Përjetësi » Kadare
Ismail Kadare: Përse doja gjeneral Lleshin për President
E marte, 12.06.2012, 06:41 PM
Flet
shkrimtari i madh për kandidaturën për President.
“Shpesh dëgjoj ‘s’na duhen ushtarakët’, por ai është shef i një ushtrie në NATO”
Shkrimtari
i njohur, Ismail Kadare, i ka propozuar Edi Ramës, por dhe kryetarëve të tjerë të
partive parlamentare, emrin e zëvendësshefit të Shtabit të Forcave të Armatosura,
Sandër Lleshit.
Shkrimtarin
e kontaktuam në Paris tek ndiqte në distancë zhvillimet e vrullshme politike në
Tiranë. Në telefon, Kadare tha për “Panorama” se nëse Rama e ka propozuar në tryezën
e partive parlamentare emrin e ushtarakut të lartë të Forcave të Armatosura,
liderët e tjerë politikë e kanë falënderuar për këtë sugjerim, të cilin e kanë konsideruar
serioz. Shkrimtari i njohur dallon te figura e drejtuesit të lartë të Ushtrisë shqiptare
disa cilësi që i duhen Presidentit të Republikës. “Përsa u përket cilësive për
President, kam çmuar integritetin moral, paanshmërinë dhe sidomos përkushtimin
ndaj detyrës dhe vendit. Për Presidentin e një Shqipërie serioze dhe të moralshme
janë të detyrueshme këto cilësi”, shprehet Kadare në intervistën e tij. I
pyetur për vështirësitë që politika shqiptare ka për pranimin e kandidaturave për
President jashtë politikës, shkrimtari i njohur e sheh kontributin e tyre jo
nga një këndvështrim i mbyllur politik apo ushtarak. “Nuk ka klishe detyruese për
këtë. Shpesh dëgjohen mendime: s’na duhen filozofët për President, s’na duhen
ushtarakët etj. Në këtë rast do të bëhej fjalë për një nga shefat më të lartë të
Ushtrisë së sotme shqiptare, pjesëmarrëse e Aleancës Atlantike. Dihet se kjo
Aleancë nuk është vetëm ushtarake. Anëtarësia jonë në të është këmba jonë e
sigurt në Europë, pra përkon me aspiratën europiane”, shprehet Kadare.
Zoti
Kadare, kryetari i Partisë Socialiste ka paraqitur në tryezën e partive
parlamentare emrin e gjeneralit Sandër Lleshi si një sugjerim tuajin për
kryetar të shtetit. E keni bërë këtë sugjerim?
Po, Sandër
Lleshi ka qenë sugjerimi si kandidat për President. Sugjerimi i është bërë jo
vetëm zotit Rama, por të gjitha palëve.
Si është
pritur nga politikanët e ndryshëm ky sugjerim?
Më kanë falënderuar,
e kanë quajtur serioz.
Si
keni ardhur ju te emri i zotit Lleshi?
Zotin
Lleshi e kam njohur vite më parë. Më ka bërë përshtypje jo vetëm formimi i tij
solid e profesional gjermanik, por edhe kultura e përgjithshme.
Si për
shembull?
Pjesëmarrja
dinjitoze e tij në një polemikë me karakter historiko-filozofik për strategjinë
ushtarake shqiptare të Mesjetës ka qenë një nga shembujt. Përsa u përket cilësive
për President, kam çmuar integritetin moral, paanshmërinë dhe sidomos përkushtimin
ndaj detyrës dhe vendit. Për Presidentin e një Shqipërie serioze dhe të moralshme
janë të detyrueshme këto cilësi.
Mendoni
se klasa politike shqiptare nuk e pranon ende një President nga fushat jashtë politikës?
Ashtu duket. Nuk ka klishe detyruese për këtë. Shpesh dëgjohen mendime: s’na duhen filozofët për President, s’na duhen ushtarakët etj. Në këtë rast do të bëhej fjalë për një nga shefat më të lartë të Ushtrisë së sotme shqiptare, pjesëmarrëse e Aleancës Atlantike. Dihet se kjo Aleancë nuk është vetëm ushtarake. Anëtarësia jonë në të është këmba jonë e sigurt në Europë, pra përkon me aspiratën europiane.