E premte, 13.12.2024, 09:07 AM (GMT)

Përjetësi » Kadare

Ismail Kadare: Bisedat tabu me Azem Shkrelin për lirinë në '72

E marte, 05.10.2010, 06:57 PM


Bisedat tabu me Azem Shkrelin për lirinë në '72

 

Nga Ismail Kadare

 

"Nga të rrallët njerëz në botë, që e pata si vëlla" Kemi qenë miq një kohë tepër të gjatë, qysh nga viti 1972. E mbaj mend mirë këtë sepse isha për herën e parë në Kosovë dhe deri pak para vdekjes së tij, një kohë gati tridhjetëvjeçare, mund të them se ka qenë, ka qëlluar të jetë miku im më i ngushtë nga shkrimtarët e Kosovës Azem Shkreli, mik i dashur, mik i vërtetë, mik nga ana njerëzore dhe nga idetë, gjithashtu. Kemi bërë biseda të pafundme bashkë, kemi biseduar, mund të them çdo gjë me të.

Pikërisht kujtimi im i parë, sepse shpeshherë kujtimet e para janë më të paharrueshmet, është ai kur kam ardhur në Kosovë vetëm në vitin 1972, me rastin e vënies, mesa më kujtohet, në skenë të dramës "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", që e organizonte Azemi. Isha, si të thuash, mysafiri i tij, si institucion, por u bëra për shembull, mysafiri i tij njerëzor në radhë të parë. Dhe kujtimi im i parë ishte se kam qëndruar gati një javë në Kosovë dhe çdo ditë, pothuajse çdo ditë dilnim bashkë të dy, vetëm me makinën e tij dhe ajo ka qenë një mrekulli mund të them, jashtë çdo protokolli, jashtë çdo syri të jashtëm, jashtë çdo përgjimi...se kishte përgjim, dihet, edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë në atë kohë dhe çdo ditë kalonim orë të tëra. Dhe unë e kam parë të gjithë Kosovën me sytë e mi, sigurisht, por edhe me sytë e tij, se ishte ai që ma tregonte, por që ai ishte si shkrirje, një infuzion. Dhe kemi biseduar, natyrisht të gjitha, nga më të çuditshmet, më delikatet. Kjo është edhe karakteristikë e këtij kujtimi.

Ditën e dytë ose të tretë, maksimumi, më kujtohet se midis nesh u bë biseda më delikate e asaj kohe, biseda më tabu, më e ndaluar në botë, që ishte: çështja e lirisë së Shqipërisë. Sepse sigurisht, në fillim u bë biseda e natyrshme, që do të bisedonim për mungesën e lirisë në Kosovë dhe çfarë po bëhej për t'u kapërcyer disi-disi ajo barbari e deriatëhershme me aktivitete kulturore ose afrim kulturor me kulturën shqiptare. Por ne kaluam pastaj në temën që ishte më delikatja, pra më tabu nga të gjitha - mungesa e lirisë në Shqipëri, gjë që nuk flitej në atë kohë dhe ishte e kuptueshme të mos flitej midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, sepse këtu ishte një mungesë lirie, e ndryshme nga mungesa juaj (në Kosovë). Mungonte pra liria, por në mënyra të ndryshme. Liria është një, por ajo mund të mungojë në mënyra të ndryshme. Mungesa juaj nuk ngjante me mungesën tonë, ishte tjetër gjë. Ne pra, e kapërcyem këtë gjë dhe folëm, folëm gjerësisht, unë i shpjegova se si, gjithashtu në Shqipëri ka një mungesë lirie, që është po aq tragjike sa mungesa në Kosovë, por e një sensi tjetër, e një drejtimi tjetër. Prandaj biseda jonë kishte, do të thosha një karakter disi misterioz, në këtë kuptim, që as unë, as ai dhe as njeri në botë nuk mund ta gjente atë enigmë se çfarë ka të përbashkët kjo mungesë. Se diku, në një zonë tjetër të largët, ajo kishte diçka të përbashkët, liria ka diçka të përbashkët. Psenë nuk mund ta gjenim ne, as unë, as ai dhe asnjë njeri në botë, sepse asnjë njeri në botë në vitin 1972 nuk kish parashikuar që një ditë komunizmi do të binte. Pra, ne e përfytyronim jetën tonë, jetën e Shqipërisë, jetën e Kosovës. Ne, si të thuash, gjithfarë gjërash mund të mbërrinim, por jo atë kryesoren - rënien e komunizmit, ku ishte edhe misteri, ku ishte edhe enigma, ku ishte edhe kyçi që nuk lejonte lirinë e njërit dhe të tjetrit. Pikërisht për këtë, pra, edhe përdora fjalën misteri, sepse këtë gjë që rrinte në mjegull e fshehur, këtë s'e kuptonte, nuk mund ta gjente asnjëri. Këtë nuk e dinin as organizmat e zbulimit më të sofistikuar perëndimor. Nuk kanë parashikuar që komunizmi do të binte në atë kohë, kurrsesi. Prandaj, kjo ishte shumë interesante që ne, si të thuash, flisnim për diçka tjetër, gëzonim veten tonë në afrimin e lirisë së Kosovës e të Shqipërisë, çka ishte, si të thuash, një ushqim zëvendësues për lirinë, nuk ishte liria e vërtetë, por ishte një lloj e tretë, si të thuash, që i ngjante lirisë, por nuk ishte ajo. Prandaj thashë, po kthehem, përdora fjalën misteri dhe enigma, kjo ishte. Dhe kjo ishte, do të thotë, biseda jonë e pafundme, të pafundme me ato mijëra kilometra që kemi bërë bashkë nëpër Kosovë dhe u pasuruam nga kjo gjë. Më vonë kur jemi takuar, kur ra komunizmi, e kemi kujtuar atë kohë, por s'kishim faj, s'mund të na shkonte në mend, askujt nuk i kishte shkuar që do të binte komunizmi dhe atje ishte zgjidhja. Pa rënë komunizmi, s'kishte liri as për Kosovën, as për Shqipërinë, me sa duket.

Jam takuar disa herë me të. Jemi takuar në Paris. Jam takuar në Gjermani. Kemi shkuar te shtëpia e tij. Atë herë kemi qenë bashkë me bashkëshortet tona. Në Kosovë prapë, pas këtij takimi kam shkuar herën e fundit që kam qenë në Kosovë, gjatë kohës së robërisë, ka qenë viti 1980, fundi i vitit ose në prag të ngjarjeve. Ishte edhe ai një kujtim shumë i bukur dhe Azemi gjithmonë ishte i pranishëm. Jemi takuar në Shqipëri, ka ardhur disa herë. Domethënë, kam takime të shumta me të, të shumta. Gjithmonë takoheshim me të njëjtën dëshirë, me të njëjtën kënaqësi, me të njëjtin kuriozitet. Dhe ai ishte gjithmonë ai që ishte, i pandryshueshëm dhe marrëdhënia midis nesh ishte e pandryshueshme, gjithmonë e thellë, e sinqertë, interesante, plot pasuri intelektuale…

Smajl Smaka: Pa xhelozi dhe diçka të ngjashme?

Ismail Kadare: Absolutisht, as s'mund të kuptohej. Ai ishte, mund të them, njëfarë, e përdor rrallë, që e kam një njeri si vëlla. Ka njerëz që e përdorin dhe për çdo njeri thonë vëlla, por ishte ai nga të rrallët njerëz në botë, që e pata si vëlla. 2 prill 200

 



(Vota: 5 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora