Përjetësi » Kadare
Ismail Kadare: Pse u largova në vitet ‘90
E merkure, 28.01.2009, 10:41 PM
Shumë shpejt pritet të publikohet në Francë romani i parë, "La Ville sans enseignes".
Bisedë me shkrimtarin shqiptar, Ismail Kadare. Në edicionin e saj online, revista franceze "Label France" ka publikuar intervistën e dhënë nga shkrimtari Kadare. Ai rrëfen përse zgjodhi të vendosej në Francë pas largimit nga Shqipëria në vitet '90. Shkrimtari shpjegon arsyet e kësaj zgjedhjeje.
Romancier, poet, gazetar, Ismail Kadare u largua nga Shqipëria komuniste në fillim të viteve ‘90 dhe u vendos në Paris që më në fund të shkruante në liri të plotë. I publikuar në frëngjisht dhe shqip nga shtëpia botuese "Fayard" dhe për shumë kohë i ndaluar në Shqipëri, librat e tij janë epope e mrekullueshme që zhyten në zemër të një identiteti tragjik shqiptar, i ndarë mes Perëndimit dhe Lindjes. Shkrimtar "aristokrat", Kadare i ka grumbulluar nderimet në Francë: është anëtar i akademisë së shkencave morale dhe politike prej vitit 1996 dhe prej pak edhe Kalorës i Legjionit të Nderit.
Që prej publikimit në vitin 1962 të romanit tuaj të parë, "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", ju keni nxjerrë mbi 20 romane dhe disa përmbledhje me poezi. Në këtë sipërmarrje prodhuese letrare, me raste ju keni bërë historianin dhe tregimtarin e shqetësimeve që ka kaluar vendi juaj që prej pushtimit osman deri në ditët e sotme. A mund të përcaktoheni ju si shkrimtar politik?
Jam një shkrimtar i gjithanshëm. Shkrimtari politik nuk ekziston, aq më pak shkrimtari historik apo shkrimtari policor. Të gjithë janë shkrimtarë. Disa janë të mirë, të tjerë të këqij.
Juve nuk ju pëlqen që t‘ju etiketojnë si një shkrimtar shqiptar apo ballkanik.
Këto etiketime nuk kanë kuptim. Shkrimtarët i kapërcejnë kufijtë e një shteti, të një rajoni, kontinenti, por nuk është e thënë që për këtë shkak të shkëputen tërësisht nga origjina e tyre gjeografike. Sigurisht, romanet e mia shtrihen në një realitet të përcaktuar gjeografikisht. Por njëkohësisht kam trajtuar dhe tema universale. Nuk besoj se kam folur për vendin tim më shumë se ç‘kanë folur Balzaku, Gëte apo Tolstoi.
Si mbërritët tek e shkruara?
Përmes leximit. Kam lexuar "Makbethin" kur isha 10 vjeç. Ishte një magjepsje aq e madhe, sa fillova ta kopjoja të gjithë pjesën me shkrim dore. Shekspiri është shkrimtari më i madh i botës. Është më i kompletuari nga të gjithë, më vizionar se shkrimtarët e antikitetit, edhe pse atyre u kam një borxh të madh. Vetëm në moshën 27-28 vjeçare e zbulova siç duhej literaturën antike greke. Isha i tronditur nga moderniteti i tragjedive të Eskilit, të cilat më dukej sikur reflektonin shqetësimet e mia si shkrimtar disident përballë një shteti totalitar në shekullin XX.
Specialistët kanë folur gjithashtu edhe për ndikimin e letërsisë franceze të shekullit XIX në formën e romaneve tuaja...
Që herët kam lexuar shumë nga Balzaku, Zola, Flobert. E kam "gëlltitur" "Urën e psherëtimave" ("Le Pont des soupirs") të Michel Zévaco. Letërsia franceze ishte e ndaluar në çdo mënyrë në Shqipëri, ku prej një kohe të gjatë ka ekzistuar një elitë shumë e rëndësishme frankofonësh, ashtu si edhe në Greqi apo Rumani. Idetë përparimtare të shprehura nga revolucioni francez kanë luajtur një rol thelbësor në zhvillimin e shteteve të Ballkanit. Në Shqipëri gjithashtu inteligjenca përvetësoi idetë antimonarkiste që përdori kundër Perandorisë Osmane. Por komunistët e ndaluan mësimin e frëngjishtes në shkollë dhe e zëvendësuan me gjuhën ruse.
Në fund të viteve ‘50, studimet për letërsi i ndoqët fillimisht në Tiranë e më pas në institutin "Gorki" të Moskës. A ndodhi gjatë qëndrimit në Moskë që ju u bëtë i vetëdijshëm për prirjet tuaja si shkrimtar?
Kur shkova në Moskë, e dija tashmë që isha një shkrimtar. Kisha publikuar përmbledhje me poezi që patën një sukses të madh. Në Moskë e kuptova shumë shpejt se nuk dija më shumë për letërsinë se sa profesorët e mi. Vizioni im për literaturën ishte shumë më i thellë dhe më i drejtë se ai i disa burokratëve të institutit "Gorki", që përgjatë gjithë ditës shkruanin mbi virtytet e soc-realizmit; gjithë tekstet që devijonin nga kjo linjë zyrtare, etiketoheshin si "dekadente" dhe të kalbura. Ishte dëshira për t‘iu kundërvënë këtij konformizmi të ri që po lindte, ajo që më shtyu të shkruaj romanin tim të parë, "La Ville sans enseignes", një roman i populluar nga mashtrues, rrugaçë, prostituta që shpërfillnin sëmundjet veneriane. Personazhet kryesorë janë tre studentë shqiptarë, ambiciozë dhe pa skrupuj. Ata falsifikojnë një dokument historik. Është një roman i errët, në kundërshtim me letërsinë socialiste. Me kthimin tim në Shqipëri më 1962, publikova 30 faqe në një gazetë. Ekstraktet e publikuara u ndaluan menjëherë. Botuesi im francez do t‘i botojë së shpejti, ashtu siç i kam shkruar në 1959-ën. Nuk i kam ndryshuar asnjë fjalë.
Mohimi i realizmit është vazhdimisht i pranishëm në krijimet tuaja. Në rrëfimet tuaja, kufiri që ndan racionalen nga irracionalja, realen nga irealja, fillimi mitik, është shumë i hollë dhe ju e ligjëroni mjeshtërisht. Për këtë arsye, a mund të flasim për një "realizëm magjik" sipas mënyrës latino-amerikane?
Realizmin magjik nuk e kanë shpikur latino-amerikanët. Ai ka ekzistuar gjithnjë në letërsi. Nuk mund ta imagjinojmë asnjëherë literaturën botërore pa këtë dimension ireal. A mund ta shpjegojmë "Komedinë hyjnore" të Dantes, përshkrimet e tij të ferrit pa aplikuar një realizëm magjik? Nuk do t‘i gjenim të njëjtat fenomene as te Fausti, te "Tempête", te "Don Kishoti", te tragjeditë greke ku qielli dhe toka janë gjithnjë të gërshetuara. Jam i habitur, i shastisur nga naiviteti i disa akademikëve që besojnë se realizmi magjik i atribuohet specifikisht shekullit XX!
Një tjetër element i pranishëm në krijimet tuaja është denoncimi i regjimit totalitar të Enver Hoxhës (1945-1985). Ju keni denoncuar krimet e tij, ndonjëherë haptas e ndonjëherë përmes fabulës e alegorisë. Si ka reaguar regjimi ndaj kritikave tuaja?
Katër nga librat e mi: "Koncert në fund të dimrit", "Pallati i ëndrrave", "Përbindëshi", dhe "Qartësia e hënës" u urdhëruan të ndaloheshin. Kjo do të thotë që nuk mund t‘i gjeje asgjëkundi, as në treg dhe as në kthinat e bibliotekave. Disa të tjera ishin gjysmë të ndaluara, gjë që do të thotë se nuk flitej kurrë për to në shtyp, sikur të mos ishin shkruar kurrë. Regjimi kishte gjetur një metodë shumë të sofistikuar për të frenuar shkrimtarët disidentë.
