E marte, 08.10.2024, 09:25 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kadare

Ismail Kadare merr titullin “Honoris Causa” në Itali

E enjte, 04.06.2009, 06:58 PM


Nga Alma Mile

Një titull dhe një çmim mirënjohjeje për shkrimtarin e madh Ismail Kadare. Eshtë Universiteti i Palermos në Itali që i dorëzon shkrimtarit shqiptar, titullin doktor “Honoris causa”, ndërsa komuniteti arbëresh në vendin fqinj, i dorëzon një çmim që mban emrin “Besa”. Sipas portalit arbëresh “Jemi”, mësohet se së pari do të zhvillohet ceremonia për dhënien e titullit “Honoris Causa”, ditën e mërkurë, në 10 qershor në Palazzo Steri, në Universitetin e Palermos. Po atë ditë, në teatro “Golden” do të zhvillohet ceremonia e dorëzimit të çmimit “Besa”, i cili ndahet për herë të parë nga komuniteti arbëresh që jeton në Itali prej më shumë se 500 vjetësh, duke ruajtur me kujdes gjuhën arbëreshe, kostumet e traditat. Çmimi “Besa” do t’i ndahet çdo vit “një personaliteti të shquar në fushën e vet (artistike, ekonomike, letrare, shkencore, etj) për kontributin në fushën studimore, apo në imazhin e minoritetit arbëresh në Itali”. Juria, e cila vendosi për fituesin e këtij edicioni, përbëhet nga figura të njohura të botës akademike, apo edhe fushave të tjera në Itali, me prejardhje arbëreshe, si Elio Cardinale, president i Fakultetit të Mjekësisë (UNIPA), Giuseppe Cangialosi, Matteo Mandalà, albanolog, Francesco Altimari, albanolog, Mario Giacomarra, sociolog, Giorgio Petta, gazetar (“LA SICILIA”), Pietro Manali, drejtori i Shoqërisë “Besa”. Këtë vit pjesë e jurisë është edhe poeti Visar Zhiti, atashe kulturor i Ambasadës shqiptare në Itali. Në këtë edicion të parë të ndarjes së këtij çmimi, juria ka vendosur që ai t’i jepet shkrimtarit Ismail Kadare, si më të madhit shkrimtar bashkëkohor shqiptar, disa herë kandidat për çmimin “Nobel” për letërsinë. Çmimi konsiston në dorëzimin e një brezi të argjendtë, që është edhe një nga elementët më të bukur të veshjes tradicionale arbëreshe dhe një pergamenë me motivacionin sipas një thënieje të vetë Kadaresë, të përkthyer në italisht, me këtë rast, nga shkrimtari arbëresh Giuseppe Schirò Di Maggio. Pas dorëzimit të trofeut, është menduar një aktivitet muzikor, i titulluar “Martesa”, me pjesëmarrjen e artistëve të njohur italianë, me një program të pasur me muzikë e këngë nga repertori arbëresh.

Kadare, kandidat për “Kult”

Ceremonia e dorëzimit të titullit “Honoris Causa” dhe çmimit “Besa” për shkrimtarin Ismail Kadare, do të zhvillohet në datën 10 qershor, në Palermo. Në të njëjtën ditë, në Tiranë, zhvillohet një tjetër ceremoni e madhe, ndarja e çmimeve “Kult”. Në këtë mbrëmje “Gala” do të ndahen 10 trofe, për artistët më të mirë të vitit, në fushën e muzikës, aktrimit, arteve pamore, por edhe letërsisë. Në katër kandidatët për çmimin “Kult 2009”, është edhe shkrimtari Ismail Kadare, me romanin e tij të fundit, të botuar në Shqipëri, “Darka e gabuar”. Në kategorinë e librit artistik, konkurrojnë gjithashtu shkrimtari Ben Blushi me romanin “Të jetosh në ishull”, gazetari Fatos Baxhaku me “Gur” dhe Lindita Ahmeti me vëllimin poetik “Lulja Alba”.



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora