizmit…”. Këto janë pasazhe nga libri “Mosmarrëveshja” e shkrimtarit të njohur
Ismail Kadare, i botuar rreth 3 vite më parë, por që pas deklarimeve të tre
kryeministrave në Prishtinë duken shumë aktuale, por edhe rihapin debat. Kreu i
qeverisë turke, Taip Erdogan, i qeverisë shqiptare Edi Rama dhe i asaj
kosovare, Hashim Thaçi, mbajtën fjalime afeksionuese për marrëdhëniet shqiptaro-turke
gjatë inaugurimit të terminalit të ri të Aeroportit të Prishtinës, më 22 tetor.
Ndër të tjera, Rama e Thaçi thanë se turqit dhe shqiptarët janë popuj vëllezër,
dhe e quajtën “vëlla” Erdoganin, ndërsa ky i fundit tha: Kosova është Turqi dhe
Turqia është Kosovë. Deklarime që kanë shkaktuar mjaft reagime, qofshin
pozitive apo negative. Por, për Kadarenë duket se nuk janë të panjohura këto
lloj “flirtimesh” mes shqiptarëve dhe turqve. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”,
në vend të një komenti apo replike, ai sugjeroi pikërisht librin “Mosmarrëveshja”.
“Nuk i kam lexuar të plota deklaratat e tyre, por me aq sa jam njohur nuk mund
të bëj ndonjë reagim apo koment të çastit. Sepse për marrëdhëniet e shqiptarëve
dhe turqve unë kam shkruar prej kohësh te libri “Mosmarrëveshja”, ndaj nuk kam çfarë
të shtoj tani gjë tjetër. Çfarë kam thënë në libër, mbeten aktuale…”, tha
Kadare, duke na autorizuar njëkohësisht që të botojmë një pjesë ku flet pikërisht
për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe turqve…
e.ilnica
EPILOG ME
ZOTIN
…Që Shqipëria
kishte pushuar së qeni e shtrenjtë për shqiptarët, ishte e lehtë për t’u
besuar, por vështirë të vërtetohej. Që fortësia e saj pengonte dashurinë për të,
as kjo s’mund të pranohej. I kapur si në ngërç, mendimi shqiptar për kombin
vetvetiu prirej drejt formulës së re: më i fortë se kurrë, më i brishtë se kurrë.
Ishte një kushtrim i ri, i sinqertë ose jo, për një rrezik të përfytyruar? Kronika
shqiptare rrallëherë jepte shembull të tillë. Kishte pasur aq shumë rreziqe të vërteta,
sa nuk mbetej vend për të rremet. Ndërkaq, himni i vjetër i shtetit, ai që na
ka shoqëruar në këtë përsiatje, kishte gjasë të na çonte te një kuptim i ri i
gjërave. Në fund të fundit, pllaka memoriale koniciane, motërzimi në mermer i
himnit, nuk ishte veçse njëri nga kumtet himnoide, atij të fshehtit. Dhe si e
tillë do të merrej. Që himni ishte po ai qysh prej krijimit dhe që pllaka
memoriale këmbëngulte në të sajën, kjo dëshmonte për një patologji të kthyer
tashmë në shenjë identitare. Shenja ishte tepër e pikëllueshme, nga ato që rrallëherë
iu binin në pjesë popujve: ideja se ky komb ishte i padashur, për të mos thënë i
papranueshëm prej të tjerëve. Ankesa, përveç që kishte diçka të padenjë, siç ndodhte
shpesh me viktimizimin, do të kthehej më pas, gjatë rendit komunist, në një fortashtrojë
(platformë) që do të përligjte një nga krimet kryesore të kohës: armiqësimin e
Shqipërisë me botën, kryesisht me Perëndimin. Miti i një sulmi të mundshëm të këtij
do të përligjte rendin diktatorial shqiptar, mizorinë, bunkerët dhe shterpësinë
e tij. Krahas me të, si shëmbëllim i kësaj ankese, do të gjëllonte një tjetër,
po aq groteske: fantazma e përthithjes sllave. Si rrjedhojë e kësaj, do të vazhdonte
përpunimi në trajtë doktrinare i një prej turpeve të mendimit shqiptar, ideja
se kombin shqiptar do ta kishte shuar prej kohësh vala sllave, në qoftë se nuk
do ta mbronin osmanët. Me fjalë të tjera, qenia e Shqipërisë u detyrohej dy mburojave:
shtetit osman dhe shtetit komunist. Se sa i rrejshëm ka qenë kërcënimi i parë,
ai i Europës, e tregoi në mënyrën më të bujshme fundi i mijëvjeçarit, kur
Europa do të bënte luftë për t’i mbrojtur shqiptarët. Se sa përrallë ka qenë ky
i dyti, koha është duke e treguar përherë e më fort. I ashtuquajturi rrezik
sllav për shuarje të kombit shqiptar, s’ka qenë veç një shpikje osmanistësh e
neoosmanistësh, shqiptarë e turq bashkë, e cila, nga njëra anë përligjte
sundimin osman, e nga tjetra ledhatonte krekosjen sllave për kinse fuqinë tërheqëse
të sllavizmit. Në të vërtetë, sllavët ballkanas në Perandorinë Osmane, duke qenë
vetë në gjendjen poshtëruese të rajasë, nuk kishin mundësi joshjeje, aq më pak
asimilimi mbi të tjerët. As zhvillimi ekonomik e shoqëror e as identiteti i
tyre i shtypur nuk jepnin dorë për diçka të tillë, sidomos përballë identitetit
sprapsës e kryeneç shqiptar.
Shqipëria
nuk ka qenë dhe as do të ishte e padashur prej familjes së kombeve. Madje mund
të thuhej se, ashtu siç kishte zëra që ankoheshin për mosvëmendje ndaj Shqipërisë,
po aq, në mos më shumë, kishte zëra të tjerë që ngulnin këmbë për vëmendje të tepërt,
për të mos thënë, llastim të saj.
* * *
…Me
kalimin e shekujve, jo veç të huajt, por shqiptarët vetë, gati-gati po besonin
se Shqipëria nuk rrethohej më nga vise europiane, siç ishte në të vërtetë, por
ishte zhvendosur drejt daljes së kontinentit të vet, në kufi me Azinë. Si e
tillë, si hapësirë ndërprerëse a urë kalimi aziatiko-europiane, përftohej ajo që
e kishte Azinë rreth një mijë kilometra larg. Ky status gjysmak, ky as-as (as
Europë, as Azi), nuk do t’i ndahej Shqipërisë edhe pas shembjes së Perandorisë Osmane.
Nuk ishte metaforë, por gërmadha e projektit makabër për shuarjen e një kombi. Shestimi
kishte mbetur përgjysmë. Në zanafillë të tij ishte një hakmarrje e egër, nga
ato për të cilat perandoritë ishin veçanërisht të afta. Nga gjithë popujt e
gadishullit, shqiptarët, si dëmtuesit më të mëdhenj të vrullit osman te portat
e Europës, do të merrnin edhe ndëshkimin më shembullor. Nga popujt e
Midis
sajesave të botës, ato që mund të pillnin një dergjë ishin ndër më të paparashikueshmet.
Në rastin turko-shqiptar, ndodhi diçka që historia nuk e ka sqaruar ende plotësisht.
Një lodhje nga ato që cilësohen në të gjithat gjuhët e botës si “lodhje
vdekjeje”, por që në këtë rast merrte kuptimin e kryehershëm të saj? Një lodhje
sunduesish e të sunduarish bashkë? Një stërvdekje a një mbimort?
Prej
shurdhimesh të tilla mund të pritej gjithçka. Nga shurdhimi osmano-shqiptar u
sajua diçka e frikshme në befasinë e saj: prirja për t’u marrë vesh. Në vështrim
të parë, thirrja e osmanëve “bëhuni turq” do të merrej si një kulm i shpagës e
i poshtërimit. Me fjalë të tjera: ju na penguat te portat e Europës? Ne e morëm
hakun: ju mundëm. Ua morëm dheun, shpirtin, gratë, foshnjat, gjithçka. Dhe prapë
mos kujtoni se e shlyet fajin! Tani ju do të harroni kush ishit. Do të ulni
kryet, jo më si shqiptarë, por si ish-shqiptarë, dhe ashtu, në gjunjë, do të kërkoni
ndjesë. Në të vërtetë, nuk ka qenë kurrë kështu. Thirrja për t’u kthyer në turq
s’ka qenë asnjëherë e drejtpërdrejtë, por tepër e tërthortë. Dhe asnjëherë me
një kumbim hakmarrës, përkundrazi si një venom. Tingëllimi i vërtetë i saj do të
ishte: u bë ç’u bë, le ta harrojmë. Në qoftë se doni të shijoni të mirat e
perandorisë, bëhuni si ne. Thirrja e fundit ishte gjithashtu tepër e përkorë. Për
të shmangur fjalën plagosëse “turk”, ishte gjetur myslimanizmi, një nga tri
besimet kryesore të botës. Ishte çelësi i artë, kushti i vetëm për të hapur
portën e mundësive të mëdha: karrierës, pasurisë, lavdisë. Ishte joshja që i bënte
perandoria fitimtare popullit të mundur, hapësira e pafundme hapësirës së ngushtë,
së fundmi favori befasues, që ngjante dyfish i tillë, ngaqë vinte në vend të ndëshkimit.
Tundimi
ishte tronditës. Lëkundja gjithashtu. Nuk ishte veç një hap, një zgjedhje, një lamtumirë.
Madje dhe kjo e fundit s’ngjante aq dramatike siç mund të ishte dukur. Nën të njëjtin
pullaz katolik mund të jetonte vëllai mysliman. Shkurt, prej të njëjtit qumësht
nëne mund të rriteshin vëllezër të ndryshëm. Edhe më shkurt: brenda racës
shqiptare, po gjëllonin vatrat familjare dybesimëshe. Ndërkohë, mosbesimi i të dy
palëve ndaj njëra-tjetrës duhej të ketë qenë i pafund. Ishte e natyrshme që secila
palë të dyshonte se tjetra ia kishte me dredhi: shqiptarët do të hiqeshin sikur
ishin ndarë me kryqin, pa u ndarë, kurse osmanët s’do të mbanin asnjë premtim,
si çdo sundues. Vitet kalonin, por rënia e maskave, aq shumë e pritur, nuk
ndodhi asnjëherë.
Në këtë luftë
maskash, kombi shqiptar humbte çdo stinë e çdo vit. Shfaqeshin çdo stinë shqiptarë
me famë dhe pasuri, por, ashtu si në përrallat me kapërcim të ylberit, fill pas
kapërcimit, pra matanë ylberit, ata s’ishin
më shqiptarë. Rrallëherë në histori kishte qëlluar që fama dhe lavdia vetjake e
personazheve, në vend që t’i vinte në ndihmë kombit që i përkisnin, ktheheshin
kundër tij. Do të mjaftonte vetëm shembulli i postit të kryeministrit
perandorak, që iu dha shqiptarëve, prej të njëjtit shtet që ndalonte me dekret
shkrimin e gjuhës shqipe, për të kuptuar se në ç’nyjë tragjike kishte hyrë fati
shqiptar…
Tiranë-Paris,
Verë dhe
dimër 2010-2012