Përjetësi » Kadare
Si përgatitëm me Kadarenë arratisjen e tij në fundvitet ‘80
E enjte, 07.05.2009, 07:42 PM
Nga Jérôme Dupuis
Ai është një prej legjendave të fundit të shtëpive botuese pariziane. Në moshën shtatëdhjetëvjeçare, mbas tridhjetë vjetësh në krye të Fayard-it, Claude Durand jep dorëheqjen, jo pa dhënë më parë një "goditje" të fundit me "Bota sipas K-së", të Pierre Péan. Ai ka qenë botuesi i Aleksandër Solzhenicin-it dhe i Ismail Kadaresë, i Fransua Miteranit, i Gabriel Garcia Markezit, i Leh Valezës, i Mishel Holebekut. Dhe nuk ka ngurruar kurrë të luftojë kundërshtarë aq të fuqishëm sa "Le Monde" ose Bernard-Henri Lévy. I njohur për të folurën e tij të hapur dhe shkrepjet e tij të zemërimit kundër çmimeve letrare, ai i rikthehet për "Express"-in, dyzet e pesë vjetëve të aventurave botuese me shumë peripeci dhe saktëson rrethanat e largimit të tij. Sidoqoftë, nuk është me të vërtetë një largim, meqenëse ai do të vazhdojë të ndjekë rreth tridhjetë autorë dhe ndërtesat e reja të Monparnasit, ku ai është vendosur më 8 prill, komunikojnë nëpërmjet një korridori me selinë e Fayard-it.
A e dini me përafërsi numrin e kontratave të botimit që keni nënshkruar?
Do të thosha më shumë se 5.000.
Pse po hiqni dorë sot nga drejtimi i "Fayard?
Pas tridhjetë vjetësh në krye të kësaj shtëpie botuese, mendova se do të ishte me vend t'ia lija vendin një tjetri. Në moshën shtatëdhjetëvjeçare na merret fryma shpejt për të rendur pas koktejeve dhe nëpër sallone. Me Arnaud Nourry, drejtuesi i "Hachette Livre", vlerësuam se Olivier Nora, tashmë drejtuesi i "Grasset", zotëronte të gjitha cilësitë që do t'i lejonin të drejtojë këtë shtëpi me një gamë botuese shumë të gjerë, duke u shtrirë nga historia te muzikologjia, nga romani francez te dokumentet e aktualitetit, nga krijimtaria e huaj te biografitë letrare.
Të mbështetura nga njëra-tjetra, të dyja shtëpitë botuese, "Fayard" dhe "Grasset", mund të formojnë, duke respektuar identitetin e tyre, një pol të fuqishëm të letërsie së përgjithshme. Prapëseprapë, ju nuk do ta lini zanatin tuaj...
Do të vazhdoj të jem administrator i "Fayard" dhe këshilltar pranë Arnaud Nourry. Gjatë një periudhe tranzicioni, me një zgjatje që mund të jetë e ndryshueshme, do të vazhdoj të ndjek rreth tridhjetë autorë, me të cilët jam duke punuar që prej shumë vitesh, mes të cilëve, ndër të tjerë, Hélène Carrère d'Encausse, Jacques Attali, Elizabet dhe Robert Badanter, Erik Orsena, Maks Galo, Ismail Kadare dhe sigurisht, Aleksander Solzhenicin (pata rastin të merrem vesh në lidhje me këtë pikë me të venë e tij, Natalia, javën e shkuar.)
Në të kaluarën keni botuar një biografi shumë të kritikuar të Bernard-Henri Lévy-t, me autor Philippe Cohen, po ashtu dhe "Fytyrën e fshehur të gazetës 'Le Monde'", që nuk fliste mirë për Alain Minc, dy personalitete me influencë te "Grasset". A nuk druheni nga konfliktet?
Ashtu siç e ka vënë në dukje Arnaud Nourry, nëse Pierre Péan dëshiron një gjë të tillë, ai do të vazhdojë të botojë te "Fayard". Nga ana ime, nuk shoh asnjë mospërputhje me faktin se Bernard-Henri Lévy ose Alain Minc shprehen nën etiketën "Grasset"...
Në fillim ju ishit mësues. Si u bëtë botues?
Te "Seuil" i kisha dërguar një tekst Jean Cayrol-it, shkrimtar dhe drejtues koleksioni. Ai më nxiti dhe unë shkrova një pamflet të titulluar "Gjella e ditës". Ai e botoi në koleksionin e tij "Të shkruash", më 1959. Gjithashtu kam realizuar me të një metrazh të gjatë, "Goditja përfundimtare". Më pas, Paul Flamand, pronari i "Seuil", më propozoi të drejtoj këtë koleksion. E hodha hapin. Një prej dorëshkrimeve të para që kam marrë, përmes Jean Cau, quhej "Sheshi Etual". Menjëherë më joshi. Lashë një takim me autorin e tij, njëfarë Patrick Modiano, që nuk kishte botuar asnjëherë më parë. Nënshkruam një kontratë për këtë roman dhe me të drejtë zgjedhjeje për të ardhshmit. Disa ditë më vonë, ai kthehet të më takojë i mërzitur, dhe më thotë: "Në fakt, jam minator dhe nuk e kisha të drejtën të nënshkruaja këtë kontratë. Ndërkohë, nëna ime ka lidhur për mua një kontratë me 'Gallimard'. Më vjen keq...". Pa dyshim që mua më erdhi më shumë keq!
Është gjithashtu në këtë kohë kur zbuloni "Njëqind vjet vetmi", të Gabriel Garcia Marquez...
Kur e mora këtë dorëshkrim në gjuhën spanjolle, nuk ishte botuar akoma në Argjentinë. Më entuziazmoi dhe "Seuil" fitoi të drejtat për të për një shumë modeste prej 5.000 frangash. I propozova bashkëshortes sime, Karmenit, që është me origjinë kubane, ta përkthente bashkë me mua. Vitin e parë nuk u shitën veçse 3.000 kopje. Pak më tepër vitin që pasoi. Pastaj mori për lart (sot duhet të jemi te afër një milion kopje). Në vrullin tonë, Carmen-i dhe unë kishim filluar tashmë përkthimin e titullit të radhës, "Vjeshta e Patriarkut". Por kësaj here, agjentja spanjolle e Garcia Marquez kërkoi për të 100.000 dollarë! Ishte një shumë goxha e madhe për "Seuil". Pronari i "Grasset" në atë kohë, Jean-Claude Fasquelle, kishte një rezidencë pushimesh në Katalonjë, ku fqinjëronte me agjenten e Marquez-it. Fitoi të drejtat. Një prej gabimeve të mia ka qenë me siguri se nuk kam pasur shtëpi në Kadakes.
Mes veprave që keni botuar, cila është ajo për të cilën jeni më shumë krenar?
Pa dyshim, "Arkipelagu i Gulagut". Në janar të vitit 1968 kisha krijuar një koleksion të quajtur "Beteja", ku kisha botuar "Të drejtat e shkrimtarit", një përmbledhje tekstesh të Aleksandër Solzhenicinit. Në tetor të vitit 1973, në panairin e botuesve, në Frankfurt, më kërkojnë të hyj në kontakt me një avokat nga Zyrihu, avokatin Me Heeb. Ai më tha tinëz: "Së shpejti do të merrni prej shkrimtarit rus një dorëshkrim voluminoz të titulluar 'Arkipelagu i Gulagut'". Menjëherë filluam ta përkthejmë. Në dhjetor, një kopje e dorëshkrimit u kap prej KGB-së në Moskë, te shtëpia e një gruaje që do të gjendej e varur të nesërmen. Solzhenicini na kalon mesazhin: "Shtypni butonin atomik! Botojeni!". Në maj, vëllimi i parë dilte në Francë me një tirazh të parë prej 550.000 kopjesh dhe me bujën që dimë.
Si u bëtë agjenti botëror i Solzhenicinit?
Kur Solzhenicini u dëbua nga Bashkimi Sovjetik, u vendos për një kohë në Zyrih. Atje zbuloi, i shastisur, mënyrën e vajtueshme se si vepra e tij kishte qenë botuar në Perëndim: botime pirate, tri versione të të njëjtit tekst, të botuara në të njëjtin vend, "Rrethi i Parë" i përkthyer në frëngjisht nga anglishtja, dhe jo nga rusishtja etj. I dërrmuar, na bëri të njohur vendimin e tij për të mos shkruar më. Atëherë Paul Flamand dhe unë e takuam në Zyrih me botuesin e tij rus, Nikita Struv. I propozuam të vinim rregull në punët e tij. Për këtë qëllim krijuam te "Seuil" një strukturë të vogël; aty i kam kaluar të gjitha fundjavat e mia për dy vite me radhë. Kur kalova te "Fayard", Solzhenicini deshi pa hezitim të më ndiqte. Tashmë, tërësia e veprës së tij për gjithë botën, përveç Rusisë, administrohet në këtë shtëpi botuese.
Për sa u përket disidentëve, ju madje keni ndihmuar Ismail Kadarenë të largohej nga Shqipëria...
Në vitet '80 kam shkuar shumë herë në Tiranë, në kohën e diktaturës, për të treguar qartë se ishim vigjilentë në lidhje me integritetin fizik të Kadaresë. Por ndiqeshim dhe dëgjoheshim kudo. Atëherë shkuam në Durrës, në Adriatik, ku u lamë në det, Ismaili dhe unë. Sapo u gjendëm brenda ujit, ishim të sigurt se nuk do të kishte mikrofona! Mundëm që të planifikonim kështu largimin e tij. U ktheva në Francë me vajzën e tij të vogël dhe me nëntë valixhe me arkiva. Çuditërisht, nuk hasëm ndonjë vështirësi në doganën shqiptare, por në Roissy! Më pas e ftova zyrtarisht Kadarenë në Francë. Dhe atje qëndroi. "Fayard" ka botuar madje veprën e tij të plotë në shqip.
Keni për veçanti faktin që keni botuar njëkohësisht François Mitterrand dhe Valéry Giscard d'Estaing, pak para vitit 1981...
Në shtator 1980, mbas kthimit të tij nga Latché, Mitterrand-i më kishte besuar dorëshkrimin e librit të tij program, "Këtu dhe tani", duke më thënë: "Do të presim që Rocard të shpallë qëllimet e tij para se ta botojmë...". Në tetor, mbas kandidaturës së Rocard, shkova ta takoja në rrugën "Bièvre" dhe ai më thotë: "Le ta nxjerrim. Por nuk bëhet fjalë që ndonjë ekstrakt të botohet te 'Le Nouvel Observateur', përderisa ato mbështetën Rocard. Le ta botojmë më mirë tek 'Express'. Por që të mos vihem në pozitë të vështirë, para zgjedhjeve, me ekipin e 'Observatorit', do t'u them se ishte vendimi juaj..." Në të njëjtën periudhë, u thirra në Elysée. Presidenti, Giscard d'Estaing, tashmë kishte botuar te "Fayard" "Demokracia Franceze". Edhe ai donte të nxirrte një libër bilanc para zgjedhjeve! Do të ishte libri "Gjendja e Francës". M'u dha mundësia kështu që të bëj vetë "sondazhin" tim para 10 majit 1981: libri i Mitterrand-it arriti 100 000 kopje, ai i Giscard d'Estaing rreth 30 000...
Kjo nuk ju ka ndaluar të botoni libra shumë të rreptë mbi François Mitterrand-in, sidomos të famshmin, "Një rini franceze", të Pierre Péan-it...
Kjo ka qenë një aventurë botuese e jashtëzakonshme, sepse bëhej fjalë, në fund të fundit, për një libër mbi një president në pushtet, dhe ishte e pamundur të bëje edhe hapin më të vogël të gabuar. Pierre Péan është një profesionist i madh dhe kam botuar libra të tij që prej një kohe të gjatë. Kur "Aferet afrikane" doli në fillim të viteve 1980, më telefonoi një ministër që merrej me Gabon-in: "Sa është tirazhi i librit?", më pyeti. Ia thashë të saktë. "Do ta blej të gjithë tirazhin!", më tha. "Në rregull. Do ta rishtyp menjëherë!" Kjo i dha fund bisedës sonë.
Duke ditur fuqinë e "Le Monde", aksioneri juaj, Jean-Luc Lagardère, nuk u përpoq t'jua kthejë mendjen të botojë "Fytyra e fshehur e Le Monde", me autor Péan-in dhe Philippe Cohen-in?
Aspak. Ai nuk ka ndërhyrë kurrë në programin tonë të botimit. Dhe gjithmonë i kam thënë që të ma kalonte mua të gjithë përgjegjësinë e botimeve "të ndjeshme" të "Fayard". Aksioneri duhet të mbrohet prej ngatërrimeve të tij në zgjedhjet e botuesit. Sapo morëm kopjet e para të librit "Fytyra e fshehur e Le Monde", i shpura në klinikën ku sapo kishte bërë një operacion. Kjo nuk duhet t'ia ketë prishur qejfin aspak, përderisa kërkoi edhe dhjetë kopje të tjera për t'ua shpërndarë mjekëve dhe infermiereve që e rrethonin. Pas daljes nga spitali, pata me të një bisedim të gjatë në zyrën e tij. Telefoni i tij binte pa pushim: "Zoti Lagardère, Bernard-Henri Lévy në telefon...", më pas: "Zoti Colombani në telefon...". Më duhet të shtoj se mbas vdekjes së tij, as djali i vet, Arnaud, nuk ka ushtruar asnjëherë qoftë edhe presionin më të vogël mbi zgjedhjet tona të botimit.
Kjo lloj "lëvizjeje", a është e nevojshme për mbijetesën e një shtëpie botuese si "Fayard"?
Pa dyshim. Nuk do të kishim mundur të botonim të plotë ditarin e Kierkegardit, Korrespondencën e Rembosë apo të 20 vëllimet e veprës së Valter Benjaminit, pa të tilla suksese. Ky sfond më duket i domosdoshëm, por ama rëndon në bilancet kontabël. E gjithë vështirësia është të gjesh ekuilibrin e duhur, atë që në zanat, e quajmë "barazsheshim"...
Fajësimi dhe dënimi që ju i bëni "sistemit të çmimeve" francez, shpesh të lë pa fjalë...
Kur jam drejtpërsëdrejti viktimë, kjo më tërbon. Ashtu ndodhi me librin "Mundësia e një ishulli", të Michel Houellebecq, në vitin 2005. Disa manovra më duken të neveritshme. Por, kur nuk ka lidhje me mua, e vështroj këtë me një buzëqeshje tallëse...
Ironia është se romani juaj "Nata zoologjike" fitoi çmimin "Medicis" në vitin 1979!
Por e mora sepse u botua nga "Grasset"! Nuk do ta kisha fituar kurrë, sikur për shembull, të ishte botuar nga "Fayard". Dhe, për më tepër, në atë kohë mësova se disa "të betuar Grasset" nuk është se kishin votuar medoemos për mua…
A mendoni të botoni kujtimet tuaja?
Nuk është në qëllimet e mia. Kujtimet shpesh janë rikrijime të destinuara të tregojnë si të vullnetshme atë që fati na ka dhënë me bujari… Por, me siguri që do të doja t'i kthehesha krijimtarisë në forma të ndryshme.
Përktheu nga frëngjishtja: Anastas Biqiku
Botuar më 08.04.09 në L'Express, Paris