Në shtator të 1990-ës ju e braktisët Shqipërinë dhe kërkuat azil politik në Francë. Nuk është paksa paradoksale që ju vendosët të largoheshit pas vdekjes së diktatorit dhe në momentin kur pasardhësi i tij premtoi se do të çliroheshit nga regjimi?
Sigurisht që mund ta kisha braktisur Shqipërinë edhe kur Enver Hoxha ishte gjallë. M‘u dha dy herë rasti gjatë asaj kohe. Por të largoheshe në atë kohë nuk do të kishte shërbyer për gjë. Në të kundërt, në 1990-ën, kur kisha vendosur përfundimisht të nisesha, mundësia e hapjes ndaj demokracisë ekzistonte në të vërtetë. Isha i bindur se vendi kishte nevojë për një goditje që të dilte nga bllokadat e fundit. Nisja ime shërbeu pikërisht për këtë dobësim. Plot dy muaj më pas, studentët manifestuan nëpër rrugë. Opozita mori kreun. Në 1992-shin mundën të mbaheshin zgjedhjet e lira në Shqipëri.
Pse menduat atëherë të vendoseshit në Francë?
Sepse ishte vendi që njihja më mirë. Librat e mi ishin pritur gjithnjë me shumë ngrohtësi, edhe pse depërtuan me vështirësi. Franca gjithnjë ka treguar një lloj hapjeje ndaj letërsisë shqiptare. Për këtë ishte e natyrshme që unë të vija në Francë.
***
Përvjetori
Shkrimtari lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër
Ismail Kadare, sot 73 vjeç!
Ismail Kadare, përfaqësuesi më i shquar i letrave shqipe, feston sot ditën e lindjes. Ai erdhi në jetë më 28 janar të vitit 1936, plot 73 vite më parë, në Gjirokastër. Qyteti i gurtë, ku kaloi fëmijërinë, la gjurmë të thella në gjithë jetën dhe krijimtarinë e tij. Kadare ka qenë dhe është protagonist i jetës politike dhe i mendimit të vendit qysh prej viteve ‘60. Ai është një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, ambasador i saj në botë. Kadare është shkrimtari që i ktheu mitet legjendare në realitet, shkrimtari që bëri histori prej prehistorisë; pa rënë në kundërthënie me vetveten dhe gjykimin modern, ai arsyetoi estetikisht në mënyrë të përkorë dhe për kohën absolute. Në Shqipërinë e ndodhur në udhëkryq, vepra e Kadaresë ka qenë dhe mbetet një shpresë apo një ogur i bardhë për të. Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit "Nobel" për letërsinë për shumë vite me radhë. Në muajin dhjetor të vitit 2008, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, propozoi zyrtarisht shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare për çmimin "Nobel" në letërsi për vitin 2009. Pas një sërë konsultimesh me Akademinë e Shkencave shqiptare, me rrethe të ndryshme intelektualësh, botuesish, kritikësh letrarë dhe personaliteteve të spikatur të artit e të kulturës shqiptare dhe të huaj, kreu i shtetit i dërgoi një letër Akademisë së Çmimit Nobel, në përkrahje të kandidaturës së shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, për marrjen e çmimit "Nobel" në letërsi për vitin 2009. Kjo iniciativë nga ana e kreut të shtetit bëhet në të mirë të njohjes së mëtejshme dhe rritjes anembanë botës së imazhit të Shqipërisë, kombit shqiptar dhe vlerave të tij të rralla artistike, kulturore dhe letrare, të cilat frymëzuan shkrimtarin Ismail Kadare. Vepra e Ismail Kadaresë është përkthyer në 32 gjuhë të huaja, duke arritur kështu një rekord të përhapjes në tërë botën e qytetëruar.