E premte, 13.12.2024, 09:02 AM (GMT)

Përjetësi » Kadare

Kadare: ''Standardi natyrisht nuk është tabu. Një kongres i dytë natyrisht që mund dhe duhet të bëhet''

E hene, 01.10.2007, 08:38 PM


Nga Hylli i Drites

Hylli i Drites: Zoti Kadare, ju jeni sot në botë shkrimtari shqiptar ma i lexuem dhe ma i përkthyem. Në kuadrin e nji sistemimi logjik të historisë së letërsisë sonë ma afër kujt e ndieni veten, si për nga misioni ashtu edhe për nga problematikat që keni trajtue?

Ismail Kadare
Ismail Kadare: Ka mendime të ndryshme, disa herë të skajshme, për atë që quhet mision i shkrimtarit. Disa nuk e kuptojnë dot shkrimtarin jashtë petkut të misionarit, e ka të tjerë që mendojnë se, shi aty nis rënia e artit.

Në të dyja këto mendime ka diçka të vërtetë e njëkohësisht të pavërtetë. Gjithçka varet nga koha dhe rrethanat në të cilat shkrimtari shfaqet. Në periudhën e sundimit turk letërsia shqipe nuk mund të quhej normale pa kumtin e lirisë kundër osmanëve. Ky gjykim mbetet i drejtë për atë kohë, e po aq i drejtë sot. Në kushtet e shtetit të pavarur shqiptar, atij republikan dhe atij mbretëror, letërsia u çlirua natyrshëm nga kjo barrë. Kumti i lirisë mbetej përherë i fortë, por ai iu afrua përftimit bashkëkohor europian, pra asaj lirie që s’ka të bëjë me një pushtim të huaj.

Në Shqipëri komunizmi as vdiq, as u dënua kurrë

Për fat të keq, kjo periudhë ishte e shkurtër dhe, tridhjetë vite më pas, mbi Shqipërinë ra gjëma e re: komunizmi.  Ai mund të përcaktohet si robëri në një vend të pavarur. Ishte robëria  osmane, plus pavarësia, por kjo e fundit nuk i shërbente lirisë, por varrosjes edhe më thellë të saj.

Letërsia shqipe u gjend në një skajim të pazakonshëm, që ia kalonte çdo makthi. Si në gjithë kampin komunist, idea  e parë që u mbyt pa mëshirë ishte pikërisht idea e lirisë. Më i vogli aluzion për të paguhej me kokë: burg ose pushkatim. Ky ishte stalinizmi klasik. Nën tiranin e tij, në asnjë vend komunist nuk pati disidencë. Ajo nisi vetëm pas vdekjes së diktatorit dhe dënimit të krimeve të tij. Në Shqipëri komunizmi as vdiq, as u dënua kurrë. Ai veç egërsohej. Në kushte të tilla letërsia shqipe nuk mund të qortohej përse nuk bëri thirrje të hapët për liri. Por kjo nuk është një alibi. Kjo s’do të thotë aspak se shkrimtarëve shqiptarë mund t’u falej shkatërrimi i letërsisë shqipe gjatë gjysmë shekulli.

A ndodhi kështu?

Për fat të mirë, jo. U shfytyrua, u rënua, ranë pluhur pjesa më e madhe e saj, por një pjesë, ndonëse e paktë si sasi, qëndroi. Na pëlqen apo s’na pëlqen, kjo është e vërteta.

Në pamundësi për të bërë thirrje për liri, shkrimtarëve shqiptarë u mbetej e hapur vetëm një rrugë: të përpiqeshin të bënin letërsi sikur regjimi të mos egzistonte. Dhe një pjesë e vogël atë bëri: në mos në krejt veprën e tyre, në gjysmën e saj. Në mos gjysmën, në çerekun e saj, e kështu me radhë.

Një rishqyrtim i letërsisë shqipe të epokës që po flasim, një rilexim gjakftohtë, pa nerva, mendojë se do ta vërtetojë këtë. Në e vërtetoftë, kjo nuk është gjë e vogël. Sepse nuk është gjë e vogël që kur rreth tejegjithçka klith, ulërin, kërcënon, mallkon, tund prangat, ti mbyll veshët dhe vazhdon punën e vetmeqë di, atë që të dikton mbretëria e artit.

Mendojë se po të flitet për mision të shkrimtarit në një diktaturë, si ajo shqiptare, nuk ka shumë zgjedhje. Misioni i shkrimtarit shqiptar, në këtë rast, është mision i pamundur. Është fare pak i ngjashëm me atë të De Radës, Fishtës, Naimit, Migjenit, shkrimtarëve me të cilët është shumë lehtë të ndihesh i afërt, por po aq lehtë të kuptosh se je larg.

Në Shqipëri ka kohë që çdo gjë shkon mbrapsht. Komunizmi, e sidomos versioni shqiptar, ka qenë mbrapshti mbi mbrapshti. Shqipëria kryente vetëvrasje nga mëngjesi në darkë

H.D. Ndaj jush vitet e fundit ka pas nji “ndjeshmëni kritike” të veçantë, persona dhe rryma të caktueme ju kanë sulmue, ma fort tue u nisë prej arsyesh personale sesa prej kritikës letrare. Dikush bezdiset kur flisni për rranjët tona europiane, dikush tjetër kur flisni për “thesarin” e familjes së E. Hoxhës, dikush tjetër kur kritikoni jargavitjen e politikës së jashtme shqiptare të këtyne viteve të fundit me Lindjen  e Mesme. A mendoni se ka diçka që i bashkon ata që ju sulmojnë? E them këtë gja mbasi sot ka shumë shkrimtarë që i kanë thurë lavde komunizmit dhe që askurrkush nuk i shan, apo ka të tjerë si K. Trebeshina që kanë denigrue në vepra letrare kombin tonë tue na paraqitë pushtuesin turk si kulturues të arbënve barbar- dhe kjo gja nuk zemron askënd!

Ismail Kadare: Kjo vjen ngaqë në Shqipëri ka kohë që çdo gjë shkon mbrapsht. Komunizmi, e sidomos versioni shqiptar, ka qenë mbrapshti mbi mbrapshti. Shqipëria kryente vetëvrasje nga mëngjesi në darkë.

Mbrapështia vazhdon. Shqipëria ende refuzon të dënojë krimet e komunizmit. Të gjitha qeveritë, të majta e të djathta i shmangen kësaj. Kjo është kuptimplotë. Shqipëria refuzon të hapë arkivat e fshehta. Edhe kjo është kuptimplotë. Duhet të jesh naiv që të mos kuptosh se një pjesë e madhe e politikanëve shqiptarë të të dy krahëve vazhdojnë të jenë të kapur si në kurthe nga këto arkiva. Kryesitë e partive, parlamenti, qeveritë gëlojnë nga personazhe të errëta, me të kaluar të errët. Ndaj është e kuptueshme që po të ngresh probleme të tilla do të sulmohesh barbarisht. Do të sulmohesh po të përmendësh llogaritë e fshehta bankare, flirtet me Lindjen e Mesme të diplomacisë shqiptare, përkatësinë evropiane të shqiptarëve. Kundëreuropianizimi shkon nganjëherë kaq larg, saqë më kanë quajtur racist ngaqë kam përmendur kalimthi se shqiptarët, ashtu si pjesa dërmuese e Europës, i përkasin racës së bardhë.

Brenda kësaj logjike është e natyrshme që askush nuk zemërohet me shkrimtarët e djeshëm stërkomunistë e stërstalinist, ngaqë ata quhen “të vetët”. Shkrimtari që përmendni ju në pyetjen tuaj vazhdon të quhet i çmuar, madje disident, ndonëse shtypi ka zbuluar se ka qenë oficer i Sigurimit shqiptar, madje një ndër themeluesit e fshehtë të tij. E jo vetëm kaq, në vitet e tmerrshme 1945-1947, ka punuar në pjesën më të egër të Sigurimit, në hetuesi, ku, gjithmonë sipas dëshmive në shtyp, ka lënë gjurma të përgjakshme. Mirëpo kjo periudhë e parë e terrorit komunist, një nga monstruozët, kalohet shpesh në heshtje ngaqë është ushtruar mbi klasën e përmbysur. Hulumtues, analistë e gazetarë me origjinë nga nomenklatura komuniste nuk kanë asnjë ndjeshmëri për këtë periudhë ngaqë viktimat e saj konsiderohen të huaja për ta. Gjithë mallëngjimi i tyre shkon drejt dënimeve brenda llojit, (dënimi i zyrtarëve komunist). Këto dhe kryesisht këto quhen prej tyre dramatike, ngaqë u dënuan “besnikët e partisë”, thënë ndryshe familjarët e tyre.

Që të kthehem te mbrapështia e punëve në Shqipëri. Më lejoni të kujtojë tablonë tepër të thjeshtuar të rugëtimit shqiptar.

Truall europian tipik, popull kryesor në Ballkan bashkë me grekët, sllavët e jugut e rumunët. Pothuajse me të njëjtin shtat, peshë e rëndësi. Pas pesë shekujsh pushtimi osman, njëri pas tjetrit këta popuj dalin në liri. I fundit, më i treturi, më i dëmtuari del kombi shqiptar. Një lëvizje e tij e admirueshme, Rilindja shqiptare, duke e ndier rrezikun e çoroditjes në agun e lirisë, bën çmos ta përgatisë për jetën e re. Dy makinat që përdor për ta sjellë në vete ndërgjegjen e kombit pas topitjes së gjatë, janë gjuha shqipe dhe programimi i hershëm i Gjergj Kastriotit, atij që, në çastet fatale të ndarjes së Shqipërisë nga Europa, i la asaj testamentin e tij europian.

Rikthimi i Shqipërisë në Europë ishte ringjallja e vetme e saj. Pas pesë shekujsh gjysmamorti osman, ky ishte kthimi i saj në jetë. Kur komunizmi shqiptarë dhe ai serb e ndanë përsëdyti Shqipërinë nga Europa, kjo, ndër të tjera, ishte baraz me një hakmarrje të vonuar otomane. Fati e desh që, në fund të shekullit XX  e në fillim të XXI kombi shqiptarë të dalë, më në fund, nga mjegulla, me rëndësinë, peshën dhe shtatin e tij të vërtetë.

Ka ardhur puna që gratë shqiptare të prodhojnë grekër

Pikërisht kjo u duk e padurueshme për shumëkënd. Dhe u bë gjithçka, që ky komb të rikthehej në gjendjen e tij të gjymtuar.

Kyçi i fatit shqiptar u lidh përsëri me portën europiane. Populli shqiptar, me thirrjen e tij “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” e kapi thelbin e startegjisë shqiptare. Por klasa politike, ajo që duhej ta përpunonte atë, jo vetëm që u tregua e verbër, por mund të thuhet se bëri të kundërtën.

Periudha postkomuniste duhej të ishte koha e shëndoshjes lëndore dhe shpirtërore të kombit shqiptar. Të gjitha shanset ishin në anën e tij. Bota e lirë perëndimore shtriu dorën e vonuar të miqësisë. Pas kësaj, ngriti në këmbë ushtrinë e saj euro-atlantike, për ta mbrojtur nga katastrofa. Por klasa politike thuajse nuk kuptoi asgjë nga ngjarjet e mëdha. Asnjë strategji  Shqiptare nuk u përpunua prej saj këto 17 vite. Asnjë projekt nuk u çua gjer në fund. Shqipëria mbeti e varfër, e çoroditur, e thyer moralisht. Shqipëria, me fatin e munguar të saj, është si një vend që ka shpallur zinë, kurse një pjesë e politikanëve të saj ndihen si në feste. Ndihen të tillë sepse nuk kanë atdhe. Mungsa e atdheut u vjen ose nga prejardhja komuniste (testamenti i Marksit) ose nga tribalizmi.

Është kjo arsyeja që problemi tragjik numër një i kombit shqiptar, ligështimi, tretja e tij, vazhdon. Vazhdon shpërngulja e tij, genocidi i ftohtë, motërzim i genocidit të mirëfilltë otoman ose serb. Qeveritë shqiptare të të dy krahëve, jo vetëm që nuk çajnë kryet për të, por, duke kujtuar se po i marrin me të mirë shqiptarët, tërthorazi i nxisin dhe i këshillojnë se si të braktisin vendin. A ka qeveritarë në Europë që ta bëjnë këtë? Për ti rënë shkurt kësaj bisede të trishtuar, mund të themi se, duke nxjerrë jashtë një pjesetë shtetasve të vet, Shqipëria ka ardhur në gjendjen e një ëndrre të keqe, që sot, në fillim të shekullit XXI, ky vend pjellë shqiptarë, për ti kthyer aty për aty në joshqiptarë. Me fjalë të tjera, ka ardhur puna që gratë shqiptare të prodhojnë grekër. E ky nuk  është veçse njëri nga shembujt.

Në kushte të tilla, letërsia serioze, ajo që unë përpiqem të bëjë, është kundër kësaj klime. Të gjitha kumtet e saj bijën ndesh me të. Rrjedhimisht, unë nuk pres ndonjë mirëkuptim prej një klime të tillë. Dhe as që dëshirojë.

Dy fjale per antimuslimanizmin tim

H.D. Akuzoheni se keni shkrue dhe folë kundër At Gjergj Fishtës, Ernest Koliqit dhe në përgjithësi se keni qenë kundër letërsisë dhe vlerave shpirtnore katolike-gege. Çka mundeni me thanë për këtë gja dhe si e vlerësoni kontributin e elementit katolik në emanicipimin e kombit shqiptar?

Ismail Kadare: Po e nis me pjesën e dytë të pyetjes suaj, atë që lidhet me kinse qëndrimin tim mohues ndaj vlerave shpirtënore katolike-gege. Më lejoni t’ju them se kjo nuk është veçse një sajesë e neveritshme. Në këtë rast, më fort se vet shpifja më ka zelli me të cilin një pjesë e katolikëve shqiptarë e kanë përqafuar atë. Del pyetja përse? Më saktë: përse iu është dukur me interes një gjë e tillë? Normalisht duhej të ndodhte e kundërta.

A nuk u ka shkuar ndër mend se, duke i shtuar katolicizmit shqiptar një armik të paqenë kanë bërë lojën e komunistëve më të skajshëm? Sepse veç ata ishin të interesuar që katolicizmi shqiptar të kishte sa më shumë kundërshtarë, e aq më tepër një shkrimtarë të njohur.

Ka ardhur ky keqkuptim i rëndë nga padija? Për një pakicë po, por për shumë të tjerë kurrsesi. Këta të tjerët e kanë ditur mirë që akuza është krejtësisht e pavërtetë. Mjafton leximi, qoftë dhe i pjesshëm i veprës sime për ta kuptuar këtë. Nderimi im për krishterimin shqiptar, e sidomos për atë katolik, e ka zanafillën jo në frymëzimin fetar, por në nderimin tim për letërsinë shqipe dhe atë europiane, rrënjët e të cilaveishin të pandara nga qytetërimi i krishterë.

Por, edhe pa e lexuar veprën time do të mjaftonte biseda aq shumë e përfolur me ish-presidentin komunist, Ramiz Alia, në lidhje me fenë katolike, bisedë që u bë shkas për aq shumë spekullime për kinse antimyslimanizmin tim, në favor të katolicizmit, që kjo sajesë të binte. Unë u gjenda kështu në një skajim paradoksal: nga të dy anët, nga katolikët dhe myslimanët, u shpalla si kundërshtar i secilës fe, me gjasë në dobi të tjetrës!

Nuk dua të zgjatem lidhur me suksesin e shpifjes te katolikët. Dua vetëm të përsërisë se disa prej tyre kanë qenë mjaftë të lexuar, për ta ditur të vërtetën. Le ta gjejnë në ndërgjegjen e tyre shkakun. Lidhur me të vërtetën se ç’kam menduar për vlerat katolike-gege, do të mjaftonte romani im “Ura me tre harqe”, botuar më 1976, në kohën më të zezë, në mesnatën e diktaturës. Ky roman, i përkthyer qysh në atë kohë në gjithë Europën e në SHBA, dëshmon qartë ‘çfarë kam menduar dhe, kryesorja, ‘çfarë kam shpallur publikisht, lidhur me qytetërimin katolik në Shqipëri. Ky roman është rrëfimi i gjatë i një murgu katolik, që flet si zëdhënës  i krejt kombit shqiptar. Të mendosh që vepra u botua në kohën kur feja, e sidomos feja katolike, ishte e ndaluar dhe e persekutuar në Shqipëri, mendojë se s’ka nevojë për koment.

Lidhur me At Gjergj Fishtën, do të thoshja së pari, se po abuzohet me të në mënyrë të palejueshme. Pyetja për poetin bëhet shpesh herë jashtë çdo kriteri të diskutimit intelektual. Ajo bëhet në mënyrë provokative dhe kundër çdo parimi  të etikës. Askund në botën e qytetëruar nuk i kërkohet llogari askujt përse nuk e ka pëlqyer ose përse e ka kritikuar një shkrimtar.

Të vimë te At Gjergj Fishta.

Ka shumë rrahagjoksa sot që, bëjnë be e rrufe për Fishten, nuk kanë guxuar as t’ia përmendin emrin gjatë diktaturës. Natyrisht nuk mund të fajësohen për këtë. Fishta ka qenë i ndaluar, madje më i mallkuari ndër të ndaluarit. Ndalimi i Fishtes ishte i rrokakrejtshëm (total). Kërkohej me këmbëngulje që as emri mos t’i përmendej. Më i keqi ndër ndalimet ishte pikërisht ky, kur poeti konsiderohej i paqënë. Rrahagjoksit iu binden ndalimit. Në një pikëpamje duken të pafajshëm, por ka një çast kur mëkati shfaqet. Disa nga rrahagjoksat pranuan të shkruanin studime e sprova për letërsinë e fillimit të shekullit, sidomos vitet 20 e 30-ta, duke iu bindur verdiktit: Fishtes të mos i përmendej emri, të quhej i paqenë. Dikush mund të pyeste: ç’duhej të bënin? Përgjigja është e thjeshtë: të shmangnin shkrimet për atë periudhë, kur ai zinte vendin e parë në letërsi.

Në këtë pikë, mendimi im ndahej nga ai i rrahagjoksave. Mendoja se heshtja totale, fshirja nga kujtesa e shkrimtarëve të ndaluar, ishte ndalimi më i keq, ishte pikërisht dëshira e vërtetë, qëllimi final i diktaturës. Ndaj kam kërkuar një zgjidhje tjetër, që e mendoja më të favorshme për shkrimtarët e dënuar, e natyrisht për të vërtetën. Idea ime ishte: të përmendeshin ata, me çdo kusht, qoftë edhe duke i përcjellë me kritika të rrepta.

Ç'kritika mund të përdoreshin si taksë për përmendjen e emrit? Ishin pak a shumë dy modele: njëri tepër i skajshëm si p.sh. kriminel, hienë e zeze, spiun i fashizmit, shërbëtor i pushtuesve, etj. Të tilla unë nuk kam përdorur kurrë. Modeli i dytë, më i moderuar: reaksionar, konservator, patriarkal, primitiv, nacionalist, folklorist, shovinist, etj.

Kam patur idenë, i bindur se kisha të drejtë, të përdorë ato kritika, për të cilat Fishta mund të kritikohej vërtetë. Që Fishta ishte konservator, reaksionar dhe nacionalist, madje shovinist për të mos përmendur folklorizmin e patriarkalizmin, e kisha shumë lehtë ta besoja. Madje fal dy shkollave të larta, njohjes së letërsisë botërore dhe snobizmit rinor, disa nga këto cilësime s’më dukeshin ndonjë e keqe e madhe. Nuk do të guxoja të shtoja këtu se qëllonte që më dukeshin lavdërime, sikur të mos kisha një dëshmi që e vërteton këtë: Në botimin e librit tim të parë në Moskë, që u përgadit kur isha student atje, pranova si kusht për botimin që, përkthyesi im David Samajllov, të shkruante në parathënie se kisha ndikime të modernizmit e dekadentizmit borgjez. Kjo kritikë, jo vetëm që s’m’u duk e keqe, por më dha një farë kënaqësie.

Akuzat ose lavdërimet në botën komuniste shpesh bënin efekt të kundërt. Ata përdoreshin shpesh kundër shkrimtarëve të kohës, atyre që quheshin shkrimtarë të epokës së partisë. Një pjesë të epiteteve që përmenda më lartë, madje të pasuruara me të tjera, si vepër kundër partisë. Një pjesë të epiteteve që përmenda më lartë, madje të pasuruara me të tjera, si vepër kundër partisë, kundër socializmit, kundër popullit, jo vetëm janë përdorur kundër meje, por unë vetë, në një autokritike të botuar tashmë, i kam thënë kundër vetes.

U zgjata në këtë pikë, ngaqë kjo intervistë botohet në “Hylli i Dritës”, e pandarë nga emri i Fishtës. Siç e thashë në krye, ka një abuzim të madh me të. Është krijuar një mashtrim, që ka lidhje me një nga dukuritë më dinake të komunizmit: atë që quhet transferim i krimit. Diktatura dhe shërbëtorët e saj postdiktatorial përpiqen të heqin nga supet e tyre për çoroditjet e letërsisë shqipe, por s’janë ata në zanafillë të krimeve të mëdha diktatoriale, tmerret dhe gjëmat e zeza, duke përfshirë këtu edhe ndalimin e Fishtes, të Koliqit e të tjerëve. Fabrika e ndryshkur e pasdiktaturës vazhdon të prodhoj mashtrime nga më monstruozet. Një prej tyre, që e dëgjova në një mbledhje publike me shqiptarët e Amerikës, e shpjegonte ndalimin e Fishtes, si rrjedhojë e vendimit të një komisioni prej tre vetësh, të përbërë nga Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia dhe Ismail Kadare. Ishte e lehtë për mua t’i jepja përgjigje këtij mashtrimi: kur Fishta dhe gjithë të tjerët u ndaluan, unë isha nëntë vjeç. Gjithë salla qeshi dhe unë bashkë me ta. Por nuk ishte për të qeshur. Fara që la pas ai regjim, vezët e gjarprit vazhdojnë të helmojnë atmosferën. Thelbi i mashtrimit është llogaritur në mënyrë djallëzore. Sipas tij, krimet nuk i kanë bërë kupola komuniste, por tjetër kush. Në qoftë se përfytyrohet një komision ndalimi për Fishten, me dy zyrtare të lartë dhe një shkrimtar, natyrisht që faji për ndalimin, në radhe të parë i bije shkrimtarit. Rasti e solli që shkrimtari i akuzuar ia kujtoi dëgjuesve se ishte në atë kohë nëntë vjeç, por sa raste të tjera ka kur nuk gjendet kurrkush për të sqaruar të vërtetën dhe kështu gënjeshtra ngadhnjen? Dhe njerezit mund të thonë: i gjori shoku Ramiz dhe e gjortha shoqja Nexhmije, ku ta dinin si ishte puna e Fishtes? Ishte ai, krimineli i madhe I.K. që i ka bërë të gjitha. Madje dhe të gjortjin shokun Enver, I.K. e ka nxitur të bëjë krime! (Kjo e fundit, sado fantaziste të duket, është thënë në shtypin gjerman pikërisht nga kinse disidenti që përmendni ju, në krye të kësaj intervistë në Shqipëri ka patur jo një, por dy diktatorë, E.Hoxha dhe I. Kadare, madje ky i dyti ishte më i keqi!).

Meqë ra fjala, ky kinse disident dhe ish oficer i Sigurimit, ndërsa është shfaqur si idhtar i Fishtes, në të njëjten kohë, pasi është deklaruar turk, s’ka lënë sharje pa thënë kundër Skënderbeut. Fishta do të dridhej në varr, (nëse do ta kishte), po të merrte vesh se një tip i tillë, pasi lavdëron Gjergj Fishtën, e hedh në baltë Gjergjin tjetër, atë të Kastrioteve, duke e quajtur hajdut kuajsh dhe agjent të italianëve!

Në Shqipëri mbrapshtitë nuk kanë fund.

Duhej të kalonte shumë kohë për të kuptuar se vlerësimi im për Fishtën ka qenë i gabuar

H.D. Tani, pas kaq kohe reflektimi, cili asht mendimi juej për Fishten dhe vendin e tij në letërsinë shqipe?

Ismail Kadare: Ndërsa për vlerat e katolicizmit shqiptar nuk kam patur ndonjëherë moskuptim, (më 1959, kur isha student në Moskë, romanin tim të parë “Qyteti pa reklama” e kam nisur me frazën e parë të “Mesharit” të Gjon Buzukut), nuk mund të them se kjo ka ndodhur me Fishten. Gjykimi im i padrejte për të mendoj se nuk ka lidhje me komunizmin. Ka gjasë se edhe në një rend tjetër do të kisha, ndoshta, të njëjtin moskuptim. Moskuptimi ka qenë, me sa duket, fryt i një mode pothuajse botërore, në fillim të viteve 60-të, kur letërsia klasike, e sidomos shkrimtarët e cilësuar kombëtarë, pësuan një nga sulmet e radhës, prej brezit të ri.

Student i letërsisë. Në një mjedis disi liberal, fill pas dënimit të krimeve të Stalinit në Moskë, jam gjendur midis kësaj mode, si rrjedhojë e së cilës, për një pjesë të letërsisë botërore, e natyrisht të letërsisë shqipe, për Naimin, Fishtën, Çajupin e të tjerë, kam patur ftohtësi dhe paragjykime, sidomos për veprat që quheshin monumentale, si “Histori e Skënderbeut” dhe “Lahuta e Malcisë”.

Duhej të kalonte shumë kohë për të kuptuar se vlerësimi im për ta ka qenë i gabuar. Kam kuptuar, ndër të tjera, se vlerësimi për ata që pranohen, me të drejtë, si “poetë kombëtare”, nuk kalon nëpër të njëjtat kritere profesionale, si për të tjerët.

Naim Frasheri dhe Gjergj Fishta kanë qenë dhe mbeten dy poetët kombëtarë të Shqipërisë, të vetmit, të fundmit dhe të papërsëritshmit. Poeti kombëtar nuk është e thënë të këtë atë stërhollim artistik, atë përktyerje apo magji të epërme, që ka shpesh arti luksoz dhe elitar. Poetët kombëtarë, për arsye që dihen, e kanë flijuar shpesh artin e tyre, në një tjetër altar.

Ndërkaq ata krijojnë me kombet e tyre një raport të habitshem, gati-gati misterioz, një njëjtësim me pejazhin historik e shpirtëror, të tille që, duke u bërë njesh me atë të kombit, arrin disa herë ta dyzojë atë.

H.D:  A e keni njohtë Martin Camajn dhe çfarë marrëdhaniesh keni pas me të? Çfarë ideje keni për krijimtarinë e tij letrare?

Ismail Kadare: Kam patur fatin ta takojë për herë të parë Martin Camajn, në tetor të vitit 1981 në Frankfurt. Pas mbarimit të një konference shtypi, m’u afrua një burrë i pashëm, i cili, pasi më folishqip, tha emrin e vet: Martin Camaj. E njihja pa dyshim, nëpërmjet revistës “Shejzat” të Koliqit dhe atij iu bë qejfi që ia thashë këtë. Biseduam një copë herë në këmbë, midis zhurmimit të zakonshëm të një mjedisi të tille.

Pas vendosjes s’ime në Paris, një mik i përbashkët gjerman, Werner Daum, që kishte qenë diplomat në Tiranë, më solli të falat e Martin Camajt, si dhe dëshirën  e tij për t’u takuar përsëri, në kushte fare të tjera tani. Për fat, sapo kisha lexuar dy novelat e tij të gjata “ Rrungajat e marsit” dhe “ Pishtaret e natës”, të cilat më kishin pëlqyer mjaftë dhe Werner Daum më tha se ishte i lumtur t’ia njoftonte këtë gjë Cmajt, bashkë me knaqësinë time për t’iu përgjigjur ftesës së tij. E lamë takimin pas disa javësh, ngaqë do të ndodhesha në Mynih, ku ai banonte, në një forum ndërkombëtar shkrimtarësh. Isha i ftuar për drekë në shtëpinë e tij bashkë me Daum-in. E prisja me padurim këtë takim, kur vetëm disa ditë përpara tij, erdhi lajmi i pikëllueshëm se Martin Camaj nuk ishte më i kësaj bote.

Është një nga shkrimtarët më të mirë të kombit shqiptarë, me po atë vlerë në prozë sikurse në poezi, dy hapësira të mëdha, me të cilat ai u përpoq të zëvendësonte atdheun e munguar. Ishte po aq i fismë në veprën e tij sa edhe në vizionin për raportet njerëzore brenda familjes së shkrimtarëve. Këto të fundit, për fat të keq, vazhdojnë të jenë kaq munguese në jetën tonë.

H.D. Si i gjykoni sot shkrimet tueja të kohës së komunizmit, ku flitni për E. Hoxhën dhe diktaturën? A mendoni se ka vend për interpretim aty ku nji lexues i randomt sheh nji realitettë lustruem të diktaturës komuniste?

Ismail Kadare: Pas përmbysjes së komunizmit, pyetja se ç’është kjo letërsi, që u krijua në kohën e tij dhe si do të gjykohet ajo, bashkë me shkrimtarët që fati e solli të jetojnë në komunizëm, u kthye në një kureshti botërore.

Mendimet u ndanë pak a shumë më dysh. Sipas një mendimi që ngjan tepër antikomunist, por që, si’ do të shpjegohet më poshtë, del kryekëput komunist, kjo letërsi është kryekrejet komuniste, dhe si e tillë, do të ketë fatin e tij, të përmbyset. Gjithmonë, sipas këtij mendimi, në motërzimin e tij shqiptar, më mirë do të ishte që kjo letërsi të mos egzistonte dhe, bashkë me të, shkrimtarët vet të mos ishin. Këtyre të fundit haptaz iu është bërë pyetja: përse vazhduat të shkruani, përse nuk heshtët, madje përse nuk vdiqët!

Kundërshtarët e kësaj teze ngulmojnë se ajo është thelb komunist, ngaqë pranon ngadhënjimin e plotë të komunizmit brenda epokës së vet, madje edhe tani, jashtë saj. Që këtë tezë e pëlqejnë shumë komunistët, kjo nuk është ndonjë habi, por që antikomunistët e pëlqejnë edhe më fort, kjo është një habi e habive.

Tek teza, se do të ishte më mirë që kjo letërsi të mos egzistonte, kundërshtarët e saj gjejnë racizëm, kur ajo bëhet prej të huajve. T’i thuash shqiptarëve se ishte më mirë të jetonin gjysmë shekulli pa letërsi dhe art, për të vërtetuar se komunizmi ishte i keq, do të thotë ti konsiderosh ata si nënpopull. Është tezë raciste kur popullit shqiptar i parashtrohet diçka që nuk guxohet t’i prpozohet as francezëve as gjermanëve, madje as rusëve, të gjendur në kushte të ngjashme (komunizëm, fashizëm ose pushtim nazist). Nënteksti racist i tezës është: s’u bë hataja pse ky popull jetoi pa art gjysmë shekulli, në kohën që quhet fundi i botës nëse jeta kulturore, për shembull, do të paralizohej gjatë pushtimit nazist në Francë, gjë që nuk ndodhi aspak.

Një mendim tjetër është ai, sipas të cilit, pavarësisht në ç’kohë flijohet, letërsia gjykohet pas ligjeve të saj dhe jo ligjeve komuniste, fashiste ose jo komuniste, por, si kudo dhe kurdo ndahet në letësi të mirë dhe letërsi të keqe.

Mendimi im është me ata,për të cilët letërsia duhet të gjykohet si letërsi. Megjithatë, për atë veçanti që pati regjimi mizor në Shqipëri, do të shtoja se, në këtë rast kriteri themelor natyrisht duhet të jetë vepra, por një kriter që të jetë kryesor nuk ka si të mos jet moraliteti i shkrimtarit.Me këtë nuk kam parasysh idiotësitë e shkrimtarëve, pjesë e idiotësive të popullsisë së sunduar, vjershat, këngët për festat, qeverinë apo katundarët e dalluar, për krimet e pafalshme, si spiunimin e kolegëve, dërgimin e tyre në burg a në pushkatimm e të tjera si këto. Është kjo arsyeja që prej 10 vitesh kam kërkuar hapjen e dosjeve të fshehta.

Lidhur me teorinë e “heshtjes” si qëndresë ndaj regjimit, mendojë se jo çdo heshtje ka vlerë. Heshtja letrare, është ajo e një shkrimtari të njohur, që befas, e ndërpret krijimtarinë. Në njëfarë mase, atë e bëri Lasgush Poradeci dhe Dhimitër Pasko, por edhe ata me shumë kujdes, ngaqë regjimi ishte tepër përgjues edhe ndaj heshtjes. Në Shqipëri sot kanë dalë shumë mëtues të heshtjes. Ata shpallin pak a shumë mendimin se do të kishin qenë shkrimtarë me vlerë, por parapëlqyen të heshtin. Si parim është vështirë të kundërshtohet, por ndërkaq një pyetje është e pashmangshme; si vërtetohet kjo? Me fjalë të tjera, si vërtetohet talenti, dhe e dyta, si vërtetohet se shkaku i heshtjes nuk është ajo që thuhet, por tjetër gjë, (ta zemë frika)? Kjo të kujton një tregim të Mark Tuenit, ku përshkruhet një botë paralele, ku qokat janë të ndryshme nga bota jonë. Kështu, poeti më i madh atje nuk është Homeri, por një rrobaqepës, ndonëse nuk ka shkruar kurrë, ngaqë nuk pata kushtet, por po ti kisha ato, kisha për të qenë mbi Homerin.

Të kthehem te pjesa e rrokshme e pyetjes suaj: letërsia që kam krijuar në atë kohë. Do përpiqem të jem sa më i kapshëm.

Për vite me radhë unë vetëm kam bërë pytjen: ç’është kjo letërsi që po bëjë? A është letërsia e duhur? A ka ndonjë vlerë apo do të vdes bashkë me regjimin?

Jam i sigurt se pyetje të tilla janë bërë gjithkund në kampin e gjerë komunist. Ndërkaq, në vitin 1970, në jetën time ndodhi diçka befasuese. Vepra ime, e botuar së pari në Francë, nisi të përkthehej në gjuhët kryesore të Europës e të botës, që nga New Yorku në Tokio.

Unë nuk e pranoj që kriteri bazë për të vlerësuar një shkrimtar është përkthimi në botën e huaj. Raste të kundërta ka plot. Por, të ndodhte ky përkthim, i shoqëruar me suksesin me 1970, kishte një kuptim tepër të madh. Nuk ishte thjesht botim, e aq më tepër sukses jashtë shtetit. Ishte përkitja (kontakti) me botën e lirë. Bota e lirë perëndimore, në metropolet e saj, në Paris, New York, në Berlin, në Rome, në Londër, befas lexon dhe çmon një letërsi të krijuar në një vendburg, me fatkeqin vend të perandorisë komuniste.

Shqiperia në atë kohë nuk prodhonte veç terr, mërzi dhe lajme që të ngjethnin mishtë. Dhe befas ajo nxjerr një letërsi që, jo vetëm shpërndahet me shpejtësi, por pëlqehet njëlloj sikur të ishte e botës jokumuniste.

Ky ishte për mua dhe për gjithë njerëzit një test i pazakonshëm. Si në mrekullitë e përrallave, ky test më çoi mua në të ardhmen. Prej tij kuptova se, pavarësisht se regjimi ishte i çmendur, unë po krijoja letërsi normale. Pavarësisht se Shqipëria ishte burg, kjo letërsi që dilte prej sai ishte e lire. Ndryshe ajo s’kishte përse të pritej me aq dashamirësi në Perëndim.

Gjithë vepra ime u botua në botën e lirë. Unë nuk kisha dy lloj veprash, një për “këndej”, një për “andej”. U bëra i njohur kryesisht me veprat e botuara në komunizëm, madje të botuara së pari në shqip, dhe në Tiranë.

Kam thënë shumë herë se vepra ime nuk ka nevojë të quhet as disidente, as komuniste, as antikomuniste, as subversive etj. Etj. Ajo është në radhe të parë letërsi, dhe ky është nderi më i madh për një veper që u krijua në një vend si ky. Ka shumë njerëz që ngulin këmbë për ta paraqitur këtë vepër si pjellë të regjimit e të Enver Hoxhës. E kuptojë kur kjo bëhet nga shkrimtarët tepër militantë komunist, e kuptojë kur bëhet nga Nexhmije Hoxha, ngaqë asaj i duket se po i bëhet nder burrit të saj, i cili nuk paska bërë vetëm vrasje në Shqipëri, por ka pjellë edhe vlera artistike! Por nuk e kuptojë dot se përse kjo mbrapështi bëhet nga ata që shpallen si antikomunistë.

Pyetja ngjan si në rastin e atyre katolikëve, që me zell qëmtojnë armiq të katolicizmit. Thelbi është i ngjashëm, veç, në këtë rast, në vend të armiqve qëmtohen miq të paqenë të Enver Hoxhës. Vërtetë e çuditshme.

Përsa i përket interpretimit prej lexuesit të rëndomtë që ju përmendi, ai ka vërtetë nevojë për një lexim dhe interpretim më serioz. Po ju sjellë vetëm një shembull të leximit krejtësisht të gabuar. Është fjala për një personazh themelor të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, plakën Nurihan. Ende sot detraktoret e mij, e përmendin këtë personazh si akuzë kundër meje, gjasme si vërtetim të tezës se i kam rënë në qafë klasës së përmbysur.

Në të vërtetë është krejt e kundërta. Plaka Nurihan, personazhi antonim i Enver Hoxhës, në “Dimrin e vetmisë së madhe” është një figurë monumentale, që simbolizon klasat e përmbysura në Shqipëri, dhe unë jam krenar që ky personazh është një ndër më dinjitozët në këtë vepër.

Ç’është kjo plakë, me tipare mitike, në vazhdën e “plakave të jetës” të “Kronikë në gurë”? Qysh në faqet e para të romanit, ajo ngryset e gdhihet pranë radios, për të kapur prej stacionevetë botës ndonjë lajm, ndonjë shenjë, të përmbysjes së komunizmit. Gjatë gjithë romanit, ajo përshkruhet gjithmonë kështu, në pritje, në heshtje, në vigjëlim të pafund. Asnjë fjalë e keqe nuk thuhet për të. Për lexuesin “borgjez” ajo ishte mishërimi i shpresës, i ankthit të tyre, i pritjes së pafund për rrëzimin e pushtetit komunist. Për lexuesin komunist ajo ishte plakë borgjeze, shtrigë e keqe, që ëndërron fundin e partisë e të shokut Enver.

Komunistët kishin të drejt ta urrenin këtë plakë mitike, të kishin tmerr prej saj, por ç’kanë detraktoret antikomunistë? Për një habi të madhe, në vend që të jenë dashamirës për këtë zonjë borgjeze, këtë farë të shpresës, ata, në mendjet e tyre e quajnë atë, njëlloj si komunistët, shtrigë. Dhe zemërohen me mua që kam krijuar këtë shtrigë.

Zotërinjtë shfaqen këtu në një dritë të pikëlluar. S’kam të drejtë ta vë në dyshim antikomunizmin e tyre, por ndërkaq, nuk kam si të mos them se, pavarësisht nga mllefi antikomunist, mendja e tyre, pa e ditur, ndoshta, as ata vetë, në thellësi ka mbetur skllave e mendësisë komuniste.

Meqënëse jemi te ky roman, ai përdoret shpesh si argument për kinse “llustrim të diktaturës”. Për të thënë se është e kundërta, nuk do të përmend acarimin kundër tij, pikërisht të aparatit të diktaturës shqiptare, e cila arriti ta hiqte nga qarkullimi botimin e parë. Do t’i kthehem testit të botës së lirë. Pas botimit të tij anekënd Europës, kjo botë, nuk u mor me imtësirat dhe mungesta e tij të shpjegueshme. Lexuesi i botës së lirë, kapi në këtë roman tablonë globale të komunizmit botëror, një nga më të zymtat, për të mos thënë më e zymta, që është dhënë ndonjë herë në një vepër letrare. Dimër i ftohtë dhe ankth, klasa kundërshtare që ëndërrojnë masakra kundër njëra-tjetrës, intriga të errëta midis shteteve kinse vëllezër komunist, kujtime krimesh, burgjesh, arrestimesh, fantazma ministrash të pushkatuar, që shfaqen në pritje qeveritare, me shenjat e plumbave të gjakut mbi trup, si në dramat e Shekspirit, pyetja plot ankth e personazheve: tani që po shkëputemi nga Lindja, a do të shkojmë vallë drejt Perëndimit?

Në qendër të ngjarjes, mbledhja botërore e 81 shefave komunistë të krejt planetit, i cili i shpëton këtij përshkrimi për arsye që merren me mend.

Moszbërthimi i plotë i portretit, ishte pjesë e taksës së detyrueshme që nuk mund t’i shmangej askush, për të ekzistuar si shkrimtar. E kam paguar atë taksë ashtu si të tjerët, por ajo zë një vend fare të papërfillshëm në veprën time. Ishte taksa që nuk iu shmangen dot as kolegët e mëdhenj Pasternaku, Ahmatova, Bulgakovi e të tjerë. Ndaj ajo nuk pengoi aspak që letërsia shqipe, nëpërmjet meje, të hynte në klubin e lirë të metropolit evropian. Në një intervistë të gjerë me Stephane Courtois, autorin francez të veprës së famshme “Libri i zi i komunizmit”, i cili ka shkruar se “Dimri i vetmisë së madhe’, në një rilexim të vitit 2005 i është dukur më antikomunist se gjatë leximit të parë të vitit 1978, kam shpjeguar se shkëputja e Shqipërisë prej kampit komunist në vitet 60-të, ka qenë i vetmi aksion, historikisht pozitiv, ndonëse i pasinqertë, i Enver Hoxhës, aksion me të cilin kam qenë dakord. Ashtu si gjysma e shqiptarëve kam shpresuar se kjo shkëputje do ta çonte Shqipërinë drejt Perëndimit, gjë që, për fat të keq, nuk ndodhi.

H.D. Misioni i shkrimtarit përgjatë Rilindjes sonë kombtare ka qenë formimi i ndërgjegjes së kombit. Asokohe nji pjesë e madhe e shqiptarëve nuk pranonin flamurin që kemi sot, nuk donin alfabetin latin, nuk e konceptonin jetën të ndamë prej pushtuesit osman.

Ismail Kadare: Qëllon që disa të vërteta të jetës së kombeve kërkojnë një kohë të gjatë për t’u shfaqur. U desh të hynte shekulli XXI, gati njëqind vjet pas shkëputjes nga perandoria osmane, që raportet e popullit shqiptar me robërinë, në vend që të ishin më të qarta se kurrë, dhanë shenja turbullimi, që nuk i bëjnë nder këtij vendi. Kujtimet e shëmtuara të vjetra nisën të shfaqen përsëri, në trajta të tjera, por me thelb të njëjtë, Një nostalgji e përçudur orientale, prirje revizionimi të historisë e të emblemave të mëdha të kombit, si Gjergj Kastrioti, teori të dyshimta për kinse rolin pozitiv të pranisë osmane në Shqipëri, ringjallje melodish, e jo vetëm melodish, por mendësish anadollake, një kundërshtim tinëzar, bishtnues i Europës e i përkatësisë europiane, këto e të tjera si këto, të kujtojnë turpet e dikurshme, ato që me të drejtë përmendni ju në pyetjen tuaj.

Ndryshimi është që, ndërsa më parë ishte popullsia e paditur dhe e prapambetur që barte mjegullinë, kurse intelektualët, të përfshirë në Rilindjen Kombëtare ishin më të qartë se kurrë, tani shpesh po ndodhë e kundërta.

Raportet jo të qarta me robërinë janë po aq të palejueshme, sa edhe paqartësitë me lirinë. Një komb që i lejon vetes një gjë të tillë, i ka vënë një njollë të errët ndërgjegjës së vet.

Vizita e presidentit amerikan në Shqipëri ishte një ngjarje që e kapërcente, për nga rëndësia, vetveten. Ai shpërthim popullor proamerikan, shpërthim prej të cilit nuk kuptuan asgjë zonjushat naziqe majtiste rreth e rrotull nesh, ishte një dëshmi e fuqishme se aspirata e thellë europiane e këtij kombi, nuk është prodhim i ndonjë administrate të djathtë apo të majtë. Populli shqiptar u dha një mësim e njëkohësisht një paralajmërim qeverive shqiptare, të djeshme, të sotshme e të ardhshme, për të mos bërë lodra me programin themelor shqiptar. Thelbi i këtij programi të palëvizshëm është se Shqipëria, jo vetëm s’mund të ketë liri jashtë lirisë së Europës, por ajo s’mund të ketë as jetë jashtë saj.

Në këtë aksion tradita kulturore gege-katolike, për të cilën biseduam sot, ka një rol e një mision të pazëvendësueshëm.

Raportet e paqarta me robërinë bëhen edhe më të padurueshme kur shfaqen tek intelektualët e tipit S. Ferraj në mjediset shqiptare, që ende nuk e kanë zgjidhur problemin e lirisë. Një nga teorizimet mbi kinse rolin pozitiv që ka luajtur prania osmane në Ballkan, për të kufizuar trysninë serbe ndaj shqiptarëve, jo vetëm që s’ka asnjë të vërtetë, por përbën një përçudnim moral e një alibi të neveritshme. Gjatë kohës kur shqiptarë e serb bënin pjesë në të një njëjtën perandori turke, serbët, duke qenë në një gjendje tepër të shtypur (raja), nuk përbënin ndonjë trysni për shqiptarët, e shqiptarët nuk kishin pse të kërkonin aleancë burracake me një armik tradicional kundër një fqinji të bezdisshëm të ri.

Asnjë komb me dinjitet nuk zgjedh midis dy robërive, por zgjedh midis robërisë dhe lirisë.

H.D. Në Shqipni kemi dy tradita letrare, gege dhe toske. Mbas Luftës së Dytë Botnore tradita gege e lavruemema së shumti prej klerikësh katolikë u trand dhe u përjashtue prej panteonit të letrave tona. Si e vlerësoni ju rolin e saj real në formimin e shqiptarit, në mbarështrimin e vlerave dhe të visarit tonë kulturor?

Ismail Kadare: Përderisa lidhet me gjuhën, kjo vetvetiu bëhet një çështje tepër e vështirë për një intervistë. Ka shumë mjegull në trajtimin e saj, ka shumë spekulime, shumë pasion, e sidomos shumë padije. Kam studiuar gjashtë vite gjuhësi, në dy shkolla të larta, ka më shumë se gjysmë shekulli që, për shkak të profesionit, punojë me një nga makinat më të ndërlikuara e njëkohësisht më të përkryera të shprehjes njerëzore, me gjuhën shqipe, e, megjithatë, kur vjen puna për diskutime të tilla, ndjesia e parë që provoj është stepja.

Ndërkohë, shoh me trishtim, si një zhgan i pafund injorantësh, me guximin që jep padija, nuk kanë asnjë drojë të japin gjykime, mallkime ose lavde, për këtë gjithnjë mahnitëse, që, me hapësirat, trillet, yllnajat dhe misteret e saj, i shëmbëllen universit.

Tani po vij te pyetja juaj. Është jashtë çdo dyshimi që bashkë me katolicizmin shqiptar, besimi më i përseketuar në Shqipëri dhe në krejt botën komuniste, gjithçka që lidhej me të, ritet, kultura, kujtesa, tradita e shkrimit iu nënshtruan një goditjeje të vazhdueshme, të palodhur, burracake e meskine. U bashkuan në këtë sulm nostalgjikët otomanistë, katundarizmi bolshevik, së fundi delirët ortodokse, si rrjedhoja të tërthorta të flirteve ndërkomuniste shqiptaro-serbe ose shqiptaro-ruse.

Bashkë me kulturën e traditën katolike, kjo dëmtoi rëndë testamentin europian të Kastriotit e të Rilindjes Kombëtare, duke trandur, siç thoni me të drejtë ju, krejt drejpeshimin e kombit shqiptar.

Në këtë skajim, tradita letrare gege do të merrte një krisje të rëndë. E krisje të tilla kërkojnë një riparim të gjatë, tepër të gjatë.

Jam pa asnjë lëkundje për këtë riparim, por ai kërkon një gjakftohtësi e një ndriçim mendor të epërm, të tillë që të mos lejojë qasje vulgare nga kurrfarë drejtimi. Nuk pranohen në këtë rrahje mendimesh njerëz të padenjë, të tillë që, ndërsa sot rrahin gjoksin për kinse mbrojtje të traditës katolike, e nesër ulërijnë si të ishin fundamentalist turq, kundër ndërtimit të katedrales në Prishtinë.

Nuk mund të kenë qasje në këtë tryezë kasnecët e padijes. Ata që ende nuk e dinë ndryshimin midis atij që quhet standard gjuhësor, e gjuhës letrare. E atyre që ende s’e kuptojnë se në çdo vend të qytetëruar ka vetëm një standard gjuhësor e asnjëherë dy. Se një shtet mund të ketë, madje tri gjuhë zyrtare, por brenda një gjuhe s’mund të ketë kurrë dy standarde. Se standardin nuk e përcakton shumica e popullsisë, madje zakonisht ai qëllon që del nga pakica, nga një krahinë, një qytet, një qyteze, madje nga një njeri, siç thuhet për Dante Alighierin. Se gjuha e shkruar s’ka përse t’i përshtatet gjuhës së folur sepse nuk është e folura, (parimi fonetik) por shkrimi (parimi morfologjik) ai që siguron jetën e gjatë të gjuhës, përndryshe në qoftë se gjuha nuk do të mbrohej me anë të ngulitjes në shkrim, çdo tridhjetë-dyzetë vite do të kishim një gjuhë të re, çka do të thoshte se nuk do të kishim më gjuhë. E kështu me radhë.

Ky standard është plotë mungesa

H.D. Me Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, gegnishtja doli e thyeme brinjsh dhe pak nga pak u ndalue shkrimi dhe përdorimi i saj në letërsi dhe në publicistikë, në radio dhe televizion. U lejue përdorimi i saj vetëm në funksion të nji koloriti lokal, ma së shumti me një vlerë negative, si të thuesh nji e folun që karakterizonte personazhet negative, reaksionare. A mendoni se Kongresi i vitit 1972 ka ba nji padrejtësi ndaj gjuhës shqipe, tue lanë jashtë sintezës gjuhsore elemente të rëndësishme të gegnishtes në fonetikë, morfologji, leksik?

Ismail Kadare: Mendoj, pa qenë krejt i sigurtë, se Kongresi i Drejtshkrimit të vitit 1972 i vihet një rëndësi që e tejkalon atë. Kjo më ka shtyrë të besojë se gjithçka është kryer që më parë dhe ky kongres është bërë i famshëm, pa qenë vërtetë i tillë. Pyetja ime disa herë ka qenë: a ishte vërtetë kaq i fortë regjimi shqiptar sa të ndryshonte gjuhën? Mendoj se ky regjim përballë gjuhës shqipe ishte i dobët si një thnegel. Ai mund të ndalonte vepra, të burgoste shkrimtarë, të pushkatonte një frat katolik, ngaqë pagëzoi një fëmijë, me formulën e pagëzimit, që është dhe fraza e parë e shkruar e gjuhës shqipe, por më tutje nuk shkonte dot.

Mendoj se çështjet që lidhen me standardin dhe gjuhën letrare, kërkojnë kthjelltësi. Nga tepria e pasionit janë thënë e vazhdojnë të thuhen gjëra të paqena, të krijohen mllefe të reja, thua se Shqipëria ka mungesë mllefesh. Shkelja e së vërtetës ka rrjedhoja të rënda sidomos në kësi rastesh. Ajo nxit ngarkesa shpirtërore të dëmshme, zhvendosë pezmin në gjëra të paqena, shkurt, pa dashur e shton mjegullën e mashtrimit, gjë për të cilën ka aq shumë nevojë një diktaturë e rrëzuar. Në rastin e rrokshëm, krimi komunist zhvendoset në sfera që s’kanë lidhje me të. Kështu për shembull, urrejtja e ligjshme kundër tij, përzihet, për çudi, me pjesë të kombit, me krahina, me tradita shkrimi, me dialekte, me besime fetare, me qytete, për të përfunduar, dhe kjo do të ishte më dramatikja, te raportet Shqipëri-Kosovë ose Shqipëri historike – komb shqiptar.

