Përjetësi » Kadare
Adam Lively: Roman universal mbi dhunën njerëzore
E marte, 20.05.2008, 06:01 PM
Roman universal mbi dhunën njerëzore
Ismail Kadare
Nga Adam Lively/ "The Sunday Times"
The Sunday Times shkruan për romanin "Rrethimi" (Kështjella) të Ismail Kadaresë
Jo thjesht një roman për rrethimin e një kështjelle në shekullin XV, por edhe një apel kundër dhunës njerëzore. Në faqet e gazetës britanike "The Sunday Times", gazetari Adam Lively bën një analizë të romanit "Rrethimi" të Ismail Kadaresë, i njohur më së shumti prej lexuesit shqiptar me titullin "Kështjella", apo "Daullet e shiut". Lively vlerëson realizmin dhe ironinë që Kadare përdor në veprën e tij.
Në sytë e evropiano perëndimorëve, Shqipëria për një kohë të gjatë ka qenë e rrethuar nga një aureolë misteri dhe ekzotizmi. Ismail Kadare (shkrimtari i madh, fitues i çmimit Man Booker International në vitin 2005) vë në lojë emrin e tij me novelën e vitit 1980, "Dosja H", një tragjikomedi tërheqëse, ngjarjet e së cilës vendosen në vitin 1930. Flitet për dy studiues klasikë irlandezo-amerikanë, të cilët udhëtojnë nëpër malet shqiptare me një regjistrues në dorë, gati për të zbuluar sekretet se si poezia epike është transmetuar nga brezi në brez. Sigurisht autoritetet vendore pretendonin se dy studiuesit ishin spiunë të huaj dhe situata humoristike krijohen prej kontrastit mes kërkimit romantik dhe realitetit banal të jetës provinciale shqiptare.
"Rrethimi", që u botua 10 vjet më herët në vitin 1970, në pamje të pare, duket se kënaq më shumë me sinqeritetin e përkufizimit romantik të Shqipërisë si një vend i konflikteve të lashta dhe barbarizmit. Në të tregohet ngjarja e rrethimit të një kalaje shqiptare në shek. XV nga pushtuesit osmanë. Në një farë mënyre është vërtet e zhytur në gjak, një foto çasti e një konflikti të gjatë shekullor, por në të njëjtën kohë, realizmi i Kadaresë dhe ndjenja e lartë e ironisë i jep një kthesë moderne. Thjeshtësia e stilit të autorit fsheh konsiderueshëm ritmin dhe strukturën artistike. Narracioni i tij mbështetet në betejat mes të krishterëve në fortesën e tyre dhe armatës turke në fushimin e tyre. Pjesët ku flitet për të krishterët janë të shkurtra dhe të shkruara si të jenë shkëputur nga kronika të vjetra. Pjesa më e madhe e rrëfimit mbështetet tek turqit, të cilët vizatohen përmes përpjekjeve të dëshpëruara për të gjetur strategji për të thyer rezistencën e të krishterëve dhe tensionit që shfaqet mes tyre, kur njëra pas tjetrës strategjitë e tyre dështonin. Jo shumë kohë pas fillimit të rrethimit, katër anëtarë të kampit turk kalojnë natën duke bredhur nëpër çadra dhe duke pirë raki. Ata janë Mevla Çelebiu, kronikani zyrtar i ekspeditës, Sadedini, poeti, që ka për detyrë që fitoret e turqve t'i kthejë në vargje epike, astrologu i kampit, që ka për detyrë të përcaktojë kur yjet janë të mbarë për një sulm dhe Tuz Okçan një oficer jeniçer. Rreth këtyre të katërve Kadare thur rrëfimin e tij bashkë me historitë e dy karaktereve të tjerë të rëndësishëm Ugurlu Tursun Pasha, komandanti turk ("Rrugëtimi i tij përfundon në këmbët e këtyre ledheve. Çfarë pret ai tani është ose maja e lavdisë, ose rënia në humnerë) dhe intendent gjenerali, i cili vëzhgon ngjarjet me një sy të errësuar dhe cinik.
Menjëherë shihet se nuk bëhet fjalë për një libër të zakonshëm historik mbi trimëri të çartura, megjithëse Kadare zhytet me një kënaqësi prej tregimtari në skenat e aksioneve të përgjakura, se si valë-valë turqit shkatërrojnë vetveten pas mureve të larta të fortesës. Pas sulmeve ballore, të dështuara, strategjitë e turqve bëhen gjithnjë e më pak heroike, prej idesë së gërmimit të tuneleve nën mure, tek katapultimi i minjve të infektur me sëmundjen e murtajës mbi frëngjitë e kështjellës (Okçan gjen në këtë mënyre fundin e tij të lemerisshëm, teksa kafshohet nga një nga minjtë e infektuar dhe është i gatshëm t'i japë fund vetes, që infeksioni të mos përhapet). Kronikani Çelebi përpiqet të zërë një vend të përshtatshëm në ngjarje, ndërsa Pashai sheh humnerën përpara tij dhe kryen vetëvrasje.
Në një pasthënie, përkthyesi David Bellos nënvizon se në kohën kur Kadare shkroi romanin, Shqipëria ishte e vetmja aleate e Kinës së Maos, duke u vetizoluar si në një rrethim, mes dy blloqeve të luftës së ftohtë. Disa kritikë shqiptarë e lexuan asokohe “Rrethimin” (“Kështjellën”) si një alegori dykuptimshe. Shqiptarët i sprapsin me sukses turqit, por çdo lexues vendas e di se në të vërtetë ishin turqit ata që triumfuan. Shqipëria u përfshi në Perandorinë Osmane. Lexuesit perëndimorë joshen drejt klishesë së “krisjes së civilizimit”. “Rrethimi” tregon për një rrethim në shek. XV, por ai është gjithashtu një evokim universal i dhunës njerëzore.