Përjetësi » Kadare
Ismail Kadare: “Serbët të mos harrojnë ç’ndodhi në Kosovë”
E shtune, 23.02.2008, 06:06 PM
“Serbët të mos harrojnë ç’ndodhi në Kosovë”
Ismail Kadare |
Ditët e fundit kemi qenë dëshmitarë të kundërshtimit të serbëve, të shprehur edhe me dhunë, si dje ndaj ambasadës amerikane në Beograd dhe ndaj ambasadave të tjera perëndimore. Si do t’i komentonit këto ngjarje?
Kam ndjekur me shumë interes ato që kanë ndodhur dhe kam pritur me interes një reagim, të gjithë kanë pritur një reagim, por ai ka qenë më i keq se ç’ka ndodhur, d.m.th, ka ndodhur diçka që është kapërcyer arsyeja. Kam përshtypjen, që një njeri që asiston në këto ngjarje, përnjëherësh e kupton se këtu është harruar diçka; është harruar burimi i bombardimit të vitit 1999; kjo gjë nuk thuhet, bëhet sikur harrohet; bëhet sikur ka ndodhur diçka, por nuk shpjegohet ç’ka ndodhur në atë vit: gati-gati, sikur ballkanasit u çmendën dhe u çmend edhe NATO-ja atë vit, që e bombardoi, si të thuash, Jugosllavinë, si të thuash, pa arsye. Kurse këtu, duhet thënë në mënyrë të qartë, duhej thënë se ky bombardim, ky ndëshkim i Serbisë para 10 vjetësh ka pasur një kuptim, ka pasur një arsye, një arsye të fortë madje; se nuk u ngritën kot avionët në qiell. Avionët e Aleancës Atlantike u ngritën në qiell, sepse ndodhte një krim i madh në tokë, sepse një popull masakrohej. Ka qenë një masakër nga më të tmerrshmet që ndodhte në Ballkan, ka qenë masakrimi i popullsisë, ka qenë një shpërngulje e papërfytyrueshme, gati-gati 1 milion banorë u shpërngulën brenda disa javëve. Ka ndodhur një përdhunim masiv i grave dhe i vajzave shqiptare, që ka qenë i rrallë në këto përmasa në historinë e Ballkanit, prandaj kjo gjë u duk sikur u harrua ngaqë ka kaluar shumë kohë, ngaqë shumë njerëz kanë lindur tashti, shumë njerëz nuk i dinë shumë mirë ato që kanë ndodhur dhe tashti, gati-gati u duk si e natyrshme, që serbët të protestojnë kundër shkëputjes së Kosovës, duke u hequr madje si viktima. Unë mendoj se këtu është burimi i këtij keqkuptimi, që mund ta quaj keqkuptim tragjik.
Ajo që po ndodh në Serbi, është komentuar si pjesë e një procesi pastrimi brenda vetë shoqërisë serbe: nga njëra anë, një pjesë e popullsisë që shikon drejt Perëndimit dhe pjesa tjetër, ende e pushtuar nga ndjenjat nacionaliste...Mendimi juaj?
Po. Ky proces që përmendët ju, është kryesori në historinë e sotme të të gjithë Evropës, e sidomos të Ballkanit. D.m.th, njerëzit që duan vërtet që ky gadishull të ketë paqe, duhet të gjejnë edhe mënyrat se si arrihet kjo. Ka një arsyetim të tillë, që po të kujtojmë se ç’ka ndodhur, këto krime, si të thuash, këto tmerre, ne do të acaronim të dy etnitë, pra shqiptarët dhe serbët me njëri-tjetrin. Unë mendoj të kundërtën, që acarimi më i keq është ai kur krimet harrohen, kur s’përmenden dhe secili i mban, si të thuash, brenda zemrës së vet. Kështu, nëse serbët harrojnë ç’kanë bërë dhe hiqen si viktima dhe nga ana e komunitetit evropian, në vend që t’iu kujtohet kjo, ka një lloj përkëdhelje, dhe duket sikur u bën mirë. Unë e kuptoj që popujt nuk duhen acaruar, natyrisht që është e drejtë që të mos acarohen, por të vijmë tek pyetja: ju bën mirë kjo gjë, apo ju bën keq? Unë mendoj se ju bën keq, sepse lihet pa prekur thelbi i problemit. Dhe tek serbët, çfarë ndodh? Ata kanë një burim vreri; tashti, ata thonë se u është bërë një padrejtësi shumë e madhe, si: “ne na kanë marrë Kosovën”, “ne na kanë bombarduar pa asnjë arsye”. Dhe tek një popull, kur ka një grumbull vreri të tillë, një ide që po i bëhet një padrejtësi, është jashtëzakonisht e rrezikshme. Ne e dimë nga përvoja e historisë botërore, se kështu, p.sh, nazizmi ka grumbulluar vrerin që u krijua në Gjermani, pas Luftës së Parë Botërore, për të përgatitur pastaj krimet e ardhshme. Ne e dimë që terrorizimi, sot p.sh, baza e terrorizimit, është një vrer i grumbulluar. Në vende të caktuara thuhet që Evropa i ka shkaktuar këtyre popujve në Lindjen e Afërme, u ka shkaktuar shumë fatkeqësira dhe prandaj duhet të marrin tashti revansh, dhe o burra të krijojmë një kryqëzatë terroriste, kundër një kryqëzate tjetër, që ka qenë kryer dikur kundër tyre. Me një fjalë, nëse do të donim që të fajësohej Ballkani, duhen thënë të vërtetat dhe nuk duhen harruar asnjëherë, sidomos në një rast të tillë, kur serbët kanë këtë reagim. Është më e lehtë për vetë serbët që ta kalojnë këtë traumë, sepse unë e kuptoj, se tek shumë njerëz ka një trishtim, ka një dëshpërim nga kjo që po ndodh, që Kosova po shkëputet, por është mirë që të sqarohet, se përse po ndodh kjo gjë. Në Kosovë, nga ata njerëzit, që ka me mijëra në rrugë, ka midis tyre, për të thënë një shembull, ka qindra të rinj, që në atë kohë kanë qenë 10 vjeç, të cilët kanë parë me sy tragjedinë që ka ndodhur, kanë parë me sy shpërnguljen, masakrat, por kanë parë me sy, sidomos diçka që nuk përmendet, ose që përmendet tepër, tepër rrallë. Kanë parë përdhunimet masive të grave, të motrave, të nënave të tyre; dhe ata nuk mund ta harrojnë kurrë këtë gjë. Dhe unë këtë e them, kurrsesi jo për të nxitur, ne duhet t’ua kujtojmë serbëve, që të kuptojnë se çfarë kanë bërë serbët në Kosovë, dhe kështu do ta kenë më lehtë dhe nuk do të vuajnë nga mllefe të kota.
Kryeministri Koshtunica, i cili përfaqëson klanin nacionalist në Serbi, e ka kthyer vështrimin drejt Moskës. Si e shikoni ju rolin e Rusisë në mbarë këtë proces?
Për fat të keq, roli i Rusisë si një vend i madh, një vend që qëndron në largësi dhe që duhet ta kishte vizionin më të qartë, në fakt qëndrimi i saj është tepër zhgënjyes. Unë nuk e kuptoj se si në konfliktin që ndodh në Ballkan, Rusia të niset vetëm nga një pikëpamje, që do ta quaja racore, në mos raciste. D.m.th, që meqenëse miqtë tanë serbë janë sllavë, ne në çdo rrethanë do të marrim anën e tyre, pa parë kurrsesi se cila është e drejta. Pra në Ballkan, po kthehem prapë tek ajo që thashë në fillim, nuk ndodhi një çmendje e përgjithshme: u përleshën dy palë – njëra palë kishte ushtrinë, policinë, tanket, gjithçka. Pala tjetër s’kishte asgjë, veç duarve të zhveshura. Ndodhi pra një tragjedi. Rusia duhej të jepte një ndihmë, t’u thoshte serbëve, për të mirën e tyre, këtë po e theksoj, të frenoheshin në këtë psikozë revanshiste, se nga një psikozë e tillë nuk del asgjë. Tani thuhet se Rusia ka interesat e saj e të tjera gjëra, por unë mendoj se ky qëndrim jokonstruktiv, jondërtues i Rusisë, nuk i shkon asnjë vendi, aq më tepër një vendi të madh.
Të dielën Kosova shpalli pavarësinë, që ishte kurorëzimi i përpjekjeve dhe sakrificave shumëvjeçare. Tashmë, një numër i konsiderueshëm vendesh e njohën atë....Në mozaikun më të fundit ballkanik, si e shikoni ju pozicionin e Kosovës?
Mendoj që qëndrimi i Kosovës në përgjithësi, i shqiptarëve, i liderëve të saj, i institucioneve, ka qenë me të vërtetë një qëndrim shumë konstruktiv, shumë pozitiv, shumë gjakftohtë, një qëndrim, i cili bazohet vërtet në standardet dhe kryesorja, në idenë e një të ardhmeje në paqe, pa luftë, në miqësi me fqinjët e tjerë, natyrisht duke përfshirë edhe serbët që janë në kufi dhe sidomos serbët që janë brenda në Kosovë. Unë e kam admiruar qëndrimin gjakftohtë të shqiptarëve, nuk ka pasur asnjë thirrje revanshi. Nuk ka pasur asnjë thirrje për hakmarrje, siç është krijuar legjenda e hakmarrjes së famshme të shqiptarëve, që “tashti erdhi ora, shqiptarët do t’u vënë zjarrin manastireve të serbëve, do të hakmerren, do të gjejnë rastin... Asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Prandaj po kthehem përsëri tek këto profeci të arta, të cilat nuk u vërtetuan dhe kjo është një gjë shumë e gëzueshme për shqiptarët dhe për të gjithë ballkanasit, duke përfshirë edhe serbët.
Marrë nga “Zëri i Amerikës”