Nga pyetja juaj kuptoj se brezi i juaj ka një mungesë njohjeje për saktësinë e asaj që ka ndodhur me 1972. Tejçimi (transmetimi) në mënyrë të pasaktë i ngjarjes ka bërë që tek brezi juaj të grumbullohet, me të drejt, një mëri e një trishtim i madh. Ndërkaq, është e admirueshme që ju kërkoni një ndreqje të kësaj pune dhe jo një rrënim të ri. Ndërkohë dëshiroj t’ju kujtoj se disa vite më parë u kërkua pikërisht ky rrënim. U kërkua prishja e standardit, pa çarë kokën se me çfarë do të zëvendësohej ky standard. Ju e merrni me mend se çdo të thoshte që, në shtetin më gërmadhë të Europës, të shtohej kjo rrënojë e re. Që Shqipëria të mbetej i vetmi vend në Europë pa standard gjuhësor.

Që Shqipëria e tërë e sprapsi këtë kërkesë, kjo dëshmonte se ky vend dinte ende të dallonte ndërtimtarët nga shkatërimtarët. Ndërkaq këta të fundit janë aty, ende të pastigmatizuar nga askush, të gatshëm gjithmonë për të keqen dhe asnjëherë për të mirën.

Ç’ka ndodhur me 1972? U ndalua vërtetë tradita gege e shkrimit? U vendos vërtetë në themel të gjuhës standarde një traditë që nuk e meritonte? Ndoshta do t’ju zgjojë habi përgjigja ime se kjo nuk është e vërtetë. Komunizmi shqiptar ka qenë më i lemerishmi në Europë, por ne s’ka pse t’i shtojmë një gjë që nuk e ka bërë. Pikërisht kjo gjë, në vend që të bëjë më të besueshme krimet e vërteta, i vë ato në dyshim. Në këtë mënyrë zelltarët antikomunistë kthehen në mbrojtës të tij.

Në shekullin XX Shqipëria u gjend me dy tradita shkrimi. Të dyja të fuqishme, me vlerat, me përparësitë dhe mungesat e secilës në raport me tjetrën. Gegërishtja kishte një traditë shkrimi më të vjetër, me një plejadë shkrimtarësh të shkëlqyer, toskërishtja kishte një kristalizim më të fortë, çka bënte që qysh prej një shekulli (gjuha e Naim Frashërit) të ngjante moderne.

Nga të dy traditat, do të zgjidhej standardi. Si kudo në Europë. Të dy traditat ishin barazisht të ligjshme. Toskërishtja nuk u gjet në rrugë, për t’u vendosur dhunshëm në bazë të standardit. Ajo kishte shanset të vendosej edhe sikur Shqipëria me 1972 të ishte monarki. Ashtu siç kishte shans gegërishtja me çfarëdo lloj regjimi.

Dihen raportet e standardit me gjuhën letrare. Mund të përkojnë ose jo, gjuha letrare është çështje vetjake e shkrimtarit, bënë pjesë në lirinë e krijimit. Standardi, si kudo në Europë është i detyrueshëm me ligj.

Tradita letrare gege nuk u ndalua në Shqipëri. Komunistët mund të ta ëndëronin një gjë të tillë, por nuk guxuan kurrë ta bënin. Si mund të quhej e ndaluar gegërishtja, kur shkrimtari më popullor në vend, më i pranishëm në programet shkollore, më i studijuari, i lavdëruari, i recituari etj., etj. ishte një shkrimtar verior, që shkruante shkodranisht, Migjeni? E çdo të themi për poemën “O moj Shqypni, e mjera Shqypni” të Pashko Vasës, me të cilën rriteshin gjithë vocrrakët e qindra mijëra nxënësit e Shqipërisë? Pa përmendur Ndre Mjedën, përkthimet monumentale të krenajave të poezisë botërore, Iliadës, Eneidës, Komedisë Hyjnore, e një pjesë e tragjedive greke, të kryera me madhështi në gegërisht? Së fundi, pa përmendur shkrimtarin kryeneç, mikun tim të hershëm, Filip Ndocaj, i cili, në kundërshtim me rrymën dhe kolegët e vet, vazhdoi të shkruante e të botonte gegërisht, pa u penguar dot, gjersa ndëroi jetë pak kohë para rënies së komunizmit

Ne duhet të dimë të vërtetën e asaj që ka ndodhur, jo për të ndryshuar mendim për natyrën e komunizmit në Shqipëri, por për të qenë në paqë me ndërgjegjen tonë. Dhe kryesorja, për të ndrequr atë që mund të ndreqet.

Lidhur me Kosovën, kam bindjen se parnimi i standardit, ka qenë padyshim pozitiv. Por kjo është një temë më vete, që kërkon një anketë më vete.

Ne nuk mund të ndreqim asgjë po të nisemi nga përrallat. Për të sjellë veç një shembull përrallash, le të kujtojmë qytetin jugor të Gjirokastrës. Ky qytet gjendet shpesh në vorbullën e polemikës, duke u lënë të kuptohet se ka luajtur rol kryesor për zgjedhjen e standardit, ngaqë diktatori ka lindur atje. Jam i sigurt që shumë njerëz do të çlirohen nga një bezdi e rëndë, po t’ju them, me përgjejgësi të plotë, si profesionist, se e folmja e Gjirokastrës, ashtu siç është përjetësuar enkas në dy libra të shkrimtares martire, Musine Kokalari, Është më larg standardit sesa shkodranishtja e Koliqit apo e Migjenit, apo e së folmes së Prishtinës, Prizrenit etj.

Jam në një mendje me ju se ky standard është plotë mungesa. Që ndaj gegërishtes letrare ka patur ligësi, bojkot të vazhdueshëm, trysni. Që si shtysë të ngutjes për Kongresin e Drejtëshkrimit ka patur me siguri një prapamendim të keq tinëzar. Që kjo duket haptas në fjalorët e gjuhës shqipe, ku ndaj traditës gege e thesarit të saj ka patur një shkujdesje e harresë barbare. Megjithatë, kur vjen puna për të zgjedhur midis mohimit të standardit dhe përmirësimit të tij, besojë se shumica dërrmuese është për këtë të fundit.

STANDARDI NATYRISHT NUK ËSHTË TABU. NJË KONGRES I DYTË NATYRISHT QË MUND DHE DUHET TË BËHET

H.D. Sot standardi po tregon pamjaftueshmëninë e vet përballë realitetit dinamik të jetës shqiptare. Kjo gja ka ba që gjuha shqipe, në këto dekadat e fundit të njohë disa dukuni negative, si përdorimin pa nevojë të fjalëve të hueja, shkallmimin e sintaksës etj., por ka sjellë edhe risi si p.sh. përdorimin e paskajores dhe të leksikut të gegnishtes, përdorimin e formave paralele gegnisht dhe tosknisht. A mendoni se standardi duhet të vijojë të trajtohet si një tabu apo ka ardhë koha që të lejohet nji liri e shkrimit të gjuhës shqipe, nji liri që do ta pasunontegjuhën dhe do t’i jepte forcën shprehëse që shpeshëherë rregullat e ngurtësume ia kanë mohue?

Ismail Kadare: Natyrisht që standardi nuk mund të trajtohet si tabu. Në asnjë shoqëri të qytetëruar nuk ka tabu të tilla. Kërkesa që standardi të përfshijë, e jo të perjashtojë thesarin gjuhësor që kanë krijuar shqiptarët gjatë shekujve, është më tepër se e ligjshme. Është jashtë çdo diskutimi që tradita letrare gege të ketë liri të plotë zhvillimi e lulëzimi, paralelisht me traditën toske. Ndërkohë është thënë e përsëritur se standardi dhe gjuha letrare jo gjithmonë përputhen. Kjo s’do të thotë se standardi, duke patur për bazë njërën traditë, të jetë i mbyllur për tjetrën. Përkundrazi, pikërisht me raportin e të dy traditave brenda standardit. Ky raport nuk mund të jetë as i dhunshëm, as përjashtues. Ai duhet të jetë harmonioz.

Kjo s’do të thotë se standardi është bashkimi mekanik i dy traditave. Shumëkujt mund t’i duket kjo si një zgjidhje tepër e lakmueshme, por në të vërtetë është e kundërta. Gjuhët e vjetra e të fuqishme si shqipja, iu binden ligjeve mijëvjeçare, të cilat, ndonëse shpesh mund të duken trillane, në të vërtetë janë roja, janë garante të tyre. Të dy traditat kanë ligje të tilla. Po ti parafytyronim ato si dy makina shprehjeje, e kemi lehtë të mendojmë se disa nga veglat e njërës mund të përdoren për tjetrën, por të gjitha jo. Këtu e ka zanafillën kundërthënia që mbartë me vete standardi, i cili në fund të fundit, nuk është veçse një kompromis.

Po të thoshim se dy traditat letrare shqiptare kanë themel të tyre prirjen për harmoni e jo për të kundërtën, shumëkujt mund t’i dukej kjo si kërkimi i një idili të paqenë, në emër të patriotizmit. Në të vërtetë, në gjuhën shqipe harmonia gjendet si rrallëkund. Por atë duhet të dish ta kërkosh. Harmonia kërkohet jo në sipërfaqe, por në thellësi.

Gjuha shqipe, kjo makinë e madhe bashkuese, të cilën ne shqiptarët jo gjithmonë kemi ditur ta çmojmë, midis vlerave të paçmuara të saj, ka edhe harmoninë e brendshme. Dihet se tekstet më të vjetra të saj, ato të traditës gege, janë më afër traditës toske, se tekstet e mëvonshme. Në mungesë të një shpjegimi bindës për këtë. Le të themi se është një nga enigmat madhështore të gjuhës.

Prirja për riafirmimin e dy traditave është dëshmuar qartë prej gati një shekulli e gjysmë në programin rilindas, në forume si Komisia e Shkodrës, shoqëria Bashkimi, Kongresi i Manastirit, në vetë ringjalljen e alfabetit latin, në frymën europianiste e kështu me radhë.

Për ta sjellë bisedën tonë në një rrafsh më të rrokshëm, më lejoni t’ju kujtojë diçka nga përvoja ime si përdorues i gjuhës. Gjithë jetën time, pa kurrfarë shtyse të tipit patriotik, misionar, snobist e të tjera të ngjashme, në mënyrë fare të vetvetishme kam qenë i prirur të përdor fjalë dhe lokucione të së folmes verore. Ka qenë një kënaqësi e madhe për mua, kur nga një studim i Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj, kam marrë vesh se kam përdorur në veprën time letrare 1200 fjalë e lokucione të traditës gege. Nuk është pak, po të kujtojmë, se gjuha e një shkrimtari ka mesatarisht 6 mij fjalë. Kënaqësia ka qenë e dyfishtë kur kam parë se fjalët e thesarit verior, si moskund, rrokavaj, shelbim, bjerrakohs, bornajë, rrejtshum, lojcak, patenxonë, kahershëm, flatrim, gjithkund, thirravajshëm, orëlig, etj., etj., nuk janë përdorur vetëm për të bërë të besueshëm një mjedis verior, por në krejt ltësinë që shkruaj, madje në vepra me subjekt e ngjyrim kryekëput jugor, si p.sh. “Breznia e Hankonatëve”. Kjo dëshmonte se ky korpus i madh dhe i pazëvendësueshëm fjalëh, ishte bërë pjesë organike dhe krejtësisht natryale e gjuhës sime.

Standardi natyrisht nuk është tabu. Një kongres i dytë natyrisht që mund dhe duhet të bëhet. Një rishikim i atyre regullave, që mund të jenë sadopak penguese për thesarin e traditës veriore, patjetër duhet të kryhet. Mund edhe duhet të shkohet edhe më larg. Një thjeshtim i mëtejshëm i e-së (e pa zanë), e cila është tepër e pranishme në shkrim. Një ndryshim rrënjësor i shkrimit të emrave të përveçëm evropianë, ashtu siç ndodhë në familjen kontinentale, është i domosdoshëm. Por prapë mund të shkohet më larg, sidomos në hartimin e një fjalori të ri normativ të shqipes, për të shmangur njëherë e përgjithmon përjshtimin skandaloz të thesarit të gegërishtes. Së fundi, për shumë fjalë që në traditën gege tingëllojnë më mirë, më saktë dhe, kryesorja, më bukur se në toskërisht, si ranishte, ernat, zanafillë etj. të ligjërohen si të detyrueshme në standard, duke përjshtuar motërzimet e tyre, që vijnë  nga tradita toske.

Ishte fjala për standardin. Kurse për shumicën e gegërishtes, kësaj lirie të paprekshme të njeriut dhe të shkrimtarit, as që duhet t’i shkojë ndër mend dikujt se mund ta kufizojë.

Pa dashur të tregohem më optimist se ç’duhet, mendojë se lëvrimi paralelisht i dy traditave letrare, përveç pasurimit të tyre të ndërsjelltë dhe natyrisht pasurimit të standardit, do të çlirojë botën shqiptare nga një ngerç e një trazim i vazhdueshëm.

Harmonia gjuhësore në Shqipëri dëshmohet çdo ditë në mënyrë fare të natyrshme. Mendojë se shprehë një dëshirë tepër të njohur, nëse do të thoshja se parapëlqej të lexojë përkthimet madhështore të “Iliadës” nga Gjon Shllaku, e “Komedinë Hyjnore” nga PashkoGjeçi, ashtu siç janë, në gegërisht, sesa në ndonjë motërzim të mundshëm tosk. Por po aq jam i sigurt se janë të shumtë lexuesit verior, që për “Hamletin”, “Makbethin” ose “Don Kishotin”, do të donin natyrshëm përkthimin e Fan Nolit nga ndonjë tjetër i mundshëm.

Në kushtet e reja të lirisë kombi shqiptar, në këtët shpërthim të ri energjish, më tepër se kurrë ka nevojë të rivendosë një raport më serioz me gjuhën e vet.

H.D. Tek “Çështje të marrëzisë” është përftuar disa herë  një roman i veçantë, që shënon një kthesë në letërsinë time. Unë nuk mendojë ashtu.

I.K. Motivi i vëllait verior, me fe dhe me gjuhë tjetër, që pritet të mbërrijë një ditë në shtëpinë e babazotit, është në vazhdim të një linje që e përshkon herë më qartë e herë në mënyrë të përkorë gjithë veprën time. Është linja e unitetit të kombit, i cili s’mund e s’duhet të përçahet për shkaqe krahinore, feje e idiome gjuhësore.

Do të më lejoni t’ju sjell këtu një vjershën time, të harruar tashmë, të shkruar e të botuar plotë gjysmë shekulli më parë, në librin e rinis “Ëndërrimet” më 1957. Vjersha quhet “Në tavolinën e studimit” dhe ka gjithsej 8 vargje:

Sonte tok me fletoret lashë mënjëanë
Priftët e ngrysur q’i çfletoj çdo natë
Buzukun, Budin, Bardhin e Bogdane..
Mbi grushtë kokën ç’e mbështeta gjatë…
Më falni o të vjetër famulltarë,
Tani që shndëriti hëna plotë mendime;
Në shqip, un’nipi juaj, disa radhë
Do të shkruaj për të parën miken time

Është një vjershë naïve, pa ndonjë vlerë artistike, por tepër kureshtare për ta zbërthyer.

Një autor i ri, student në universitetin e Tiranës, kryqytet i vendit më kominst të europës, ndërsa bëhet gati të shkruaj një vjershë intime, e ndien këtët si një mëkatënim ndaj edhe u kërkon ndjesë katër shkrimtarëve të parë të letërsisë shqipe, të katër autorë të traditës gegë – katolike.

Nuk më kujtohet në ç’rrethana e kam shkruar këtë vjershë që, më së paku, do të dukej e cuditshme. Në radhë të parë ngjanë e tillë, sepse kërkimi i ndjesës për diçka në Shqipërinë komuniste, e famshmja atokritike bëhej përpara partisë, mësimeve të saj, pastërtisë së saj, etj.

Këtu jo vetëm që s’ka asnjë gjurmë të tillë, por ndjesa u kërkohet katër shkrimtarëve fetar, një farë plejade që në vetvete quhej e gabuar.

Nga gjithë tingëllimi i vjershës del qartë se poeti i ri, ndonëse është nga jugu i Shqipërisë, pra nga një krahinë e largët me “tjetër gjuhë” e tjetër besim fetar, e njoh autorin e kësaj katërsheje prej famulltarësh verior, pranon urdhërat e tyre dhe, në njëfarë mënyre, kërkon leje për atë që do të bëjë.

Fare haptas ai shpallet ithtar, madje nipi i tyre, që përpiqet të bëjë të njëjtën punë si ata: të shkruaj shqip. Besojë se s’ka nevojë të shtyhem më tej, për të thënë se, ndonëse gjysmë shekulli më pas, nipi i babzotit të “Çështje të marrëzisë”, ai që në vdekjen e babazotit pret mbërritjen e vëllait verior katolik të tij, është i njëjti njeri. Besoj se me këtë mund ta mbyllim këtë bisedë të gjatë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora